Maliqi për sulmet në veri: Gjasa të mëdha që janë të dirigjuara nga agjenturat ruse në rajon

Intervista

Maliqi për sulmet në veri: Gjasa të mëdha që janë të dirigjuara nga agjenturat ruse në rajon

Më: 16 prill 2022 Në ora: 15:57
Shkëlzen Maliqi

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në rajon, Shkëlzen Maliqi, ka folur për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe sulmet disaditore ndaj Policisë. Maliqi thotë se këto sulme me shumë gjasë janë të dirigjuara nga Rusia dhe agjenturat ruse në rajon, megjithatë për momentin përjashton mundësinë e ndezjes së një konflikti me Serbinë. Ai potencon se ajo që po ndodh në veri, mund të jetë më shumë një dëshirë e Moskës për t’ia vënë flakën veriut të Kosovës, derisa thekson se Beogradi është më i kujdesshëm, meqë në rast të një konflikti me Kosovën, në rrethanat aktuale s’pret ndihmë nga Rusia që është e zënë me luftën në Ukrainë. I pyetur nëse sulmet e fundit ndaj Policisë ndërlidhen me ndonjë lloj hakmarrje të Serbisë pasi Kosova s’lejoi referendumin dhe zgjedhjet serbe, Maliqi thotë se qëllimi i këtyre sulmeve mund të jetë dëshira për të shkëputur veriun e Kosovës, por shton se s’mund të thuhet se një gjë e tillë bëhet nga instancat më të lartë të pushtetit në Beograd meqë i druhen konfrontimit me KFOR-in si strukturë e NATO-së. Maliqi këshillon Kosovën që të veprojë qetësisht ndaj provokimeve dhe që të koncentrohet në përmirësimin e raporteve me aleatët perëndimorë.

Express: Si i komentoni sulmet që po ndodhin ndaj Policisë së Kosovës këto ditët e fundit në veri të vendit. A i shihni si të motivuara politikisht nga Beogradi?

Shkëlzen Maliqi: Ka ende paqartësi rreth sulmeve, kam përshtypjen se informatat që jepen për opinion nuk janë të plota. Por, në bazë të të dhënave që kemi dhe shpeshtimit të sulmeve, është e qartë se ato sinjalizojnë dëshirën e dikujt nga Serbia ose edhe të aventurave të Rusisë që nuk janë nën kontrollin e Beogradit, ta kërcënojnë dhe trazojnë edhe rajonin e Ballkanit duke treguar se mund të rindezin konfliktin e ngrirë mes Serbisë dhe Kosovës. Dua të them se në Serbi, pas zgjedhjeve ku Presidenti Vuçiq, edhe pse mbetet në postin e tij, megjithatë humbi kontrollin e parlamentit dhe Serbia është mjaft e përçarë rreth orientimit të saj, a do të mbetet e varur nga Rusia, apo do të rreshtohet me Evropën dhe Perëndimin. Sipas meje, sa janë kërcënim për Kosovën, sulmet ndaj policisë në zonën kufitare janë edhe kërcënime ndaj Vuçiqit, sepse dje në demonstratat pro-ruse në Beograd është sulmuar me bomba me tym edhe selia e Presidentit Vuçiq. Sigurisht, këto duken si kërcënime teatrale, por janë kërcënime, sikur që ishte kërcënim mjaft serioz edhe arritja e një kontingjenti të armatimit të sofistikuar nga Kina për ushtrinë serbe. Karakteri i këtyre aksioneve ende është në nivelin simbolik, s’ka viktima, por janë kërcënime terroriste dhe paralajmërim i destabilizimit të rajonit.

A mund të jenë një lloj hakmarrje e politikës së Vuçiqit se Kosova nuk e lejoi referendumin dhe zgjedhjet serbe së fundi?

Shkëlzen Maliqi: Çështja e zgjedhjeve serbe nuk është episod fort i rëndësishëm në tablonë e madhe të proceseve që po zhvillohen. Qëllimi i sulmeve vërtetë mund të jetë dëshira që të shkëputet Veriu i Kosovës, por s’mund të themi se ato bëhen nga instancat më të larta të pushtetit në Beograd, sepse ato i druhen konfrontimit me KFOR-in, që në të vërtetë është strukturë e NATO-s.

A e shihni si përpjekje për të destabilizuar Kosovën dhe a mendoni se mund të ndërlidhet me ngjarjet në Ukraine? Si duhet të reagojë Kosova?

Shkëlzen Maliqi: Gjasat janë të mëdha se sulmet aktuale në zonën kufitare janë të ndërlidhura dhe të dirigjuara nga Rusia dhe agjenturat e saja të instaluara në rajon. Megjithatë, për momentin unë nuk e shoh rrezikun e shpërthimit të konfliktit kufitar me Kosovën. Moska ndoshta edhe ka dëshirë ta shohë në flakë Veriun e Kosovës, por Beogradi zyrtar më duket se është i kujdesshëm, më shumë preokupohet me çështjen e vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë, që nuk mund t’i shmangë sesa të bëjë argatin Rusisë duke ndezur konfliktin ku nuk e pret ndihmën efektive nga Rusia. Rusia nuk ka sukses as në pushtimin e Ukrainës, tani po e përqendron luftën në zonën e Donbasit në Ukrainën Lindore ku jeton më e koncentruar popullsia ruse dhe s’ka si e ndihmon Serbinë që nga të gjitha anët është e rrethuar nga vendet anëtare të NATO-s.

Kosova duhet të mbetet e qetë, nuk duhet të reagojë me ngut në provokimet duke u koncentruar në përmirësimin e raporteve të përkeqësuara me aleatët perëndimorë.

Cili do të jetë ndikimi i një situate të tillë në procesin e dialogut?

Shkëlzen Maliqi: Dialogu edhe ashtu ka qenë pothuajse i vdekur edhe falë papërgjegjësisë së qeverisë aktuale, që ka punuar mbrapsht në opstrukcionin e dialogut, çka i shkonte për shtati Serbisë, sepse fajin për dështimin e dialogut, që vetë e dëshironte, mund t’ia mveshte Kryeministrit Albin Kurti. Serbia tashti e ka hallin e vet me politikat e vazhdueshme të afrimit me Rusinë dhe Kinën, por edhe po vazhdon tentimet që të përmirësojë raportet me Shtetet e Bashkuara dhe ka pasë edhe sukses në këtë, që ndoshta nuk duhet të mbivlerësohen, por edhe as të nënçmohen. Mend për qeverinë tonë miope, se duhet të kthehet në binaret e politikave të koordinuara me Perëndimin, sidomos tani që kur jemi në prag të një luftë të ftohtë të re.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat