Ambasadori amerikan në OSBE: Presim që Kremlini të ndërmarrë hapa drejt diplomacisë

Intervista

Ambasadori amerikan në OSBE: Presim që Kremlini të ndërmarrë hapa drejt diplomacisë

Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 06:29
Michael Carpenter

Zëri i Amerikës: Kancelari gjerman Scholz ndodhet në Uashington dhe Presidenti francez Macron është në Moskë. Cilat janë pritshmëritë tuaja nga këto negociata dhe cilu mund të jetë rezultati i këtyre përpjekjeve masive diplomatike?

Ambasadori Carpenter: Mendoj se keni të drejtë. Është një përpjekje masive diplomatike. Po përpiqemi së bashku me aleatët dhe partnerët tanë të shohim nëse Kremlini është i interesuar për një zgjidhje diplomatike të krizës, në përpjekje për të çtensionuar situatën përgjatë kufirit me Ukrainën, që është shumë e rrezikshme. Rritja e pranisë ushtarake është vërtet e paprecedentë. Dhe kështu që natyrisht po konsultohemi shumë nga afër me aleatët dhe partnerët. Jemi këtu në OSBE, jemi në NATO. Po veprojmë në rrugë dypalëshe, duke i transmetuar Presidentit Putin mesazhin se do të ketë pasoja të jashtëzakonshme, qoftë nëpërmjet sanksioneve ndaj eksporteve, nëpërmjet pranisë së forcave ushtarake, në rast se ai pushton Ukrainën. Por, ruajmë gjithnjë shpresën për mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike.

Zëri i Amerikës: Sa i bashkuar është tani Perëndimi në përgjigjen ndaj veprimeve agresive të Rusisë? Pamë se Kryeministri hungarez Orban vizitoi zotin Putin rishtazi...

Ambasadori Carpenter: Nëse bëni një hap pas dhe i hidhni një vështrim aleancës së NATO-s, mendoj se jemi vërtet jashtëzakonisht të bashkuar në një mënyrë të paprecedentë. Kur filluam një bashkëbisedim për krizën e sigurisë evropiane këtu në OSBE, më 13 janar, çdo shtet foli në mbështetje të dialogut. Diçka që mund të lexohet si një dënim i pozicionit të Rusisë. Rusia u gjend vërtet e vetme dhe mendoj se po e shohin që edhe Këshilli i Atlantikut të Veriut, dhe Këshilli Evropian, si dhe G-7a folën të gjithë në të njëjtën gjuhë për pasoja masive dhe të paprecedenta në rast të një përshkallëzimi ushtarak nga Rusia. Pra nuk di nëse Presidenti Putin e priste këtë gjë, por Perëndimi është në fakt shumë i bashkuar në këtë moment.

Zëri i Amerikës: Sa të sigurta janë Shtetet e Bashkuara se Rusia është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për një pushtim të Ukrainës? Dhe ku bazohet kjo siguri? A munden Shtetet e Bashkuara të bindin partnerët në OSBE për realitetin e këtij kërcënimi?

Ambasadori Carpenter: Mund t'ju them se ka tashmë mbi 100 mijë forca ushtarake (ruse) të gatshme për luftim pranë kufirit. Janë të vendosura të gjitha paisjet (ruse) që do të nevojiteshin për një pushtim. E kam fjalën për helikopterë, avionë me krahë statikë, furnizime me municione, furnizime mjekësore dhe të xhenios - të gjitha çfarë mundësojnë fillimin e një pushtimi brenda pak ditësh. Pra kur e shikojmë gjithë këtë kapacitet ushtarak, nuk mundemi thjesht të ulemi duarkryq dhe të presim se çfarë do të ndodhë. Duhet të përgatitemi dhe të bashkojmë aleatët dhe partnerët për t'u përgjigjur në rast se do të ketë një pushtim. Në fund të ditës, nuk mund t'ju them se çfarë ka në mendje Presidenti Putin. Nuk mundem t'ju them nëse do të pushtojë apo jo dhe se kur do ta bëjë këtë. Por ajo çfarë mund t'ju them është se këto kapacitete janë shumë shqetësuese.

Zëri i Amerikës: Çfarë mekanizmash ka Uashingtoni brenda OSBE-së që mund t'i përdorë tani? Kemi deklarata shumë të forta dypartiake për Rusinë në Komisionin e Helsinkit të Shteteve të Bashkuara dhe juve përfaqësoni degën ekzekutive. Çfarë mekanizmi do të përdoret?

Ambasadori Carpenter: Ne po përpiqemi të qartësojmë zgjedhjet me të cilat përballet Kremlini. Nga njëra anë janë pasojat shumë të ashpra nëse vendosin të veprojnë ushtarakisht, siç thashë pra sanksione, kontroll ndaj eksporteve, rritje domethënëse të pranisë ushtarake të NATO-s në krahun lindor. Madje e keni parë tashmë që kemi rreth 3 mijë forca amerikane që po dislokohen përkohësisht në Evropë. Por, nëse Rusia pushton Ukrainën, në tavolinë do të shtrohen edhe shumë opsione të tjera të mundshme. Paralelisht vazhdojmë të ofrojmë opsionin për diplomaci, përfshirë këtu në OSBE, për gjëra për të cilat rusët kanë folur në të kaluarën dhe për të cilat janë të interesuar, si zvogëlimi i rrezikut nga konfliktet, ndoshta edhe forma të reja të kontrollit të armëve konvencionale dhe transparencë, nëse janë të interesuar për këto gjëra. OSBE-ja është vendi ku mund të ngremë instrumentat e duhur, madje edhe instrumenta me forcë ligjore, nëse përparojmë sa ç'duhet, për t'iu përgjigjur shqetësimeve të rusëve. Por, tani për tani, jemi në procesin e paraqitjes së këtyre dy opsioneve dhe shpresojmë shumë që rusët të zgjedhin opsionin e diplomacisë.

Zëri i Amerikës: Ju sapo përmendët marrëveshjet detyruese. Çfarë është lënë jashtë negociatave dhe jashtë tryezës?

Ambasadori Carpenter: Para së gjithash, çdo lloj marrëveshjeje për sa i përket transparencës ushtarake, ndërtimit të besimit, përmbajtjes reciproke, të gjitha këto do të duhet të negociohen dhe respektohen nga të gjithë aleatët dhe partnerët tanë. Kështu pra, asgjë për Evropën pa pëlqimin e Evropës, sikurse kanë thënë në të kaluarën zyrtarë të ndryshëm dhe ky është qëndrimi ynë.

Së dyti, nuk do të bëjmë kompromis mbi parimet themelore të rendit evropian të sigurisë, që do të thotë se nuk do përkulemi para sferave të influencës, që një shtet të diktojë se çfarë aleancash zgjedh një shtet tjetër. Asnjë nga këto. Parimet do të mbeten të paprekura. Por sikurse thashë, sigurisht që ka hapësirë për uljen e rrezikut, forma të reja të kontrollit të armëve konvencionale nëse arrihet gjer atje.

Zëri i Amerikës: Ju e keni studiuar Rusinë prej një kohe shumë të gjatë, si zyrtar dhe ekspert. Sipas mendimit tuaj, pse Vladimir Putini kishte nevojë të krijonte këtë krizë ?

Ambasadori Carpenter: Si zyrtar amerikan nuk mund të spekuloj se çfarë po mendon zoti Putin. Ajo që mund të them është se në prill pati një grumbullim masiv trupash, që u pasua me një rritje më gjithpërfshirëse.

E gjithë kjo prani trupash tani ka të gjitha shenjat dalluese të një pushtimi të mundshëm të Ukrainës. Pse Presidenti Putin e bën këtë tani? A është për të kërkuar lëshime? A është përpjekje për të përshkallëzuar ushtarakisht situatën në avantazh të Rusisë? Ne nuk e dimë, por duhet të veprojmë në bazë të premisës së një përshkallëzimi ushtarak dhe prandaj duhet ta bëjmë të ditur se kostot që do të rezultonin nga kjo do të ishin strategjikisht katastrofike për Rusinë. Në mënyrë që populli rus dhe udhëheqja ruse ta kuptojnë se nëse zgjidhet kjo rrugë, dhe dashtë Zoti që nuk ndodh ajo, por nëse ata (Moska) e zgjedhin atë, pasojat do të jenë masive.

Zëri i Amerikës: Çfarë nënkupton për ju deklarata e djeshme e Presidentit Alexander Lukashenko se ushtria bjelloruse do të veprojë së bashku me ushtrinë ruse? Si e ndryshon perspektivën rreth situatës pasi Bjellorusia është vend anëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Ambasadori Carpenter: Po, Bjellorusia është anëtare e OSBE-së dhe në të kaluarën ata kanë thënë vazhdimisht se nuk do të lejojnë kurrë që vendi i tyre të shërbejë si një platformë për pushtimin e një vendi fqinj. Gjuha e përdorur tregon ndryshim të qëndrimit dhe përbën shqetësim të madh.

Mund të ketë deri në 30 000 mijë trupa ruse të dislokuara në Bjellorusi, së bashku me raketat balistike me rreze të mesme veprimi dhe pajisje të tjera, që në fakt do të shërbenin si një platformë për një pushtim të mundshëm.

Ndaj po e ndjekim nga afër situatën. Është shumë shqetësuese ajo që ka thënë Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë në lidhje me qëllimin e manovrave, çfarë nuk përputhet me realitetin në kufirin jugor të Bjellorusisë. Pasi nuk ka asnjë kërcënim nga Ukraina, ndaj mendoj se situata duhet të monitorohet me shumë kujdes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat