Nga AAK flasin për reciprocitetin, nënkryetari Nitaj tregon pritshmëritë nga zgjedhjet lokale

Intervista

Nga AAK flasin për reciprocitetin, nënkryetari Nitaj tregon pritshmëritë nga zgjedhjet lokale

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 1 tetor 2021 Në ora: 15:36
Nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj

Situata në vend po vazhdon të jetë e përmbushur me zhvillime të shumta.

Pandemia e cila ka kapluar gjithë botën padyshim që ka përfshirë edhe Kosovën, e cila po vazhdon të merr jetë të njerëzve.

Mirëpo, për të mos mjaftuar situata pandemike një ngjarje e cila ka marrë vëmendjen kohëve të fundit është vendosja e reciprocitetit nga kryeministri Kurti ndaj Serbisë.

Në lidhje me këtë ngjarje të fundit në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur nënkryetari i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Ai në këtë intervistë komentoi ngjarjet aktuale në vend, duke e cilësuar situatën shumë të rënduar, madje siç thotë ai më e rënda që nga shpallja e pavarësisë së vendit.

Nitaj thotë se mbikëqyrja e KFOR-it në veri të Kosovës nuk ishte e nevojshme pasi që këtë punë e ka Policia e Kosovës.

Në mesin e shumë ngjarjeve në vend, zgjedhjet lokale mbesin ato të cilat do të mbahen më 17 tetor.

E në lidhje me pritshmëritë nga zgjedhje, Nitaj thotë se AAK ka një pozitë të favorshme që mund të fitojë bindshëm në këto zgjedhje. Ai pret që në disa nga qytetet e Kosovës të fitojë bindshëm ndërsa në Prishtinë dhe disa qytete tjera pret të dalin në balotazh.

Në bisedë e sipër më gjerësisht për reciprocitetin e vendosur nga kryeministri Kurti, ai thotë se nuk do të duhej të vendosej pasi kryeministri nuk ka pasur e nuk ka plan konkret për këtë akt.

Ndërsa, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Nita thotë se nuk do të ketë marrëveshje finale nëse nuk janë të përfshira SHBA-të.

E fare fund në lidhje me situatën pandemike dhe menaxhimin e situatës nga ministri Vitia, Nitaj u shpreh se nuk ka përkrahur masat që ai ka vendosur dhe se kandidimi i tij për kryetar Prishtine ishte veprimi më i tepërt i ministrit.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Muharrem Nitaj: Jashtëzakonisht të komplikuar. Ndoshta më të rëndën që nga shpallja e pavarësisë. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, na kanë kthyer mbrapa. Marrëveshja e arritur atje, është shumë problematike. Nuk jam aspak i sigurt që nuk është ne kundërshtim me parimin e karakterit unitar të vendit. Pajtimi që në veri ta ruajë rendin KFOR-i, është kthim mbrapa. KFOR-i është forcë ushtarake, por ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike është punë e policisë së Kosovës. Ka bërë gabim qeveria që ka pranuar të negociojë me Serbinë për çështjet e brendshme të Kosovës.

“Bota sot”: Z.Nitaj, edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale, cilat janë pritshmëritë e AAK-së?

Muharrem Nitaj: AAK e ka një pozitë bukur të favorshme në zgjedhjet lokale. Ne kemi udhëhequr me 7 komuna dhe performanca qeverisëse e AAK në këto komuna ka qenë e një niveli shumë të lartë. Presim që Gjakova, Suhareka, Rahoveci, Deçani, Klina dhe Juniku, të shënojnë fitore të sigurt. Shumica prej tyre që në raundin e parë. Natyrisht janë edhe disa komuna të tjera, ku presim rezultat shumë të mirë. E presim në rezultat fitues edhe në Istog. Po ashtu synim yni real besoj, do të jetë që minimalisht të shkojmë në balotazh në Prishtinë, Podujevë, Pejë, e ndoshta edhe në Kamenicë apo Prizren. Ajo që mund ta them me siguri është se vota popullore për Aleancën në këto zgjedhje do të shënojë rritje të ndjeshme.

“Bota sot”: Gjithashtu AAK është përballur me disa largime nga partia. Sa mund të ndikojnë tek elektorati?

Muharrem Nitaj: Partia është organizëm i gjallë. Njerëzit lëvizin, dikush ndërron parti, dikush tërhiqet krejt dhe kjo është fare normale. Por krahas largimeve ka edhe aderime të reja. Është shumë i madh numri i njerëzve që i janë bashkuar AAK-së në këtë vitin e fundit. Mjafton t’i shihni listat e kandidatëve për ansamble, dhe do të vëreni se rreth 40% e tyre janë njerëz që nuk kanë qenë pjesë ë AAK-së më parë. Mendoj që kjo është më e madhe se sa numri i atyre pak njerëzve që janë larguar.

“Bota sot:” Tashmë një temë aktuale mbetet reciprociteti ndaj Serbisë. Si e shihni vendimin e kryeministrit Kurti? A duhet të vendoset reciprociteti me Serbinë edhe ndaj fushave tjera?

Muharrem Nitaj: Vendimi i Kurtit ka qenë i drejtë, po zbatimi i tij katastrofik. Kryeministri e ka bërë më keq se sa që ka qenë. Nuk ka qenë dashur të futej në aventurë pa një plan operacional të studiuar mirë. Tash jemi kthyer mbrapa.

“Bota sot”: Si e vlerësoni dialogun me Serbinë, sa prisni një marrëveshje finale me njohje reciproke?

Muharrem Nitaj: Nuk i besoj dialogut me Serbinë, derisa në këtë proces nuk do të përfshihen SHBA. Duket një mision i pamundshëm. Ne në vend që të zhvillojmë një dialog politik për marrëveshje përfundimtare, sërish i jemi kthyer dialogut Teknik. A po e shihni se si në kohën kur po përballemi me sëmundjen e shekullit që po e rrezikon njerëzimin e edhe popullin tonë, ne kryetemë i shndërrojmë targat.

“Bota sot”: Vendi jonë po përballet edhe me pandeminë Covid-19, si e vlerësoni menaxhimin e ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia?

Muharrem Nitaj: Nuk i kam vlerësuar masat anticovid nga ministri Vitia asnjëherë. Krejt jofunksionale kanë qenë edhe ora policore, masat kufizuese në gastronomi, edhe mënyra se si është organizuar procesi mësimor…e kështu me radhë. Por dështimi më i madh ka qenë imunizimi dhe vaksinimi i popullsisë. Një proces që është vonuar shumë. Në veç këta dy muajt e fundit kemi pasur ritme më normale të vaksinimit. Na ka ndodhur që të asgjësojmë mijëra vaksina, në kohën kur populli priste me muaj që të merrte një përgjigje për vaksinim. Mos të kishin qenë shtetet mike, posaçërisht SHBA që na kanë falur qindra mijëra vaksina, unë nuk e di se ku do të ishim sot. Pati një kohë kur Kosova ishte në top listën globale për numrin e viktimave dhe të të infektuarve. Kapuçi këtij dështimi iu vu kur ministri Vitia, e nisi një proces tjetër, për vota në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat