Ish diplomati shqiptar: Me Albin Kurtin, Serbisë i ka ngecur ‘sharra në gozhdë’/ Ja pse asociacioni është i panevojshëm për Kosovën

Intervista

Ish diplomati shqiptar: Me Albin Kurtin, Serbisë i ka ngecur ‘sharra në gozhdë’/ Ja pse asociacioni është i panevojshëm për Kosovën

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 31 janar 2022 Në ora: 08:05
Kurti dhe Vuçiq

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ish-zv.ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe publicisti Xhevat Mustafa, ka folur rreth situatës aktuale politike në Kosovë.

Mustafa ka thënë se përgjatë këtyre dy viteve në kuadër të rrjedhojave dhe kufizimeve të Covid-19; thellimi dhe rëndimi i krizës ekonomike dhe energjetike; rritja e papunësisë, varfërisë, çmimeve; shtimi i ndjeshëm i agresivitetit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe Ballkanit, e kanë bërë edhe më të paqëndrushme e më të vështirë gjendjen e përgjithshme në Kosovë. Ai thekson se opozita po e sulmon qeverinë Kurti, jo për pamundësinë dhe vonesën e lehtësimit të halleve të shumta të popullit, të lëna trashëgim prej tyre, por se ua ka mbyllur disa burime korrupsioni dhe përfitimesh.

Ish zv.ambasadori Mustafa vlerëson se deklarata e Ambasadorit të ri të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, se “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se në dialogun me Serbinë nuk do të diskutohet për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës...”, na bën optimist se ka ikur koha e qëndrimeve dhe deklarimeve mëdyshëse dhe proserbe të ish-zyrtarëve të lartë të DASH-it, Bolton, Grenell, Palmer.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Mustafa, si e komentoni situatën aktuale politike në Kosovë?

Image
Xhevat Mustafa

Mustafa: Afërsisht si në Shqipëri, Serbi, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinë... Domethënë, me 1001 halle dhe probleme të natyrave të gjithëfarllojshme... Më së shumti politike, qeverisëse, shtetërore, administrative, ligjore, eknomike, sociale... Këto mbi dy vjet të pandemisë në kuadër të rrjedhojave dhe kufizimeve të Covid-19; thellimi dhe rëndimi i krizës ekonomike dhe energjetike; rritja e papunësisë, varfërisë, çmimeve...; shtimi i ndjeshëm i agresivitetit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe Ballkanit, e bënë edhe më të paqëndrushme e më të vështirë gjendjen e përgjithshme edhe në Kosovë. Në këto kushte, edhe sikur në Kosovë të mos ishte qeveria e Albin Kurtit, por qeveria e Danimarkës, Finlandës, Zvicrës, Suedisë..., përsëri do ta kishte tejet të vështirë t’u jepte zgjidhje të shpejtë dhe masivisht të kënaqshme shumicës së këtyre 1001 halleve mbarëpopullore.

qysh kur Kosova po qeveriset nga Albin Kurti dhe ekipi i tij, partitë në opozitë, që e kanë qeverisur Kosovën për mbi 20 vjet dhe në përgjegjësi të madhe, cila më shumë e cila më pak, për gjendjen e tanishme ekonomike, sociale, energjetike..., për pasigurinë dhe paqëndrueshmërinë politike, për bllokimin e procesit të njohjeve të reja të shtëtësisë dhe pavarësisë së Kosovës; për rritjen e agresivitetit të Serbisë ndaj Kosovës; po bëjnë të kundërtën. Domethënë, po fajësojnë për paaftësi qeverisëse, së pari kryeministrin Albin Kurti dhe gjithë qeverinë e tij; po ia lënë në derë “kopilët” e tyre rreth 20 vjeçare kësaj qeverie me as 10 muaj jetë. Kjo nuk është as e sinqertë, as e ndershme, as e drejtë, as konstruktive, as demokratike, as patriotike...

“Bota sot”: Sa mendoni që ka ndryshuar vendi për të mirë pas ardhjes së Qeverisë Kurti dhe cilat janë ndryshimet më të dukshme?

Xhevat Mustafa: Siç dihet Albin Kurti u rizgjodh si kryeministër më 22 mars 2021, pra para rreth 10 muajsh. Edhe pse populli ynë ka një shprehje të bukur “dita e mirë duket qysh në mëngjes”, sipas meje kjo nuk vlen për gjithçka, domethënë edhe për në politikë dhe qeverisje. Përgjithësisht, aftësitë, strategjitë, programet, projektet, rezultatet, frytet e një ekipi partiak, qeverisës dhe shtetëror nuk mund të vlerësohen saktësisht dhe përfundimisht, nuk mund të shikohen brenda një viti. Kjo mundësohet, e pakta dhe e shumta, brenda një mandati të plotë 4 vjeçar. Sipas meje, qeveria Kurti është edhe ca fatkeqe. Përveç ndikimeve negative në të gjitha fushat nga pandemia e Covid 19, asaj i kanë rënë mbi supe edhe “thasë të mëdhenj” me probleme të brendshme e të jashtme, përfshirë bllokimin e njohjeve të reja, rritjen e presionit nga Tirana, Brukseli, Uashingtoni... për përfshirjen në “Ballkanin e hapur” të Xhorxh dhe Alexandër Sorosit, Vuçiqit, Ramës, Zaevit, (Kovaçevskit),... E kam fjalën edhe për përballjen edhe me një opozitë agresive, tejet ambicioze, deri në paskrupullsi, për t’u rikthyer sa më shpejt e me çdo rrugë e faturë në pushtet, pa krijuar bindjen se kanë ndërruar lidershipe, mendësi dhe praktië qeverisjeje... Por, edhe se i kanë zhdukur përfundimisht “viruset” 20 vjeçare të korrupsionit; se janë rinovuar jo vetëm për nga “kostumet dhe kravatat”, “vilat” dhe “pallatet”, por së pari, për nga mentaliteti, aftësitë, serioziteti, përkushtimi, përgjegjegjshmëria dhe ndershmëria në detyra e poste; për nga frutshmëria e premtimeve, programeve, projekteve... Duke u rikthyer në fundin e kësaj pyetje, sipas gjykimit dhe vizionit tim, ndryshimet më të dukshme të qeverisjes Kurti, gjatë këtyre rreth 10 muajve, mund t’i shikojë më qartë dhe më mirë ai shqiptar i Kosovës, që ka dëshirë të shikojë me sytë e ballit dhe të mendjes së vet dhe jo të partisë dhe të kryetarit të zemrës. Sipas meje, për një kohë kaq të shkurtër, falë diplomimit universitar në një degë më të afërt me qeverisjen, për mbi të gjitha me djersën e vet dhe jo me miq dhe zarfa, siç kanë vepruar në Tiranë, Prishtinë, Tetovë... disa ish qeveritarë dhe shtetarë të lartë, kundërshtarë të tij, Albin Kurti po e tregon veten dhe ekipin e tij më të aftë se ekipet paraardhëse. Edhe brenda rreth 10 muajve ka bërë disa ndryshime për mirë dhe disa të mira të dukshme, të shikueshme e të përjetueshme... Siç u shpreha më lart, këto ndryshime për mirë, mund t’i kthejnë së prapthi e t’i nxijnë me ligësi ata që kanë 22 vjet që shikojnë, mendojnë dhe veprojnë me sytë e dhe mendjet e partive dhe kryetarëve të zemrës..., prej të cilëve kanë 22 vjet që përjetojnë në këtë gjendje të vështirë politike, ekonomiko-sociale dhe e kanë braktisur me dhjetra mijëra çdo vit Kosovën, duke ikur si emigrantë për në Gjermani, Zvicër, Britani të Madhe, vendet nordike, Kanada, SHBA, deri në Zelandën e Re dhe Australi...

Partitë e opozitës në Kosovë janë kapur fort për të fajësuar Albin Kurtin dhe qeverinë e tij tek kriza energjetike e këtij dimri, duke harruar se kjo krizë ështe e vjetër dhe trashëgimi e paaftësisë së qeverive të tyre. Ndoshta këtë e bëjnë edhe për t’i kujtuar se kështu, për të përfituar kapital propagandistik dhe politik, ka bërë edhe ai dhe Vetëvendosja e tij, si opozitë e qeverive të tyre, në vitet 2000-2020...? Personalisht dhe familjarisht e kam përjetuar këtë krizë edhe në vitet 2006-2010, kur jetoja në Prishtinë dhe isha me detyrën këshilltar-zv.ambasador në Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë. Atëherë, kur ishte kryeministër Hashim Thaçi, aplikohej 3-4 orë furnizim dhe 3-4 orë ndërprerje të energjisë elektrike. Po i referohem edhe një fakti fare të freskët, që faji dhe përgjegjësia për krizën energjetitike ështe e moçme dhe kolektive. Në BOTA SOT, dt 24 JANAR 2022, Robert Bosch, ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, ka demantuar deklaratën e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

një postim në Facebook Mustafa ka shkruar se “përfaqësuesit e Bilfinger janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”, si dhe ka shtuar se gjithçka [ka kanë ofruar kanë qenë 15-20 faqe PowerPoint...”.

Bosch thotë se deklarimet e Mustafës janë të pavërteta duke shtuar se janë munduar jashtëzakonisht shumë për të bindur qeverinë për nisjen rindërtimit të “Kosova A... Unë isha i përfshirë personalisht dhe ne, ambasada holandeze dhe gjermane, bëmë gjithçka për të bindur qeverinë se përmirësimi i katër nga pesë njësitë ishte i realizueshëm dhe relativisht i lirë, por asgjë, bash asgjë nuk ndodhi. Një shans i humbur pasi për shumë pak para energjia elektrike mund të ishte siguruar që nga viti 2017/2018...”!

Jam i një mendjeje me amabsadorin e ri të SHBA-së në Kosovë, Hovenier, i cili që në intervistën e tij në RTK, të publikuar me 26 janar 2022, deklaroi se “Qeveria e Kosovës javë më parë e ka refuzuar ‘gazin amerikan’, i cili sipas ekspertëve do ta zgjidhte përfundimisht problemin energjetik në Kosovë. Sipas shumicës së analistëve në vend, refuzimi i gazit amerikan edhe në aspektin politik ishte gabim...”

Një ndryshim pozitiv fare i freskët konfirmohet edhe nga raporti më i ri i Transparency International, një organizatë, që mat çdo vit edhe indeksin e korrupsionit në botë. Sipas raportit të saj për vitin 2021, publikuar më 25 janar 2022, Kosova ka shënuar përmirësim me 39 pikë nga 100 gjithsej, tre pikë më lart se sa një vit më parë. Po ashtu, ajo është rritur me 17 vende në mesin e 180 vendeve, ku nga pozita 104 është ngritur në pozitën e 87, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Çfarë mund të bënte më shumë qeveria e Albin Kurtit në afro 10 muaj? Ato që nuk i bënë partitë dhe qeveritë paraardhëse për 10 vjet? Që e sulmojnë si të tërbuar qeverinë Kurti, jo për pamundësinë dhe vonesën e lehtësimit të halleve të shumta të popullit, të lëna trashëgim prej tyre, por se u ka mbyllur disa burime korrupsioni dhe përfitimesh?

“Bota sot”: Si e vlerësoni vendimin e Qeverisë dhe Kuvendit me rezolutë për ta ndaluar mbajtjen e referendumit të Serbisë brenda territorit të shtetit?

Xhevat Mustafa: Një vendim dhe veprim i drejtë e dinjitoz. Një përgjigje e duhur dhe e zgjuar ndaj një synimi dhe përpjekjeje nga Beogradi për të rinëpërkëmbur integritetin shtetëror të Kosovës. Duan apo nuk duan Vuçiqi, Brnabiçi, Daçiqi..., Kosova me një kushtetutë të kufizuar ndjeshëm edhe nga disa pika haptazi filoserbe të Pakos së Ahtisaarit..., është shtet i pavarur dhe sovran. Serbët në Kosovë, edhe pse gëzojnë dyshtetësi, janë së pari shtetas të Republikës së Kosovës. Si të tillë, janë të detyruar të respektojnë një më një të gjitha liritë, të drejtat, detyrimet, kërkesat..., që u njeh Kushtetuta e Kosovës, në mënyrë figurative rreth 75% në interes të Kosovës, për shkak të favoreve që i janë njohur pakicës serbe nga Pakoja e Ahtisaarit, afërsisht në limitet e një autonomie apo vetadministrimi dhe të një përfaqësimi në Parlament dhe në Qeveri, me një numër deputetësh dhe ministrash shumëfish më tepër për se nga përqindja e popullsisë dhe votave reale... Afërsisht, kjo do të ishte njësoj sikur autoritetet serbe t’u njihnin lirinë dhe të drejtën e votimit edhe shqiptarëve në Preshevë, sa herë ka zgjedhje për pushtetin qendror dhe vendor në Kosovë. Njëherazi, t’u njihnin edhe vetëqeverisje krahinore dhe përfaqësim me ministra, zv. ministra, drejtora drejtorishë nëpër ministri. Por, qeveritë e Beogradit, janë mësuar me dy standarde. U kërkojnë qeverive të Kosovës ato që nuk i kanë zbatuar dhe nuk i zbatojnë vetë të parët. Edhe disa institucione ndërkombëtare dhe vende aleate, përfshirë edhe OKB-në, BE-në dhe SHBA-në, me shumë gjasa për të mos i dhënë arsye dhe kundërveprimit zemërimit rus, sidomos nëpërmjet presionit me gazin rus, nuk reagojnë për këtë dystandartësi apo favorizim të hapur të serbëve dhe diskriminim të shqiptarëve, edhe në vendin dhe shtetin e tyre.

"Bota sot": A duhet të veprohet njësoj edhe me zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, pavarësisht se kjo nuk pritet mirë nga BE-ja?

Xhevat Mustafa: Albin Kurti, me vendimin për ndalimin e serbëve të Kosovës për të votuar në referendumin e Serbisë, ka meritën se gjeti apo hapi një rrugë, që duhet ndjekur në të gjitha rastet e ngjashme. Përndryshe, do të gabonte dhe do të meritonte kritika, duke vepruar me dy standarde dhe duke iu plotësuar një kërkesë të padrejtë autoriteve serbe në Kosovë dhe në “Mekën” apo “Jeruzalemin” e tyre, në Beograd. Kuptohet, edhe pa iu nënshtruar presioeve edhe nga Brukseli...

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e Bashkimit Evropian karshi Kosovës, mendoni se BE-ja është e njëanshme?

Xhevat Mustafa: Edhe BE-ja qysh nga 17 shkurti 2008, kur u shpall Pavarësia e Kosovës, nuk u ka shpëtuar mëdyshjeve apo qëndrimeve jo unike në favor të Kosovës dhe si ndëshkim për Serbinë, për qëndrimet e saj të hapura destabilizuese në Ballkan, nxitur dhe mbështetur nga “dadoja” e saj, Rusia. Për këtë ka ndikuar edhe fakti që edhe sot e kësaj dite 5 vende anëtare të BE-së, më shumë për t’i bërë qejfin Rusisë dhe Serbisë se sa për interesa të veta shtetërore dhe politike, nuk e kanë njohur shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Po kështu, tregon mungesë dëshamirësie ndaj Kosovës dhe këmbëngulje për t’i trajtuar qytetarët e saj si e meritojnë, shtyrja për në “kalendat greke” e të drejtës së tyre të lëvizjes së lirë në vendet e BE-së, justifikuar në mënyrë jo bindëse me mospërmbushjen e kushteve, kërkesave apo kritereve të vëna për këtë qëllim. Paradoksi dhe njënanshmëria shprehen lakuriq me deklaratat që pas “dashurisë” dhe ”përkushtimit” ndaj Kosovës, bëhet i njohur vendimi lumturues për Beogradin dhe Moskën se edhe këtë herë shtyhet e drejta e qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë nëpër vendet e BE-së.!? Vonesa kaq e gjatë, jo e justifikueshme dhe jo bindëse e dhënies së të drejtës së lëvizjes së lirë të shtetasve të Kosovës në BE përbën një diskriminim të hapur të tyre dhe favorizim edhe më të hapur të shtetit dhe të qeverive të Serbisë. Natyrisht, këto qëndrime mëdyshëse apo kontradiktore të BE-së i nxisin edhe më shumë ambicjet, agresivitetin dhe ndërhyrjet e Vuçiqit dhe Brnabiçit dhe të institucioneve më të larta shtetërore dhe qeveritare serbe të mos heqin dorë nga ëndërrat e tyre për rikthim të plotë, si dikur, në Kosovë...

“Bota sot”: Si ish zv.ambasador i Shqipërisë në Kosovë, a mund të na thoni çfarë mendimi keni për projektin “Ballkani i hapur”, ku Kosova nuk po pranon të përfshihet?

Xhevat Mustafa: Për këtë temë opinionin dhe qëndrimin tim e kam shphehur qysh kur u ripunua me ngut dhe u bë publike përralla e “Mini Shengenit Ballkanik”, në fillim e më pas me emërtimin e ri “Open Balkan” apo “Ballkani i Hapur”, në gazetën “Telegraf” në Tiranë dhe në “BOTA SOT” këtu në Prishtinë si dhe në facebook. Kam deklaruar SHQIP se kjo sajesë është kopje e vonuar, si kundërpërgjigje dhe sfidë ndaj BE-së, e CEFTA-s(Central European Free Trade Agreement) dhe Samitit të Berlinit (nismë e ish kancelares gjermane Angela Merkel), me anëtarësi dhe përbërje të të gjitha vendeve ballkanike e jo vetëm të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me këtë format tre vendesh, e fituara e vetme dhe më e madhe është Serbia, që synon dhe përpiqet të realizojë ëndrrrën e lashtë të daljes në detin Adriatik, deri në Durrës. Merret me mend se nëpërmjet përfitimeve të Serbisë, fiton jo pak edhe Rusia...Për të mos qenë subjektiv, po i referohem dy citimeve të shkëputura nga faqja e facebook-ut e mikut dhe kolegut tim të mirënjohur në publicistikë dhe diplomaci, ambasador Shaban Muratit. Më17.01.2022, në posterin me titull “Një pyetje ruse dhe një përgjigje ruse për “Ballkanin e hapur”, ai i referohet një diplomati rus. Mihail Plisjuk, në “Balënist.ru”, 17 janar 2022 i jep një përgjigje të qartë dhe të frikshme për ne shqiptarët pyetjes: “Çfarë fiton në fund të fundit Serbia me “Ballkanin e hapur”?

Plisjuk shprehet: “Ajo, që synimi i presidentit Vuçiq për mbrojtjen e interesave kombëtare të Serbisë do të mishërohet në kontekstin e “Ballkanit të hapur”, as mund të vihet në dyshim”.

Më 22 janar 2022, Shaban Murati i referohet një deklarate të Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Serbisë, "TANJUG". Sipas këtij burimi zyrtar serb, në një koment të shkurtër të nesërmen e “mikrosamitit triumfalist të Tiranës”, deklarohet se “Nisma e “Ballkanit të hapur” është më e mirë për Serbinë se sa integrimi europian”. Besoj se këto dy vlerësime nga Moskë e nga Beogradi i flakërojnë “gjethet e fiqve”, me të cilat ka mbi 2 vjet që e mbulon Edi Rama “Ballkanin e hapur” të tij dhe të Vuçiçit.

Për më shumë, Kosova nuk ka pse të përfshihet në Minishengenin Ballkanik, ose shqip fare, në këtë “sajesë serbo-ruse-sorosiane”, përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë, integritetin dhe shtetin e Kosovës, nuk ka ndërmend të pranojë se ka bërë fushata genocidiste dhe spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë, për rreth 140 vjet si dhe të tregojë varret apo kocët e të zhdukurve prej trupave ushtarake dhe paramilitara serbe, më 1997-1999! Përgjigjen për këtë pyetje po e mbyll me këtë frazë: “Ballkani i Hapur” është strategji në funksion dhe dobi të hegjemonisë serbe dhe të influencës ruse...Kërkohet të zëvendësohet procesi i Berlinit me atë të Putinit...”! Pra, Open Balkan = Serbia e Madhe&Rusia e Madhe! Një argument fare i freskët për mungesën e sinqeritetit dhe të korrektesës nga pala serbe me “Ballkanin e hapur” na e dhuron një nga politikanët dhe deputetët socialisto-rilindas, ish zv.kryeminitri Erion Braçe. Sipas Gjirafa.al dhe “BOTASOT, më dt.25 janar 2021, Braçe ngre shqetësimin se “eksportuesit shqiptarë po përballen me rënie të frikshme të pranimit të mallrave shqiptare nga Serbia dhe kjo do të ndikojë në ekonominë e mijëra bujqve shqiptarë”. Ai i kërkon shtetit shqiptar se “nëse vijon kjo praktikë burokratike të zbatohet reciprociteti me Serbinë...”! Është shumë shprehës edhe fakti që më 23 dhjetor 2021 zëdhënësja e Komisionit të Zgjerimit të BE-së, znj. Pisonero, duke ju referuar takimit të Tiranës të 20 dhjetorit 2021 në kuadër të “Ballkanit të hapur”, në një deklaratë të posaçme theksoi qartë se përkrahja e Komisionit Europian “është vetëm për Tregun e Përbashkët Europian të dalë nga Proçesi i Berlinit. Në të njëjtën linjë folën në janar Gabriel Escobar, i dërguar për Ballkanin i Sekretarit të Shtetit të ShBA si dhe Anna Lührmann, ministre shteti për Europën në qeverinë gjermane, e cila vizitoi Tiranën më 18 janar 2021.

“Bota sot”: Si e vlerësoni qasjen e qeverisë shqiptare ndaj Kosovës aktualisht, pasi ishim dëshmitarë të disa veprimeve kundërthënëse të kryeministrit Rama?

Xhevat Mustafa: Është bërë e qartë apo e kuptueshme se qeveritë Rama kanë pasur dy qëndrime ndaj qeverive në Kosovë. Sa kohë ishin në pushtet qeveritë e PDK-së, LDK-së...,Tirana qeveritare është treguar më dashamirëse dhe “vëllazërore” ndaj tyre. Këto rreth 10 muaj që qeveris LVV-ja dhe Albi Kurti me ekipin e tij ministror, sidomos për shkak të mos pranimit të përfshirjes në “Ballkanin e hapur”(“Serbinë e madhe”) Edi Rama është treguar haptazi, në mos armiqësor, kundërshtar i egër. Ai ë bërë vazhdimisht deklarime dhe veprime, që mbartin presion të ndjeshëm për të thyer kundërshtimin e Kurtit ndaj përfshirjes së Kosovës në ”Ballkanin e hapur”. Qëllimi apo shqetësimi i tij është lehtësisht i nënkuptueshëm. Në qoftë se sajesa “Ballkani i hapur” mbetet vetëm me 3 anëtarë fundi apo dështimi i saj do të ishte i shpejtë...

Është domethënës dhe pozitiv që Anna Lührmann, ministre e shtetit për Europën dhe Klimën në qeverië e re të Gjermanisë në vizitën e saj të parë në Tiranë (18.01.2022) , në të kundërt të asaj që priste me padurim Edi Rama, nuk e përmend qoftë edhe një herë të vetme si term “Ballkanin e hapur”,por thekson jetësimin e “Proçesit të Berlinit”,me përfshirjen e 6 vendeve të Ballkanit Perendimor...

“Bota sot”: Mendoni se ka vdekur përfundimisht ideja për ndarjen e Kosovës, për të cilën u trumbetua shumë viteve të fundit?

Xhevat Mustafa: Personalisht e publikisht, kam qenë kundër kësaj ideje apo ëndërre dhe ambicjeje serbo-ruse, qysh kur ajo është hedhur në tregun diplomatik dhe mediatik. Arsyet kërkojnë kohë të gjatë dhe vend të gjërë për t’u shpjeguar. Po i bie shkurt: çfarë të ndahet? Kosova,me kaq sa e kanë lënë, është masakruar tejmase si hartë, si terriror, si popullsi, si resurse, pasuri, ekonomi...! Ndarja e mëtutjeshme e Kosovës jo vetëm që do të ishte një masakrim i ri i saj, por edhe një padrejtësi e re, një ndëshkim i ri. Njëherazi do të ishte një favorizim i ri i pamerituar i Serbisë, mbytur me borxhe, që nuk ka ndërmend t’i shlyej kurrë, ndaj Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. Kjo aventurë nuk do të sillte qetësim të gjakrave dhe raporteve ndëretnike dhe ndërshtetërore në Ballkan, sidomos mes shqiptarëve dhe serbëve, por, në të kundërtën, pasiguri, paqëndrueshmëri politike, demografike, sociale, ushtarake, konflikte të reja...! Fallxhorët, ideatorët dhe telallët e kësaj ideje do të ishin të zhgënjyerit dhe të penduarit e parë.

“Bota sot”: Si e shihni dialogun me Serbinë, përkatësisht qasjen e Qeverisë Kurti në dialog?

Xhevat Mustafa: Natyrisht ka probleme dhe çështje për të dialoguar mes qeverive të Kosovës dhe të Serbisë, sidomos për raportet ekonomike, arsimore, kulturore, shëndetësore; për çështje admistrative-kadastrale, pronësore; për gjetjen e të humburve si kufoma apo të gjallë... Por, dialogu nënkupton barazi dhe lëshime reciproke. Si mund të quhet dialogu i logjikshëm, i sinqertë, i drejtë, që meriton nxitje dhe mbështetje siç ë nisur dhe ka rritur deri këtu, kur Serbia nuk njeh shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, kur e ka me formulimin e kohës së Titos në Kushtetutën e saj; kur mendon dhe përpiqet ta ripërfshijë në hartën dhe shtetin e saj, duke i dhënë ca kocë apo karamele për t’u lëpirë? Lidhur me pjesën e dytë të pyetjes, mund të them figurativisht se me Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Ia Mustafën, Avdullah Hotin...presidenti serb Vuçiç është ndjerë si mbi kalë, ndërsa bashkëbiseduesit shqiptarë ecnin në këmbë. Ndërsa tani me Albin Kurtin e ka humbur këtë superioritet, kapadaillëk, rehati, qetësi, ndjesi...Shprehur popullorçe, sikur i ka ngecur sharra në gozhdë.

opinionit tim, deklarata në intervistën në RTK, më 26. 01. 2022 e Ambasadorit të ri të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, se “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe se në dialogun me Serbinë nuk do të diskutohet për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës...”, , na bën optimist se ka ikur koha e qëndrimeve dhe deklarimeve mëdyshëse dhe proserbe të ish zyrtarëve të lartë të DASH, Bolton, Grenell, Palmer... Kjo deklaratë është edhe një përgjigje për qëndrimet e Francës dhe të qeverisë së re të Gjermanisë “për t’i dhuruar Kosovës liberalizimin e vizave në këmbim të pranimit të Asociacionit të komunave serbe, domethënë të autonomisë së tyre brenda shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës, propozim që mbart me vete edhe rrezikun e shndërrimit të Kosovës në një Bosnje të dytë. Përfundimisht, jam me opinionin e plot politikanëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë që janë shprehur, se Pakoja e Ahtisarit, me një bollëk të drejtash dhe privilegjimesh që u jep serbëve të Kosovës, e bën të tepërt dhe të panevojshëm asaciacionin e komunave serbe në Kosovë.

“Bota sot”: Sa do të jetë e vështirë të arrihet marrëveshja përfundimtare bazuar në qëndrimet aktuale të të dyja palëve?

Xhevat Mustafa: Sipas gjykimit tim, kjo varet vetëm nga pala serbe. Domethënë nga Vuçiqi. Në qoftë se ai heq dorë nga qëndrimi i deri sotëm, nga sofizmat, kundërshtimet dhe kërkesat e deritanishme, krejt absurde, jam i bindur se do të gjejë mirëkuptim nga pala shqiptare, nga qeveria e sotme e Albi Kurtit. Nuk mund të ketë marrëveshje të drejtë e të pranueshme përfundimtare, nga pala shqiptare, në qoftë se pala serbe këmbëngul të mos heqë “malin” e mosjohjes së Kosovës si shtet i pavarur e sovran, me integritet të pacënueshëm; në qoftë se pala serbe vazhdon të bllokojë njohjet e reja të Kosovës, integrimin e saj me të drejta të plota e të barazvlefshme me vendet e tjerë, në OKB, BE dhe në institucione të tjera ndërkombëtare.

“Bota sot”: Cili do të jetë roli i SHBA-së dhe BE-së në këtë drejtim?

Xhevat Mustafa: Lypset të jetë shumë më i madh dhe tejet më i ndjeshëm dhe vendimtar se sa deri më sot. Por, e përsëris: SHBA dhe BE, me figurat e tyre më të larta apo si të deleguar, si mediatorë apo vëzhgues, duhet të punojnë shumë më tepër të bindin palën serbe, të thyejnë kundërshtimet e Vuçiçit dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, që ose i nënshtrohen si pula e lepuj, ose janë më serboshovenë se ai. Krahas qeverisë franceze, me shekuj sllavofile, ia kam frikën edhe qeverisë së re të Gjermanisë. Si e majtë dhe si e varur nga gazi rus, ashtu siç po lë të kuptohet edhe këto ditë të vringëllimit të armëve në kufijtë e Ukrainës, për hirë të Rusisë, mund të tregohet më dashamirëse ndaj Serbisë edhe në rastin e bisedimeve të saj me Kosovën. Nuk mund të harrohet se e majta gjermane, SPD, që qeveris tani Gjermaninë, ka nxjerrë si kancelar edhe një nga bosët e Gazpromit rus, Gerhard Schröder. Ky fakt, në mënyrë figurative, mund të krahasohet me një këmbanë të fortë paralajmëruese për këtë rrezik apo realitet!

“Bota sot”: Kriza në Ukrainë a mund të ketë impakt në Kosovë pasur parasysh kërcënimet e vazhdueshme të udhëheqësve të Serbisë ndaj Kosovës?

Mustafa: Me sinqeritetin më të madh uroj që kjo krizë të qetësohet dhe të mos shkojë në një luftë. Luftrat e kësaj kohe, me bollëkun e armëve shumë të sofistifikuara dhe të shfarosjes në masë, do të jenë me gjëma të pallogaritshme dhe afatgjata njerëzore, financiare, ekonomike, mjedisore, shëndetsore...jo vetëm për vendet e përfshira në to. Rusia dhe Ukraina nuk janë shumë larg Kosovës dhe Shqipërisë. Në mos drejtpërdrejtë, gjëmimet dhe rrjedhojat e kësaj lufte, që mos ardhtë kurrë, do t’i ndjejmë edhe ne si vende e si popuj, edhe nëpërmjet marrëdhënieve ekonomiko-tregtare me këto dy vende edhe nëpërmjet aventurizmit të Putinit, që mund të arrijë deri në marrëzinë e hakmarrjes ndaj vendeve që përkrahin propogandistikisht apo me forca dhe armatime Ukrainën.. Prandaj, do të ishte më e këshillueshme për qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërië, justifikuar me potencilet që kanë në të vërtetë, të mbajnë qëndrime të matura e jo përtej mundësive apo këllqeve të tyre, për hirë të mirënjohjes, sidomos ndaj SHBA-së.

“Bota sot”: Sa ka kapacitete Kosova që të mbrohet në rast të kanosjes së ndonjë rreziku për luftë?

Mustafa: Dihen kapacitetet ushtarake të Kosovës në krahasim me Rusinë, Ukrainën, Serbinë. Por, Serbia dhe Rusia, në rast të marrëzisë së një sulmi mbi Kosovën, duhet të llogarisin se Kosova e ka bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj si dhe disa reparte të tjera të NATO-s... Se nuk janë larg Kosovës baza të tjera ushtarake të NATO-s dhe të SHBA... Se në mbështetje dhe mbrojtje të Kosovës do të jenë masivisht shqiptarë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, nga dispora shqiptare...

“Bota sot”: A është e gatshme Shqipëria të ndërhyjë, në rast të një skenari të invadimit të veriut nga Serbia, duke shfrytëzuar tensionet apo edhe ndonjë fillim lufte në Ukraine!?

Xhevat Mustafa: Shqipëria ka detyrime të dyfishta ndaj Kosovës. Së pari si vend, me popullsinë rreth 95% shqiptare. Së dyti, si anëtare e NATO-s, sot 25 vjet pas 1997-tës, nuk e ka ushtrinë e asaj kohe. Njëkohësisht, qenia vend anëtar i NATO-s, në qoftë se i kërkohet, do t’i përgjigjet pozitivisht edhe kërkesave të saj për ndihmë edhe ndaj Ukrainës, duke vënë në dispozicion baza ajrore dhe mundësi të tjera mbështetjeje modeste, përfshirë edhe mbështetjen në institucione ndërkombëtare me vota dhe deklarime të hapura mbështetëse ndaj qëndrimeve dhe veprimeve të SHBA-së, për të mos shkaktuar pakënaqësi në Shtëpinë e Bardhë, DASH, Pentagon...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat