Avokati i Popullit flet për “Bota sot”: Rendi dhe ligji nuk janë opsion – janë detyrim shtetëror

Intervista

Avokati i Popullit flet për “Bota sot”: Rendi dhe ligji nuk janë opsion – janë detyrim shtetëror

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 maj 2025 Në ora: 12:02
Avokati i Popullit, Naim Qelaj

Avokati i Popullit, Naim Qelaj në një intervistë për “Bota sot”, ka folur për gjendjen në Kosovë.

Për dështimin e Kuvendit, thotë se deputetët e zgjedhur e kanë obligim dhe është detyrim kushtetues i institucioneve të dala nga zgjedhjet që të konstituojnë Kuvendin edhe institucionet tjera, përfshirë edhe qeverinë.

Kurse, për takimi me kryetaren Trendafilova, thotë se i kam shprehur shqetësimet të cilat i kam pranuar në ndërkohë nga publiku dhe qytetarët, shqetësime që ndërlidhem me garantimin e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm.

Derisa, për mbylljen e strukturave paralele në veri të vendit, është e natyrshme që shteti t’i ushtrojë funksionet, kompetencat dhe përgjegjësitë në çdo pjesë të territorit të tij.

Intervsita e plotë:

Image
Avokati i Popullit, Naim Qelaj

“Bota sot”: Z. Qelaj, si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend, veçanërisht në raport me dështimet për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit? Cili është qëndrimi dhe rekomandimi juaj në këtë drejtim?

Naim Qelaj: Është obligim dhe detyrim kushtetues i institucioneve të dala nga zgjedhjet që të konstituojnë edhe kuvendin edhe institucionet tjera, përfshirë edhe qeverinë. Është shumë e rëndësishme dhe në interes të qytetarëve sepse shumë procese dhe projekte mund të ngecin dhe kjo natyrisht ndikon tek jetët e qytetarëve.

“Bota sot”: Vizita e Kryetares së Dhomave të Specializuara në Kosovë u shoqërua me protesta, sidomos nga organizatat e veteranëve. Si shkoi takimi juaj me të dhe cilat ishin temat kryesore të diskutuara?

Naim Qelaj: Vizita ka qenë në frymë konstruktive. Unë kam mirëpritur takimin me kryetaren. Konsideroj se kjo ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme që unë me i shfaq shqetësimet që i kam pranuar në ndërkohë nga publiku dhe qytetarët, shqetësime që ndërlidhem me garantimin e të drejtës për një gjykim të drejtë e të paanshëm, shqetësime që janë paraqitur përmes këtij procesi, lidhur me sigurimin e provave, barazinë e armëve në mes të palëve për shkak të problemeve në kontestim të provave që mund të jenë siguruar nga shtetet e treta që janë shtete jomiqësore me Kosovën. Shqetësime tjera kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e paraburgimit sepse nuk mund të themi se kjo është kohë e shkurtër qe sa vite mbahen në paraburgim edhe pse kanë përfunduar të gjitha procedurat e hetimit dhe administrimit të provave dhe çështje tjera që unë ia kam përmendur, gjithmonë duke e konsideruar se është në interes të gjykatës me i ditë këto shqetësime, me rrit transparencën që në komunikim me publikun me i dhënë sqarime me çështjet e ngritura, që besoj se do të mirëpritet mirë edhe nga vet gjykata sepse rritja e besimit të gjykatës në publik është mundësi për t’i besuar publiku që gjykata po vepron drejtë, të paanshme dhe i plotëson standardet. Edhe si një tregues për të justifikuar faktin që gjykata vendosi në emër të popullit dhe ky popull të dijë gjithçka që ndërlidhet me këtë proces.

“Bota sot”: Keni deklaruar se do të vizitoni të burgosurit në Hagë. Kur pritet të realizohet kjo vizitë dhe çfarë prisni të arrini prej saj?

Naim Qelaj: Do të provojë që në një periudhë sa më të shpejtë ta kem një vizitë në Hagë. Unë kam pasur një takim me të paraburgosurit, dhe atëherë pata pranuar disa shqetësime të tyre që lidhen pikërisht me të drejtat që i kanë të akuzuarit në procedurë. Do t’i përcjell edhe disa seanca për aq sa na lejojnë kushtet teknike, për të parë për së afërmi se si po rrjedh procedura dhe se sa është e qasshme kjo gjykatë për publikun dhe për palët. Natyrisht, nëse ekziston edhe vullneti, të takojë edhe kryetaren e gjykatës, për të diskutuar çështjet e mbetura për të cilat nuk kemi arritur t’i përfundojmë në takimin e fundit, ngase kanë qenë shumë tema dhe koha ka qenë e shkurtër në takimin që kam pasur me kryetaren e Dhomave të Specializuara.

“Bota sot”: Qeveria ka ndërmarrë një sërë vendimesh për mbylljen e strukturave paralele në veri të vendit. Si e vlerësoni këtë veprim dhe a ka pasur pasoja në të drejtat e qytetarëve atje?

Naim Qelaj: Në çdo veprim legjitim të autoriteteve shtetërore, ata mbajnë përgjegjësi për të garantuar sundimin e rendit dhe të ligjit. Çdo ndërmarrje e veprimeve të tilla, që janë në frymën e detyrimeve dhe përgjegjësive shtetërore që i kanë, duhet të përcillen edhe me masa që nuk cenojnë dhe garantojnë edhe sigurinë e qytetarëve por edhe respektimin e të drejtave që ata i kanë. Ndërsa është e natyrshme që shteti t’i ushtrojë funksionet, kompetencat dhe përgjegjësitë në çdo pjesë të territorit të tij.

“Bota sot”: Së fundmi ka pasur një rritje të çmimeve të energjisë dhe produkteve bazë. Si ndikojnë këto zhvillime në të drejtat sociale dhe ekonomike të qytetarëve, sipas jush?

Naim Qelaj: Avokati i Popullit thekson se Vendimi për rritjen e tarifave ka ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat themelore të njeriut, duke rënduar veçanërisht grupet më të cenueshme dhe familjet në asistencë sociale. Kjo situatë ngrit shqetësime serioze për përballueshmërinë ekonomike të qytetarëve dhe qasjen e barabartë në shërbimet bazë. Avokati i Popullit vë në pah mungesën e koordinimit institucional dhe nënvizon se këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët. Avokati i Popullit rikujton se Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me Ligjin Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes të barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike. Vendimet që prekin në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë mirëqenien e qytetarëve duhet të jenë gjithëpërfshirëse, të bazuara në analizë të thelluar sociale dhe të ndërmerren vetëm në kohë kur institucionet janë funksionale dhe të koordinuara për të mbrojtur interesin e përgjithshëm shoqëror.

“Bota sot”: Në çfarë mase i zbatojnë institucionet publike rekomandimet e Avokatit të Popullit? A ka ndonjë përparim në këtë drejtim?

Naim Qelaj: Ka pasur tendencë të vazhdueshme që të përmirësohet respektimi dhe zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit, që ka rezultuar me një rritje të zbatimit por megjithatë nuk është në nivel të kënaqshëm. Shumë rekomandime nuk po zbatohen me kohë, një pjesë mbetet pa u zbatuar me vite. E kuptoj që shpesh kjo varet nga mundësia objektive, me kapacitetet dhe me procedurat. Por, në përgjithësi, trendi ka qen në rritje, duke përjashtuar vitin e fundit kur për shkak të situatave të vet krijuara dhe me problematikat me të cilat jemi ballafaquar ndoshta ka pasur një rënie të lehtë por që besoj se do të tejkalohet. Është e rëndësishme që të theksohet se ka munguar kontrolli parlamentar i respektimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit në raport me agjencitë ekzekutive – Qeverinë dhe agjencitë tjera – dhe mendoj se duhet të ndërrohet ky raport. Kuvendi ka përgjegjësi t’i ftojë në interpelancë në përgjithësi, të gjitha autoritetet që nuk i zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe besoj se kjo do të kishte ndikim edhe në vet performansën e Kuvendit, duke treguar që janë me të vërtetë në shërbim të qytetarëve të respektimit të sundimit të ligjit, respektimit të kushtetutshmërisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe vlerave tjera që janë të përcaktuara me Kushtetutë. Brenda periudhës kohore kur institucionet i përgjigjen Avokatit të Popullit, arrin deri në nivelin e përafërt të 30 për qind të zbatuara, deri në 60 për qind deklarohen se do t’i zbatojnë dhe mbeten në pritje të zbatimit, dhe është një përqindje shumë e vogël që nuk marrim përgjigje dhe nuk zbatohen rekomandimet. Ky raport duhet të ndryshojë dhe është fat që ne duhet të pranojmë se me kalim të kohës, të pas afateve të caktuara, niveli i zbatimit të rekomandimeve rritet. Pra, ne e përcjellim gjendjen e zbatimit të rekomandimeve ndër vite. Çdo vit e bëjmë një bilanc të zbatimit të rekomandimeve me vitet pasuese për të parë se sa është rritur zbatimi i i rekomandimeve.

“Bota sot”: Si është marrëdhënia juaj institucionale me Qeverinë dhe a hasni vështirësi në ushtrimin e mandatit tuaj?

Naim Qelaj: Në fakt, ne nuk kemi ndonjë vështirësi në ushtrim të mandatit tonë sepse Kushtetuta dhe Ligji për Avokatin e Popullit dhe ligjet tjera i kanë krijuar mundësi Avokatit të Popullit që të ketë pavarësi, si financiare, organizative dhe funksionale. Kjo e bënë shumë funksionale mënyrën se si punon Avokati i Popullit, pavarësisht me nivelin e bashkëpunimit me institucionet tjera. Mirëpo, natyrshëm kërkohet një bashkëpunim dhe ndërveprim ndërinstitucional, jo vetëm me qeverinë por edhe me autoritetet tjera, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, institucionet dhe agjencitë tjera të pavarura që punojnë sipas ligjit. Natyrisht këtu duhet përmendur edhe bashkëpunimin e veçantë që ne e kemi krijuar me kohë me nivelin lokal, pushteti lokal, që ka një peshë dhe rëndësi tepër të madhe në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive që ka për të krijuar një ambient sa më të mirë në respektim të të drejtave të qytetarëve. Ka vështirësi kur nuk ka komunikim të mirëfilltë institucional, dhe shpeshherë ndodh që qëndrimet dhe vendimet tona mund të ketë tendenca të caktuara, gjë që kërkon sqarim, kërkon një transparencë shumë më të madhe nga ana jonë, që e bëjmë në vazhdimësi duke treguar shkaqet dhe arsyet se pse ne dalim me qëndrime, vendime dhe rekomandime në çështje të caktuara. Gjithmonë duke qenë të gatshëm për të qenë të balancuar por në çdo rrethanë pa rrezikuar parimin e epërsisë së të drejtave të njeriut në raport me krejt çështjet që ne i trajtojmë.

“Bota sot”: Cilat janë çështjet më shqetësuese për të drejtat e njeriut në Kosovë sot, sipas raporteve dhe ankesave që pranoni?

Naim Qelaj: Shqetësimet mbi bazën e ankesave janë të natyrave të ndryshme. Dominojnë edhe më tej çështjet e problemit të zvarritjeve të procedurave gjyqësore, si një pengesë për të realizuar një të drejtë dhe kjo vjen si rezultat i punës së qeverisë dhe institucioneve tjera që kanë ndikuar në stër-ngarkimin e gjykatave me çështje gjyqësore. Por, vjen edhe si neglizhencë në efikasitet edhe të vet gjykatës.

“Bota sot”: A mendoni se niveli i informimit të qytetarëve mbi të drejtat e tyre është i mjaftueshëm? Çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim?

Naim Qelaj: Nga vet përmbajtja e ankesave, mendoj se qytetarët kanë nevojë të jenë më shumë të informuar edhe në drejtim të të drejtave që ata i kanë të garantuara, dhe për vet mandatin e Avokatit të Popullit, sepse edhe më tej më shumë se 50 për qind e rasteve të ankesave konsiderohen si të papranueshme në Institucionin e Avokatit të Popullit. Ka ankesa që adresohen dhe nuk kanë të bëjnë me çështjet e të drejtave të njeriut, për çështje që janë ne shtjerrim të mjeteve juridike, dhe nuk janë kompetencë e Avokatit të Popullit. Ne kemi mbajtur fushata të shumta vetdijësuese dhe informuese për qytetarë, si përmes mediave, por edhe me takime të drejtpërdrejta me qytetarë por mendoj se kërkon intensifikim dhe rritje të prezencës tonë në publik prandaj edhe mundësia që ju sot më keni dhënë përmes kësaj interviste, besoj se do të jetë një kontribut i çmueshëm për çështjet për të cilat ju i keni ngritur.

“Bota sot”: Si e shihni rolin e Avokatit të Popullit në forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në një kontekst sfidues politik e institucional?

Naim Qelaj: E konsideroj tepër kyç. Institucioni i Avokatit të Popullit është një institucion jopolitik, i pavarur dhe i paanshëm. Sepse pavarësia e këtij institucioni, duke marrë parasysh edhe mandatin që ka në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në raport me veprimet apo mosveprimet e autoriteteve kur këto cenojnë të drejtat e tyre dhe janë në shkelje ligjore, shkelje kushtetuese dhe standardeve ndërkombëtare, bënë shpeshherë që Avokati i Popullit të jetë dera e fundit ku qytetari kërkon mbështetje dhe mbrojtje. Duke parë problematikat që i kanë qytetarët arrijmë me marrë veprime konkrete për të rivendosur këto të drejta të cenuara, dhe njëkohësisht për ti korrigjuar veprimet e gabuara të autoriteteve publike, duke filluar nga legjislacioni i cili shpesh herë ka të meta, ka probleme, edhe elemente diskriminuese, edhe elemente që cenojnë të drejtat e njeriut, e deri tek vendimet më të thjeshta administrative kur shpeshherë nuk respektohen të drejtat elementare që duhen përmbushur nga një akt administrativ që nxirret nga organet shtetërore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat