Gjykata Speciale nuk do të tolerojë të bie nën presion, e as ndonjë marifet të çoroditur / Hijet e frikshme!

Intervista

Gjykata Speciale nuk do të tolerojë të bie nën presion, e as ndonjë marifet të çoroditur / Hijet e frikshme!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 26 korrik 2022 Në ora: 13:02
Gjykata Speciale

Vrasjet politike mbeten ende një nga temat më të ndjeshme për Kosovën. Fillimi i arrestimeve nga gjykata speciale e ka kthyer vëmendjen tek një dekadë vrasjesh, por që sipas mandatit kohor tre vjeçar (1998-2001) të gjykatës, nuk dihet nëse do t’i trajtojë të gjitha.

Për këtë çështje, përpjekjet për ndikimin apo kontrollin ndaj kësaj gjykate flet në pjesën e dytë të intervistës, Xhevat Dajaku, i cili shpreson, që gjykata do ta trajtojë edhe atentatin ku mbet i vrarë vëllai i tij, Besimi, në atentatin e 19 tetorit të vitit 2001, ku u vra po ashtu edhe Bekim Kastrati, gazetar i gazetës “Bota sot”, si dhe u plagos Gani Geci.

Ai ka përmbledhur rrugëtimin e tij në stafin e sigurisë së presidentit duke mos lënë pa përmendur edhe vrasjen e vëllait të tij, Besim Dajakut.

Lexo edhe Flet ish-truproja e Rugovës / Tregon detaje nga koha e presidentit Rugova – ka një porosi për dorasit e vrasjeve politike!

Sipas Dajakut, që ka qenë luftëtar i UÇK-së, bashkë me vëllain e tij Besimin, është shumë i dhimbshëm, sepse sapo hapen aktakuzat, aty gjenden kryesisht viktima shqiptare, rreth 90% shqiptarë, ndërsa thotë se “si shembull konkret që të tmerron, e kemi parë se në aktakuzat e komandant Calit, viktimat ishin të gjithë shqiptarë, ku nuk ishin kursyer as 18 vjeçarët!”

Intervista e plotë

“Bota sot”: Vrasjet politike gjithashtu mbeten temë e ndërlikuar, a mendon që mund të kemi zbulim të tyre shumë shpejt?

Dajaku: Vet fakti se janë vrasje politike dhe janë kryer në mënyrë tinëzare ku askush si merr përsipër, janë të komplikuara. Dyshimet i kemi orientuar në një drejtim tashmë të ditur për të gjithë, por është detyrë e drejtësisë ta zbardhë të vërtetën mbi bazën e fakteve, provave, dhe dëshmive e elementëve tjera relevante. Drejtësia ka dështuar në Kosovë që të merret me këto krime, që të lënë me u bind se krimet politike e kanë kokën thellë në institucionet e vendit tonë. Prandaj, garantuesit e shtetit tonë euro-amerikanët, që edhe përgjegjësia bie mbi ta sidomos pas lufte sepse ishin përgjegjësit kryesor për paqe dhe siguri dhe për të gjitha zhvillimet e tjera shoqërore e politike. Pak me vonesë e formuan gjykatën speciale të Kosovës jashtë vendit tonë, në Hagë, për t'i trajtuar rastet e krimeve pa u ndikuar prej institucioneve tona dhe njerëzve të kupolës së krimit…

“Bota sot”: A jeni të informuar nëse gjykata speciale është duke i trajtuar rastet e vrasjeve pas vitit 2000?

Dajaku: Vrasjet e pasluftës duhet gjykata speciale gjithsesi që t'i hetojë, sepse bashkësia ndërkombëtare e ka obligim moral dhe ligjor siç e ceka më lart, ishte i vetmi pushtet që vepronte me të gjitha mekanizmat civil, policor e ushtarak, d.m.th. e kishte mandatin për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës në përgjithësi, nëse se bën një gjë të tillë, atëherë demokracia dhe siguria europiane që ishte në cilësinë e protektoratit do të quhej dështim total, pra drejtësia euroamerikane është e detyruar që t’i zbardhë krimet e pas luftës, sidomos të kohës së UNMIK-ut sepse këto krime ndodhen në mandatin e tyre.

“Bota sot”: A besoni se do ta zbulojë gjykata speciale grupin dhe autorët e vrasjes së vëllait tuaj, Besimit truprojë i presidentit Rugova dhe të ish-gazetarit të “Bota sot”, Bekim Kastratit?

Dajaku: Unë nuk jam i informuar, as nuk posedoj informacione se në cilin interval kohorë gjykata speciale do të zhvilloj hetime për rastet e krimeve të dyshuara. Po ashtu nuk kam informacione se a e ka brenda mandatit të saj edhe rastin e Bekim Kastratit dhe vëllait tim Besim Dajakut. Por, gjykata speciale siç thash më lartë duhet të ndaj drejtësi për të gjitha rastet, për kohen sa ishin mekanizmat ndërkombëtare si mbikëqyrëse dhe aplikuese të rendit dhe ligjit në Kosovë.

“Bota sot”: Duket se ka njëfarë lloj përpjekjeje, që të vihet nën kontroll gjykata speciale. Si duket këta që kryen krime nuk po mund t’i gjejnë ‘lidhje’ prokurorëve dhe gjykatësve. A ta krijojnë përshtypjen disa nga këta që dalin kundër gjykatës speciale se po paraqiten si ‘mësit’ (shkues), duan ndërmjetësim për t’i shpallur të pafajshëm paraprakisht?

Dajaku: Po ka përpjekje dhe ka pas përpjekje përgjatë gjithë kohës që të dyshuarve të Hagës për krime, t’ju bëhet një gjyq moral kinse ata janë të pastër, janë çlirimtarët, se nëse gjykohen ata, gjykohet UÇK-ja, gjykohet shteti i Kosovës, e shumë gjëra të tjera absurde duke ndikuar drejtpërdrejt në drejtësi dhe është e kuptueshme që në një mënyrë është presion mbi dëshmitarët.

Formulimi i tezës tashmë të njohur: “Akuzat ndaj UÇK-së” janë të qëllimshme, bëhet me qëllim që individët t'i mbrojnë duke i fshehur pas madhështisë së UÇK-së dhe kjo formë e qasjes është gabim shumë i madh, njëjtë po thotë edhe Serbia. Normal kjo është një makineri propagande mirë e organizuar, në rrjete sociale, studio, media, deri te pushtetarët me vizita të tyre e deklarata që bien ndesh me drejtësinë, me normat etike e njerëzore. Gjykata Speciale me siguri është në dijeni dhe nuk do të bëj asnjë hapë mbrapa, por përkundrazi do të luftoj pakompromis për ta dërguar drejtësinë në vend. Pra, ne familjarët e dëmtuar, përfundimisht me keqardhje dhe thellë të zhgënjyer jemi bindur se njëherë për njëherë drejtësia nuk është ka e sheh dritën në Kosovë.

“Bota sot”: Nga mendoni se motivohen ata, nga drejtësia apo nga përfitimet që kishin dikur dhe mund t’i kenë edhe tani, nga kontrolli eventual i gjykatës speciale?

Dajaku: Motivet munden me qenë të ndryshme, për përfitime gjithsesi, ka që janë të shantazhuar, bashkëpunëtorë që ndoshta do t’iu bashkëngjiten një ditë për krimet që mund t’i kenë bërë.

Por, ajo që po i mundon më së shumti është shumë e dhimbshme, sepse sapo të hapet aktakuza aty viktimat e tyre do të jenë mbi 90% shqiptarë, si shembull konkret që të tmerron, e kemi parë në aktakuzat e komandant Calit, ku viktimat ishin të gjithë shqiptarë, ku s’kishte kursyer as 18 vjeçarët!

“Bota sot”: Para disa ditësh kishim një deklaratë të një ish-agjenti të UDB-së, që thoshte se e ka pasur shef në SHIK Kadri Veselin. A ta krijon kjo dyshimin se edhe disa vrasje që janë kryer nga SHIK-u janë bërë me direktiva të UDB-së?

Dajaku: Deklarata e bashkëpunëtorit të UDB-së, se e kishte shef K. Veselin, dhe bashkëpunëtorë Latif Gashin dhe Elmi Reçicën është një dritë që e zbardhë gjithë atë errësirë, gjithë atë mjegull dhe i jep epilog organizatës fantome, ku në sfond më në fund doli të jetë UDB-ja famëkeqe.

“Bota sot”: Nëse gjykata speciale nuk lihet e lirë ta kryejë detyrën e saj, a rrezikohet, që shumë nga vrasjet politike të mos zbardhen kurrë?

Dajaku: Unë besoj në gjykatën speciale, sepse besoj se ka Zot, dhe kur ka Zot do të ketë edhe drejtësi.

Gjykata Speciale nuk do ta toleroj të bie nën presion, apo në ndonjë marifet të çoroditur siç din të bëjnë këto hije të frikshme. Ata janë duke e përcjellur me vëmendje çdo detaj, dhe këto tentime për të ndikuar në këtë gjykatë, ku po ndahet drejtësia dhe vetëm drejtësia, vetëm sa do të nxisin gjykatën që të shkoj deri në fund, normal duke vendosur vetëm drejtësi. Edhe një, doli në pah ai sulmi që i bëhej z. Konjufcës nga bashkëpunëtorët e tij se ishte i përfshirë në SHIK…

“Bota sot”: A mendoni se është ide e mirë, atë që kërkoi gazeta jonë, që të dëbohen priftërinjtë serb që i kanë shërbyer dhe i shërbejnë BIA-s apo KOS-it serb, apo edhe GRU-së ruse?

Dajaku: Atë çka e ka kërkuar gazeta e juaj për dëbimin e priftërinjve serb dhe GRU-n ruse është aq e qëlluar dhe e nevojshme sikur që është e nevojshme të largohet kanceri nga trupi.

Kisha serbe siç e thotë edhe Presidenti i Malit të Zi, i cili e dinë më mirë se çdo kush tjetër, që dihet se me shekuj kanë bashkëvepruar dhe e njohin qëllimin e njëri-tjetrit (serbët &malazezët). Pra, qëllimi i Kishës Serbe është një dhe i vetëm, zhdukja e shqiptarëve, ka nxitur dhe ka bërë plane për zhdukjen dhe dëbimin e shqiptarëve dhe do të bëj projekte në vazhdimësi në zhbërjen e kombit tonë. Kishat serbe vazhdimisht ishin vende ku vriteshin, persekutoheshin, torturoheshin e dhunoheshin shqiptarët. Prandaj, kjo iniciativë e kryeredaktorit tuaj, Idriz Morina, është dashur të dilte prej laboratoreve akademike nëse do kishim një akademi kombëtare të mirëfilltë. / Fund

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat