Jakaj nga IKD kritikon ashpër bllokadën në Kuvend: Demokracia nuk mund të mbahet peng nga kalkulimet politike!

Intervista

Jakaj nga IKD kritikon ashpër bllokadën në Kuvend: Demokracia nuk mund të mbahet peng nga kalkulimet politike!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 maj 2025 Në ora: 17:31
Naim Jakaj

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, për zhvillimet e fundit në vend, ka folur Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Në këtë intervistë, Jakaj ofroi një analizë më të thellë mbi ngërçin politik të shkaktuar nga moskonstituimi i Kuvendit duke e cilësuar moskonstituimin e tij si një shkelje të rëndë kushtetuese dhe pengesë serioze për funksionimin demokratik të institucioneve.

Ai kritikon mungesën e vullnetit politik për zgjidhjen e situatës, veçanërisht në kontekstin e kërkesës për votim të fshehtë nga ana e kryesuesit të seancës, të cilën e cilëson si tejkalim kompetencash.

Jakaj ngriti shqetësime për neglizhencën institucionale në miratimin e Ligjit të ri për Paga dhe pasojat që kjo sjell për zyrtarët publikë, duke përfshirë rrezikun e një stoku të madh të lëndëve gjyqësore.

Në fund, ai nënvizoi boshllëqet serioze në Ligjin për Hetim Parlamentar dhe thekson domosdoshmërinë për reforma që forcojnë përgjegjësinë institucionale dhe demokratike të Kuvendit të Kosovës.

Intervista e plotë

Gazeta “Bota sot”: Seanca e Kuvendit ka dështuar edhe për të 21-tën herë me radhë. Si e keni parë këtë situatë? Çfarë duhet të bëhet për të dalë nga ky ngërç politik?

Naim Jakaj: Fakti që Kuvendi i Republikës së Kosovës ende nuk është konstituuar, përkundër kalimit të afateve të arsyeshme pas mbajtjes së zgjedhjeve, përbën një shkelje të rëndë të frymës kushtetuese dhe paralizë institucionale me pasoja serioze për funksionimin demokratik të shtetit. Moskonstituimi i Kuvendit bllokon të gjithë sistemin institucional të vendit, nuk mund të formohen komisionet parlamentare dhe as të fillojë puna legjislative apo mbikëqyrëse. Njëkohësisht, pengohet edhe formimi i Qeverisë së re, duke prodhuar vakum të rrezikshëm institucional.

Kushtetuta e Kosovës, ndonëse nuk jep një afat të saktë për konstituimin e Kuvendit, parasheh që ky proces duhet të bëhet pa vonesa të panevojshme. Kjo është precizuar dhe afirmuar edhe nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014. Çdo vonesë e pajustifikuar e zhbën parimin e kontinuitetit institucional dhe cenon besimin e qytetarëve në rendin kushtetues.

Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e subjekteve politike të zgjedhura që ta përmbushin këtë obligim kushtetues pa kalkulime politike të dëmshme. Demokracia nuk mund të mbahet peng i interesave të ngushta partiake.

Gazeta “Bota sot”: Duke qenë te Kuvendi, sa e ligjshme është kërkesa e kryekuvendarit Dehari për votimin e fshehtë, cili prisni të jetë vendimi i Kushtetueses lidhur me këtë çështje?

Naim Jakaj: Kërkesa e Avni Deharit, si kryesues i seancës konstituive të Kuvendit, për të realizuar votimin në mënyrë të fshehtë, nuk është në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe as me Aktgjykimin e GjK-së për rastin e zgjedhjes së Isa Mustafës Kryetar i Kuvendit.

Roli i kryesuesit në seancën konstituive është kryesisht teknik dhe neutral, duke garantuar zbatimin e rregullave dhe zhvillimin e procesit të konstituimit duke marrë për bazë dhe mos anashkaluar skenarin e përgatitur nga Sekretariati i Kuvendit. Ndaj, marrja e një vendimi politik e procedural si ai për propozimin për votim të fshehtë është tejkalim i kompetencave nga ana e kryesuesit dhe vendim arbitrar.

Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni transparencën dhe llogaridhënien e Kuvendit në vitet e fundit? Ka përmirësime apo përkeqësime?

Naim Jakaj: Ndonëse votimi elektronik ishte funksional që në vitin 2002, ai ka qenë jashtë funksionit në vitet 2020–2024. Kjo situatë ka ndikuar negativisht në transparencën e procesit legjislativ, pasi qytetarët dhe shoqëria civile nuk kanë mundësi të dinë se si kanë votuar deputetët për çështje të caktuara. Për më tepër, në disa raste mungesa e votimit elektronik ka çuar në raste të numërimit të pasaktë të votave. Votimi elektronik u realizua në shtator të vitit 2024, por më shumë se 2/3 e legjislaturës së VIII-të.

Mungesa e transparencës në komisionet hetimore parlamentare është vërejtur te këto trupa të Kuvendit ku edhe në këto momente dokumentet kryesore nuk janë të publikuara për legjislaturën që më së shumti ka ngritur komisione.

Gazeta “Bota sot”: Z. Jakaj, përse mendoni se institucionet e Kosovës po e neglizhojnë miratimin e Ligjit të ri për Paga, edhe pas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese?

Naim Jakaj: Institucionet e Kosovës po e neglizhojnë miratimin e Ligjit të ri për Paga përkundër aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse mungon vullneti politik për ta përmbushur këtë obligim kushtetues. Kjo neglizhencë po prodhon pasiguri juridike dhe pabarazi të theksuar në trajtimin e të punësuarve në sektorin publik. Moszbatimi i aktgjykimit është tregues i mosfunksionimit të mekanizmave të kontrollit kushtetues dhe dështim institucional për të siguruar respektim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Miratimi i një ligji të ri është domosdoshmëri për të siguruar barazi dhe kthim të të drejtave sociale dhe në anën tjetër dhe transparencë në sistemin e pagave, dhe se çdo vonesë e dëmton funksionimin efikas të administratës publike.

Gazeta “Bota sot”: Çfarë pasoja ligjore dhe ekonomike ka kjo vonesë për shërbyesit civilë dhe sektorin publik në përgjithësi?

Naim Jakaj: Mosveprimi i Kuvendit përballë obligimit kushtetues që ka, i cili mosveprim cenon të drejtat e gjithë zyrtarëve publikë, është një shembull skajshmërisht negativ. Përpos shkelje kushtetuese dhe cenim i të drejtave të zyrtarëve publikë, në kontekstin e sfidave socio-ekonomike aktuale, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25% sjell pasoja në jetën e familjeve të 90,696 zyrtarëve publikë.

Nëse Kuvendi nuk vepron për të adresuar dëmin e shkaktuar ndaj zyrtarëve publikë, këta të fundit kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje gjyqësore dhe kompensim përmes gjykatës, çka mund të rezultojë në një vërshim të sistemit gjyqësor me rreth 90,000 lëndë të reja që duhet të trajtohen individualisht, duke cenuar efikasitetin e përgjithshëm të gjyqësorit; për më tepër, realizimi i të drejtave përmes rrugës gjyqësore.

Gazeta “Bota sot”: Cilat janë boshllëqet më të mëdha që keni hasur në Ligjin për Hetim Parlamentar dhe pse është ky ligj kyç për funksionimin demokratik të Kuvendit?

Naim Jakaj: Në raportin e IKD-së të titulluar "Kuvendi i Dështimeve", dhe në raportin për “Mungesën e efikasitetit të komisioneve hetimore” kemi argumentuar se është e domosdoshme të ndryshohet Ligji për Hetim Parlamentar. Më shumë se dhjetë vite, përkundër nevojës, nuk është bërë ndryshimi i këtij ligji, dhe problemet që janë bartur ndër vite, janë theksuar më së shumti në legjislaturën e VIII-të, kur më së shumti janë ngritur komisione hetimore. Andaj, është nevojë e madhe dhe e domosdoshme për mekanizma që forcojnë përgjegjësinë ligjore dhe institucionale, duke përfshirë që në ndryshimet ligjore të ardhshme të përfshihet detyrimi për të themeluar komisione hetimore pa votim formal në seancë plenare kur inicimi bëhet nga 1/3 e deputetëve, të drejtën e propozuesit për të drejtuar komisionin, caktimin e afatit për propozimin e anëtarëve, dhe buxhetimin e komisionit në Kryesi dhe jo në seancë plenare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat