Dialogu Kosovë-Serbi/ Berisha i ashpër: Kjo gjë është në dëm të Kosovës, favorizohet Rusia!

Intervista

Dialogu Kosovë-Serbi/ Berisha i ashpër: Kjo gjë është në dëm të Kosovës, favorizohet Rusia!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 shtator 2022 Në ora: 15:26
Anton Berisha

Kosova po përballet me zhvillime të shumta kohëve të fundit, si kriza ekonomike, dialogu me Serbinë, grevat e shumta të sindikatave, veçanërisht e SBASHK-ut, kanë bërë që gjërat të jenë kaotike.

Krahas kësaj, niveli i bashkëpunimit pozitë dhe opozitë, nuk është i duhur shkaku i përplasjeve dhe kryesisht inateve politike.

Lidhur me këto ngjarje të fundit, në një intervistë për “Bota sot” foli ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme Anton Berisha.

Berisha vlerëson se tani situata politike dhe ekonomike në vend është më e rënduara që nga viti 1999.

Sipas tij, ka një papërgjegjësi dhe jokompetencë të frikshme të ministrave të Kurtit dhe stafit përcjellës.

Kurse, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, ish-diplomati tha se “Kurti është i paparashikueshëm dhe i paaftë për një qasje shtetërore. Ai kalkulimet i ka politike, individuale prandaj të gjitha opsionet janë të hapura”.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Berisha si e komentoni situatën politike në vend? Si e vlerësoni punën e qeverisë Kurti deri më tani? A konsideroni se niveli i bashkëpunimit pozitë-opozitë është në nivel të duhur?

Anton Berisha: Situata politike dhe e ekonomike në vend është më e rënduara që nga vitit 1999. Ka një polarizim të skajshëm të shoqërisë si rezultat i diskursit politik të Albin Kurtit: Ne të mirët dhe ATA të këqijtë. Ky model i provuar në të kaluarën ka sjellur fatkeqësi për kombe e shtete dhe asnjëherë nuk ka dhënë ndonjë rezultat për të mirën. Qeveria Kurti as që qeverisë me vendin, ka një administrim si rezultat i trashëgimisë, përderisa Kurti vazhdon me fjalamaninë dhe debatet e pafundme duke zgjeruar armiqësinë me të gjithë kategoritë shoqërore dhe institucionale.

Në anën tjetër ka një dështim të plotë në sferën e ekonomisë, paaftësi totale për menaxhim të situatës si rezultat edhe i ndryshimit të gjeopolitikës, jokompetencë në çdo ministri, punësime me nepotizëm e varësi partiake, rritje të pakontrolluar të çmimeve, krizë energjetike, thjeshtë një situatë para pëlcitjes. Kurti nuk ka as formim e as filozofi bashkëpunimi, ai është një politikan i polarizimit dhe demagogjisë, prandaj nuk ka asnjë bashkëpunim institucional e strukturor, thjeshtë ai ka marrë përsipër të sillet sipas parimit të trajtimit të temave shtetërore si një çështje individuale e tij.

“Bota sot”: Kosova po përballet me kriza të shumta, si ekonomike, energjetike etj. A janë këto kriza si pasojë e mosqeverisjes së duhur apo më shumë janë globale, si shkak i luftës Ukrainë-Rusi?

Anton Berisha: E thashë edhe më lartë, ka një papërgjegjësi dhe jokompetencë të frikshme të ministrave të Kurtit dhe stafit përcjellës, sa që ata vetëm e rëndojnë situatën pa mundur të bëjnë asnjë propozim dhe veprim të sanimit të krizës.

“Bota sot”: Po ashtu, tash e sa ditë në vend po mbahen greva të shumta? Si i shihni ato?

Anton Berisha: Ato i shoh, siç thashë më lartë si fazë e pëlcitjes së problemeve sociale. Kurti në vend të ulet me sindikatat dhe të bëjë zgjidhje, ai po i politizon. Shantazhimi i shërbyesve civil dhe arsimtarëve me ndalje të pagës, pezullim të kontratës e denigrime deri edhe në personale është tregues i papjekurisë dhe papërgjegjësisë së kryeministrit, për tu sjell si një kryeshërbëtor siç nënkupton edhe termi kryeministër. Ai për çdo ditë po vërteton se preferon rolin e sunduesit pavarësisht konsekuencave për njerëzit dhe shtetin.

“Bota sot”: Javë më parë kryeministri Kurti u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Gjatë takimit u arrit edhe marrëveshja për lëvizje të lirë. Si e vlerësoni atë?

Anton Berisha: Kurti ka shkelur të gjitha premtimet e tij prej se është shfaqur në publik, është duke dëshmuar se i ka humbur Kosovës për një dekadë e gjysmë debat të kot dhe të rrejshëm për patriotizmin dhe bashkimin kombëtar. Ai, tash jo vetëm që nuk i vë kushte presidentit serb Vuçiqi për tu takuar por është bërë më i varur nga ai me mënyrën e dialogimit duke u futur në tema teknike që janë të pafundme dhe mund të zgjasin pambarimisht. E vlerësoj se kështu humbet koha dhe vëmendja në temën kryesore e që është marrëveshja gjithëpërfshirëse. Në këtë mënyrë Kurti vazhdon statu quoja që është në dëm të Kosovës dhe siç u shprehën edhe zyrtarët e lartë amerikan është në favor të Rusisë.

“Bota sot”: A është i gatshëm kryeministri Kurti të bëjë lëshime, pasi është rritur trysnia ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshje? A mund të ndodhë që të pranohet një asociacion përkundër vendimit të kushtetueses apo me vendimin e kushtetueses dhe plus diçka tjetër? Dhe si e shihni ju zgjidhjen?

Anton Berisha: Kurti është i paparashikueshëm dhe i paaftë për një qasje shtetërore. Ai kalkulimet i ka politike, individuale prandaj të gjitha opsionet janë të hapura. Në varësi të kalkulimit vetanak politik, ai do të bëjë lëshime sado që i kërkohet dhe në të njëjtën kohë do të refuzoj edhe eventualisht marrëveshje të mirë në qoftë se kalkulimi vetanak politik nuk i del i mirë. Zgjidhjen e shoh me largimin e kësaj qeverie të papërgjegjshme dhe arritjen e një marrëveshjeje politike konsensuale për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e rëndë e brendshme dhe nga izolimi ndërkombëtar në rritje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat