Deputeti i VV-së flet për raportet e Kurtit me Osmanin, tregon dy rreziqet e Ballkanit të Hapur

Intervista

Deputeti i VV-së flet për raportet e Kurtit me Osmanin, tregon dy rreziqet e Ballkanit të Hapur

Arife Morina Nga Arife Morina Më 5 shtator 2021 Në ora: 08:21
Jahja Koka, Albin Kurti

Vendi ynë po përballet me zhvillime të ndryshme politike, derisa po ballafaqohet edhe me pandeminë Covid-19.

E lidhur me këto zhvillime në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur deputeti  i Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Koka.

Deputeti Koka u shpreh se ekziston një koordinim i sinkronizuar i shkëlqyer, në mes kryeministrit, presidencës, ministres së Jashtme dhe ministrave tjerë.  Duke shtuar se po bëhen përgatitje serioze për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe rritjen e mençur të imazhit të jashtëm politik, mbi të gjitha i koordinuar me miqtë tanë SHBA dhe BE.

Tutje, ai ka treguar edhe raportet pozitë-opozitë dhe nivelin e bashkëpunimit mes tyre.

“Në aspektin e politikës ndërkombëtare, në vend që të na përkrahin në përballje me kundërshtimet dhe diferencat politike me fqinjët, çuditërisht vendosen kundër qëndrimeve tona. Ky lloj opozitarizmi nuk ushtrohet në shtetet e mirëfillta demokratike”, deklaroi deputeti i LVV.

Pasi deputeti Koka bënë pjesë në Komisionin për Arsim, Shkencë dhe Inovacion ai shfaqi sfidat dhe problemet në këtë komision duke thënë se nuk po gjen përkrahjen e duhur nga anëtarët e këtij komisioni.

Kurse, ai foli edhe për paraqitjen e kryeministrit Kurti në Bruksel, gjatë dialogut Kosovë-Serbi.

“Për herë të parë, në këtë histori dekadëshe të bisedave apo negociatave, kryeministri Kurti ka një qëndrim parimor diplomatik, duke përfaqësuar në mënyrë të denjë interesin e Kosovës, respektin ndaj historisë së saj, sidomos në kohën e gjenocidit dhe krimeve serbe”, theksoi ai, përcjell “Bota sot”.

Intervista e plotë 

“Bota sot”: Si e komentoi situatën politike në vend? 

Jahja Koka: Rrjedhat politike ndërkombëtare dhe të brendshme nuk ndalen. Por duhet të ekzistojë një sistem i mençur politik i vendit, pra një ansambël i koordinuar i njerëzve që, jo vetëm përcjellin me vigjilencë ato rrjedha, por të veprojnë mençur, të sinkronizuar dhe në koherencë në orientimin dhe modulimin e atyre rrjedhave në përputhje me aspiratat tona zhvillimore, stabilitetit, finalizimit të shtet formimit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Nëse pyetja e juaj ka të bëjë me një sekuencë momentale kohore të rrjedhjes në fjalë, që ju e konsideroni si situatë politike, mund të ju them se ekziston një koordinim i sinkronizuar i shkëlqyer, në mes kryeministrit, presidencës, ministres së Jashtme dhe ministrave tjerë.  Bëhen përgatitje serioze për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe rritjen e mençur të imazhit të jashtëm politik, mbi të gjitha i koordinuar me miqtë tanë SHBA dhe BE.

Presioni i paparë i gastronomeve, e sidomos i opozitës, në kohën kur situata lidhur me pandeminë Covid 19 ishte shumë e qetë, bëri që ne t’i lirojmë masat, në përputhje me këto kërkesa energjetike. Mirëpo u shkaktua eksplodimi i rasteve të modifikimit Delta të virusit, rritja e numrit të rasteve, me ardhjen e përkohshme në numër kolosal të mërgimtarëve tanë. Qeveria ka marrë tani, masat efikase në këtë drejtim dhe niveli i lakores së rritjes ditore të rasteve të infeksionit është përgjysmuar dhe po shkon gradualisht kah normalizimi.

“Bota sot”: Cili është niveli i bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës? 

Jahja Koka: Ne respektojmë demokracinë dhe opozitarizmin të shprehur me kritika pozitive të gabimeve tona eventuale. Por, kur është fjala për Covidin 19, është e çuditshme që të njëjtit njerëz që trumbetonin duke kërkuar hapje, lirimin pa kusht të dasmave dhe gastronomisë, tani pa u turpëruar për dyfytyrësi, kritikojnë situatën të cilën në fakt edhe ata e ndjellën.

Në aspektin e politikës ndërkombëtare, në vend që të na përkrahin në përballje me kundërshtimet dhe diferencat politike me fqinjët, çuditërisht vendosen kundër qëndrimeve tona. Ky lloj opozitarizmi nuk ushtrohet në shtetet e mirëfillta demokratike.

“Bota sot”: Ju jeni edhe pjesë e pjesë e Komisionit për Arsim, Shkencë dhe Inovacion. Sa gjeni përkrahje nga kolegët për tema të ndryshme? 

Jahja Koka: Arsyeja kryesore që jam kyçur në politikë është e lidhur me këtë pyetje të juaj. Me përkushtimin e devotshëm rigoroz shkencoro-pedagogjik, që nga UP deri në vitet e 80-ta, deri në universitetet dhe instancat shkencore më kredibile në botë, konsideroj që jam përgatit të kontribuoj në këtë drejtim. Në komision aktualisht janë tre kolegë që kanë eksperiencë fillestare shkencore-universitare, kurse 7 të tjerët janë me përgatitje shkollore në nivel të mësuesit të shkollës së mesme. Mirëpo, asnjëri nga anëtarët e komisionit, nuk kanë eksperiencë të veprimtarisë teknologjike, inovative apo të nivelit të lartë shkencor. Për këtë arsye orvatjet e mija që në Kosovë të gjenerohen kapacitete shkencore, teknologjike, inovative apo reprezentative shkencore, nga shumica e kolegëve të komisionit ballafaqohem me skepticizëm, indolencë shpesh edhe me injorim. Kjo më brengos, ngase “për t’i dhënë dikujt dritë, vetë burimi duhet të shkëlqejë”. Që do të thotë se duke qenë profesorët tanë universitar të pakompetenca shkencore pedagogjike, pa kompetenca teknologjike e inovative, dalin studentë të dobët. Rrjedhimisht në mënyrë vargore, dalin nxënës të dobët, filloristë të dobët. Dobësi e cila gjeneron atmosferë improvizuese në arsim, e cila është reflektuar në PISA. Kjo gjendje do të vazhdoj derisa nuk bëhen ndryshimet të cilat po i propozoj. Fatkeqësisht, në komision, por edhe në parlament e gjetiu në Kosovë ekziston një inklinim, tendencë apo qëndrim i njerëzve që të vijohet me të njëjtin avaz ekzistues, me staus-quo. Kjo më brengosë dhe me gjeneron frustuacione!

“Bota sot”: Cilat janë disa nga sfidat dhe temat kryesore të këtij komisioni? 

Jahja Koka: Fatkeqësisht, siç e theksova më lartë, në komision deri më tani procedohet vetëm me procedurat konvencionale, të cilat kanë ekzistuar tradicionalisht në komisionet e mëhershme. Unë do të mundohem në mënyrë persistente, që të fusim tema të veçanta, mësimore, shkencore e teknologjike, që do të mundësojnë avancimin e sistemit mësimor në nivel evropian, që njëherë e mirë të arrihen rezultate të larta në PISA.

“Bota sot”: Ju keni përmendur edhe lansimin e një rakete nga Kosova dhe kjo gjë ka nxitur reagime të mëdha. Pse mendoni se ka pas kaq shumë reagime? A mund të jetë shkak mosinformimi për fushën e shkencës dhe inovacionit?

Jahja Koka: Unë, mbaj ligjërata publike shkencore, por edhe në TV emisione jap informacione shkencore edukative. Një gazetare, në një emision i quajtur veror, me pyeti se a ka mundësi të niset një raketë nga Kosova?

Unë iu përgjigja duke sqaruar parimin shkencore të lansimit të raketës. I thash, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga kudo, nëse një trupi i jepet shpejtësi fillestare 7. 9 km/s, do të tejkalojë tërheqjen gravitacionale dhe rezistencën e molekulave të ajrit të atmosferës dhe bëhet satelit i Tokës. Pastaj ia tregova faktin se në një farë forme, kemi pas gjuajtje me raketa të reve që shkaktonin breshër apo dëmtime të vreshtave në Kosovë. Ato raketa lansoheshin nga një lokacion afër Urës së Fshajt, në afërsi të Gjakovës. Kjo procedurë e mbrojtjes së vreshtave nga dëmtimet e breshëritë, bëhej në vitet e 70ta.

Por, individët militant opozitar, sikurse edhe gazetarët militant, duke u munduar të “gjejnë qime në vezë” të kapin për fjale dhe duke dredhuar kuptimin e mesazhit tim, me qëllim të degradimi të personalitetit tim shkencoro-intelektual gjeneruan përralla e batuta. Por vetëm kur hyjnë në Google dhe shohin bagazhin time shkencor, librat e botuara në Universitetin e Tiranës, në UP dhe në shtëpitë prestigjioze në botë, më thërrasin personalisht dhe kërkojnë falje. Por nuk e dinë se dalja e informacioneve edhe të rrejshme, janë sikurse puplat e hedhura nga lartësia, që kanë karakter ireversibil (të pa kthyeshëm).

“Bota sot”: Sipas jush a është e zhvilluar mjaftueshëm lëmia e shkencës dhe teknologjisë, apo duhet përkrahur edhe më shumë? 

Jahja Koka: Në 20 vite, deri në fund të 80-tave, aq sa kam punuar si profesor i UP në Prishtinë, por sidomos në 33 vitet e fundit, gjatë kohës së qëndrimit në diasporë si profesor amerikan, jam munduar të kultivojë shkencën dhe teknologjitë e reja këtu në Kosovë. Zaten edhe me investime të filantropike. Por ishte një pengesë e patejkalueshme, ajo ishte mos përkrahja politike.

Arsyeja kryesore e kyçjes në politikë është ky qëllim. Që nga këtu, me kultivim të shkencës dhe teknologjisë inovative, të induktohet ngritja e nivelit arsimor, në shkolla të mesme por edhe fillore.

“Bota sot”: Cilat janë disa çështje që ju preokupojnë juve si përfaqësues i popullit? 

Jahja Koka: Finalizimi i shtet ndërtimit, demarkimi i çdo centimetri, perimetrit të kufirit të shtetit aktual të Kosovës. Konsolidimi kushtetuar e ligjor i komunave të Kosovës. Që nënkupton heqja e privilegjeve të disa komunave apo arritja e tretmanit të barabartë dhe të njëjtë për të gjitha komunat në kuadër të Kushtetutës së Kosovës. Funksionimi normal i Parlamentit të Kosovës, ku pakicat edhe ato serbe, të kenë të drejta, sikurse pakicat, e te gjitha vendeve demokratike në Evropë.  Kjo, mendoj që është e arritshme me një harmoni unike të të gjitha partive, me zhvillimin e nivelit të dëshiruar teknologjik, industrial dhe të punësimit dhe demokracisë së mirëfilltë. Pra me zhvillimin e demokracisë në nivel evropian. Është e vërtet që kjo që aktualisht kemi, diskriminimin pozitiv të pakicave serbe, ishte sipas Planit të Ahtisarit. Por, unë isha në një komision të IASH, në kohën e aprovimit të tij. Jam koshient që me kalimin e kohës, parashihet, nënkuptohet që në bazë të situatës së re zhvillimore në Kosovë, kur pakicat arrijnë të drejta të barabarta, nënkuptohet se duhet të hiqet diskriminimi i përmendur pozitiv ligjore dhe kushtetuar, i të gjitha pakicave në Kosovë. Ne duhet të zhvillojmë demokraci të njëjtë sikurse vendet tjera evropiane. Kështu që shpresojmë të  arrijmë të kyçemi në OKB dhe BE.

“Bota sot”: Iniciativa Ballkani i Hapur vazhdon të jetë një temë aktuale. Sipas jush, cili është rreziku për Kosovën nga kjo ide serbe?

Jahja Koka: Ballkani i Hapur, ka dy rreziqe serioze:

a) Kështu siç e kanë nisur kryeministrat Vuçiq, Zaev dhe Rama, përfaqëson rrezik të madh për Kosovën, ngase sipas Preambulës së Kushtetutës së Serbisë, Kosova akoma trajtohet si pjesë e Serbisë. Në këtë kontekst, Maqedonia, ka një distancë kufitare me Serbinë, pra mund të konsiderohet si vend fqinj. Ndërkaq, Shqipëria e kryeministrit Rama, nuk ka pika kontakti kufitar me Serbinë. Ndaj z. Rama, nuk mund ta konsideroj Serbinë si shtet fqinj. Këtë mund ta bëjë vetëm nëse aludon në kufirin e Merdares, duke e konsideruar Kosovën si pjesë të Serbisë.

b) Bosnjë Hercegovina, përfaqëson edhe një rrezik de integrues për Evropën. Të gjitha shtetet përfshirë edhe ato ballkanike, do të jenë pjesë e Shengenit evropian. Formimi i fraksioneve, demonstron forca divergjente që mund të formojnë tendenca divergjente dhe di integruese divergjente për Evropën. Këto i kupton Vuçiqi ndaj edhe i konvenon Ballkani i Hapur, si një serbo-sllavi e re. Por, nuk i kuptoj se çfarë mendojnë Rama dhe Zaev. Ata me ftesën e tyre, dhunojnë inteligjencën e shqiptarëve të Kosovës, Bosnjës dhe Malit të Zi. Për hir të inercionit të hegjemonizmit serb, nuk ka arsye që të shkaktohen të gjitha këto dëme me aktivitete Don Kishotiane të BH.

“Bota sot”: Si i vlerësoni paraqitjet e kryeministrit Kurti në dialog me Serbinë dhe çka prisni nga takimet e radhës?

Jahja Koka: Fatkeqësisht, paraqitjet e kryeministrave, bisedat dhe marrëveshjet e qeverive të mëparshëm ishin të dëmshme. Karakterizoheshin me një inferioritet diplomatik, mos koordinim institucional qeveri, presidencë, kuvend. Ishte një çakordim, de koherencë duke i shkaktuar palës kosovare dëme edhe të pariparueshme diplomatike.

Për herë të parë, në këtë histori dekadëshe të bisedave apo negociatave, kryeministri Kurti ka një qëndrim parimor diplomatik, duke përfaqësuar në mënyrë të denjë interesin e Kosovës, respektin ndaj historisë së saj, sidomos në kohën e gjenocidit dhe krimeve serbe. Serbia dhe Vuçiqi janë të shokuar me këtë qëndrim parimor, për herë të parë ballafaqohen me realitetin, të cilin iu demostrohet krimeve që ata shkaktuan. Ballafaqohen për herë të parë qëndrimin tonë rigjid, konsekuent dhe paluhatshëm të pavarësisë tonë të pakthyeshme, territorit të pacenueshëm dhe integritetin tonë kushtetuar.

Duke iu përgjigjur, pjesës së dytë të pyetjes tuaj të fundit konsideroj që Vuçiqi dhe Serbia, është në procesin e inkubimit apo të tretjes, me lukthin e saj politik. Pra një ballafaqim i ri me Kosovën, një ballafaqim real, parimor, të vërtetë dhe të drejtë. Parimin, të vërtetën dhe të drejtën më në fund e kupton dhe e çmon edhe armiku, por duhej të vinte dikush në timon për t’ia u thënë serbëve. Këtë po e bënë Kryeministri Kurti.

“Bota sot”: Sa mendoni se mund të kemi marrëveshje finale me Serbinë këtë vit?

 Jahja Koka: Konsideroj që fundi i marrëveshjes me Kryeministrin Kurti është më afër përfundimit se asnjëherë më parë. Them kështu, ngase Serbia e Vuçiqit dhe kryeministrave të tjerë serbë, ishte mësuar me lëshimet dhe nënshtrimet e kryeministrave dhe të palës sonë në përgjithësi. Duke parë ata këto dobësi dhe rrëshqitjen graduale kah kërkesat e tyre, ata rrisnin numrin e kërkesave me kalimin e kohës. Kështu bisedat bëheshin të pa përfundueshme, pasi në çdo raund të ri bisedash, fitonin nga diçka të re, në dëm të palës kosovare. Këtu mendoj që ishte edhe pafundësia kohore e negociatave apo bisedave. Ishte e bazuar në pritshmëritë e pafunda të Serbisë.

Tani kur Serbia e ka të qartë se nuk do të fitojë koncesionet e reja politike, nuk do të realizojë kërkesa të reja, arrin te një fund. Te logjika e nevojës së përfundimit të bisedave. Ndaj këtu e shoh edhe mundësinë e përfundimit të shpejtë të bisedave apo negociatave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat