Shqiptarja Ajkuna Olluri, shofere autobusi në Belgjikë: Në Kosovë do të paragjykohesha

Intervista

Shqiptarja Ajkuna Olluri, shofere autobusi në Belgjikë: Në Kosovë do të paragjykohesha

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 shtator 2022 Në ora: 13:11
Ajkuna Olluri

Ajkuna Olluri është një qytetare e Kosovës që prej më tepër se 20 vitesh jeton në Belgjikë. Ajo jeton me familjen e saj, bashkëshortin dhe pesë fëmijët, ndërsa bën një punë të veҫantë, si shofere autobusi në Belgjikë. Ajo thotë se puna e saj është shumë fitimprurëse, ndërsa të njëjtën do ta bënte edhe në Kosovë, veҫse këtu do të paragjykohej, kinse bën punë burrash.

Intervista e plotë:

Bota sot”: Ju bëni një punë të veçantë në Belgjikë. Sa është e vështirë puna që bëni?

Ajkuna Olluri: Nuk e shoh si punë që ka vështirësi aspak vetëm është perceptuar kështu dhe duket se tek ne njihet sikur punë burrash, por s’është aspak e vërtet sepse është një punë që mund e bën secili, e donë, unë kam dashtë vozitje kam dashtë këtë tip pune, se s’je asnjëherë në vend të njëjtë dhe e bëj me shumë lehtësi dhe dashuri.

“Bota sot”: A mund të na tregoni se kur keni shkuar në Belgjikë?

Ajkuna Olluri: Në Belgjikë jena vendos në vitin 2000, shkurt bashkëshorti im ka qenë 2 vite para se mu njoft me mua ka ardh për vizitë paslufte dhe fati ka deshtë të njoftohemi dhe pak muaj më pas kena vendos mu martu. Unë kam qenë vetëm 17 vjet kur jam vendos këtu dhe që prej asaj kohe jemi të martuar dhe kena kriju një familje, kemi 5 fëmijë bashkë dhe vazhdojmë jetën së bashku, të lumtur me të gjitha vështirësitë që sjell jeta, por të bashkuar ia kemi dal.

Image
Ajkuna Olluri

“Bota sot”: Puna juaj si shofere autobusi sa është ekonomike, a ia dilni të mbani familjen?

Ajkuna Olluri: Punën që bëj është mjaft përfituese, mundem me thënë me plot gojën, që ka rrallë post pune që ka fitime kaq të mira, por me 5 fëmijë kishte me qenë mjaft vështirë me ia dal, po të isha vetëm, por fatmirësisht se kemi këtë problem ekonomik, se edhe bashkëshortin e kam shofer kamioni dhe kështu që jemi mirë por pagesa është shumë e mirë.

“Bota sot”: Të njëjtën punë a do ta bënit edhe në Kosovë?

Ajkuna Olluri: Do ta kisha bërë me dëshirën më të madhe, por fatkeqësisht nëse do të kisha me qenë në Kosovë, nuk e di nëse kisha mujt me arritë duke e ditë paragjykime që ekzistojnë, duke e ditë mentalitin sidomos të fshatrave, mendoj që ditën kur kisha kërku ketë punë, përgjigjen e parë do të kisha me pas nuk është punë për ty kjo, por askund s’mung me bë asgjë nëse s’je e vendosur për diçka. Unë e kam një kokëfortësi kur e di e bëj dhe se qaj kokën për askënd, mendoj që do ta kisha bërë edhe sikur të isha në Kosovë.

“Bota sot”: A keni pasur paragjykime rreth punës tuaj, pasi që zakonisht puna që e bëni ju vlerësohet më shumë si punë e burrave?

Ajkuna Olluri: Të ju them të drejtën këtu s’ka pas shumë paragjykime, kurse në Kosovë jo paragjykime, por skeptik ka pas sikur është pa në mendjen e tyre, që kanë thënë në brendi ҫfarë do kjo me këtë punë që nuk është punë për të, por pasi që kam fillu me ushtru më kanë përgëzu edhe ata që s’kanë besu.

“Bota sot”: Po familja juaj, si e vlerësojnë punën tuaj?

Ajkuna Olluri: Familja ime e ngushtë e kanë prit shumë mirë, jashtëzakonisht mirë madje i kam pas krahun tim më të fortë, burrin dhe fëmijët e mi. Edhe babai im më ka përkrah dhe mëka shty shumë, dhe babai im është shumë krenar me mua për punën që e bëjë, dhe shpeshherë më thotë, ‘kur të shoh përmes videos ose foto, ma zgjatë jetën bija jem’.

“Bota sot”: A keni hasur në probleme ndonjëherë në punën që bëni?

Ajkuna Olluri: Si në ҫdo punë tjetër dhe në këtë punë kam pas stres, më shumë mundem të them se s’ka problem, sepse s’të lejojnë që të kesh probleme se të aftësojnë me praktikën e duhur, që të mos kesh problem. Kam pas stres, ca telashe më shumë mund të them qesharake, në fillim që kam bërë se sa diçka me rrezik, por jo, ia kam dal shumë mirë.

“Bota sot”: A keni menduar ta gjeni veten diku tjetër në tjetër profesion?

Ajkuna Olluri: S’ma merr mendja që kisha me ia dalë dikund më mirë se këtu, sepse kam dëshirë të jem aktive krahas karakterit tim, që kam dëshirë të mos jem në të njëjtin vend ҫdo herë, e kam ndierë në zemër që kjo është punë që duhet ta bëjë, në të njëjtën kohë kam dëshirë të marr përgjegjësi mbi veten dhe s’ma merr mendja se kisha me ia dalë dikund tjetër më mirë se këtu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat