LDK u rikthye fuqishëm/ Flet deputetja, paralajmëron partitë politike për komunat në balotazh

Intervista

LDK u rikthye fuqishëm/ Flet deputetja, paralajmëron partitë politike për komunat në balotazh

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 tetor 2021 Në ora: 21:47
Rrezarta Krasniqi

Nuk ka kaluar as edhe një muaj që nga zgjedhjet lokale në vend.

Këto zgjedhje u mbajtën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos pasur parregullsi dhe as incidente që zakonisht janë prezent.

Mirëpo befasi në këto zgjedhje ishin që shumica e komunave kanë shkuar në balotazh.

Të gjendur kështu, vendi ynë do të ketë zgjedhje edhe më 14 nëntor, ku do të përcaktohen fituesit final të komunave.

Në lidhje me zgjedhjet lokale si dhe situatën politike në vend, në një intervistë ekskluzive ka folur deputetja nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Ajo u shpreh se zgjedhjet lokale kanë shkuar në mënyrë demokratike dhe të lirë, ku qytetarët vendosën për kandidatët që dëshirojnë të i përfaqësoj ata.

Deputetja flet për pritshmëritë e saj nga këto zgjedhje dhe shprehet se LDK është kthyer fuqishëm duke thënë se ka kthyer edhe elektoratin e saj.

Sipas saj, sovrani e ka kuptuar se pushteti aktual, nuk është i aftë të veprojë për të zgjidhur hallet e tyre dhe se mërgata jonë më së miri dëshmoi me votën e tyre se LDK-ja është e vetmja shpresë për vendin.

Një nga komunat ku gjendet në balotazh LDK është edhe Vushtrria, e që fitues sipas saj padyshim që do të jetë prapë LDK-ja, deputetja gjithashtu shprehet se LDK do të del fituese në të gjitha komunat ku është në balotazh.

E pyetur më konkretisht për kryeqytetin e vendit se a do të fitoj kandidati Rama, deputetja shprehet e bindur se do të jetë fitues dhe cek që një kryetar si ai i duhet Prishtinës.

Duke qenë se deputetja është kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, ajo u pyet në lidhje me liberalizimin e vizave e që u shpreh se tashmë qytetarët janë duke qëndruar padrejtësisht të izoluar në vend pasi të gjitha kushtet janë të plotësuara.

Ndërsa për dialogun Kosovë-Serbi, deputetja thotë se pushteti aktual nuk është duke vepruar si duhet karshi çështjes së dialogut.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si i komentoni zgjedhjet lokale të 17 tetorit?

Rrezarta Krasniqi: Zgjedhjet lokale të 17 tetorit ishin zgjedhje të lira dhe demokratike. Kosova tregoi maturi në organizimin e këtij procesit zgjedhor si dhe në pranimin e rezultateve zgjedhore.

“Bota sot”: Cilat kanë qenë pritshmëritë e juaja nga këto zgjedhje?

Rrezarta Krasniqi: Qytetarët e Republikës së Kosovës në këto zgjedhje ndëshkuan arrogancën e pushtetit aktual, i cili ndonëse kishte siguruar shumicën parlamentare në zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk arriti të bëjë asnjë punë të mirë për vendin dhe këto zgjedhje ishin ndëshkim për ta. LDK-ja është rikthyer fuqishëm në zgjedhjet e 17 tetorit, kjo falë punës së përbashkët në terren, anëtarë e simpatizantë.

“Bota sot”: A mendoni që këto zgjedhje arritën të kthejnë elektoratin e LDK-së?

Rrezarta Krasniqi: Siç e ceka edhe më lart, LDK-ja në këto zgjedhje është rikthyer fuqishëm, sepse sovrani e ka kuptuar se pushteti aktual, nuk është i aftë të veprojë për të zgjidhur hallet e tyre, që tanimë janë rënduar edhe më shumë me ngritjen e çmimeve në treg në përgjithësi.

“Bota sot”: Nga rezultatet preliminare, në qytetin e Vushtrrisë janë në balotazh LDK dhe PDK. Cilat janë pritshmëritë e juaja?

Rrezarta Krasniqi: Nuk e kam as më të voglin dyshim se LDK-ja do të dalë triumfuese nga balotazhi. Bashkëvendësit e mi kanë interes që të vazhdojë mirëqeverisja e nuk duan që të kthehen ata që dikur ua humben shpresën vushtrriasve.

“Bota sot”: Znj. Krasniqi së fundmi PDK i ka kërkuar koalicion VV. Si e komentoni ju këtë kërkesë, sa mund të realizohet?

Rrezarta Krasniqi: Për këtë çështje është më mirë të pyeten subjektet në fjalë, unë mund të flas vetëm për LDK-në.

“Bota sot”: Gjithashtu nga diaspora LDK ka qenë partia me e votuara. A mendoni që reformat e reja kanë ndikuar në këtë ngritje të LDK-së?

Rrezarta Krasniqi: Mërgata jonë më së miri dëshmoi me votën e tyre se LDK-ja është e vetmja shpresë për vendin. Procesi i reformimit nëpër të cilin ka kaluar LDK-ja është mirëpritur nga qytetarët në masë të madhe, e njëjta u dëshmua edhe në këto zgjedhje.

“Bota sot”: Ju gjithashtu jeni kryetare e Komisionit për Integrim, cilët mund të jenë faktorët që po ndikojnë në mos liberalizimin e vizave?

Rrezarta Krasniqi: Procesi i liberalizimit të vizave nuk varet në tërësi nga Kosova, kjo u dëshmua tash e sa kohë me plotësimin e kritereve të përcaktuara nga BE për liberalizim të vizave. Unë konsideroj se qytetarët e Republikës së Kosovës, padrejtësisht po mbahen të izoluar nga BE, ndonëse jemi populli me pro evropian. Mendoj se BE duhet t’i hap dyert për qytetarët e vendit tonë, në mënyrë që të lëvizin lirshëm drejtë vendeve të BE-së.

“Bota sot”: Një temë gjithashtu aktuale në vend është dialogu Kosovë-Serbi, sa afër mund të jetë një marrëveshje finale?

Rrezarta Krasniqi: Për fatin e keq, pushteti aktual nuk është duke vepruar si duhet karshi çështjes së dialogut. Ndonëse në fillim, kjo nuk ka qenë në prioritetet e tyre, më pas u bë, por nuk treguan ndonjë rezultat konkret. Qeveria e Republikës së Kosovës duhet më patjetër të bashkëpunoj me aleatët tanë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, në këtë rast me SHBA-në dhe BE-në. Çdo marrëveshje që mund të arrihet pa dakordim me SHBA-në është e dëmshme për vendin.

“Bota sot”: Gara kryesore është për Prishtinën ku dhe LDK është në balotazh. A mendoni se Përparim Rama do të jetë kryetari i ardhshëm i kryeqytetit?

Rrezarta Krasniqi: Edhe në kryeqytet, sikurse në komunat tjera LDK-ja ka marrë mbështetje madhështore nga qytetarët. Jam e bindur se Prishtinës i duhet një kryetar si Përparim Rama, dhe prishtinasit duhet të ndihen me fat që do ta kenë një kryetar të tillë, i cili ka plane dhe ide konkrete për kryeqytetin.

“Bota sot”: Jeni në balotazh në 8 komuna. Çfarë prisni nga raundi i dytë i zgjedhjeve, sa komuna pritni t'i fitoni?

Rrezarta Krasniqi: LDK do të dalë fituese në të gjitha komunat ku jemi në balotazh, kjo për faktin se LDK ka kandidatët më të mirë për kryetarë të komunave dhe kanë ofertën e duhur për qytetarët. Programet qeverisëse në komunat ku do të udhëheqin kryetarët nga LDK kanë plane e qëllime të qarta dhe si të tilla janë të realizueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat