Skandaloze:“Pasqyra e gjakut periferik në Klinikën Interne në QKUK kryhet në tualetin në bodrum”

Intervista

Skandaloze:“Pasqyra e gjakut periferik në Klinikën Interne në QKUK kryhet në tualetin në bodrum”

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 dhjetor 2022 Në ora: 08:17
Enlirat Duraku

Gjendja në vendin po vazhdon të jetë e mbushur me ngjarje që po trondisin opinonin publik.

Së fundmi është vrasja e 35 vjeçares nga ish-bashkëshorti i saj, e cila u vra së bashku me fëmijën e saj ende të palindur.

Kjo vrasje arriti të ngjallë reagime të mëdha për secilin qytetarë në vendin tonë, e padyshim preki edhe moralisht Ministrinë e Shëndetësis.

E në lidhje me këtë ngjarje në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur nënkryetari i Sindikates së Shëndetësisë që ditë më parë dha dorëheqje, Enlirat Duraku.

Lexo pjesën e parë të intervistes Vrasja që tronditi vendin/ Flet shefi i dorëhequr nga Sindikata e Shëndetësisë, një ditë pas tragjedisë – Shfajësimet dhe ikja nga përgjegjësia, të neveritshme!

“Bota sot”, arriti të bisedoj për shumë çështje me Durakun, duke filluar nga vrasja e fundit e deri tek arsyet që e kanë sjellur dorëheqjen e Durakut.

Duraku gjithashtu tregoi që analizimi i mostrave të gjakut, respektivisht pasqyra e gjakut periferik në Klinikën Interne aktualisht kryhet në tualetin e bodrumit të kësaj klinike, ndërsa lëngjet trupore, qofshin të ndërruara mostrat e urinës së pacientëve janë të ekspozuara në korridorin e të njëjtës klinikë, aty ku defilojnë një numër i madh, i palëve dhe personelit.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Po udhëheqja e re e SHSKUK-së, a ia ka arritur ta ndryshojë këtë gjendje apo është duke dështuar në menaxhim, ndërsa po përpiqet nga këndvështrimi i saj, ta bëjë ndoshta më të mirën?

Duraku: Dështimi në menaxhim i SHSKUK-së është një realitet fatkeq, duke filluar siç e ceka nga presioni deri tek krijimi i një ambienti toksik të punës, dështimi në krijimin e kushteve adekuate të punës, imponimi i rregullave të jashtëligjshme, manipulimi i opinionit përmes fotove dhe sfilatave në faqen zyrtare të SHSKUK-së, ndërsa mos të harrojmë edhe dështimin në krijimin e kushteve elementare që qytetarët që kërkojnë shërbime t’i marrin ato sa më cilësore, mos të harrojmë që analizimi i mostrave të gjakut, respektivisht pasqyra e gjakut periferik në Klinikën Interne aktualisht kryhet në tualetin e bodrumit të kësaj klinike, ndërsa lëngjet trupore, qofshin të ndërruara mostrat e urinës së pacientëve janë të ekspozuara në korridorin e të njëjtës klinikë, aty ku defilojnë një numër i madh, i palëve dhe personelit. Mungesa e personelit shëndetësor, barërave dhe materialit, ndërsa mosinteresimi në rregullimin dhe sanimin e këtyre problematikave, të gjitha këto japin konstatimin që menaxhimi ka dështuar totalisht, ndërsa sistemi shëndetësor është para kolapsit.

“Bota sot”: Ju njiheni gjithashtu për zërin e ngritur në lidhje me çështjet shëndetësore, cilat janë disa nga pikat që nuk pajtoheni në këtë fushë, pse po dështon reforma shëndetësore apo ndoshta më saktë normalizimi i situatës në këtë sektor, veçmas në QKUK?

Enlirat Duraku: Prioritizimi i shëndetësisë nga Qeveria si dhe formimi i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi u duk fillimisht si një qasje më proaktive sa i përket reformimit në shëndetësi, mirëpo emërimet e individëve inkompetent, në bazë të afiniteteve qoftë politike, qoftë personale si dhe atyre në bazë të favoreve po del të jetë një nga pengesat kryesore që reformimi të ecë përpara, madje edhe të filloj.

“Bota sot”: Sa respektohet orari, detyrat në përgjithësi nga mjekët në QKUK?

Enlirat Duraku: Do tregohesha i padrejtë nëse do të përgjigjesha këtu në mungesë të informacionit të saktë, mirëpo konsideroj që pjesa më e madhe e tyre janë të përgjegjshëm në respektimin e orarit si dhe në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive. Populli thotë një fjalë që “nuk ka mal pa ujk “, mirëpo duhet të merren në konsideratë të gjithë faktorët e lartcekur, e që sigurisht ndikojnë edhe në uljen e moralit dhe vullnetit tek profesionistët shëndetësor.

“Bota sot”: Gjithashtu ka mjek të shkëlqyeshëm, por thuajse ata janë më të shtypur apo më pak të përkrahur, pse ndodhë kjo, dhe a është pasojë e sistemit që nuk ka funksionuar për shkak të grupeve të interesave, grupeve të inkriminuara, me tenderë, dhe forma të tjera përfitimi?

Enlirat Duraku: Unë nuk kam informacion ende që mjekët janë të shtypur. Nga kush? Janë mjekët që kanë të gjitha pozitat menaxhuese dhe udhëheqëse, qoftë edhe ato qeveritare dhe ministrore, duke filluar nga Ministria e Shëndetësisë e deri tek deputetët. Rastet e izoluara zakonisht nuk raportohen, mbahen të fshehura për shkak të imazhit dhe prestigjit, ndërsa vetëm tani kam dëgjuar që një mjek publikisht lëshon punën në QKUK, i detyruar nga presioni, respektivisht mjeku nga Klinika e Kirurgjisë Plastike. Nëse flasim për shtypje dhe presion, nuk ka komunitet më të shtypur deri më sot se sa infermierët, të cilët janë të përjashtuar krejtësisht nga proceset dhe vendimmarrja, madje as në struktura menaxhuese nuk janë, as departament për infermier nuk ka, e lëre më të jenë pjesë e MSH-së, Bordit të SHSKUK-së, Bordit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, edhe pse infermierët përbëjnë diku afër 75% të fuqisë punëtore në sistemin shëndetësor. Andaj nëse duam të flasim për shtypje, presion dhe trajtim skllavëror, duhet të flasim për infermierët. Në anën tjetër pajtohem që ka mjekë të shkëlqyeshëm, të përgjegjshëm, profesionist të vërtetë dhe të aftë, në të cilët munden pa pikë dyshimi të llogarisin qytetarët e Republikës.

“Bota sot”: Qeveritë e Kosovës në vazhdimësi theksojnë që duhet investim në shëndetësi, mirëpo ende nuk kemi një ministër të shëndetësisë, si e shihni këtë mungesë dhe a do të duhej që moralisht edhe u.d. së Ministrit të Shëndetësisë të dorëhiqej për rastin tragjik?

Duraku: Veçse e potencova që pengesa kryesore është vendosja e individëve inkompetent në pozicione senzitive, të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me mirëqenien dhe shëndetin e personelit shëndetësor dhe atë kolektiv. Një shembull i keq, i menaxhimit është investimi në infrastrukturë duke e anashkaluar investimin në resurse humane. Jemi dëshmitar të mungesës së mjekëve, anesteziologëve, infermierëve dhe profileve tjera me rëndësi për funksionimin e mirëfilltë të sistemit shëndetësor, një infermier kujdeset për afërsisht 20-25 pacient, mungesa e mjekëve bënë që një mjek kujdestar të jetë përgjegjës për 40-50 pacientë, andaj është e pamundur ofrimi i shërbimeve dhe kujdesit cilësor. Në anën tjetër pajtohem plotësisht me deklaratën e kryeministrit Kurti që i gjithë zinxhiri menaxhues duhet të dorëhiqet apo shkarkohet, pa dallim.

“Bota sot”: Cilat janë disa nga masat e menjëhershme që duhet të marrë Ministria e Shëndetësisë?

Duraku: Drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, të jetë një infermier nëse vërtetë dëshirohet që të ketë sukses në menaxhimin e sistemit shëndetësor. Është fakt që menaxhimin e punës në QKUK, nga sigurimi i barërave, materialeve, resurseve humane, kushteve higjieno-sanitare adekuate si dhe të gjithë procesin tjetër, i cili vazhdon kështu 24/7, 365 ditë në vit, këtë e bëjnë kryeinfermierët. Të tjerët, drejtorët vetëm marrin meritat dhe shtesën mbi pagë për pozicionin që mbajnë. 90% e infermierëve gradën bsc. e marrin në Menaxhim Shëndetësor. Cili drejtor e ka këtë gradë? Asnjë. Kur keni dëgjuar që një kryeinfermier është shkarkuar për shkak të keqmenaxhimit? Asnjëherë.

”Bota sot”: Për fund, cili do të jetë hapi i radhës së juaj në anenë profesionale?

Duraku: Largimi nga sistemi publik shëndetësor dhe nga Kosova. / Fund

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat