Luftë në Kosovë? Flet eksperti amerikan dhe lëshon paralajmërimin: Ky politikan e ka kontrollin e bandave

Intervista

Luftë në Kosovë? Flet eksperti amerikan dhe lëshon paralajmërimin: Ky politikan e ka kontrollin e bandave

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 dhjetor 2022 Në ora: 11:48
Eksperti amerikan për Ballkanin dhe ish-diplomati Daniel Serwer

Eksperti amerikan për Ballkanin dhe ish-diplomati Daniel Serwer thotë në intervistën ekskluzive për gazetën “Bota sot”, se kriminelët që kryejnë operacione në veri janë nën kontrollin e Beogradit.

Ai i ka komentuar kërcënimet e Vuçiqit për dërgimin e ushtrisë në veri, duke thënë se ndërkombëtarët për fat të keq kanë një besim të mirë të veprimet e mira të tij.

Eksperti amerikan Server ka folur edhe rreth mundësisë së një luftë të re në Ballkan, për propozimin franko-gjerman dhe asociacionin.

Serwer flet edhe për iniciativën e krerëve të shtetit për anëtarësim në Bashkim Evropian, duke e quajtur gjest të rëndësishëm simbolik.

“Bota Sot”: Fillimisht sulme të njëpasnjëshme ndaj zyrtarëve policor, EULEX-it, e gazetarëve nga Kosova, tani e 12 ditë, pikat kufitare të veriut të Kosovës me Serbinë janë bllokuar nga grupe kriminale serbe, si e komentoni këtë situatë?

Daniel Serwer: Ky është Vuçiqi që ndjek ambicien e tij për "botën serbe". Kriminelët që kryejnë këto operacione në veri të Kosovës janë nën kontrollin e Beogradit.

“Bota Sot”: Kosova ka shtyrë zgjedhjet në veri të vendit, shkas këto që filluan fillimisht sulmet në veri, por Serbia ende vazhdon ta bllokojë atë pjesë. Ndërkombëtarët bëjnë thirrje që të hiqen barrikadat, çfarë përpiqet të arrijë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq?

Daniel Serwer: Ai tashmë ka kontroll de facto mbi veriun. Ai po përpiqet të sigurojë mosndëshkimin për bandat e tij kriminale dhe kontrollin e vazhdueshëm të Beogradit në veri.

“Bota Sot”: Presidenti serb, Aleksandër Vuciq ka kërcënuar me dërgimin e ushtrisë serbe në atë pjesë të Kosovës, pse Serbia vazhdon të përkëdhelet nga ndërkombëtarët dhe nuk i kundërpërgjigjen për veprimet e saj?

Daniel Serwer: Ju duhet të pyesni "komunitetin ndërkombëtar", por për mendimin tim ata kanë për fat të keq një besim të mirë në qëllimet e mira të Vuçiqit. Nuk kam arsye ta konfirmoj këtë. Sigurisht që nuk ka asgjë për sjelljen aktuale të kriminelëve në veri që konfirmon qëllimet e mira.

“Bota Sot”: Ambasada ruse në Tiranë, ka përkrahur Serbinë për këto veprime, a kemi rrezik të një lufte tjetër?

Daniel Serwer: Jo një luftë tjetër, por një destabilitet serioz. Rusia ka vetëm disa trupa në Serbi dhe ushtria serbe nuk do të dëshirojë të hyjë në asnjë pjesë të Kosovës me shumicë shqiptare. Por, forcat serbe të sigurisë ekzistojnë në të gjitha komunat me shumicë serbe, veçanërisht në veri. Mund të shkaktojnë shumë telashe.

“Bota Sot”: I dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, të martën është takuar me kryeministrin Kurti dhe ka kërkuar implementimin e asociacionit të komunave me shbumicë serbe, si zhbllokim të situatës. Asociacioni i komunave me shumicë, sipas marrëveshjeve të nënshkruara bie ndesh me 23 pika të Kushtetutës së Kosovës, si duhet të veprojë Kosova?

Daniel Serwer: Mendoj se Asociacioni është diçka që nuk mund të zbatohet derisa Serbia të mos e njohë Kosovën. Nëse bëhet më herët se kaq, ekziston rrezik serioz për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

“Bota Sot”: Propozimi franko-gjerman, fillimisht i papranueshëm për Serbinë, tani me përmirësime. Ende nuk dihet saktësisht çka përmban, por raportohet se është një ndër arsyet tjera që situata në veri është tensionuar, si e vlerësoni këtë propozim?

Daniel Serwer: E kam të vështirë të vlerësoj diçka që nuk e kam parë. Një version i mëhershëm i publikuar nuk ishte aq i keq nga këndvështrimi i Kosovës. Ai nuk përfshinte asociacionin apo njohjen.

“Bota Sot”: Para se të ndodhte situata në veri, kryeministri Kurti deklaronte për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë në mars të vitit 2023, a mund të ketë një zgjidhje ky dialog dhe cila do të ishte zgjidhja më e mirë?

Daniel Serwer: Po, mund të ketë një zgjidhje, por dikush duhet t'i thotë Serbisë që t'i kushtojë vëmendje problemeve të veta dhe ta lërë Kosovën të merret me problemet e saj, përfshirë ato të popullsisë së saj serbe.

“Bota Sot”: Liderët e Kosovës kanë dorëzuar dokumentin për anëtarësim në BE, si e shihni këtë veprim dhe sa mbështetje do të ketë Kosova në këtë rrugë?

Daniel Serwer: Është një gjest i rëndësishëm simbolik që pasqyron ambiciet reale të qytetarëve të Kosovës. Mbështetja për Kosovën do të varet nga dy gjëra: Prishtina të iniciojë reformat e nevojshme dhe t'i bindë shtetet aktuale anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe ato që nuk e njohin, se BE-ja do të jetë më mirë me Kosovën sesa pa të. Këto janë porosi të larta.

“Bota Sot”: Si e vlerësoni qeverisjen e kryeministrit Kurti dhe presidentit Osmani, çfarë duhet të bëjnë më shumë për Kosovën?

Daniel Serwer: Nuk më takon mua të vlerësoj qeverisjen e tyre. Këtë do ta bëjnë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. Por, dy gjërat që sapo përmenda do të jenë faktorë të rëndësishëm në atë vlerësim: reformat dhe diplomacia brenda BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat