Persona që rrezikojnë sigurinë kombëtare, po fitojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës

Intervista

Persona që rrezikojnë sigurinë kombëtare, po fitojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 26 dhjetor 2021 Në ora: 17:00
Deputeti nga radhët e VV-së, Vendenis Lahu

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, deputeti Vendenis Lahu thotë se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka marrë një sërë vendimesh e ligjesh që do ta bëjnë jetën më të mirë në Kosovë.

Ai si sfidë më të madhe të kësaj qeverie e sheh pandeminë me të cilën po përballet Kosova tash e një vjet.

Sa i përket krimit në veri, Lahu ka thënë se çfarë përfundimisht mund të thotë është se krimi atje ka bashkëpunëtorët e tij edhe këndej Urës së Ibrit.

Derisa për opozitën ka deklaruar se kritikat e tyre janë pa ndonjë bazë të mirëfilltë ose të pabazuara në gjëra reale.

Kurse, për variantin e ri Omicron, thotë që duhet të jemi të vëmendshëm sepse është dominues në shumë vende të botës e shumë shpejt besoj se do të përhapet çdokund për shkak të shkallës shumë më të lartë të transmisionit sesa variantet paraprake.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Jemi në fund vit, si e vlerëson qeverisjen Kurti, që nga nisja e mandatit?

Vendenis Lahu: Qeveria Kurti për këto 8-9 muaj ka marrë një sërë vendimesh të nevojshme e të rëndësishime si dhe ka proceduar një numër të konsiderueshëm ligjesh në Kuvendin e Kosovës, vendime e ligje që do ta bëjnë jetën më të mirë në Kosovë, por sigurisht se edhe punët e mira duan kohën e tyre për të dhënë rezultatet e dëshiruara. Mendoj se për këta muaj me gjithë situatën e rënduar me të cilën është përballur, Qeveria ka qenë e suksesshme.

“Bota sot”: Cila mendoni se është një nga sfidat kryesore me të cilën është përballë qeveria Kurti?

Vendenis Lahu: Për këta muaj padyshim se nga sfidat më të mëdha, jo vetëm për Qeverinë e Kosovës, por për secilën qeveri në botë ka qenë situata me pandeminë. Duke pasur parasysh edhe se sa i amortizuar është sistemi e infrastruktura shëndetësore në vend dhe lënien anash për pothuajse 20 vitet e fundit nga qeveritë e kaluara, sigurisht se ka qenë nga sfidat më të mëdha.

“Bota sot”: Jeni anëtar në komisionin për mbikëqyrje e AKI-së, si vlerësoni punën e saj?

Vendenis Lahu: AKI-ja prej formimit të saj, për vite me radhë është përcjellë me jostabilitet e shpeshherë edhe me skandale të llojeve të ndryshme. Javëve të fundit kemi pasur rastin të dëgjojmë edhe për skandalin me dy agjentët e AKI dhe dëshminë e rrejshme të tyre. Këto mendoj se e dëmtojnë kredibilitetin dhe funksionin e saj si institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë kombëtare. Ne si Komision për mbikëqyrjen e këtij Agjencioni jemi duke bërë përpjeke që të jemi sa më shumë të informuar për veprimtaritë e saj brenda mandatit tonë dhe të ushtrojmë rolin tonë të mbikëqyrjes parlamentare ndaj këtij agencioni. Tashmë në krye të agjencionit është një udhëheqje e re, e cila mund të them se për këto kohë ka qenë shumë bashkëpunuese dhe e përgjegjshme.

“Bota sot”: Dy agjentë të saj u suspenduan, pasi kishin pranuar të manipuloheshin nga ish shefi i AKI-së dhe ish-prokurori Syla në rastin “Syri i popullit”. A keni kërkuar llogaridhënie për këtë si Komision, dhe a mjafton thjeshtë suspendimi për këtë skandal?

Vendesni Lahu: Po, mendoj se ajo paraqet skandal që dëmton dhe cenon rëndë integritetin, profesionalizmin e besueshmërinë e këtij agjencioni. Në komisionin tonë është diskutuar për këtë çështje dhe agjencia ka marrë masa, por ne e dimë se dëshmia e rrejshme është vepër penale, aq më tepër kur vjen nga anëtar të organeve të sigurisë dhe mendoj që ligji dhe drejtësia duhet të zbatohet edhe në këtë rast, ashtu siç duhet të zbatohet edhe në çdo rast tjetër të kësaj natyre dhe jo vetëm.

“Bota sot”: Si është gjendja e sigurisë në veri. Krimi i organizuar atje është ndërkombëtar, Lista e zezë e shpallur nga SHBA-ja, ende nuk po ekzekutohet. Kur do të ndodhë kjo (arrestimet), në Kosovë?

Vendenis Lahu: Rreth krimit në veri, ne tashmë kemi parë një vendim të Departamentit të Shtetit për vendosjen në listë të zezë të disa kompanive dhe personave të përfshirë në veprimtari ilegale e kriminale. Ne nuk është që si kemi njohur ata, sepse disa prej tyre janë edhe me background politik, e besa disa prej tyre kanë qenë edhe në zyrë të ish-kryeministrit të Kosovës, që për mendimin tim paraqet skandal në vete. Qeveria ka bërë disa veprime në këtë drejtim ku ka targetuar disa grupe kriminale në veri e veprime, të cilat mendoj se do të ishte mirë të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Por, çfarë përfundimisht mund të them është se krimi në veri ka bashkëpunëtorët e tij edhe këndej Urës së Ibrit.

“Bota sot”: Në Kuvendin e Kosovës është edhe deputeti i Listës serbe, Branisllav Nikoliq, i larguar nga presidenca si i dyshuar se është agjent i BIA-s. Jeni interesuar si Komision dhe ju si deputet të merrni informacion nga AKI, nëse është kështu?

Vendenis Lahu: Ne si komision i AKI jemi interesuar disa herë rreth këtyre çështjeve. Jo vetëm ndaj emrave specifik, por edhe në gjenerale se si janë mundësitë që AKI-ja përmes rolit të saj të detektojë edhe elementet e agjenturave, të cilët potencialisht tentojnë të infiltrohen në jetën politike në vend. Deputetët zgjedhen nga populli dhe këtu nuk mund të interferojë askush, por ne kemi diskutuar edhe mundësinë e ofrimit të certifikatës së sigurisë për secilin deputet nga agjencioni. Për momentin kjo nuk është e mundshme edhe për shkaqe legjislative, por edhe për shkak se parlamenti duke qenë organ mbikëqyres i Agjencionit dhe në të njëjtën kohë agjencioni të lëshojë certifikata sigurie për anëtarët e parlamentit që kontrollojnë agjencionin është paksa problematike. Por, mendoj se duhet të bëhet një zgjidhje për këtë çështje në mënyrë që edhe deputetët të kenë certifikatë sigurie, në mënyrë që të mos mund të gjendemi para situatës kur persona të cilët ndoshta edhe rrezikojnë sigurinë kombëtare, fitojnë ulëse në Kuvendin e Republikës.

“Bota sot”: Opozita herë pas here, duket sikur po pret momentin që të dal me kërkesë për rrëzimin e Qeverisë, a ndiheni të rrezikuar?

Vendenis Lahu: Mendoj se opozita ka të drejtë të deklarohet ashtu, po ne nuk ndjehemi të rrezikuar sepse kemi edhe numrat në Kuvend si asnjë subjekt tjetër më parë, por edhe mbështetjen te qytetarët. Qeveria ka 9 muaj dhe për këta muaj është bërë një punë e mirë, dhe mendoj se as vetë opozita nuk është e interesuar për zgjedhje.

“Bota sot”: Si i vlerësoni qëndrimet e opozitës, kritikat, ashpërsinë nganjëherë të saj, a janë të motivuara sa duhet?

Vendenis Lahu: Mendoj se shumë nga kritikat e opozitës janë vetëm për konsum ditor dhe pa ndonjë bazë të mirëfilltë ose të bazuar në gjëra reale. Por, mendoj se pas një qeverisje për kaq gjatë dhe kaq keq, e me dëme të shumta, të cilat i kanë bërë vendit, nuk e kanë të lehtë që të nxjerrin përfundime e kritikë të bazuara e me vend, sepse për shumicën e gjërave që kritikojnë janë dëme ndaj vendit, të cilat i janë bërë gjatë qeverisjes së tyre.

“Bota sot”: A mendoni se është e rrezikuar Kosova nga varianti Omicron, dhe cilat janë disa nga hapat që duhet të marr?

Vendenis Lahu: Mendoj se duhet të jemi mjaft të vëmendshëm në raport me variantin e ri Omicron. Momentalisht te ne nuk kemi raste me këtë variant, por ky variant tashmë është dominues në shumë vende të botës, e shumë shpejt besoj se do të bëhet çdokund për shkak të shkallës shumë më të lartë të transmetimit sesa variantet paraprake. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë masat e sidomos të vaksinohemi sepse vaksinat janë armët tona më të forta edhe ndaj këtij variant.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat