A mund t’i kapërcejë Rusia problemet me ushtarë në Ukrainë?

Intervista

A mund t’i kapërcejë Rusia problemet me ushtarë në Ukrainë?

Më: 30 prill 2022 Në ora: 09:42
Margarita Konaev

Një fazë e re e luftës në Ukrainë është duke marrë formë në pjesën lindore të vendit. Trupat ruse atje po përpiqen të kapërcejnë ngecjet e mëhershme, duke goditur rëndë forcat ukrainase.

Por, suksesi nuk është detyrë e lehtë për një ushtri që, sipas të dhënave të Ministrisë britanike të Mbrojtjes, ka humbur rreth 15,000 pjesëtarë, qëkur ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 24 shkurt.

Edhe pse në numër më të madh se ukrainasit, ushtarët rusë shihen si të demoralizuar nga zyrtarët perëndimorë, sidomos pas përpjekjeve të dështuara të Moskës për një fitore të shpejtë në Ukrainë.

Rusia ka dërguar në fushëbetejë pjesë të madhe të arsenalit ushtarak, përfshirë disa nga pajisjet e saj më moderne.

Megjithatë, ka disa dyshime për madhësinë e stoqeve ushtarake të saj, derisa vendet perëndimore, në anën tjetër, vazhdojnë t’i dërgojnë Ukrainës pajisje ushtarake - gjithnjë më shumë dhe më të mira.

Për të mësuar më shumë rreth betejave që pritet të zhvillohen, Radio Evropa e Lirë ka biseduar me Margarita Konaev, bashkëpunëtore në Qendrën për Sigurinë dhe Teknologjinë në Zhvillim të Universitetit Georgetown.

Zyrtarët rusë kanë deklaruar se një nga qëllimet e fazës së dytë të luftës në Ukrainë është vendosja e kontrollit të plotë mbi [rajonin lindor të Ukrainës] Donbas dhe mbi Ukrainën jugore, si dhe krijimi i një korridori tokësor, që do të lidhte Krimenë dhe Transdniesterin - rajon separatist pro-rus i Moldavisë. Si e interpretoni këtë dhe sa reale është kjo për ushtrinë ruse?

Margarita Konaev: Të gjithë ata që e ndjekin luftën, kanë vërejtur se qëllimet e ushtrisë ruse duhet të përshtaten, marrë parasysh realitetet në terren.

Mendoj se deklaratat për t’i bllokuar Ukrainës daljen në det, duke kontrolluar gjithë Ukrainën jugore, dhe më pas për të jetësuar urën tokësore deri në zonën e Moldavisë që kontrollohet nga forcat ruse, janë alarmante. Unë do t’i lexoja ato jo si diçka që rusët domosdoshmërisht do të përpiqen ta arrijnë në këtë rund luftimesh dhe në këtë fazë të luftës, por si diçka që ata po e pozicionojnë si opsion, që mund ta ndjekin në të ardhmen.

Tani për tani, nga disponueshmëria forcave që kanë dhe nga aftësitë e tyre logjistike, rusët nuk janë në gjendje t’i ndjekin këto synime të rëndësishme ushtarake.

Derisa një fazë e re e luftës po merr formë, Perëndimi ka shtuar furnizimet ushtarake për Ukrainën. Po, çfarë furnizimesh dhe forcash ka Rusia që nuk i ka shfrytëzuar ende dhe si krahasohen ato me pajisjet e Ukrainës?

Margarita Konaev: Ne i kemi kushtuar shumë vëmendje asaj që i nevojitet Ukrainës [dhe] asaj që i ka munguar Rusisë, por jemi fokusuar më pak në atë që Rusia ka rezervë.

Një fushë që ata [rusët] nuk e kanë përdorur në mënyrë efektive - dhe mbetet pikëpyetje nëse janë në gjendje ta përdorin [edhe në të ardhmen] - është fuqia ajrore.

Ne nuk kemi parë përfshirje të konsiderueshme të fuqisë ajrore ruse në këtë luftë. Edhe kur godasin caqe, ata e bëjnë këtë shumë shpejt dhe kthehen në zona më të sigurta, të kontrolluara nga rusët.

Përfshirja më e gjerë e fuqisë ajrore ruse do të mund ta zhvendoste ekuilibrin pak më shumë drejt [Rusisë].

Për Rusinë do të jetë pikëpyetje fuqia punëtore [dhe] deri në çfarë mase do të vazhdojë t’i angazhojë trupat në këtë luftë, veçanërisht pas humbjeve të mëdha të personelit. Në një moment të caktuar, duhet të filloni të pyesni se si mund t’i justifikoni ato lloje humbjesh.

Se nga do ta sjellin personelin, është po ashtu një pyetje e madhe. Kjo është arsyeja përse dëgjojmë raporte për mercenarë nga Grupi Vagner [dhe] madje edhe rekrutimin e disa forcave siriane. Edhe pse unë nuk kam parë prova të besueshme që tregojnë se numri [i mercenarëve] është aq i lartë sa sugjerojnë disa raporte... nuk është e pamundur që rusët të shfrytëzojnë burime të tilla, për të plotësuar mungesat.

Rusia ka pretenduar së voni se ka marrë kontrollin e Mariupolit. Në disa qytete në jug shohim se si forcat ruse përpiqen të krijojnë qeveri lokale pro-ruse. Në Herson flitet edhe për mbajtjen e një referendumi, për të shpallur “Republikën Popullore të Hersonit”, të mbështetur nga Moska. Çfarë mendoni për këto taktika që përdoren në terren nga forcat ruse?

Margarita Konaev: Qysh në fazat e hershme të luftës, një nga pyetjet më të shpeshta që është bërë, ka qenë se si planifikon Rusia të pushtojë Ukrainën ose zonat ukrainase, që qartazi nuk janë të interesuara për asnjë lloj sundimi rus?

Ne e dimë se në lindje dhe në pjesë të jugut [të Ukrainës] ka zona më të mëdha të popullsisë rusishtfolëse, por as në mesin e tyre nuk janë mirëpritur inkursionet ruse në atë nivel që ka pritur Rusia.

Kjo është arsyeja përse ata [ushtarët rusë] duhet të mbështeten gjithnjë e më shumë në dhunë, në shtypje dhe në shkatërrimin e atyre zonave, në vend që të përpiqen të bindin ose të fitojnë mbështetjen lokale. Por, unë personalisht nuk parashikoj ndonjë lloj okupimi të përjetshëm ushtarak në jug [të Ukrainës]. Do të jetë një lloj marrëdhënieje shumë ndryshe që ata do të përpiqen ta krijojnë me popullsinë lokale atje. Dhe, sërish, ata janë duke u mbështetur kryesisht në shkatërrimin e atyre zonave, në mënyrë që më pas të mund të shpallin fitoren dhe të jenë në gjendje të thonë se i kanë përmbushur qëllimet e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh taktikat brutale që kemi parë gjatë luftës dhe më pas sulmet, si ato në Buça, çfarë lloj marrëdhënieje do të mund të krijoheshin midis forcave ruse dhe ukrainasve në terren, nëse do të kishte një referendum?

 

Margarita Konaev: Çdo lloj referendumi - mendoj se është e rëndësishme të sqarohet - është absolutisht i paligjshëm, sepse kjo është një luftë ilegale. Fillimisht, referendumi do të ishte kundër së drejtës ndërkombëtare dhe çfarëdo që deklarohet atje, duhet të shihet me shumë skepticizëm.

Fatkeqësisht, në çdo lloj konflikti, ju keni aktorë lokalë që kërkojnë të përfitojnë nga kaosi. Në këtë konflikt, padyshim se ka pasur më pak shembuj të tillë, sepse kemi parë unitet të vërtetë midis ukrainasve. Por, ajo që Rusia do të përpiqet të bëjë, është të fuqizojë disa prej atyre që janë të gatshëm të bashkëpunojnë në terren, apo edhe të sjellë njerëz nga jashtë, si nga Rusia ose pjesët e Ukrainës të kontrolluara nga separatistët.

Një tjetër gjë që duhet vëzhguar, është zhvendosja e popullsisë dhe përpjekja për të larguar një pjesë të popullsisë lokale që është më pro-ukrainase. [Forcat ruse] ndoshta mund të rivendosin disa njerëz nga zona të tjera të Ukrainës apo edhe pjesë të Rusisë, për të dhënë perceptimin e legjitimitetit.

Cilit element mendoni se duhet t’i kushtohet vëmendje në këtë fazë të luftës?

Margarita Konaev: Mendoj se pritshmëria jonë për zgjatjen e kësaj lufte duhet të moderohet. [Vlerësimi im] është se kjo do të jetë luftë më shumë e gjatë, sesa vendimtare - vetëm për shkak të balancës së forcave dhe komponentit politik, që presidenti rus, Vladimir Putin, thjesht nuk mund të përballojë humbje.

Dhe, nga ana tjetër, Ukraina ngurron të tërhiqet kur është në një pozicion relativisht të mirë për të vazhduar luftën.

Këshilla ime është që të mos presim një [betejë] vendimtare, por të presim një ngërç të stërzgjatur dhe të vazhdojmë t’iu kushtojmë vëmendje kostove humanitare të kësaj lufte, sepse çmimi i rindërtimit [të Ukrainës] do të tejkalojë çmimin e mbështetjes ushtarake që po ofron Perëndimi tani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat