Ish-ushtari: Privatizimi i luftës nga ish-komandantët cenoi reputacionin e UÇK-së dhe i hapi rrugë krijimit të Gjykatës Speciale

Intervista

Ish-ushtari: Privatizimi i luftës nga ish-komandantët cenoi reputacionin e UÇK-së dhe i hapi rrugë krijimit të Gjykatës Speciale

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 27 prill 2023 Në ora: 22:00
Flamuri i UÇK-së

Ish- ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe eksperti i sigurisë, Dritan Goxhaj, thotë se me marrëveshjen e “Zajednicës”, Gjykatës Speciale dhe Demarkacionit, politika qeveritare në Kosovë është interesuar vetëm për veten dhe ka vendosur interesin personal individual dhe atë partiak mbi interesin kombëtar shqiptar.

Sipas Goxhajt, gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit është dështim i shtetit dhe ajo se çfarë bën Prokurori gjatë këtij procesi, është një sulm i paramenduar dhe i koordinuar drejt themelimit të luftës së shtetit të Kosovës.

“Unë mendoj se është total dështim i shtetit të Kosovës, pasi, në mënyrën si është ndërtuar kjo gjykatë dhe ajo çfarë kjo Prokurori po bën gjatë këtij procesi, deri më tash duket e gjitha si një sulm i paramenduar dhe i koordinuar drejt themelit të luftës të shtetit të Kosovës, qëllimi i këtij Gjyqi është goditja ndaj themelit të këtij vendi, themeli i shtetit të Kosovës është Ushtria Çlirimtare e saj. Nëse e sulmojmë atë me dëshmi jo adekuate, me anë të të cilave akuzojnë UÇK-në dhe jo individët, atëherë i bie të prishim themelin e shtëpisë, Republikën e Kosovës, që ju e quani vend”, shprehet Goxhaj.

Goxhaj si ish- ushtar ka ndarë për ““Bota sot””, tri rrëfime gjatë kohës së luftës, gjersa shton se ajo ka qenë periudha më krenare e jetës së tij.

Rreth bashkëpunimit të Shqipërisë dhe Kosovës në kohë të luftës dhe në ditët e sotme, Goxhaj, thotë se dallon shumë dhe se në atë kohë veprohej nën një parullë “një komb një qëndrim”.

Goxhaj në intervistën dhënë gazetës ““Bota sot””, ka folur edhe rreth kritikave të kamotshme për ish- komandantë dhe qeverisjen e shtetit pa “komandantë”, duke u shprehur se asaj akuze nuk i heq as edhe një presje as sot, ndërsa qeverisja e sotme nuk ka ndonjë ndryshim dhe veprime konkrete të drejtësisë ndaj atij korrupsioni dhe ndaj atyre padrejtësive.

Eksperti i sigurisë ka folur edhe rreth ndikimit rus dhe asociacionit, zgjedhjeve në veri dhe mundësisë së tensionimit të situatës pas zgjedhjeve si dhe hapave adekuatë për integrimin e tërësishëm të Veriut dhe sigurinë që mund të ofrohet si për shumicën Shqiptare, ashtu edhe për komunitetin Serb.

Intervistoi: Naile Ejupi

Image
Ish- ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe eksperti i sigurisë, Dritan Goxhaj

“Bota sot”: Ka kaluar 24 vjet që nga lufta në Kosovë, si e kujtoni kohën si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, a mund ta ndani ndonjë rrëfim që ju ka mbetur në kujtesë edhe në ditët e sotme?

Dritan Goxhaj: Mund t’ju them me plot gojën se ajo kohë në radhët e UÇK është periudha më krenare e jetës sime.

Ju më kërkoni të ndaj me ju një rrëfim, i cili të më ketë mbetur në kujtesë edhe në ditët e sotme. Unë, me këtë rast, po ndaj me ju jo një, po tre rrëfime të asaj periudhe e të asaj rëndësie, të cilat besoj se do të tregojnë shumë më shumë për atë periudhë kohore të krenarisë sonë kombëtare.

Rrëfimi i parë ka të bëjë me kohën pak para se të fillonte Operacioni “Shigjeta” në mal të Pashtrikut. Në atë kohë Zv/Ministri i Mbrojtjes i Qeverisë së Përkohshme së Kosovës ishte z. Fatmir Limaj, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK ishte koloneli Bislim Zyrapi. Të dy këta kuadro të larta të UÇK-së na ngarkojnë Musë Jasharin dhe mua me detyrë që të bisedojmë me komanduesit e forcave të FARK-ut, të cilat ishin dislokuar në kazermën e Ushtrisë së Republikës së Shqiptarisë, në Kolsh të Poshtëm, pranë vendit të quajtur Fush Dukagjin, që në rast se nuk do të hynin në luftë, duhej të largoheshin prej asaj kazerme dhe t’ia dorëzonin atë Divizionit të Kukësit pasi edhe atij i përkiste. Dhe të përgatiteshin për të luftuar në Koshare.

Puna e parë që duhej të bëja, ishte e nevojshme që të kontaktoja përmes telefonit me Ministrin e Mbrojtjes të Qeverisë së Kosovës në Ekzil, (e drejtuar nga z.Bukoshi), me kolonel Halil Bica. Qysh në thirrjen e parë, ai pranoi të bisedonim. Pasi u përshëndetëm, e informova për çfarë e thirra, duke i shpjeguar se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së më ka ngarkuar me detyrë t’iu informoj që trupat e FARK-ut, të komanduara prej tij, të imbarkoheshin prej andej dhe të shkonin në frontin e Koshares, sipas një marrëveshjeje mes tyre. Luftimet në Koshare kishin gati dy javë që po zhvilloheshin. Zoti Bicaj e mirëpriti atë propozim, si dhe më tha se do të fliste menjëherë me komandantët e atyre forcave dhe do të na njoftonte. Nuk u desh të prisnim shumë. Pas dy-tri orësh më thërret në telefon dhe më thotë që ditën e nesërme të paraqiteshim te kazerma, dhe atje do të na presin disa persona të dërguar nga ana e tij, për të biseduar sesi do të veprohej. Të nesërmen kur mbërritëm aty na priste Shefi i Shërbimit Inteligjent i Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë Bukoshi, nëse nuk gaboj, më duket se quhej Skënder Hasimaj, po mos ma merrni fort i sigurt nëse nuk është ky emër. Ai ishte me dy persona të tjerë si dhe me komandantët e forcave që ishin dislokuar në atë kazermë. Ajo që më ka bërë përshtypje, ishte fakti se të gjithë ata, oficerë dhe ushtarë, ishin entuziastë për të shkuar në frontin e luftimeve. Kjo gatishmëri e tyre bëri që u dakorduam shumë shpejt, duke pranuar se ato forca, edhe pse ishin pjesë të FARK-u, do ishte nën komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. U vendos që trupat të niseshin drejt për në Koshare, por me një ndalesë të vogël te Uzina në Kukës, ku do të rihartoheshin listat dhe do pajiseshin me armatim, municion dhe mjete të tjera të nevojshme për të luftuar. Transporti do kryhej me kamionët e ushtrisë shqiptare që do t’i sillte Komanda e Divizionit të Kuksit. Dhe kështu ndodhi. Në mbrëmje të po asaj dite filloi lëvizja pa as me të voglin problem, dhe në orët e para të mëngjesit të ditës së nesërme, rreth 300 forca të FARK-ut zbarkuan në afërsi të Koshares, duke pasur në uniformë shenjat dalluese të UÇK-së. Ky ishte një bashkëpunim perfekt në kohën, në vendin dhe momentin e duhur. Këto veprime dhe koordinime më kanë lënë mbresë të pashkëputshme nga kujtesa, gjë që tregonte se vullneti për të çliruar Kosovën ishte i jashtëzakonshëm si nga QPK-ja ashtu edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë Bukoshi. Ai koordinim ishte mbresëlënës.

Rrëfimi i dytë ka të bëjë me ditën që filloi Operacioni “Shigjeta” me forcat që sulmuan në mal të Pashtrikut. Sulmi filloi në datën 26 Maj 1999. Amerikanët ishin shumë entuziastë për këtë operacion dhe, me këtë rast, na kishin kërkuar që të mund të organizohej një lloj ceremonie ushtarake në Kukës ditën që do të fillonte ai operacion. U dakordësuam me komanduesit e Divizionit të Kuksit i Ushtrisë Shqiptare dhe pasandaj me Ministrinë e Mbrojtjes së R.Shqipërisë, që atë ditë të mbahej në Kukës një demonstrim force, parakalim trupash si nga ana e Ushtrisë Shqiptare ashtu edhe me forcat e UÇK-së. Atë ditë, në Atë ceremoni morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Rexhep Mejdani, Këshilltari i tij për sigurinë z.Sabit Brokaj, i cili bëri edhe ndërmjetësin që e gjithë kjo të bëhej e mundur, si dhe Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë z. Luan Hajdaraga. Ajo që bëri përshtypje për të gjithë pjesëmarrësit ushtarakë dhe në popull, e që nuk mundem ta harroj, në atë demonstrim force mungoi dhe nuk pranoi të vinte Kryeministri i Shqipërisë, z.Pandeli Majko, i cili nuk nxori asnjë lloj arsyeje, por, përkundrazi, atë ditë. Ai u largua për të ngrënë një drekë qejfi tek vilat qeveritare në Durrës me propozim, sikundër na shpjeguan, të Ministrit të tij të Kulturës të asaj kohe z.Ed(vin) Rama.

Rrëfimi i tretë ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur në datën 2 Maj të 1999, në Qendrën Stërvitore të UÇK-së në Burrel. Komandanti i asaj Qendre Stërvitore ishte Ruzhdi Saramata. Ai, për arsye thjesht ordinere, vret një ushtar vullnetar të kontingjentit të UÇK-së që stërvitej në Burrel, si dhe plagos dy pjesëtarë të tjerë të saj! Dhe ajo që e ktheu atë dramë në tragjedi ishte se, vullnetarit që u vra nga komandanti i tij, atë ditë i kishte ardhur familja nga Evropa për ta përcjellë në luftën për çlirimin e Kosovës! Një dhimbje dhe ngjarje e paimagjinueshme! Dhe, çudia tjetër ishte, se për këtë ngjarje është dënuar në Kosovë dhe tashti po mbahet padrejtësisht në Gjyqin e Hagës Pjetër Shala, ndërsa Ruzhdi Saramatës edhe pse u ndalua nga policia ushtarake e UÇK me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, ai u lirua me ndërhyrjen direkte të Xhavit Halitit dhe jo vetëm që as që i ka hyrë gjemb në këmbë, por pas lufte po këta që e liruan e vunë zv/kryetar i Komisionit Shtetëror për Veteranët e Luftës!

“Bota sot”: Në Hagë po vazhdon gjykimi i ish-krerëve kryesorë të UÇK-së. Tashmë seanca po vazhdon me paraqitjen e dëshmitarëve. Sa keni pasur mundësi t’i përcillni deklaratat e dëshmitarëve dhe cili është komenti juaj rreth tyre?

Dritan Goxhaj: Po, i kam përcjellë, por pak, jo deri në fund, pasi i kam konsideruar jo adekuate me akt-akuzën për të cilën ata akuzohen. Në një proces penal për krime lufte nuk e kuptoj se ku qëndron lidhja me aktivitetet politike të një Partie që dhe e kishte suspenduar aktivitetin e saj politik gjatë asaj lufte?! Detyra e Prokurorit është të vërtetojë ose të bëjë lidhjen e ngjarjes me personin për të vërtetuar aktakuzën, dhe jo ta kthejë në një gjyq politik.

“Bota sot”: Gjykimi i Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, dështim i vendit apo drejtësi?

Dritan Goxhaj: Unë mendoj se është total dështim i shtetit të Kosovës, pasi, në mënyrën si është ndërtuar kjo gjykatë dhe ajo çfarë kjo Prokurori po bën gjatë këtij procesi, deri më tash duket e gjitha si një sulm i paramenduar dhe i koordinuar drejt themelit të luftës të shtetit të Kosovës, qëllimi i këtij Gjyqi është goditja ndaj themelit të këtij vendi, themeli i shtetit të Kosovës është Ushtria Çlirimtare e saj. Nëse e sulmojmë atë me dëshmi jo adekuate, me anë të cilave akuzojnë UÇK-në dhe jo individët, atëherë i bie të prishim themelin e shtëpisë, Republikën e Kosovës, që ju e quani vend.

“Bota sot”: Në të kaluarën keni kritikuar ish- komandantët, duke thënë se kanë privatizuar luftën dhe arritën ta shkatërrojnë Kosovën dhe reputacionin e UÇK-së. Sa ka ndikuar gjykimi në Hagë te humbja e reputacionit të UÇK-së dhe si e shihni tani Kosovën pa ish- komandantët në qeverisje?

Dritan Goxhaj: Po është e vërtetë që i kam kritikuar këta komandantë që aktualisht janë në Hagë, të cilët edhe i kam akuzuar se e kanë privatizuar luftën; dhe kësaj akuze nuk i heq as edhe një presje as sot. Tentativa e tyre, për të privatizuar luftën, e cenoi dhe e dobësoi gradualisht reputacionin e UÇK-së, duke krijuar kushte që t’i hapej rruga krijimit të kësaj gjykate. Ky privatizim i luftës dhe shfrytëzimi prej tyre i lavdisë të UÇK-së bënë të mundur që, jo vetëm politikanët kundërshtarë të UÇK-së por edhe njerëzit e thjeshtë arritën që ta barazojnë UÇK-në dhe luftën e saj me personalitetin e këtyre ish-drejtues të lartë të UÇK-së. Dhe, si rrjedhojë, është në natyrën njerëzore që kur njësohen dy gjëra, atëherë i sheh të dyja ato me të njëjtin sy, në një të vetme.

Por, edhe Qeverisja e sotme, nuk ka ndonjë ndryshim nga Qeverisja e ish-komandantëve. Nepotizmi dhe korrupsioni kanë vazhduar njësoj; nuk kemi parë as atëherë e as sot veprime konkrete të drejtësisë ndaj atij korrupsioni dhe ndaj atyre padrejtësive, me premtimin kundër të cilëve erdhi në pushtet kjo qeverisje e sotme. Jam i mendimit se qeverisjet duhen parë në këtë prizëm, se çfarë dhe sa ka ndryshuar në të mirë të qytetarëve, sa janë krijuar kushtet për konkurime të lira sipas meritokracisë për në administratën shtetërore, qoftë në atë qendrore, qoftë në atë vendore. Kjo gjë në Kosovë nuk ka ndryshuar, prandaj dhe them se nuk ka ndryshim.

“Bota sot”: Një krahasim, Kosova nga koha e terrorit, me Kosovën, të cilës ditë më parë iu dha liberalizimi i vizave, a e keni paramenduar kështu? Cilat janë përparimet dhe “ngecjet”, në prizmin tuaj?

Dritan Goxhaj: Besoj se pjesërisht kësaj pyetjeje i jam përgjigjur më lart, në pyetjen pararendëse; vetëm dua të theksoj se liberalizimi i vizave nuk është meritë e asnjë qeverie, është thjesht vendim politik i BE-së, për t’ia bërë më të lehtë dhe joshjen Qeverisë së Kosovës për të aplikuar Asociacionin, dhe që të nënshkruajë Kosova një marrëveshje jo të favorshme për të, por për Serbinë.

“Bota sot”: Si është bashkëpunimi i tanishëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, në krahasim me bashkëpunimin nga koha e luftës së fundit?

Dritan Goxhaj: Bashkëpunimi i sotëm nuk mund të krahasohet me bashkëpunimin e atëhershëm. Atëherë veprohej nën një parullë “një komb një qëndrim”. Dhe ajo parullë u implementua. Nuk them që u realizua 100%, por 80-90 %, po. Atëherë UÇK-ja stërvitej në qendrat stërvitore të Ushtrisë Shqiptare dhe nga kuadro të Ushtrisë Shqiptare. UÇK-ja gjatë luftës pajisej me armatim, municione dhe gjithçka tjetër të nevojshme për luftë nga Ushtria Shqiptare. Ushtria Shqiptare vuri në dispozicion të UÇK-së dhe luftës çfarë kishte mundësi, si.ps.sh. Spitali Ushtarak në Tiranë ishte i gjithi në dispozicion të UÇK-së, ku nga 810 të plagosur rëndë, vetëm një prej tyre nuk mundi të kthehej në jetë, të gjithë të tjerët u kthyen në front. Nuk mund të gjesh një shembull të tillë në asnjë nga luftërat e zhvilluara në shekullin e kaluar dhe sot. E, për fat të keq, për këtë ndihmë vëllazërore të dy pjesëve të kombit tonë, flitet shumë pak, për mos të thënë aspak. Gjithashtu, të plagosurit e luftës që forcat e UÇK-së brenda në Kosovë i sillnin deri në kufi, nga kufiri i transportonim ose në Spitalin e Tropojës dhe të Kuksit, dhe ata të plagosur rëndë që kërkonin ndërhyrje më të specilaizuara i transportonim me helikopterët e Regjimentit Luftarak të Ushtrisë Shqiptare në Spitalin ushtarak në Tiranë.

Parlamenti Shqiptar atëherë që ishte me shumicë socialiste miratoi dhjetëra rezoluta të ndryshme pro-UÇK-së dhe luftës së saj. Sot ky bashkëpunim nuk ekziston!

Në Shkollat Ushtarake në Tiranë tash nuk ka studentë nga Kosova!

Në qendrat dhe poligonet e Ushtrisë Shqiptare nuk ka stërvitje të përbashkëta.

Parlamenti shqiptar, që edhe sot dominohet po nga socialistët si atëherë, sot nuk pranon të miratoj asnjë lloj rezolute kundër Serbisë dhe as ta njoh gjenocidin serb në Kosovë qoftë dhe me një rezolutë! Takimet e qeverive janë thjesht për kortezi propagandistike, janë thjeshtë fasadë politike “patriotike”, por bashkëpunim nuk ka.

“Bota sot”: Mendoni që politika e Tiranës po krijon mure të panevojshme kundrejt politikës Prishtinase?

Dritan Goxhaj: Nuk mendoj se po krijon mure, por nuk po lehtëson dhe nuk po ndihmon politikën në Prishtinë dhe as po e orienton atë drejt një lëvizje të përbashkët me interes kombëtar. Qeveria aktuale e Tiranës e sheh politikën në Prishtinë thjesht si politikën e një shteti fqinj çfarëdo.

“Bota sot”: Ku dështoi skena politike e Kosovës që i solli tri marrëveshje të dëmshme për shtetin. Po flasim për Zajednicën, Gjykatën Speciale dhe Demarkacionin?

Dritan Goxhaj: Për mua është shumë e thjeshtë. Politika qeveritare në Kosovë u interesua vetëm për veten, e vuri interesin personal individual dhe atë partiak mbi interesin kombëtar shqiptar. Pika e parë e këtij dështimi i kësaj qeverisjeje është konsiderimi i Kosovës si komb më vete.

“Bota sot”: Nëse i keni përcjellë ngjarjet vendore e ato ndërkombëtare, mendoni që trysnia ndërkombëtare për kalimin e Asociacionit, ka në prapavijë largimin e ndikimit rus mbi Serbinë, rrjedhimisht ndikimin rus në Ballkan?

Dritan Goxhaj: Pavarësisht se kjo trysni shfaqet si e tillë, unë nuk mendoj se ka për prapavijë largimin e ndikimit rus në Ballkan; pasi, lidhja ruse në Ballkan më parë se të jetë politike ajo është fetare, nëpërmjet fesë Ortodokse. Si e tillë, Rusia nuk mund të largohet kurrë nga Ballkani; mund të dobësohet, të çohet në fije të perit, por jo të largohet fare. Sepse një trysni e tillë ka gjithnjë efektin e kundërt. Dhe këtë e vërtetuan votimet e fundit presidenciale në Mal të Zi. Mendoj se ndërkombëtarët, nën presionin amerikan, kryesisht, thjesht duan të mbyllin një problem të tyre. Të mbyllin problemin midis Kosovës dhe Serbisë, që kështu të fokusohen pastaj tek Ukraina dhe kryesisht tek Taivani. Ndaj janë të prirur që të kënaqin Serbinë me këtë trysni ndaj Kosovës, që Kosova të mos u krijoi probleme në Ballkan, sepse Sërbët rrinë duke thënë: “ne po të duam ja vëmë zjarrin Ballkanit”, ndërkohë që është thjesht një gënjeshtër e stisur mirë. Të vetmit që mund t’i vënë flakën Ballkanit,, por edhe Evropës, janë vetëm shqiptarët. Kjo, pasi ne shtrihemi në 6 shtete ballkanike (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi, Greqi) dhe çdo veprim i ynë drejt një tentative për një Shqipëri Etnike do të involvonte jo vetëm Serbinë por edhe Maqedoninë, Bosnjën, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë, duke sjellë një luftë të tretë ballkanike. Ndaj politika shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë duhet që t’ju hapi sytë perëndimorëve e t’ju tregojë se kush ka rëndësi në këtë anë të botës e kush mund t’ia vëj zjarrin Ballkanit.

“Bota sot”: Si e shihni sigurinë në rajon dhe Evropë shkaku i luftës Rusi-Ukrainë?

Dritan Goxhaj: Për momentin mendoj se siguria në rajon nuk ka asnjë lidhje me luftën në Ukrainë. Ajo nuk ndikon tashti. Por pas-lufta do jetë ajo që do ketë ndikim. Kjo pasi, nëse rusët e fitojnë këtë luftë, atëherë kjo do sjellë lëvizje që do cenojnë sigurinë e sotme në Ballkan dhe në rajon, pasi, me fitoren e krahut shumicë më pro-rus në Mal të Zi mund të çojë daljen e Malit të Zi nga NATO-ja dhe të pasohet me vendosje të ndonjë baze detare Ruse në Mal të Zi. Dhe kjo lëvizje do të nxiste lëvizje sovraniste në Bosnje, në radhë të parë.

“Bota sot”: Kosova të dielën e kaluar ka mbajtur zgjedhje në katër komuna në Veri, përkundër një numri të vogël të votuesve ato janë vlerësuar brenda frymës kushtetuese. A mund të sjellë pranimi i zgjedhjeve nga ana e Qeverise një tensionim edhe më tepër të situatës në Veri?

Dritan Goxhaj: Për momentin nuk besoj se do të kemi tensionim të situatës në Veri, për çfarëdo arsye, pasi të gjitha palët janë në proces bisedimi dhe asnjëra nuk dëshiron që të mbajë në kurriz fajin për dështimin e këtyre bisedimeve.

“Bota sot”: Cilët mendoni ju se do të ishin hapat adekuatë për integrimin e tërësishëm të Veriut dhe sigurinë që mund të ofrohet si për shumicën Shqiptare, ashtu edhe për komunitetin Serb?

Dritan Goxhaj:E vetmja mënyrë për integrimin e Veriut nën rendin kushtetues të Kosovës do të ishte rikthimi i shqiptarëve në vendbanimet e tyre në ato komuna, ku Qeveria e Kosovës duhet që t’ju rindërtoi shtëpitë, ashtu sikundër bëri për serbët. Në këtë aspekt duhet të ofrojë dhe iniciojë lëvizje demografike të popullsisë shqiptare në Kosovë në drejtim të këtyre tre komunaven në Veri, me mbështetje të njëjtë që po u jep serbëve të atjeshëm. Kjo do barazonte popullatën dhe do sillte ekuilibrim dhe një rivendosje të rendit kushtetues. Ose, të propozojë një shkëmbim territoresh midis këtyre tre komunave dhe tre komunave shqiptare në jug të Serbisë. Me këtë të fundit besoj se do i jepte fund njëherë e mirë problemit shqiptar dhe Asociacionit serb. Me këtë veprim do të arrihej një paqe e përhershme me Serbinë, pasi nuk do të kishim më probleme territoriale me ta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat