Me sulmet në veri, Beogradi e shpërfaqi fytyrën dhe mendësinë ruso-serbe / Avdyli: Gërvalla ka vendosur rend dhe rregull në diplomaci

Intervista

Me sulmet në veri, Beogradi e shpërfaqi fytyrën dhe mendësinë ruso-serbe / Avdyli: Gërvalla ka vendosur rend dhe rregull në diplomaci

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 21 prill 2022 Në ora: 08:17
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe deputeti i listës “Guxo”, Haxhi Avdyli

Në një intervistë për “Bota sot” deputeti i listës “Guxo”, Haxhi Avdyli, ka folur rreth situatës aktuale në Kosovë e gjithashtu edhe për partinë e tij, e për shëndetësi.

Sipas tij, provokimet që po bëhen nga Serbia, shfaqin fytyrën e vërtetë të mendësisë ruso-serbe të raporteve me fqinjët.

Tutje për “Bota sot” ka folur edhe për ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, e cila vazhdon të shënjestrohet nga opozita dhe mediat e kapura nga ish sistemi. Avdyli për zonjën Gërvalla, thotë se pavarësisht pengesave dhe reagimeve ka vë rend dhe rregull në diplomacinë e Kosovës, i ka ndalur keqpërdorimet.

Sa i përket partisë Guxo, ai thotë se do të konsolidohet me degë e organe udhëheqëse dhe do të jetë parti e qendrës së djathtë.

Derisa ka shtuar se me VV-në në koalicion kanë bashkëpunim të frytshëm dhe do ta vazhdojnë deri në fund të mandatit.

Për shëndetësinë deklaron se reformat e ngecura do të vihen në vend, dhe se modernizimi e cilësia janë prioritet për të arritur në nivelin e dëshiruar.

Sipas Avdylit deri në fund të mandatit kjo qeveri do të tregojë rezultate të prekshme.

Image
Deputeti i listës “Guxo”, Haxhi Avdyli

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale në Kosovë, pat sulme të armatosura, shpërthime, të gjitha të kryera në drejtim të policisë. Qeveria, si shumica beson se ato ishin të organizuara nga Serbia?

Haxhi Avdyli: Serbia artificialisht po mundohet ta tensionojë situatën në Kosovë. Provokimet e personave të paidentifikuar nga Serbia, shpërfaqin fytyrën e vërtetë të mendësisë ruso-serbe, e të raporteve me fqinjët. Por, Kosova ka institucionet e saj dhe në bashkëpunim me aleatët po reagon me qetësi dhe seriozitetin e duhur ndaj çdo provokimi.

“Bota sot”: Shpesh është kritikuar diplomacia e jashtme e Kosovës, edhe puna e vetë ministres Donika Gërvalla, që njëherazi është edhe kryetare e listës “Guxo”. Pse mendoni se i bëhen gjithë këto kritika, a ka gabime e aq shkarje apo janë edhe të motivuara nga qëllime të tjera?

Haxhi Avdyli: Me ardhjen e Donika Gërvallës në krye të MPJ-së si asnjëherë më parë ka filluar vendosja e rendit dhe rregullit në diplomacinë tonë. S’ka më keqpërdorime me udhëtime e benificione, s’ka më emërime të familjarëve nëpër ambasada, s’ka më emërime me shantazhe, s’ka më emërime e punësime të militantëve nëpër ambasada. Kjo humbje e privilegjeve si duket i ka tmerruar keqpërdoruesit e pushtetit. Përveç kësaj sulmi ndaj Donikës ka edhe agjendë politike për të shkaktuar huti në koalicionin qeverisës, por që s’po kanë asnjë efekt.

“Bota sot: Lista “Guxo”, pa një vonesë të konsiderueshme u formua, pas më shumë se një viti nga pjesëmarrja në zgjedhje, në një listë me Vetëvendosjen. Si po ecën organizimi dhe konsolidimi i saj?

Haxhi Avdyli: Lista Guxo e shndërruar tani në partia Guxo, meqë edhe jemi në një vit jozgjedhor, deri në shtator do të konsolidohet me degë e organe udhëheqëse. Partia jonë do të jetë një parti e qendrës së djathtë, me orientim drejt vlerave euro-perëndimore, që mbështet thellësisht interesat vitale të një Kosove të përparuar, e pa korrupsion, ku rendin dhe ligjin do e ketë primare.

Në këtë mandat jemi në koalicion me VV-në dhe ky bashkëpunim i frytshëm për zhvillimin sektorial, reformat, antikorrupsionin, dialogun me Serbinë, e shumë të tjera do të vazhdojë deri në fund të mandatit.

“Bota sot: Jeni anëtar në Komisionin për Shëndetësi, si e vlerësoni gjendjen në shëndetësinë në Kosovë, pasi ka pasur dhe ka shumë vështirësi, përfshirë mungesën e pajisjeve bashkëkohore teknologjike. A duhen ndërtuar spitale të reja, reparte të reja (brenda atyre ekzistuese) etj.?

Haxhi Avdyli: Shëndetësia si sektor qe 20 vite s’ka qenë prioritet politik e financiar. Reforma ka ngecur, modernizimi e cilësia nuk është në nivelin e dëshiruar. Por, besoj që deri në fund të mandatit kjo qeveri do të tregojë rezultate të prekshme me implementimin e SISH-it, rritjen e cilësisë e modernizim të aparaturave, financim të shtuar e furnizim të qëndrueshëm me barna.

Jam optimist që Kosova është në drejtimin e duhur me lider të përkushtuar e të pastër para ligjit e ballëhapur para popullit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat