Nika drejt Shtëpisë së Bardhë: 28 Nëntori do të festohet në zemër të Amerikës!

Intervista

Nika drejt Shtëpisë së Bardhë: 28 Nëntori do të festohet në zemër të Amerikës!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 20 prill 2025 Në ora: 15:12
Naser Nika

Naser Nika, kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island, është një nga figurat më të angazhuara dhe të respektuara të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Nika ka folur për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të shqiptarëve në SHBA, si dhe për iniciativën e tij më të fundit: organizimin e festimeve të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, në ambientet e Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C. Një nismë kjo që ka ngjallur entuziazëm dhe mbështetje të gjerë në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Gjatë intervistës, ai ndau gjithashtu historinë e tij personale, një rrugëtim i mbushur me përkushtim dhe sfida drejt realizimit të ëndrrës amerikane, si dhe theksoi kontributin e vazhdueshëm të shqiptarëve të Amerikës për vendlindjen, përmes ndihmës humanitare, mbështetjes kulturore dhe pjesëmarrjes aktive në çështje kombëtare.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike të shqiptarëve në trojet amtare, veçanërisht në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës?

Naser Nika: Situata politike e shqiptarëve në trojet amtare mbetet komplekse dhe sfiduese. Në Kosovë, përballja me sfida ndërkombëtare dhe presione të jashtme kërkon unitet të brendshëm, i cili shpesh mungon. Në Shqipëri, ndarja mes interesave partiake ka lënë pas dore interesin kombëtar. Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët kanë bërë përparim institucional, por ende përballen me pabarazi reale. Në Mal të Zi, shqiptarët po diskriminohen haptazi, ndërsa në Luginën e Preshevës vazhdon një margjinalizim sistematik. Mungesa e një platforme gjithëkombëtare për bashkërendim është boshllëku më i madh.

“Bota sot”: Si e përshkruani rrugëtimin tuaj nga Ulqini në New York dhe çfarë ju motivoi të angazhoheni në çështjet shqiptare në diasporë?

Naser Nika: Rrugëtimi im nga Ulqini në New York ka qenë i mbushur me sakrifica dhe përkushtim. Emigrimi nuk ishte vetëm për një jetë më të mirë personale, por edhe një hap për të pasur zë më të fortë në përfaqësimin e çështjes shqiptare. Pabarazitë që i kam parë ndaj shqiptarëve në trojet tona më kanë dhënë forcë që të mos hesht, por të angazhohem. Motivimi im ka qenë dashuria për kombin dhe dëshira për t’i dhënë diasporës rolin që i takon.

“Bota sot”: Si lindi ideja për emërtimin e një rruge në Staten Island me emrin e Ismail Qemalit dhe cilat ishin sfidat që hasët gjatë këtij procesi?

Naser Nika: Ideja lindi nga bindja se heronjtë tanë kombëtarë meritojnë të nderohen edhe në tokën ku jeton diaspora. Ismail Qemali është figura që simbolizon pavarësinë e shqiptarëve. Sfida më e madhe ishte procedura burokratike dhe sigurimi i mbështetjes nga autoritetet lokale, por me angazhim të vazhdueshëm dhe përkrahjen e komunitetit, ia dolëm ta bëjmë realitet më 3 qershor 2023.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për rolin e diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve me trojet amtare dhe çfarë mund të bëhet për të përmirësuar këtë bashkëpunim?

Naser Nika: Diaspora është një pasuri kombëtare që shpesh është keqmenaxhuar. Ajo ka kapacitete të jashtëzakonshme njerëzore, ekonomike dhe politike. Lidhjet me trojet mund të përforcohen përmes bashkëpunimeve konkrete, platformave të përbashkëta dhe përfaqësimit institucional të diasporës në shtetet amë. Ne nuk duam vetëm të dërgojmë para – duam të kemi ndikim.

“Bota sot”: Si e vlerësoni angazhimin e institucioneve shqiptare në mbështetjen e iniciativave të diasporës dhe cilat përmirësime do të sugjeronit?

Naser Nika: Fatkeqësisht, angazhimi i institucioneve ka qenë më shumë simbolik sesa praktik. Diaspora trajtohet shpesh si mjet për marketing patriotik dhe jo si partner i barabartë. Duhet ndërtuar një qasje strategjike ku mbështetja ndaj diasporës të mos varet nga lidhjet politike, por nga projektet dhe ndikimi i tyre real.

“Bota sot”: Ju keni nisur një nismë për festimin e 28 Nëntorit në Shtëpinë e Bardhë. Si lindi kjo ide dhe çfarë ju motivoi ta ndërmerrni?

Naser Nika: Ideja lindi nga dëshira për ta ngritur flamurin shqiptar atje ku valojnë flamujt e kombeve të mëdha. Ishte një mënyrë për të treguar që diaspora shqiptare jo vetëm që ekziston, por ka ndikim dhe dinjitet. Kjo nismë është një reflektim i krenarisë kombëtare dhe i besimit se ne meritojmë të kemi zë edhe në qendrat më të larta të vendimmarrjes botërore.

“Bota sot”: A keni bërë kërkesë zyrtare pranë organeve përkatëse dhe kur prisni të merrni përgjigje?

Naser Nika: Kjo kërkesë është nisur përmes kongresistës Nicole Malliotakis dhe është duke u përkrahur gjithashtu nga Senatori Chuck Schumer. Përgjigjen zyrtare e presim rreth muajit shtator, dhe besojmë se do të jetë pozitive, pasi janë bashkuar mbi 30 shoqata shqiptare në këtë nismë historike.

“Bota sot”: Cilat kanë qenë hapat konkretë që keni ndërmarrë për realizimin e kësaj feste në një institucion kaq të rëndësishëm si Shtëpia e Bardhë?

Naser Nika: Kemi krijuar një grup pune me përfaqësues të shoqatave shqiptare në SHBA, kemi realizuar takime me zyra kongresistave Nicole Malliotakis dhe të senatorëve si Chuck Schumer, kemi mbledhur dokumentacion dhe jemi në proces të lobimit aktiv. Po ashtu, kemi mbështetjen e disa biznesmenëve dhe figurave publike që i japin peshë kësaj nisme.

“Bota sot”: Si është pritur kjo iniciativë nga komuniteti shqiptar në SHBA dhe nga autoritetet amerikane?

Naser Nika: Komuniteti shqiptar në SHBA e ka pritur me entuziazëm dhe krenari. Kjo është një ëndërr e përbashkët për shumë prej nesh. Autoritetet amerikane janë treguar të hapura për bashkëpunim, sidomos kur e shohin që kjo nismë nuk është partiake, por kombëtare dhe përfaqëson unitetin e një komuniteti të fuqishëm.

“Bota sot”: Çfarë mesazhi dëshironi të përcillni përmes këtij festimi në Shtëpinë e Bardhë?

Naser Nika: Mesazhi është i qartë: shqiptarët janë këtu, janë të organizuar, kontribuojnë dhe janë të denjë për përfaqësim në çdo nivel. Kjo festë në Shtëpinë e Bardhë nuk është vetëm për ne në diasporë, por për çdo shqiptar që mban në zemër kombin dhe krenarinë tonë historike.

“Bota sot”: A besoni se diaspora mund të ketë një rol më aktiv në politikën e vendeve amë, dhe nëse po, në ç’mënyrë?

Naser Nika: Absolutisht po. Diaspora ka kapacitetin për të ndikuar me ide, fonde dhe lidhje ndërkombëtare. Ajo duhet të përfshihet institucionalisht në parlamentet tona përmes vendeve të rezervuara apo përfaqësimit direkt. Kjo do e forconte demokracinë dhe do e lidhte më fort kombin tonë në çdo cep ku gjendet një shqiptar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat