VOA/ Ali Ahmeti: Vendimi që i hap rrugën negociatave me BE-në, historik për qytetarët e Maqedonisë së Veriut

Intervista

VOA/ Ali Ahmeti: Vendimi që i hap rrugën negociatave me BE-në, historik për qytetarët e Maqedonisë së Veriut

Më: 17 korrik 2022 Në ora: 22:42
Pamje nga intervista

Kryetari i partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti thotë se miratimi i propozimit francez që i hap rrugën negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, është një moment historik për qytetarët e vendit. Zoti Ahmeti tha të dielën në një intervistë për Zërin e Amerikës se pretendimet se autoritetet e vendit kanë bërë lëshime përsa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas, janë të pajustifikuara. Në bisedën me gazetaren Keida Kostreci, kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e cila është partnere në koalicion, tha se partitë e opozitës që ishin kundër miratimit, janë nxitur nga interesa politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, koalicioni qeveritar e kishte konsideruar të domosdoshëm vendimin dhe BE dhe SHBA e përshëndetën atë, por partitë e opozitës maqedonase dhe një pjesë e publikut ishin me forcë kundër saj. A pritni që çeljen e pritshme e bisedimeve me BE-në të ndryshojë qëndrimin e forcave politike që ishin kundër dhe të zbusë tensionet?

Ali Ahmeti: Mendoj se opozita u përfshi nga një valë emocionesh, nga një valë folklorizmi, thënë më shkurt pati një tendencë për manipulim të masave, gjoja se po humbet identiteti kombëtar maqedonas, po humbet gjuha maqedonase, po asimilohet kombi maqedonas me atë të bullgar. Të gjitha këto ishin më tepër për politika ditore dhe për t’u shtuar pikë partive të tyre, sesa diçka substanciale që kishte në gjithë këtë fushatë, apo gjithë këtë propagandë që e bënë dhe kjo më në fund u pa, edhe masat në përgjithësi e kuptuan që e tërë kjo bëhet vetëm e vetëm për të përmirësuar pozicionin e tyre politik në shoqëri, sesa diçka thelbësore në gjithë këtë aktivitet që ata e bënë.

Zëri i Amerikës: Ministri i Jashtëm Bujar Osmani në një konferencë për shtyp po flet pikërisht për protokollin me Bullgarinë. A mund të thoni me siguri se përsa i takon gjuhës, historisë dhe identitetit maqedonas, siç janë trajtuar në këtë protokoll, shqetësimet janë të pajustifikueshme?

Ali Ahmeti: Mendoj që fare janë të pajustifikueshme, sepse gjuha maqedone njihet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, identiteti maqedonas njihet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian, dhe këto i konfirmoi në fjalën e saj përfaqësuesja evropiane në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe unë jam shumë i sigurtë që të gjitha përpjekjet kanë shkuar në atë drejtim saqë as të mos fyhet identiteti, as gjuha, sepse këto janë çështje të trashëguara nga e kaluara, janë çështje të padrejtësive shekullore që u kanë ndodhur popujve të vegjël dhe tani ky është moment historik për bashkëqytetarët tanë maqedonas, për të legjitimuar përfundimisht në bashkësinë ndërkombëtare, identitetin e tyre, gjuhën e tyre dhe kanë patur përkrahje të plotë nga partitë politike shqiptare – në këtë rast të gjitha partitë politike shqiptare kanë qenë në unison, që kjo çështje të tejkalohet – dhe të arrihet momenti i duhur dhe shumë i mirëpritur dhe i shumëpritur nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Sipas propozimit francez, Maqedonia e Veriut do të duhet të rishikojë kushtetutën për sa i takon njohjes së pakicave kombëtare, konkretisht asaj bullgare. Por shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat e votave të nevojshme për rishikimin dhe as miratimin e këtij kushti. Si mendoni se mund të tejkalohet kjo pengesë që mund të zvarrisë procesin e bisedimeve?

Ali Ahmeti: Nuk mendoj që ky problem do jetë problemi kryesor që të pengohet zhvillimi i mëtejshëm i procesit drejt anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Çështja e kushtetutës do hapet pas dy vitesh. Kështu është axhenda e protokollit që e parashikon, siç parashikon edhe çështje të tjera që duhen zgjidhur brenda kësaj periudhe dyvjeçare. Kështu që, pas dy vitesh, të gjitha forcat politike duhet të rrjeshtohen nëse do të jenë për Europën, a do jenë për demokraci të mirëfilltë, a do jenë për sundim të ligjit, a do jenë për shtet ligjor dhe a do jenë të përgatitur që të bëjnë hapin e duhur. Dhe partitë politike kanë momentin historik që të rrjeshtohen drejt në këtë moment vendimtar historik për vendin tonë.

Zëri i Amerikës: Ju jeni shprehur që protestat që herë-herë ishin të dhunshme, kishin një prapavijë qëllimi pro-ruse. Ku e mbështesni këtë përfundim?

Ali Ahmeti: Tani të them të drejtën nuk më pëlqente dalja në skenë e kryesuesit të opozitës maqedonase, zotit Kristjan Mickovski, me atë bluzën e tij të gjelbërt që imitonte Zelenskin. Maqedonia nuk është Ukrainë dhe as Europa nuk është Rusi. Ne nuk na imponohet anëtarësimi në Bashkimin Europian. Nuk na është imponuar anëtarësimi në NATO. Por janë nevojat domosdoshmëri që ne të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, ashtu siç jemi pjesë e NATO-s. Cila do ishte Maqedonia në këto situata kaq të vështira kur Europa është në luftë, të ishte Maqedonia jashtë strukturave të NATO-s?

Zëri i Amerikës: Por kjo në vetvete zoti Ahmeti nuk tregon që ka prapavijë ruse. A keni ju informacione për një motivim të tillë pro-rus?

Ali Ahmeti: Ka shumë aktivitete që i bëjnë diplomatët rusë në Maqedoninë e Veriut. Ka shumë mediume që investohen nga shoqata të ndryshme që janë të lidhura drejtpërsëdrejti me Kremlinin. Dhe ne i përcjellim të gjitha këto zhvillime. Dhe është një proverb popullor “në qoftë se do të dish se ç’ka tek shtëpia, shih se çfarë flasin fëmija”. Ne i kemi përcjellë të gjitha protestat, i kemi përcjellë të gjitha deklaratat. Me aq simpati flisnin për Rusinë, me aq simpati flisnin për politikat e Putinit dhe këta ishin pjesëmarrës, të zellshëm bile, në protesta dhe prania e tyre ka qenë shqetësuese. Opozita mban përgjegjësi për këtë propagandë që bëhet në vendin tonë, në kryeqytetin tonë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, në protesta është vërejtur shpesh edhe gjuha e urrejtjes kundër shqiptarëve. A mund të ketë pasoja për marrëdhëniet ndëretnike brenda vendit kjo qasje, duke pasur parasysh, siç e përmendët edhe ju, se partitë shqiptare të gjitha votuan pro propozimit francez?

Ali Ahmeti: Nuk mendoj, nuk ndaj mendimin që do të ketë përplasje ndëretnike, sepse gjërat deri më tani kanë shkuar mirë. Janë të kujdesshëm palët, do të thoja edhe shqiptarët, edhe bashkëqytetarët tanë maqedonas, se vendit nuk i duhet një konflikt ndëretnik, vendit nuk i duhet përplasje mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Për këtë jemi të vetëdijshëm dhe për këtë ka shumë argumente që flasin se kjo nuk do të ndodhë. Por, e keqja është që partitë politike kanë trashëguar nga e kaluara një mangësi, sepse në të kaluarën përherë kanë dalë në fushata elektorale me karta nacionaliste, me fyerje reciproke, për të fituar elektoratin e tyre. Dhe ne si Bashkim Demokratik për Integrim kemi bërë përpjekje dhe kemi investuar në vazhdimësi që me kartën nacionaliste nuk duhet të luhet, por duhet të demonstrojmë shtetformësi. Duhet të demonstrojmë përgjegjësi dhe të ndërtojmë strategjinë për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e gjeneratave. Ky ka qenë përcaktimi ynë, dhe ne asnjëherë nuk jemi marrë me politika nacionaliste, por jemi marrë me zbatim dhe materializim të asaj që u takon shqiptarëve, të marrëveshjes paqësore të Ohrit, me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, me avancimin e atyre të drejtave të mohuara apo të mbivotuara nëpër institucione, në emër të demokracisë, në emër të pluralizmit, por asgjë nuk kanë avancuar shqiptarët. Kështu që ne kemi bërë përpjekje maksimale që të zbatohet dhe të materializohet marrëveshja paqësore e Ohrit me të gjitha vlerat që i ka në brendi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat