Zhvillime të shumta politike po ndodhin në Kosovë, si dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Duke marrë parasysh politikat e Serbisë, si dhe lidhjet e saj me Rusinë, rajoni po vazhdon të jetë i tensionuar, me bashkësinë ndërkombëtare që po tenton ta mbajë situatën nën kontroll.
Kryeshefja e “Global Analytics”, Dr. Rumena Filipova, në një intervistë për gazetën “Bota sot” foli për këto zhvillime, raportet Kosovë-Serbi, si dhe për ndikimin rus në Ballkan.
Së pari, ajo tha se derisa Serbia nuk ndryshon politikat e saj dhe instrumentalizimin e serbëve në shtet e Ballkanit, tensionet do vazhdojnë.
Filipova e ndërlidhi këtë edhe me ndikimin rus, derisa tha se ky është problem shumë i madh, derisa përmendi taktikën kryesore, atë të nxitjes së përçarjes brenda shteteve.

Nisur nga këto që u thanë më lartë, Kryeshefja e “Global Analytics”, kërkoi reagim të ndërkombëtarëve, ku theksoi largimin sa më të shpejt të masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe t’i marrë në konsideratë disa masa më të rrepta ndaj shtetit serb.
Ndër të tjera, Filipova foli edhe për bllokadën e Kuvendit të Kosovës, e që sipas saj institucionet funksionale janë të nevojshme për të shmangur pasigurinë
Intervista e plotë:
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor? A po vazhdon Serbia të provokojë vendet për rreth, me theks të veçant Kosovën dhe Bosnjën, me ndihmën e Rusisë?
Rumena Filipova: Po, për sa kohë që Serbia nuk e rivlerëson të kaluarën, dhe në veçanti luftërat e viteve 1990, dhe vazhdon të instrumentalizojë komunitetet serbe në rajon, tensionet me vendet fqinje do të vazhdojnë të ekzistojnë.
Gazeta “Bota sot”: Sa e pranishme është propaganda dhe ndikimi rus në vendet e Ballkanit?
Rumena Filipova: Ndikimi rus është një problem kyç për rajonin, duke qenë i pranishëm në media, politikë, biznes dhe kulturë. Një taktikë kryesore për metodat e ndikimit rus është mbjellja e përçarjes brenda dhe midis vendeve mbi baza etnike dhe historike.
Gazeta “Bota sot”: A do duhej të sanksionohej Serbia, si pasojë e vizitës dhe takimeve të Vuçiqit dhe zyrtarëve serbë me Putinin e politikanët rusë?
Rumena Filipova: Sigurisht që duhet t'i bëhet e qartë Serbisë se rruga e saj e integrimit evropian është e papajtueshme me ruajtjen e lidhjeve të ngushta me dhe mbështetjen për Rusinë. Prandaj, BE duhet të jetë më e vendosur në komunikimin e këtij qëndrimi.
Gazeta “Bota sot”: Si i komentoni sanksionet ndaj Kosovës? A është koha që BE t’i largojë ato? A ka vepruar me standar të dyfishtë, derisa Serbinë nuk e ka sanksionuar për sulmet dhe kërcënimet e vazhdueshme?
Rumena Filipova: Po, BE ka filluar të heqë sanksionet ndaj Kosovës dhe në mënyrë të ngjashme duhet të marrë në konsideratë masa më të rrepta ndaj Serbisë për veprimet e saj në veri të Kosovës.
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni stagnimin e dialogut Kosovë-Serbi? Si duhet vepruar, pasi nuk po ka sinjale që mund të ketë përmirësime apo një marrëveshje finale mes palëve?
Rumena Filipova: Dialogu sigurisht që duhet të rihapet pasi pa një normalizim të marrëdhënieve dypalëshe aspiratat evropiane të të dyja vendeve do të pengohen.
Gazeta “Bota sot”: A penalizohet Kosova, nëse nuk arrinë ta formojë qeverinë e parë sa më parë? Si ndikon kjo vonesë në arenën ndërkombëtare?
Rumena Filipova: Problemi është se paqëndrueshmëria politike brenda Kosovës do të thotë që aktorët ndërkombëtarë nuk mund të mbështeten në vazhdimësinë e politikave të ndërmarra brenda Prishtinës. Pra, institucionet funksionale janë të nevojshme për të shmangur pasigurinë.