Serbët në veri rrezikohen nga pushteti autoritar i Beogradit dhe mentorët e tij në Moskë

Intervista

Serbët në veri rrezikohen nga pushteti autoritar i Beogradit dhe mentorët e tij në Moskë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 gusht 2022 Në ora: 21:42
Ushtarët në veri

Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, ish-gazetari, korrespodent i BBC, Muharrem Nitaj në një intervistë për “Bota sot” flet për situatën në vend.

Ai thotë se situata në veri nuk është normale sepse atje është involvuar Beogradi, duke shtuar se sa herë ka pasur përpjekje drejt avancimit të një marrëveshjeje, Beogradi ka sponsorizuar probleme atje.

Tutje, Nitaj thotë se Kosovës duhet t’ia kryejnë punët ndërkombëtarët. Nitaj thotë se në mendjet e plotë politikanëve ka qenë koncepti se Kosova është një projekt ndërkombëtar dhe vetëm ata e kanë fuqinë që ta përmbyllin dhe që sipas tij është gjë e rrezikshme kjo.

Derisa, për qeverinë Kurti thotë se nuk gjen fjalë të mira, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën ndodhemi që ekonomia, energjetika pastaj ligji për paga, madje sipas tij, e kjo qeveri i ka bllokuar dy projekte që do ta kishin ndërruar gjendjen, termocentralin Kosova e re dhe gazin amerikan.

Kurse, për dialogun thekson se Kurti duhet të raportojë në Kuvend për procesin.

Ndërsa, për çështjen e reciprocitetit ai deklaron se duhet të shndërrohet në standard e jo në dëshirë, duke thënë se kryeministri Kurti mirë do të ishte të mos e kishte hequr taksën ndaj Serbisë dhe sot do të ishim në një pozitë krejtësisht tjetër dhe nuk do të ishte temë reciprociteti.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Si Sekretar Përgjithshëm i AAK-së, por edhe si gazetar shumëvjeçar i BBC, si e komentoni situatën aktuale në vend, a ndodhej dhe a ndodhet një situatë shpërthyese në veri?

Muharrem Nitaj: Situata në veri nuk është normale, jo sepse popullata e atjeshme ka probleme e pakënaqësi, por sepse atje është involvuar Beogradi. Dhe kështu do të jetë derisa të mos ketë një marrëveshje përfundimtare për njohje. Kështu do të jetë derisa Serbia të mos e kuptojë se Kosova është sovrane në gjithë territorin e saj dhe nuk ka zgjidhje tjetër përpos ta shtrijë zbatimin e ligjit në çdo cep të saj. Fatkeqësisht sa herë ka pasur një përpjekje më të madhe drejt avancimit të një marrëveshjeje, Beogradi ka sponsorizuar probleme atje. Kështu po ndodhë edhe tani. Atje mund të ketë probleme dhe nuk përjashtohet mundësia të ketë edhe incidente, por unë nuk u besoj formulimeve të tipit “atje është situatë shpërthyese”, atje mund të ketë luftë etj

“Bota sot”: Pse ka një prirje edhe nga disa politikan dhe disa analistë, që ta përvijojnë fajtor sa Kurtin e Vuçiqin, sa Kosovën dhe Serbinë për nxitje lufte, derisa dihet dhe kuptohet qartë nga tezat e rrejshme serbe, se Kosova po synon vrasje masive, dëbim masiv të serbëve nga veriu etj., dhe derisa Serbia edhe me Kushtetutë e ka Kosovën në tërësi pjesë të saj. Kosova nuk ka aftësi sulmuese, dhe i vetmi mjet është zbatimi i kushtetutshmërisë në veri për ta vendosur sovranitetin e plotë. As këto përpjekje minimale atyre nuk po ju pëlqejnë?

Nitaj: Kosova nuk e ka as edhe më të voglin faj pse situata në veri është e nderë. Përkundrazi, Kosova ndër vite, është treguar shumë e kujdesshme me qasjen ndaj serbëve të veriut. Qeveria në Prishtinë i ka trajtuar serbët lokal atje, siç nuk bën asnjë vend tjetër në botë. Ata kanë qenë të “amnistuar” nga obligimet që do të duhej t’i kishin qytetarët ndaj shtetit të tyre. Qeveria u ka paguar rrymën, i ka lejuar të mos paguajnë taksa, të kenë sistem paralel arsimor e shëndetësor e kështu me radhë. Në fakt qeveritë në Prishtinë, në emër të të drejtave ndaj pakicës serbe, me ose pa vetëdije, kanë lejuar që veriu i Kosovës, të shndërrohet në një oazë krimi. Dhe kjo i ka shkuar për shtati politikanëve në Beograd, sepse atë pjesë e kanë shfrytëzuar edhe për forcimin e pushtetit të tyre. Beogradi më tepër ka qenë i merakosur për fatin e strukturave kriminale në veri, se sa për mirëqenien e qytetarëve të zakonshëm. Dhe kjo gjendje duhet të ndërpritet një ditë. Me gjasë i ka ardhur koha, dhe prandaj ka rezistencë nga pushteti autoritar i Beogradit dhe mentorët e tyre në Moskë. Dhe prandaj sajojnë lloj-lloj skenarësh të luftës speciale. Serbët lokal nuk rrezikohen nga Kosova, por nga pushteti autoritar në Beograd.

“Bota sot”: Pse ka një përpjekje kaq të madhe, nënshtruese, që të gjitha punët duhet t’i kryejnë vetëm fuqitë e mëdha, ndërsa ne nuk duhet të kemi asnjë nismë, dhe çdo përpjekje shihet si e pakoordinuar, e gabuar etj.?

Nitaj: Fatkeqësisht keni të drejtë në konstatimin që bëni. Pushtetet në Kosovë, me përjashtime të vogla, e më së shumti ky i fundit, kanë qenë të obsesionuar me luftën për vota. Me luftën për pushtet dhe nuk është se janë marrë shumë me veriun. Ka pasur disa përpjekje më të fokusuara gjatë qeverisë Haradinaj, por fatkeqësisht edhe ato janë ndërprerë. Gjëja me rrezikshme në mendjet e plot politikanëve ka qenë koncepti se Kosova është një projekt ndërkombëtar dhe vetëm ata e kanë fuqinë që ta përmbyllin. Por, kjo nuk do të duhej të nënkuptonte që shtysa të mos vinte nga Prishtina zyrtare. Kjo një, dhe e dyta, Kosova ia ka pa bukur shumë sherrin BE-së dhe strukturave të saj burokratike, që e kanë ndërmjetësuar dialogun Kosovë-Serbi. P.sh. gjatë mandatit të zonjës Mogherini, plot gjëra janë kthyer mbrapsht dhe janë shtyrë edhe idetë për ndarjen e Kosovës. Prandaj, ne si Aleancë gjithmonë kemi insistuar në rolin udhëheqës të SHBA-së në këtë proces.

“Bota sot”: Si e vlerësoni punën e qeverisë Kurti deri më tani, për rreth 18 muaj?

Nitaj: E kam të vështirë të gjej fjalë të mira për këtë Qeveri. Lajmi i fundit është se inflacioni në Kosovë ka mbërritur në 19.2%. Unë e kuptoj se inflacioni dhe kriza ekonomike është dukuri globale, por nuk e kuptoj komoditetin e Qeverisë që të mos ndërmarrë asnjë masë për zbutjen e kësaj krize. Ka vite që nuk kanë lëvizur pagat nga vendi e kjo Qeveri e ka bllokuar edhe ligjin e pagave. Kosova sot është në krizën më të thellë energjetike në këto 20 vjetët e fundit, e kjo Qeveri i ka bllokuar dy projekte që do ta kishin ndërruar gjendjen, termocentralin Kosova e re, dhe gazin amerikan. Janë bllokuar investimet kapitale, nuk janë rishikuar kontratat e punëve siç kanë bërë vendet tjera, është bllokuar paraja në kasafortat e Qeverisë dhe për më keq nuk po shoh as ide, as nisma se si të dilet nga kriza. Sapo mora vesh se fillon edhe vala e 58 e privatizimit, proces që aq shumë e ka luftuar VV-ja deri para një viti... E gjatë mund të jetë lista e pakënaqësive me këtë Qeveri. Unë vet kam qenë prej atyre që kam insistuar që t’i jepet më shumë kohë Qeverisë dhe të mos sulmohet menjëherë, por gjërat po shkojnë shumë për keq.

“Bota sot”: Si e vlerësoni dialogun me Serbinë. Kësaj here edhe njëri nga kundërshtarët më të mëdhenj, si Grenelli e lavdëroi për qëndrimet e mbajtura, kryeministrin Kurti. Si e vlerësoni ju dhe a prisni një marrëveshje finale me njohje reciproke brenda një periudhe jo të gjatë?

Nitaj: I pashë qëndrimet që i kishte paraqitur kryeministri në takimin e fundit në Bruksel. Për fat të keq këto qëndrime të kryeministrit të vendit tim, i mora vesh nga Kryeministri i Serbisë. Mu duken shumë korrekte, nëse janë të sakta natyrisht, por nuk arrij ta kuptoj pse kryeministri i Kosovës heshtë, e të tjerët flasin për qëndrimet e tij. Ky e ka pasur për obligim ta njoftojë të paktën Kuvendin e Kosovës, për atë çfarë ka ndodhur në Bruksel.

A ju kujtohet se si Albin Kurti i opozitës, kërkonte që Presidenti sa herë takohej në Bruksel, duhej të raportonte në Kuvend, e tash vetë nuk e përfillë një standard të tillë. Kjo do të duhej të bëhej menjëherë e pa vonesë në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, por fatkeqësisht edhe shumica e deputetëve që janë në pushim, sot sillen kafeve. Ndryshimi i vetëm që ka ndodhur me këtë kryeministër është se dialogu nga prioriteti i shtatë, siç ka pas deklaruar vetë Kurti, është shndërruar në prioritetin e parë. Unë jam optimist se do të ketë marrëveshje.

Pse ka kaq pak debate, akuza, retorikë kundër Serbisë, e cila hapur po e mbështet Rusinë?

Nitaj: Nuk jam i shqetësuar pse ka pak akuza dhe retorikë kundër Serbisë. Jam i shqetësuar pse punët po shkojnë ngadalë.

“Bota sot”: Tashmë një temë aktuale mbetet reciprociteti ndaj Serbisë. Si e shihni vendimin e kryeministrit Kurti?

Nitaj: Kosova duhet të veprojë sipas kushtetutës dhe ligjeve të veta. Reciprociteti duhet të shndërrohet në standard e jo në dëshirë. Përderisa shndërrohet në normë, unë e mbështes.

Më e mira do të ishte sikur kryeministri Kurti të mos e kishte hequr taksën ndaj Serbisë dhe sot do të ishim në një pozitë krejtësisht tjetër dhe nuk do të ishte temë reciprociteti.

A e dini që në vitin 2020 Kosova ka importuar mallra nga Serbia në vlerën prej 22 milionë eurosh, e sot kjo shumë mbërrin rekordin prej 500 milionësh, e ne hala i kemi të freskëta pamjet e rrokullisjes së kamionëve nga VV-ja, në fushatën e tyre “duaje tënden”! Është e natyrshme që njeriu i opozitës të ndryshojë nga ai i pushtetit, por jo kaq shumë.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se priten trazira më 1 shtator, si e komentoni deklaratën e Kurtit?

Nitaj: Nuk besoj që “trazirat”, “lufta”, “dimri i vështirë”… duhet të jenë pjesë e diskursit të një kryeministri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat