Si rindërtuam lagjen “Laguna” që u shkatërruan nga tërmeti i 26 Nëntorit

Intervista

Si rindërtuam lagjen “Laguna” që u shkatërruan nga tërmeti i 26 Nëntorit

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 4 prill 2022 Në ora: 09:01
Elton Arbana

Bashkia Shijak ndodhet në pjesën e Shqipërisë së mesme dhe bën pjese në Qarkun administrativ të Durrësit dhe kufizohet me komunat Xhafzotaj, Gjepalaj dhe Maminas. Në përbërjen e saj ka përkatësisht 3 lagje: 1-Lagjia Popullore, 2-Lagjia Erzen, 3-Lagjia Kodra. Sipërfaqja e bashkisë është 3,5 km2. Shijaku ka një shtrirje të favorshme gjeografike me një largësi prej 11 km nga qyteti i Durrësit dhe 38 km nga qyteti i Tiranës. Shijaku në historikun e tij përfaqësohet si vendbanim i hershëm, ku në hartën e disa vendbanimeve parahistorike të Shqipeërisë gjendet edhe "guri unik militar" i tij, i gjetur në afërsi të fshatit Sallmone pranë lumit Erzen, përgjatë rrugës Dyrrachium (Durrës)-Lisus (Lezhë) dhe që i takon kohës së paleolitit të lartë (40.000-6000 vjet p.e.s. Historia dëshmon se pas themelimit të Durrësit në vitin 627 para Krishtit, një ndër qendrat e banuara ka qenë edhe Shijaku si pjesë përbërëse e fisit të taulantëve, të cilit si qendër të territorit të tyre kishin Durrësin. Shijaku në fizionominë e tij të sotme ka ardhur me themelimin e tij në vitin 1880 nga Sali bej Deliallisi, fillimisht si një vendbanim me karakter rural (katund), por me një prespektivë qytetare, me hanin e tij, furrën e bukës, kafenenë, xhaminë, etj. Pas vitit 1880, në Shijak vendosen muhaxhirët boshnjakë të cilëve Sali beu u ofroi si vendbanime dy katunde, të cilat me pas do të merrnin emrin Koxhas dhe Borake të cilat ekzistojne edhe sot. Rreth viteve 1908 Shijaku shikohet si qender atraktive dhe tërheq banorë edhe nga Tirana, Kruja dhe Shëngjergji, të cilët vendosen aty dhe ndërtojnë banesa dhe dyqane përreth pazarit. Aktualisht Shijaku është një qytet modern, me shumë bisnese dhe me një qendër të mrekullueshme. Para se të hysh në qendër patjetër do kalosh mbi urën e Shijakut për të cilën këndohen shumë këngë. Për këto histori kryebashkiaku Elton Arbana jep disa hollësi për lexuesin…

Shijaku njihet si një zonë e djathtë. Si mundët të fitoni në Shijak kur mendohej se e djathta nuk do të thyhej. Ku e mbështetët programin e punës tuaj në fushatë?

Kur u përfshiva në politikë ishte sepse doja të kisha mundësi më shumë për të zgjidhur problematikat që shikoja në Shijak, si qytetar i thjeshtë. Unë u ktheva pas studimeve në Turqi për të dhënë maksimumin tim për shijakasit. I kam shërbyer të gjithëve njëlloj.

- Aktualisht sa banorë ka Bashkia e Shijakut dhe cilat janë fshatrat më të populluara?

Bashkia e Shijakut ka rreth 47.000 banorë dhe përveç qytetit të Shijakut janë dhe tre Njësi Administrative; Xhafzotaj, Maminas dhe Gjepalaj. Shijaku ka fshatra me natyrë mbresëlënëse, ku pothuajse secili prej tyre ka një liqen. Për këtë, kemi menduar t'i japim përparësi zhvillimit të Agroturizmit.

-A ka emigrantë kjo bashki që janë rikthyer dhe ku kanë emigruar kryesisht?

Pjesa më e madhe e emigrantëve nga Shijaku kanë emigruar kryesisht në Itali. Ka dhe nga ato familje që pas shumë viteve në emigrim janë kthyer për të investuar në vendlindje duke hapur biznese të ndryshme familjare.

-Në drejtim të shëndetësisë cilat janë investimet në bashki?

Me mbështetjen e Qeverisë shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë kemi investuar në shëndetësi. Qendra Shëndetësore në Xhafzotaj është bërë falë investimit të Qeverisë së Katarit, për të cilën jemi shumë mirënjohës. Shteti i Katarit ka treguar përkushtimin e tij në ndihmë të qytetarëve të Shijakut. Ambasadori i Katarit ka qenë vetë i pranishëm në qytetin tonë pranë banorëve të prekur nga tërmeti. Qëndra shëndetësore Xhafzotaj ka 6 mjekë dhe 20 infermierë. Kjo qendër mbulon një shërbim shëndetësor me kushte shumë të mira.

-Çdo bashki ka problemet e veta, po bashkia juaj çfarë problemesh ka?

Një nga problematikat e Shijakut ka qenë furnizimi me ujë të pijshëm. Falë investimit të Qeverisë shqiptare dhe vëmendjes së Kryeministrit Rama po sistemojmë rrjetin e ujësjellësit. Gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar, apo për të bërë diçka më tepër, por gjithmonë përpiqemi të bëjmë më të mirën e mundshme. Nuk e shikoj veten thjesht si kryebashkiak i Shijakut, por e vendos veten në krye të një misioni, të një të ardhme më të mirë për çdo qytetar që ka zgjedhur ta ketë të ardhmen e vet dhe të fëmijëve në qytetin e Shijakut.

-Tërmeti i vitit 2019 shkaktoi shumë dëme në këtë bashki. Cilat ishin këto dëme? Ku është aktualisht bashkia juaj për rindërtimin e dëmtimeve nga tërmeti?

Dëmet materiale të tërmetit të 26 Nëntorit ishin të shumta. E gjithë lagja Lugina u bë e pabanueshme. Qindra familje mbetën të pastreha në gjithë Shijakun. Deri tani kemi ndërtuar nga e para mbi 800 banesa individuale. Kemi rikonstruktuar me Grantet e rikonstruksionit 27 pallate të dëmtuara. Kemi ndërtuar 4 objekte arsimore dhe po përfundon ndërtimi i 31 pallateve. Do të ndërtojmë Qendrën Kulturore Multifunksionale ku do të përfshihet Pallati i Kulturës, Biblioteka, Kinema, sallë konferencash etj. Përveç rindërtimit kemi sistemuar infrastrukturën rrugore të akseve kryesore, ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh dhe infrastrukturën e ujësjellësit të qytetit dhe fshatrave, për të përmirësuar problemin e furnizimit me ujë të pijshëm. Jam falenderues për Kryeministrin Rama, për Qeverinë shqiptare dhe për këdo që kthen sytë nga Shijaku dhe investon për qytetin tonë, aq më tepër kur bëhet fjalë për të ardhmen e çdo banori të Shijakut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat