“Vuҫiq e di mirë këtë”, eksperti paralajmëron rrezik në veri: Kosova po i jep shkas të panevojshëm Serbisë për obstruksion

Intervista

“Vuҫiq e di mirë këtë”, eksperti paralajmëron rrezik në veri: Kosova po i jep shkas të panevojshëm Serbisë për obstruksion

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 prill 2023 Në ora: 21:49
Aleksandar Vuçiq

Eksperti i çështjeve të sigurisë Hysen Gecaj, ka paralajmëruar se në veri të Kosovës, mund të ketë incidente të reja, të dirigjuara nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, në interes të politikës së tij ditore.

Por, duke folur në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Gecaj ka thënë se Vuçiq nuk guxon të kalojë vijën, nga e cila nuk do të kishte kthim prapa. Sipas tij, Vuçiq po tenton ta paraqes Kosovën si fajtore për çdo gjë që ndodhë në veri të Kosovës.

Ndërsa, duke komentuar vendimin për hapjen e urës mbi lumin Ibër, eksperti ka thënë se ndonëse një gjë e tillë është legale dhe legjitime, Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të ngutej, për shkak se kjo lëvizje mund të shihet si provokim në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

Image
Hysen Gecaj

I pyetur për mundësinë për sanksione ndërkombëtare ndaj Serbisë, për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Ohrit, Gecaj ka thënë se është herët të flitet për këtë temë, pasi kjo varet edhe nga vet Qeveria e Kosovës.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z.Gecaj, si i keni parë zhvillimet në komunat veriore të Kosovës, ku u mbajtën zgjedhjet më 23 prill, përkundër thirrjeve për bojkot nga politikanët serbë, nuk pati incidente. Çka ndikoi që gjendja të jetë kësisoj?

Hysen Gecaj: Natyrisht, zgjedhjet e zhvilluara në katër komunat me shumicë serbe ishin legale, mirëpo specifikat politike dhe të sigurisë në ato katër komuna nuk mundësojnë legjitimitet të plotë për shkak të bojkotit të zgjedhjeve nga serbët e këtyre komunave nën trysninë e Beogradit zyrtar.

“Bota sot”: Sa janë mundësitë e vendosjes së sanksioneve nga ndërkombëtarët ndaj Beogradit për veprimet e fundit në veri të Kosovës?

Hysen Gecaj: Tani për tani është pakëz herët të flitet për sanksione ndërkombëtare kundër Serbisë, sepse jemi në fazën fillestare pas bisedimeve Kosovë-Serbi në Ohër, pastaj kjo varet edhe nga potezat politike taktike të Qeverisë së Kosovës, e cila shpesh din ta befasojë edhe faktorin ndërkombëtar në aspektin negativ.

“Bota sot”: Cili do të jetë ndikimi i bojkotit të zgjedhjeve lokale në veri nga Lista Serbe në formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe?

Hysen Gecaj: Sa i përket Asociacionit, bojkoti nga Lista Serbe dhe partive të tjera serbe i zgjedhjeve të mbajtura në katër komunat veriore, nuk do të ndikojë në krijimin e Asociacionit, sepse Kosova ka dhënë zotimin për krijimin e tij pa marrë parasysh (mos)pjesëmarrjen e serbëve në ato zgjedhje. Ato zgjedhje vetëm mund të jenë si një instrument manipulimi nga qeveria në Serbi, por edhe në interes të konsumit të brendshëm në Kosovë.

“Bota sot”: Kuvendi Komunal në Mitrovicë, ka vendosur për hapjen e urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë. Në aspektin e sigurisë, sa do të jetë i realizueshëm ky vendim?

Hysen Gecaj: Vendimi i Kuvendeve të Komunave me të zgjedhurit e ri në krye të këtyre komunave për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër, ndonëse është vendim legal dhe legjitim, mendoj që Qeveria e Kosovës nuk do të duhej ta kishte si prioritet, sepse ka gjëra edhe më të rëndësishme se hapja e kësaj ure, të cilat duhet që Qeveria t’i realizojë. Lëvizja e lirë e qytetarëve nuk është e lidhur jetësisht me këtë urë. Vendim i tillë është i ngutshëm edhe për faktin që në bisedimet e radhës, Kosova po i jep edhe një shkas të panevojshëm Serbisë për obstruksion, ndërsa në sytë e ndërkombëtarëve mund të shihet si provokim i panevojshëm në raport me popullatën serbe.

“Bota sot”: Lista serbe dhe zyrtarë serbë kërcënuan me pasoja dhe incidente, nëse hapet ura mbi lumin Ibër. Cilët mund të jenë skenarët e rinj të Serbisë për destabilizimin e veriut të Kosovës?

Hysen Gecaj: Për sa i përket aspekteve të sigurisë, në veri të Kosovës edhe më tej mund të ketë incidente të dirigjuara dhe kontrolluara nga Vuҫiq në interes të politikës së tij ditore, mirëpo pa guxuar që të kalojë vijën, nga e cila pastaj nuk do të kishte kthim prapa.

“Bota sot”: Serbia po vazhdon të armatoset me armë të rënda, si i shihni këto lëvizje? Pamë se Lista serbe mori pjesë në stërvitjen ushtarake të ushtrisë serbe me emrin “Granit 2023”. Cili është mesazhi i kësaj “shfaqeje”?

Hysen Gecaj: Çfarëdo sulmi mbi Kosovën është sulm mbi NATO-n e SHBA-në dhe Vuҫiq e di mirë këtë. Prandaj, incidentet nën kontrollin e tij janë vetëm në shërbim të politikës së tij ditore në Serbi dhe tentativë për ta paraqitur Kosovën si fajtore për çdo gjë që ndodhë në veri të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat