Bujanoci në ‘mes’ Kosovës dhe Serbisë/ Arifi flet për problemet dhe sfidat – ja si e vlerëson bashkëpunimin me Qeverinë Kurti

Intervista

Bujanoci në ‘mes’ Kosovës dhe Serbisë/ Arifi flet për problemet dhe sfidat – ja si e vlerëson bashkëpunimin me Qeverinë Kurti

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 dhjetor 2021 Në ora: 20:52
Nagip Arifi

Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit vazhdojnë të përballen me probleme dhe mosrespektim të të drejtave të tyre nga Serbia.

Në lidhje me problemet, sfidat dhe të arriturat në komunën e Bujanocit, në një intervistë për gazetën “Bota sot” foli kryetari Nagip Arifi.

Fillimisht, ai u shpreh se komuna të cilën e udhëheq përballet me problem të shumta, kryesisht ekonomike dhe politike. Arifi përmendi edhe qasjen qendrore të Beogradit ndaj komunës së shqiptarëve, ku aty mungojnë investime dhe është krijuar një atmosferë e pashpresë, shkaku i refuzimit të integrimit të shqiptarëve.

Krahas kësaj, kryetari i Bujanocit dha detaje edhe për bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës dhe komunat e saj, ku potencoi se ka një bashkëpunim të mirë dhe e vlerësoi lart buxhetin e ndarë prej 2 milionë euro për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.

Ndër të tjera, Arifi komentoi edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kërkesa e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës ka më shumë tendenca për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës, se sa për të mirën e qytetarëve serbë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë parimin e reciprocitetit, ajo që implementohet për serbët në Kosovë, le të implementohet edhe për shqiptarët në Serbi”, deklaroi ai për “Bota sot”.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Cilat janë sfidat me të cilat përballet sot Bujanoci?

Nagip Arifi: Bujanocin e shoqërojnë shumë probleme. Ato në të shumtën e rasteve janë të karakterit politik edhe ekonomik. Politika qendrore në Beograd nuk ka ndonjë interes që ta zhvillojë këtë komunë, dhe të gjitha investimet që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik i ka deri në qytetin e Vranjës, që është vetëm 15 km larg Bujanocit, por ato investime asnjëherë nuk arrijnë në Bujanoc, por edhe në Preshevë. Veç kësaj, e cila po krijon atmosferë të pashpresë, problemi i integrimit të shqiptarëve në institucionet republikane vazhdon të jetë aktual. Numri i përfaqësimit të shqiptarëve të Bujanocit në këto organe është minimal, e në disa institucione është zero. Gjithashtu, nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës, respektivisht nga data 17.02.2008 e këndej, të gjithë të diplomuarve nëpër universitetet e Republikës së Kosovës nuk u njihet diploma, gjë që po e rëndon edhe më shumë gjendjen e qytetarëve tanë, të cilët nga pamundësia për gjetjen e punës në profesion, po detyrohen që të largohen nga vendlindja. Në përgjithësi, Bujanoci ballafaqohet me probleme ekonomike, të migrimit, të pasivizimit të adresave.

“Bota sot”: A keni bashkëpunim me institucionet shtetërore në Kosovë, përfshirë edhe kryetarët e komunave?

Nagip Arifi: Deri më tani kemi pasur raporte të mira me institucionet shtetërore në Kosovë, pavarësisht kush ka udhëhequr me ato. Zhvillojmë takime sa herë që kemi nevojë. Këtë vit, për herë të parë qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë vijën buxhetore për komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë në vlerë prej 2 milionë eurove, dhe shpresoj që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, edhe me kryetarët e komunave në Kosovë qëndrojmë mirë. Bujanoci për shkak pozitës gjeografike që ka, e që kufizohet me komunat Kamenicë dhe Gjilan, bashkëpunimi me këto dy komuna është shumë i mirë. Këtë vit falë bashkëpunimit me autoritetet lokale të Kamenicës kemi ndërtuar një urë që na lidhë dy komunat. Ne shpresojmë që edhe në të ardhmen të vazhdojmë të realizojmë projekte të përbashkëta që plotësojnë interesat e qytetarëve tanë.

“Bota sot”: Sa po pengohen projektet e juaja në komunën e Bujanocit nga autoritetet qendrore në Beograd?

Nagip Arifi: Në përgjithësi, të gjitha projektet e rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimin e komunës së Bujanocit pengohen apo neglizhohen nga autoritetet në Beograd. Rasti i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore është një shembull shumë i mirë për të treguar mos interesimin e qeverisë për Bujanocin. Kemi disa ndërmarrje të tilla që janë ose kanë qenë në proces të privatizimit, e të cilat ndërpritet kur kuptojnë se njërën nga to, blerës potencial do të jenë shqiptarët. Por, edhe kur janë të huaj, politika në Beograd, komunat shqiptare në Luginë të Preshevës i paraqet si jo stabile politikisht, dhe në këtë mënyrë pengon zhvillimin e kësaj ane. Në fakt, situata e rënduar ekonomike po sjell dhe pasoja politike.

“Bota sot”: Pasivizimi i adresave për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës është problem mjaft shqetësues, sa keni arritur ta adresoni këtë problematikë në organet qendrore në Serbi, apo edhe në Kosovë, Shqipëri e BE?

Nagip Arifi: Pasivizimi është një shqetësim tjetër shumë i madh për qytetarët shqiptarë. Pothuajse, tema kryesore që shtjellojmë me të gjithë faktorët vendor dhe ndërkombëtar, është pikërisht çështja e pasivizimit të adresave. Ndonëse, në Serbi është në fuqi ligji për pasivizimin e adresave, ajo është duke u aplikuar në mënyrë selektive, e më së shumti që po pësojnë nga ky ligj, janë pikërisht shqiptarët e Medvegjës, pastaj Bujanocit dhe Preshevës. Faktori ndërkombëtar është i njoftuar mirë me këtë problematikë. Gjithashtu, edhe autoritetet në Kosovë, të cilat këtë problematikë po e shtrojnë edhe në Bruksel, kurse Shqipëria në këtë drejtim nuk ka treguar ndonjë seriozitet.

“Bota sot”: Sa jeni të kënaqur me përfaqësimin e shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë?

Nagip Arifi: Siç e dini, nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, shqiptarët për herë të parë përfaqësohen në Kuvendin e Serbisë me 3 deputetë. Përkundër kësaj dhe përkundër angazhimit të deputetëve tanë që të adresojnë problemet e shqiptarëve, është shumë e vështirë të arrihet diçka konkrete në një parlament të këtillë, që nga 250 deputetë sa i ka, 244 janë në pushtet, 6 në opozitë.

“Bota sot”: A mendoni se dy shtetet shqiptare, Kosova dhe Shqipëria po bëjnë mjaftueshëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës?

Nagip Arifi: Vitin e kaluar në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive shqiptare u nënshkrua edhe themelimi i Fondit Kombëtar për Luginën e Preshevës, që kishte për qëllim ndihmën për zhvillim të tri komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Kosova këtë vit ka bërë hapin e parë, duke ndarë nga buxheti i saj shumën prej 2 milionë eurove, kurse Shqipëria, edhe pse në bazë të Kushtetutës së saj e ka obligim që të kujdeset për shqiptarët jashtë territorit të saj, ende nuk ka dhënë sinjal se do të bëjë diçka konkrete. Sigurisht, që ne presim angazhim edhe më të madh nga dy qeveritë, por nëse Kosova ka ende probleme të pazgjidhura me Serbinë dhe në njëfarë forme Serbia mund të pengojë ndihmën e saj, kjo nuk vlen për Shqipërinë e cila duket se ka raporte shumë të mira me Serbinë.

“Bota sot”: Çfarë do të duhej të bëhej më tepër nga dy qeveritë shqiptare në këtë drejtim?

Nagip Arifi: Kosova dhe Shqipëria mendoj se duhen sa më shumë duhet të ngritin zërin në instancat ndërkombëtare për diskriminimin e vazhdueshëm të shqiptarëve në Serbi. Përveç kësaj, mendoj se duhet të investojnë më shumë në projekte që kanë të bëjnë me arsimin dhe zhvillimin ekonomik. Një model të ndihmës shtetërore ndoshta mund ta kopjojnë nga Serbia, e cila ndanë një shumë shumë të madhe nga buxheti i saj për serbët në Kosovë.

“Bota sot”: A duhet të përfshihet në bisedimet Kosovë – Serbi edhe çështja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit?

Nagip Arifi: Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të bëhet pa zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës. Mendoj se përfshirja e çështjes së Luginës së Preshevës në këto bisedime është e padiskutueshme. Ka një mori problemesh që mund të diskutohen në Bruksel, kurse mos zgjidhja e tyre nënkupton vazhdimësi të diskriminimit të shqiptarëve të Luginës.

“Bota sot”: Si e shihni ju kërkesën e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës, a mund të ndodhë një Asociacion i tillë edhe me komunat shqiptare në Serbi?

Nagip Arifi: Nga këndvështrimi im, kërkesa e Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës ka më shumë tendenca për ta defunksionalizuar shtetin e Kosovës, se sa për të mirën e qytetarëve serbë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të aplikojmë parimin e reciprocitetit, ajo që implementohet për serbët në Kosovë, le të implementohet edhe për shqiptarët në Serbi.

“Bota sot”: Si e shihni ju epilogun e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga perspektiva juaj, çfarë mund të ndodhë?

Nagip Arifi: Interesimi i shtuar i faktorit ndërkombëtar, e sidomos ai i ShBA-së për të përfunduar dialogu mes Kosovës dhe Serbisë jep shpresë se do të ketë një zgjidhje, edhe pse kjo nuk do të ndodhë së paku deri në zgjedhjet parlamentare në Serbi që do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm. Besoj që njohja e ndërsjellë do të ndodhë dhe kjo do të hap rrugë për të dyja shtetet për anëtarësim në BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat