Gazetari serb i cili kërkoi falje për krimet e Serbisë, thotë se u kërcënua/ Kjo është gjendja në veri të Kosovës dhe e ardhmja e dialogut sipas Krstic

Intervista

Gazetari serb i cili kërkoi falje për krimet e Serbisë, thotë se u kërcënua/ Kjo është gjendja në veri të Kosovës dhe e ardhmja e dialogut sipas Krstic

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 maj 2023 Në ora: 14:14
Gazetari serb në Kosovë, Branislav Krstic

Gazetari serb në Kosovë, Branislav Krstic, ka kërkuar përsëri falje për krimet e Serbisë në Kosovë.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Krstic ka thënë se ka reagime negative dhe kërcënime verbale nga të gjitha anët për qëndrimet e tij rreth Kosovës, por ai nuk i kushton rëndësi.

Krstic në intervistë ka folur rreth raportimeve për dorëheqjen e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, gjersa shton se asnjë qytetar nuk duhet të shqetësohet rreth asociacionit dhe formimit të tij.

Duke komentuar deklaratën e ndërmjetësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak, se gjendja në veri është shqetësuese, Krstic thotë se vendimet e qeverisë së Kosovës kanë ndihmuar Beogradin zyrtar, gjersa ka shtuar se qytetarët e nacionalitetit serb të Kosovës kanë nëntë muaj pa mbrojtje institucionale.

Gazetari serb ka folur edhe rreth hapjes së Urës së Ibrit, zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe një marrëveshjeje të mundshme Kosovë- Serbi.

Intervistoi: Naile Ejupi

“Bota sot”: Z. Krastic ju njiheni si gazetari që bën deklarata interesante të tipit “serbët i kanë humbur ëndrrat se Kosova është Serbi”, keni kërkuar falje për krimet e Serbisë në Kosovë, deklarata këto që mund të mos pëlqehen nga Serbia e Vuçiqi apo përkrahësit e tij, a keni marr kërcënime për deklarata të tilla, apo për qëndrimet e tua rreth Kosovës?

Branislav Krstic: Ndoshta është "vetëm interesante" për ata që nuk ishin në Kosovë në kohën e ngjarjeve fatkeqe. Në çdo dalje publike, unë reagoj ndaj ngjarjeve dhe proceseve politike bazuar në njohuritë dhe faktet e verifikuara. Unë përcjell mendimet e qytetarëve të thjeshtë dhe luftoj për interesat e tyre, sepse kjo është puna e gazetarit. Unë mund të kërkoj falje vetëm në emrin tim, në emër të fëmijëve, familjes dhe familjes së ngushtë. Ndjenjat e mia janë njerëzore, kam një ndjeshmëri të fortë për çdo qenie të gjallë dhe asgjë më shumë.

Nuk i kushtoj rëndësi reagimeve negative dhe kërcënimeve verbale, dhe ka nga të gjitha anët.

Kur shikoj se kush më ka inat dhe pse, atëherë jam i qetë dhe e di që jam në rrugën e duhur.

“Bota sot”: E përmendëm presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, të ndalemi pak në raportimet që bëhen rreth dorëheqjes së tij. Sipas medias “Informer.rs”, dorëheqja e qeverisë, zgjedhjet e përgjithshme dhe dorëheqja e Vuçiqit do të konfirmohen më 27 maj, cili është komenti juaj rreth këtyre raportimeve, a do të dorëhiqet Vuçiq dhe për cilat arsye mund të japë dorëheqje?

Branislav Krstic: Që nga ardhja në pushtet në Serbi, Vuçiq ka bërë shaka me elektoratin e tij. Ai shpalli atentat ndaj vetes, lajthiti opinionin për vite me radhë. Në Serbi nuk do të ketë zgjedhje derisa të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës. Vuçiq është në pushtet në Serbi si dëshirë e grupeve të interesit euroatlantik dhe jo si dëshirë e qytetarëve të Serbisë. Tani po shantazhohet dhe po bëhet presion nga ata që e sollën në pushtet. Ata e lejuan të krijojë një regjim diktatorial që në një moment, ndoshta deri në fund të vitit të ardhshëm, do t'i bindë qytetarët e Serbisë me hir ose me forcë se Asociacioni është zemra e Serbisë dhe Kosova është shtet i pavarur. Përndryshe, Informer është një gazetë e Partisë Progresive Serbe (SNS), letër higjienike, një medium propagandistik i regjimit në Beograd, i cili kontrollon rreth 90 për qind të mediave në Serbi.

“Bota sot”: Z. Krastic dialogu me Serbinë tashmë po vazhdohet në bazë të marrëveshjes së pranuar për normalizim të marrëdhënieve, por kjo e fundit vazhdon të bëjë deklarata propaganduese dhe kundër Kosovës, në anën tjetër BE ka paralajmëruar sanksione, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur, cili do të jetë epilogu i marrëveshjes së pranuar në Ohër?

Branislav Krstic: Plani franko-gjerman dhe anekset nga Ohri janë Bibla dhe Kurani për Beogradin zyrtar dhe Prishtinën zyrtare. Kriteret dhe çfarë kërkohet nga të dyja palët janë të detyrueshme dhe të njohura. Grupet e interesit euroatlantik dhe veçanërisht administrata amerikane janë angazhuar me kapacitet të plotë në 9 muajt e fundit. Jo rastësisht, sepse liderët në Kosovë dhe Serbi janë jashtëzakonisht të fortë në vendet e tyre me më shumë se 50 për qind mbështetje. Ata vlerësuan se tani është koha e duhur për të kompletuar shtetet në Ballkan, fillimisht Kosovën dhe Serbinë dhe së shpejti Bosnje-Hercegovinën.

“Bota sot”: Asociacioni dhe statuti i formimit të tij është çështja që nuk gjen zgjidhje tash e shumë vite, si mendoni se duhet të jetë Asociacioni i komunave serbe dhe pse Serbia nuk pranon një model kroat të Asociacionit?

Branislav Krstic: Në 9 muajt e fundit, zyrtarë të lartë të administratës amerikane në deklaratat dhe njoftimet e tyre kanë theksuar se asociacioni do të formohet me pajtimin e të dyja palëve. Kjo do të thotë se asnjë qytetar i Kosovës nuk ka arsye të shqetësohet për Asociacionin dhe këtë e them vitet e fundit.

“Bota sot”: Ndërmjetësuesi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, javën e kaluar ka vizituar Kosovën, me ç’rast ka shkuar edhe në veri dhe ka thënë se gjendja e serbëve në atë anë është shqetësuese, për çfarë shqetësimi mund ta ketë fjalën Lajçak, si është gjendja atje?

Branislav Krstic: Natyrisht, Lajçak është i hutuar. Edhe unë jam i shqetësuar. Nuk mund të detyrosh targat me zor, nuk mund të kesh zgjedhje me çdo kusht, nuk mund të detyrosh demokracinë me zor, problemi është i dukshëm edhe me ngritjen e autoriteteve të reja vendore pa legjitimitet. Për kë janë zgjedhjet? Kujt do t'i shërbejnë autoritetet e reja? A nuk është qëllimi të sundosh në veri të vendit?! Gjithçka u krye në mënyrë të njëanshme dhe pa strategji dhe pa strategji daljeje. Me vendime të tilla, qeveria e Kosovës destabilizoi veriun e vendit dhe vetëm e ndihmoi Beogradin zyrtar. Qytetarët e nacionalitetit serb të Kosovës kanë nëntë muaj pa mbrojtje institucionale dhe kjo është një hije e errët për qeverinë që promovon një shoqëri demokratike dhe multietnike.

Serbët në Kosovë janë “super pakicë” dhe nuk mund të pajtohem me kryeministrin Kurti që pretendon se nuk është. Epo, Kosova nuk ishte krahinë e Bosnjës, Egjiptit apo Turqisë, por e Republikës së Serbisë. Më shumë se njëqind mijë serbë u dëbuan nga Kosova dhe kjo është e qartë për grupet e interesit euroatlantik dhe administratën amerikane. Fatkeqësisht në Kosovë të gjithë po lëpijnë vetëm plagët.

“Bota sot”: Hapja e Urës së Ibrit. Lajçak thotë se ajo duhet të hapet me vendim të të dyjave vendeve në dialog, si e komentoni këtë dhe a është koha të hapet Ura?

Branislav Krstic: Gjithë jetën kam qenë në krah të atyre që luftojnë për çdo lloj lirie. Serbët e Kosovës e dinë dhe e ndjejnë më së miri se çfarë do të thotë liria e lëvizjes. Për dhjetë vjet ata jetuan të barrikaduar në enklava në Kosovë. Sigurisht, ura duhet t'u shërbejë qytetarëve në të dyja anët. Megjithatë, për lirinë e plotë të lëvizjes, së pari duhet të zgjidhet situata e destabilizuar në veri të vendit. Beogradi zyrtar dhe Prishtina zyrtare së bashku destabilizuan veriun e Kosovës me vendimet e tyre të njëanshme dhe të pa matura. Në këtë moment, hapja e urës mbi Ibër vetëm sa do të minonte edhe më tej situatën tashmë shumë të brishtë të sigurisë.

“Bota sot”: Zgjedhjet në veri dhe rezultatet atje, ende nuk është bërë betimi i kryetarëve, ndërsa BE thotë se nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate, a është paralajmërim se zgjedhjet atje mund të ripërsëriten?

Branislav Krstic: Autoritetet në Prishtinë i bashkuan serbët në veri me vendimet e tyre të njëanshme. Edhe ata që janë kundër politikës së Listës Serbe dhe kundër politikave të regjimit diktatorial në Beograd që në fillim. Qytetarët ishin shumë të lodhur nga presioni dhe shantazhet e Listës Serbe. Megjithatë, në dy vjet, qeveria në Prishtinë nuk ishte në gjendje ose nuk donte të gjente partnerë në veri të vendit. Një mundësi për të mobilizuar dhe mbështetur lëvizjet dhe aktivistët opozitarë u humb. Me vetëm 2000 vota të serbëve të Kosovës do të kishim zgjedhje legjitime, por në kryeministri nuk kishin asnjë strategji apo mekanizëm për të fituar serbët që e njohin realitetin e shtetit të Kosovës. Qeveria në Prishtinë, me qasjen e saj arrogante, i shtyu të gjithë serbët në duart e Alejsandr Vuçiqit. Fatkeqësisht, u humb një mundësi reale për të dëbuar politikën e Beogradit zyrtar nga Kosova dhe për të hequr përfundimisht nga pushteti subjektin politik monstruoz që është regjistruar në Kosovë si Lista e vetëshpallur Serbe.

“Bota sot”: Për fund, a mund të ketë një marrëveshje Kosovë- Serbi në një të ardhme të afërt dhe të vendoset paqja në Ballkan?

Branislav Krstic: Besoj se deri në fund të vitit do të kemi formuar një Asociacion apo Vetëqeverisje në komunat me shumicë serbe. Besoj gjithashtu se vetëm deri në fund të vitit të ardhshëm do të kemi njohje reciproke ndërmjet dy shteteve, Kosovës dhe Sebrisë. Agjenda e hartuar nga grupet e interesit euroatlantik është e qartë për mua. Një Asociacion për serbët e Kosovës, një shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht për kosovarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat