Kërcënimet për rrëzimin e Qeverisë/ Deputeti Agusholli kështu i përgjigjet opozitës: Rreziku nuk është as në horizont

Intervista

Kërcënimet për rrëzimin e Qeverisë/ Deputeti Agusholli kështu i përgjigjet opozitës: Rreziku nuk është as në horizont

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 4 janar 2022 Në ora: 20:42
Deputeti Gramos Agusholli

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Gramos Agusholli, në një intervistë për “Bota sot”, ka thënë se gjatë këtyre 9 muajve të qeverisjes së Kryeministrit, Albin Kurti, ka pasur zhvillim ekonomik në vend.

Gjithashtu, Agusholli i cili është anëtar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka folur edhe për situatën e energjisë elektrike në vend dhe për masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat u miratuan në Kuvendin e Kosovës.

“Jemi prej vendeve të vetme në rajon që nuk kemi marrë vendim për rritje të çmimeve, për të mos e rënduar xhepin e qytetarëve të Kosovës”, thotë Agusholli.

Ndërkaq, deputeti i VV-së ka folur edhe për pandeminë, si dhe për kritikat dhe kërcënimin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

“Bota sot”: Si e komentoni situatën politike në vend?

Gramos Agusholli: Unë konsideroj se gjendja politike në vend është stabile, ndonëse problemet e sfidat kanë qenë të shumta, të llojllojshme, dhe padyshim që është e pamundur që të sanohen për një periudhë 9 mujore. Është hera e parë që kemi një qeveri stabile, e cila korrupsionin e ka lënë një frazë të së kaluarës, duke ia prerë këmbët korrupsionit endemik në institucionet e vendit. Nëse flasim në terma ekonomik, mund të themi se të hyrat buxhetore janë rritur për 30 për qind.

Eksportet e vitit 2021, krahasuar me vitin 2020, janë rritur për 90 për qind, e madje eksportet janë rritur 90 për qind krahasuar me vitin 2019. Investimet e huaja direkte janë rritur me 53 për qind krahasuar me vitin paraprak, dhe 80 për qind krahasuar me vitin 2019. Buxheti i Kosovës për vitin 2022, është 2,7 miliardë euro, më i madhi në historinë e vendit ndonjëherë. Nga ky buxhet 100 milionë janë ndarë për ushtrinë e Kosovës. Ne, ndonëse ishim në ditët e parë të qeverisjes arritëm ta nënshkruajmë marrëveshjen me Pfizer, për sigurimin e 1.2 milionë vaksinave. Duhet ta theksojmë se jemi në mesin e vendeve që kemi përqindjen më të lartë të të vaksinuarve në rajon.

“Bota sot”: Jemi në fund vit, si e vlerëson qeverisjen Kurti, që nga nisja e mandatit?

Gramos Agusholli: T’i kthehemi prapë ekonomisë. Ne kemi rritje ekonomike të paparë më herët. Ekonomia është dyfishuar gjatë këtij viti. Edhe pse në dukje të parë ndoshta duket jo shumë e rëndësishme, por është një vendim tepër me rëndësi, ta zëmë mbështetja për nënat lehona dhe fëmijët deri në 16 vjet. Nëse flasim në terma të sigurisë, Policia e Kosovës ka realizuar 509 operacione, 42 grupe kriminale të shkatërruara, tregues të qartë që rendi dhe siguria janë në drejtimin e duhur. Po tentoj në mënyrë telegrafike t’i tregoj disa prej të arriturave. Vendosja e reciprocitetit me targa me Serbinë, ka qenë një ndryshim i kursit të deritanishëm në respektimin e shtetit dhe subjektivitetit të tij. Më pas është votuar koncept dokumenti për zhvillimin e Vettingut në sistemin e drejtësisë. Qeveria e Kosovës ka aprovuar Projektligjin për justifikimin e pasurisë së pajustifikueshme. Janë edhe shumë e shumë vendime të tjera.

“Bota sot”: Kosova po përballet me krizën e energjisë, një gjë e tillë është shpallur edhe nga Kuvendi i Kosovës. Si po menaxhohet kjo krizë nga Qeveria?

Gramos Agusholli: Kosova po përballet me krizën e energjisë, e cila fund e krye lidhet me faktorët e jashtëm, prej të cilave Kosova nuk është imune. Kemi një rritje të madhe të konsumit, e cila në kohën e pikut, sidomos gjatë stinës së dimrit është kthyer në problem për ne si vend, i cili nuk arrin që të prodhojë mjaftueshëm, rrjedhimisht detyrohet që të importojë energji elektrike. Sot në tregun botëror kemi një rritje prej 250 për qind të gazit, i cili është faktori kryesor për rritjen e çmimit të energjisë. Rritja e këtij çmimi me gati trefish, e rëndon gjendjen e importit të energjisë, sepse ka një kosto të papërballueshme për ne. Konsideroj se angazhimi i kryeministrit Kurti ka qenë maksimal. Shtetet ndërveprojnë në mes vete, dhe kanë varësi nga njëra tjetra, e sidomos vendet e vogla si ne afektohen shumë nga këto lëvizje. Kapaciteti prodhues i Kosovës mund të shkojë deri në 900 megavat, derisa 1400 megavat arrin konsumi, ku Kosova është e detyruar të importojë një sasi të madhe të energjisë. Edhe një fakt duhet ta theksojmë se jemi prej vendeve të vetme në rajon që nuk kemi marrë vendim për rritje të çmimeve, për të mos e rënduar xhepin e qytetarëve të Kosovës. Konsideroj se masat e emergjencës për furnizimin e energjisë, janë një emergjencë që ky problem serioz të menaxhohet në një mënyrë sa më të mirë, dhe të minimizohen problemet me problemin e furnizimit me energji elektrike.

“Bota sot”: Po ashtu, ju jeni pjesë e Komisionit për Ekonomi, Industri..., cilat do të jenë kontributet tuaja në këtë drejtim?

Gramos Agusholli: Po unë jam anëtar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, dhe jemi ndër komisionet funksional, të cilët e kanë bërë një punë jashtëzakonisht të madhe, për të mos thënë se e kemi pasur barrën kryesore në shumë procese. Që nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës, si komision kemi realizuar diku 41 mbledhje, nga to 29 mbledhje të grupeve të punës, 8 dëgjime publike, 10 vizita në terren etj. Si rezultat i kësaj pune kemi realizuar këto: janë 9 projektligje që janë proceduar për lexim të dytë, duke vazhduar me 52 raporte me rekomandime, janë marrë 21 vendime, 16 grupe pune të themeluara, dhe ndoshta si asnjë komision, i kemi realizuar 18 raportime të ministrave. Derisa 5 agjenci të pavarura janë funksionalizuar. Ne e kemi pasur në raport edhe ministren Rizvanolli, e që tash gjatë diskutimit për masat emergjente për energjinë, i kemi dhënë rekomandimet tona përballë këtyre masave. Ne si Komision do të shqyrtojmë, e më pas t’i shtyjmë përpara të gjitha gjërat që do dhe mund të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit aktual. Nuk do ta kursejmë as Qeverinë e ministritë e fushës. Fatmirësisht, kolegët që i kam në Komision nga grupi ynë parlamentar, janë profesionistë të mrekullueshëm, politikanë të rinj, dhe që vazhdimisht avokojnë me përkushtim për temat që lidhen me interesin e qytetarëve.  

 “Bota sot”: A mund të anulohet privatizimi i KEDS-it? Nëse një gjë e tillë do të ndodhte a do të ishte shteg për zgjidhjen e krizës?

Gramos Agusholli: Se a do të anulohet privatizimi i KEDS-it, unë as nuk e kam dëgjuar dhe as nuk di që është duke u diskutuar një gjë e tillë. Kaq di të them.

“Bota sot”: Qeveria Kurti që nga ardhja në pushtet është përballur me situata të vështira, si pandemia, inflamacioni, tash energjia. Si i shihni veprimet e opozitës të cilat e kundërshtojnë çdo veprim apo vendim të Qeverisë?

Gramos Agusholli: Qeveria Kurti është ballafaquar me një mori problemesh, të cilat kanë dalë përballë në një kohë shumë të shpejt, e në rrethana aspak të lehta, e që besa Qeveria Kurti 2, e ka marrë timonin e shtetit, pas 21 viteve të cilat korrupsioni ka qenë endemik, me një ‘gjakderdhje’ financiare ashtu si e përshkruan edhe Kryeministri gjendjen në vend, me administratë të superngarkuar, e mbi të gjitha mungesë të shpresës. Një pjesë e opozitës fatkeqësisht kanë qenë pjesë direkte e këtij degradimi, andaj edhe të them sinqerisht nuk i marrë seriozisht ato reagime. Për pjesën tjetër është krejt normale gjuha më e ashpër, reagimet, gjë që pritet edhe prej secilës opozitë. Padyshim se kritikat konstruktive do ta bënin një ambient serioz të diskutimit, dhe padyshim që problemet do të trajtoheshin me themel, e jo në mënyrë sipërfaqësore ashtu siç po ndodhë aktualisht.

“Bota sot”: Opozita herë pas here, duket sikur po pret momentin që të dal me kërkesë për rrëzimin e Qeverisë, a ndiheni të rrezikuar?

Gramos Agusholli: Opozita e dëshiron pushtetin, sepse ndryshe nuk ka kuptim as funksionimi i saj, i jetës politike e pluralizmit në një vend. Ndërsa, a jemi të rrezikuar? Konsideroj që rreziku nuk është as në horizont, sepse kemi një shumicë, më të madhen në historinë e shtetit të Kosovës, derisa kemi një ekzekutiv që ka një bilanc të paparë më herët në vendimet e marra, por që padyshim vitet që vijnë do të ketë edhe vendime tjera, që do të ndikojnë direkt në përmirësimin e jetës së banorëve të këtij vendi.

“Bota sot”: A mendoni se është e rrezikuar Kosova nga varianti Omicron, dhe cilat janë disa nga hapat që duhet të marr?

Gramos Agusholli: Unë dua t’i referohem asaj që e kanë thënë profesionistët e fushës, që sikurse edhe me variantet tjera Kosova, nuk është imune përballë kësaj vale që pritet të vjen edhe ndër ne. Infektologët thonë se imuniteti i krijuar pas kalimit të COVID-19 apo edhe vaksinimit do ndikojë për të parandaluar format e rënda të këtij varianti. Disa prej tyre thonë se masat që janë në fuqi aktualisht në Kosovë, janë të mjaftueshme edhe kundër këtij varianti të ri. Duhet theksuar se vaksinimi duhet të vazhdoj, ndonëse Kosova qëndron mirë në krahasim me vendet e rajonit, për nga numri i të vaksinuarve. Vaksinat janë aty, ekipet e mjekëve të gatshëm për t’i dhënë vaksinat, masat e vetëdijesimit të mjaftueshme, madje edhe ne tashmë i kemi parë vetëm se dëmet që i ka shkaktuar Covid 19.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat