Në një intervistë për “Bota sot”, Gjeneral major Muhamet Racaj ka folur për gjendjen e sigurisë në Kosovë.
Ai gjendjen e sigurisë, e sheh të qetë por të brishtë, derisa për mbylljen e strukturave paralele serbe në veri thotë se mbyllja e tyre është e domosdoshme, sepse ato janë ilegale dhe jashtë kontrollit institucional te Kosovës dhe në shërbim të interesave të Serbisë.
Derisa, për kërcënimet e Serbisë dhe takimin e Patriarkut Porfirije me Putinin, thotë se përfshirja e kishës ortodokse tregon edhe përpjekje për të instrumentalizuar fenë në funksion të interesave gjeopolitike serbe.
Sa i përket FSK-së, thotë se kjo e fundit ka shënuar progres, derisa tha se, mos prezenca e saj në veri “mund të rishqyrtohet nëse ka kërkesë nga Qeveria e Kosovës dhe vlerësim pozitiv i situatës nga ana e NATO-s”.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e komentoni sigurinë aktuale në Kosovë?
Muhamet Racaj: Siguria në Kosovë konsiderohet përgjithësisht stabile, por e brishtë në veri të vendit, për shkak të tensioneve të herëpashershme që vijnë nga strukturat ilegale dhe ndikimi i Serbisë. Sipas institucioneve të sigurisë, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës, ka rrezik permanent nga ndërhyrjet e jashtme të Serbisë me të gjitha metodat e luftës hibride duke i përdorë edhe veprimet terroriste siç ishte rasti në Banjska dhe në kanalin për furnizimin me ujë.
Institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës duhët gjithmonë ta analizojnë dhe parandalojnë elementin e befasisë. Por, kapacitetet vendore dhe bashkëpunimi me KFOR-in dhe EULEX-in ndihmojnë në ruajtjen e rendit.
“Bota sot”: Si i vlerësoni vendimet për mbylljen e strukturave paralele serbe në veri?
Muhamet Racaj: Vendimet për mbylljen e strukturave paralele janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe janë të domosdoshme për vendosjen e sundimit të ligjit. Këto struktura janë ilegale dhe jashtë kontrollit institucional te Kosovës dhe në shërbim të interesave të Serbisë, shpesh të infiltruar nga shërbimet e inteligjencës serbe. Mbyllja e tyre është domosdoshme dhe drejt integrimit të plotë të veriut në sistemin institucional të Kosovës.
“Bota sot”: Serbia vazhdimisht kërcënon Kosovën, dhe së fundi prijësit e kishave serbe janë takuar me Putinin, e që temë ishte edhe Kosova. Çfarë mendoni se fshihet pas këtij takimi?
Muhamet Racaj: Takimi ka karakter të qartë politik dhe sinjalizon përpjekje të Serbisë për të ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës në aleancë me Rusinë, e cila e kundërshton pavarësinë e saj. Nga ana tjetër, përfshirja e kishës ortodokse tregon edhe përpjekje për të instrumentalizuar fenë në funksion të interesave gjeopolitike serbe. Institucionet e Kosovës e kanë dënuar çdo përfshirje të palëve të treta që minojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
“Bota sot”: A është mjaftueshëm e përgatitur Kosova në rast të ndonjë sulmi eventual, cili është mendimi juaj?
Muhamet Racaj: Kosova është në proces të rritjes së kapaciteteve të saj mbrojtëse, përmes zhvillimit të FSK-së dhe bashkëpunimit me NATO-n. Megjithatë, përballë kërcënimeve konvencionale të një shteti si Serbia, kapacitetet aktuale nuk janë të mjaftueshme pa përkrahjen e NATO-s. Institucionet janë të vetëdijshme për këtë dhe po punojnë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe dhe integrim të plotë në NATO.
“Bota sot”: Po raportohet se pas vrasjes së rreshterit Muhamed Lika qëndron një organizatë, “Rinia Islame”, cili është komenti juaj për këtë?
Muhamet Racaj: Institucionet e rendit janë duke hetuar rastin dhe nuk ka ende konkluzion përfundimtar. Nëse një organizatë e tillë qëndron pas këtij akti, atëherë përbën kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. Qeveria e Kosovës ka theksuar angazhimin për parandalimin e ekstremizmit fetar dhe radikalizmit përmes bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
“Bota sot”: Si e shihni FSK-në sot, sa ka avancuar ajo?
Muhamet Racaj: FSK ka shënuar progres të dukshëm në ngritjen e kapaciteteve operacionale, trajnimet me aleatët ndërkombëtarë dhe pajisjen me armatim modern. Transformimi i saj në ushtri të plotë po bëhet në përputhje me planin dhjetëvjeçar dhe në konsultim me NATO-n. Ka avancim të dukshëm në integrimin e pjesëtarëve nga të gjitha komunitetet.
“Bota sot”: Pse FSK-ja ende po konsiderohet si "humanitare" nga strukturat e larta të NATO-s dhe si mund të ndryshohet kjo mendësi?
Muhamet Racaj: Ky perceptim është pjesërisht i trashëguar nga fillimet e mandatit të FSK-së. NATO ende e kufizon bashkëpunimin për shkak të mungesës së konsensusit ndër anëtarët, sidomos për shkak të mosnjohjes nga disa prej tyre. Për të ndryshuar këtë, Kosova duhet të shtojë përpjekjet diplomatike dhe të dëshmojë në praktikë kapacitetet ushtarake e ndërtimin e besimit.
“Bota sot”: Dërgimi i FSK-së në veri vazhdon të jetë peng i një marrëveshjeje të mëparshme, a ka ndonjë mundësi që kjo marrëveshje të ndryshohet dhe si mund të bëhet kjo?
Muhamet Racaj: Po, marrëveshja me NATO-n për mos-prezencë të FSK-së në veri mund të rishqyrtohet nëse ka kërkesë nga Qeveria e Kosovës dhe vlerësim pozitiv i situatës nga ana e NATO-s. Kjo kërkon dialog intensiv diplomatik, argumente për siguri dhe përfshirje të përfaqësuesve ndërkombëtarë për të ndërtuar konsensus të ri.
“Bota sot”: Cilët janë disa nga hapat që duhet të ndërmerren si shoqëri dhe si shtet për parandalimin e vrasjeve në Kosovë?
Muhamet Racaj: Duhen masa të shumëfishta: forcimi i sundimit të ligjit dhe reformimi i sistemit të drejtësisë, angazhimi më i madh i policisë për konfiskimin e armëve ilegale si metodë parandaluese, edukim qytetar, politika sociale për të rinjtë dhe ndëshkueshmëri e plotë për autorët e dhunës. Gjithashtu, bashkëpunimi me komunitetet dhe adresimi i faktorëve socio-ekonomikë që nxisin kriminalitetin është kyç.