Nga ndryshimet në komunën e Vushtrrisë e deri tek vizita e ish-krerëve të UÇK-së/ Flet Ferit Idrizi, ka një thirrje publike!

Intervista

Nga ndryshimet në komunën e Vushtrrisë e deri tek vizita e ish-krerëve të UÇK-së/ Flet Ferit Idrizi, ka një thirrje publike!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 qershor 2022 Në ora: 19:53
Ferit Idrizi, Kryetar i Komunës së Vushtrrisë

Situata në vend po vazhdon të jetë e tensionuar për shkak të ngjarjeve të fundit që sjellën shumë pakënaqësi dhe protesta të shumta.

Mirëpo për të folur në veçanti për situatën në komunën e Vushtrrisë, në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, kryetari Ferit Idrizi ka bërë një përmbledhje të të gjitha vendimeve dhe ndryshimeve që po planifikon për komunën.

Ai u shpreh se situata në Vushtrri është pothuajse e njëjtë si në gjithë Kosovën, pasi kemi rritje të çmimeve, kërkesa të shumta për punësim, e shumë elemente të tjera. Ai e përmend edhe kontratën Kolektive e nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe MASHT-it, po e rëndon shumë buxhetin e Komunës.

I pyetur për punën gjatë këtyre muajve, për ndryshimet që ka mund të sjellë në qytetin e Vushtrrisë, ai përmend pastërtinë e qytetit, rregullimin e ambientit e deri tek subvencionimi për bujqit, duke mos lënë anash as kontratën me shoqatën "Jetimët e Ballkanit", për ndërtimin e 20 shtëpive për të varfrit.

Padyshim kryetari foli edhe për protestën e fundit të veteranëve duke bërë thirrje që të arrihet një bashkëbisedim mes dy palëve dhe një marrëveshje në të mirë të tyre, ai thekson që duhet hequr dorë nga përfitimet politike.

Në bisedë e sipër për bashkëpunimin që ka ai me qytetarët, kryetari shprehet se synimi im ishte të jemi sa më afër qytetarëve dhe kjo po vazhdon edhe këto ditë.

Ndër të tjera, kryetari përmendi disa nga projektet e radhës për komunën e Vushtrrisë:

-Furnizimi me ujë të pijshëm për shumicën e fshatrave të Vushtrrisë,

-renovimi i disa shkollave,

-vazhdimi i ndërtimit të shëtitores përgjatë Lumit Silnica në drejtim të Nadakofcit në gjatësi 1.5 km,

-rregullimi i një pjese të shtratit të Lumit Silnica.

Për këto dhe shumë projekte të tjera, për më shumë mund ta lexoni intervistën e plotë më poshtë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si është momentalisht situata aktuale në qytetin e Vushtrrisë?

Ferit Idrizi: Një situatë pak a shumë si në të gjithë Kosovën, me rritje të çmimeve, kërkesa për punësim dhe shumë raste sociale. Një sfidë tjerë që po na përcjellë është ndërprerja e kontratave nga operatorët që kanë fituar projekte dy vjeçare, për shkak të ngritjes së çmimeve. Në anën tjetër, Kontrata Kolektive e nënshkruar në mes të SBASHK-ut dhe MASHT-it, po e rëndon shumë buxhetin e Komunës, ku gjykatat në vend se ta dënojnë Ministrinë e Arsimit për mos përmbushje të kontratës, ato dhunshëm po i marrin paratë nga buxheti i Komunës.

“Bota sot”: Cilat janë ndryshimet që keni filluar t`i bëni me të nisur qeverisja juaj?

Ferit Idrizi: Po përmendi disa ndryshime për këta pak muaj: 1. I kemi dhënë prioritet pastërtisë së qytetit, dhe rregullimit të ambientit, mbjelljes së drunjve dekorativ dhe luleve; 2. Kemi filluar me ndarjen e mbeturinave në burim; 3. Kemi eliminuar deponitë e mbeturinave ilegale; 4. Kemi rritur bursat për studentë të nivelit bachelor dhe master nga 55% në 70%; 5. Kemi subvencionuar me 50%, 400 të rinj për mësimin në 4 nivele të gjuhës gjermane dhe shkathtësi në shkenca kompjuterike; 6. Për herë të parë kemi mbajtur një konferencë ndërkombëtare shkencore në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtina"; 6. Kemi mbajtur gara të diturisë për herë të parë përmes platformës online, me nxënësit e klasave të V, IX dhe XII-ta; 7. Kemi rritur subvencionet në bujqësi, duke subvencionuar për herë të parë ujitjen e tokave që janë nën sistem të ujitjes me 50% (rreth 1000h); subvencionuam për herë të parë 4 cent për një litër qumësht; 3€ për një bletë (koshere); 4€ për një dele; 4€ për një dhi, si dhe kemi blerë 25 motokultivatorë; 8. Kemi lidhur kontratë për bashkëfinancim për ndërtimin e tregut të gjelbër me “Islamic Relief”; 9. Kemi lidhur kontratë me shoqatën "Jetimët e Ballkanit", për ndërtimin e 20 shtëpive për të pastrehët.

“Bota sot”: Z. Ferit Idrizi, komuna e Vushtrrisë ka qenë nën udhëheqjen e LDK-së. Si e keni gjetur komunën, a po arrini të sillni ndryshimet e duhura?

Ferit Idrizi: E kuptoj situatën e vështirë gati dy vjeçare pandemike nën udhëheqjen e LDK-së, andaj nuk dua të elaboroj shumë detaje të të gjeturave, përveçse dua t'ju njoftoj se kam trashëguar një borxh prej 5,000,000 €, madje pronat e Parkut të Biznesit në Lumë të Madh u janë dhënë subjekteve afariste me të drejtë shitje, që është në kundërshtim me Ligjin për Dhënie të Pronave në Shfrytëzim, dhe tani këto prona duhet të kthehen në pikën zero, gjë që zvarrit investimet. Gjithashtu, kam gjetur të punësuar mbi 150 veta me kontratë për shërbime të veçanta, që është në kundërshtim me ligjin, e që është dëmtuar buxheti i shtetit afër 200,000 € etj.

“Bota sot”: Cilat janë projektet që keni paraparë t`i përmbyllni brenda këtij viti?

Ferit Idrizi: Disa nga projektet më të rëndësishme për këtë vit janë: Furnizimi me ujë të pijshëm për shumicën e fshatrave të Vushtrrisë, renovimi i disa shkollave, vazhdimi i ndërtimit të shëtitores përgjatë Lumit Silnica në drejtim të Nadakofcit në gjatësi 1.5 km, rregullimi i një pjese të shtratit të lumit Silnica, hartimi i projektit të një rezervuari të ujit, i disa rrugëve dhe bulevardeve, fillimi i ndërtimit të tregut të gjelbër, instalimi i ngrohjes dhe ventilimit në palestrën sportive, asfaltimi i disa rrugëve lokale në fshatra dhe qytet, ndërtimi i kanalizimit në disa fshatra etj.

“Bota sot”: Ju si kryetar po vazhdoni të jeni prezent në çdo manifestim që organizohet në qytetin që po udhëhiqni. A ishte kjo një nga synimet e juaja, pra të jeni afër qytetarëve?

Ferit Idrizi: Po, synimi im është respekti dhe mirësjellja ndaj qytetarëve, të jem sa më afër tyre, pa dallim partie, në mënyrë që qytetarët ta shohin kryetarin si njeriun e tyre, dhe të fillojnë t'i besojnë pushtetit. Synoj të bashkëpunoj shumë afër me rininë, të jem kryetar i të gjithëve pa dallim partie, të dëgjojë hallet e qytetarëve dhe t'i ndihmoj aq sa kam mundësi.

“Bota sot”: Si është bashkëpunimi juaj me partitë opozitare në Kuvendin Komunal, kur bëhet fjalë për votimin e projekteve dhe ecuritë e tjera të zhvillimit të komunës?

Ferit Idrizi: Kam bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe shumë korrekt me të gjithë anëtarët e Kuvendit, i respektoj dhe i këshilloj, por edhe i pranoj lehtë edhe kritikat, pasi askush nuk është i pagabueshëm, as unë.

“Bota sot”: Së fundmi keni qenë në vizitë edhe tek ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në Hagë. Cili është qëndrimi i juaj për vendimin e speciales?

Ferit Idrizi: Po, isha në Hagë dhe i vizitova krerët e UÇK-së. Një gjykatë e padrejtë, një proces i pastër politik, që më shumë se ata burra që janë në Hagë, do të dëmtojë Kosovën.

“Bota sot”: Gjithashtu protesta e veteranëve mbetet një nga temat aktuale në vend. A mendoni që me protesta do të arrihet zgjidhje?

Ferit Idrizi: Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes një dialogu të sinqertë politik, në mes të subjekteve politike shqiptare, të cilat duhet t'i ulin flamujt partiak, dhe ta ngrisin në maje flamurin e Kosovës, duke gjykuar drejt dhe arsyeshëm, si dhe duke hequr dorë nga përfitimet politike, e mandej zgjidhja do të ishte e lehtë, madje shumë e lehtë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat