Tali për “Bota Sot”: Ngërçi në Kuvend, lojë e partive – Asociacioni, të mos i japim Serbisë një armë për të na luftuar

Intervistë

Tali për “Bota Sot”: Ngërçi në Kuvend, lojë e partive – Asociacioni, të mos i japim Serbisë një armë për të na luftuar

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 18 qershor 2025 Në ora: 14:12
Driton Tali

Për aktualitetin në vend, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur ish-deputeti Driton Tali.

Ai thotë se moskonstituimi i Kuvendit është një lojë partish, e cila tashmë ka kaluar në irritim dhe duhet të ndalet për të mirën e të gjithëve. Sipas tij, ka ardhur koha të flitet për një datë të zgjedhjeve të parakohshme.

Lidhur me deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, Tali thekson se, pavarësisht mënyrës se si na ka përmendur, kjo është pozitive, pasi e mban Kosovën në agjendën ndërkombëtare.

Sa i përket themelimit të Asociacionit, ai deklaron se, pavarësisht presioneve, qeveria e ardhshme duhet ta shtyjë sa më shumë krijimin e tij, që “kësaj Serbie” të mos i jepet një armë për të na luftuar.

Ndërsa për çështjen e sigurisë në rajon, Tali thotë: “Derisa të ekzistojë ‘kjo Rusi e Putinit’ dhe ‘kjo Serbi e Vuçiqit’, rreziku është permanent. Është si një bombë e kurdisur që mund të shpërthejë në çdo moment.”

Intersita e plotë:

“Bota sot”: Z. Tali, si e vlerësoni situatën aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë, mos-konstituimin e Kuvendit?

Driton Tali: Mos kostituimin e Kuvendit e shoh si një puro lojë partish ku secila tenton të përfitojë nga rrethanat. Unë nuk shoh se ish opozita ta ketë shumicën sepse po ta kishte do ta votonte këdo që partia fituese e dalë nga zgjedhjet do ta propozonte ashtu që sa më shpejt të futeshin në konsumimin e afateve të parapara ligjore për konstituimin e institucioneve shtetërore. Bile, bile shikuar strikt nga interesi i ish opozitës, edhe sa ma i/e paaftë të jetë kandidati/ja nga partia rivale aq ma mirë për ata.

Mirëpo, kjo lojë tashmë ka kaluar në irritim për publikun dhe duhet stopuar për të mirë e të gjithëve. Unë mendoj se partitë duhet të ulen e të merren vesh për datën e zgjedhjeve të reja të parakohshme, e që besoj se koha më e mirë për mbajtjen e tyre janë në tetor, në të njëjtën ditë së bashku me ato lokalet.

“Bota sot”: Si e vlerësoni deklaratën e Trump?

Driton Tali: Presidenti Trump është duke u ballafaquar me probleme shumë të vështira gjeopolitike të cilat i kanë sfiduar goxha shumë premtimet e tij elektorale si bie fjala se "do ta ndali luftën në Ukrainë për 24 orë". Jo që nuk e ndali por, siç jemi dëshmitarë, javën e kaluar filloi edhe një e freskët, mes Izraelit dhe Iranit.

Sidoqoftë, përmendja e Kosovës nga Presidenti i ShBA-ve, qoftë edhe për nevoja të politikës ditore, për mendimin tim është pozitive sepse e mbanë Kosovën në agjendë. Megjithatë unë, me gjithë respektin dhe admirimin që e kam për ShBA-në, në këtë atmosferën e krijuar, pa shtimin e presionit ndaj "kësaj Serbie" nuk shoh se si do ta zgjidhë sagën ballkanike, qoftë në raport me Kosovën apo Bosnjën ose Malin e Zi.

“Bota sot”: Ka pasur shumë debat rreth çështjes së Asociacionit. Cili është qëndrimi juaj personal dhe a mendoni se ekziston një zgjidhje që nuk e dëmton funksionalitetin e shtetit të Kosovës?

Driton Tali: Po unë disa herë publikisht jam deklaruar se jam kundër themelimit të asociacionit, qoftë edhe "konform" Kushtetutës, derisa në Serbi të ekzistojë kjo paradigmë. Disa po harrojnë se Bosnja është anëtare e OKB-ës që nga 1992, dhe është akoma më e pafunksionarizuar se Kosova.

Andaj them se qeveria e radhës duhet ta prolongoj krijimin e Asociacionit deri në maksimum që "kësaj Serbie" mos t'i japim një armë për të na luftuar neve, një armë mbase edhe vdekjeprurëse për Republikën tonë. E kam parasysh se qeveria e radhës nuk do ta ketë lehtë, do të ketë presione të shtuara në atë drejtim.

“Bota sot”: A mendoni se ka një rrezik real që Kosova të detyrohet të bëjë lëshime të njëanshme për hir të 'normalizimit'?

Driton Tali: Idioma ma pa lidhje, ma idioteske, e farkuar pas luftës, bile do të thoja edha më se "diskriminimi pozitiv" është  "normalizim i marrëdhënieve".

Shtrohet pyetja "normalizim të marrëdhënieve", si kur? Si me 1912 - 1940; 1944 - 1968; 1974 - 1981, 1981-1990 apo 1990 -1999?!!!

Dhe, kur Kosova ishte sebep i ç ‘normalizimit në marrëdhëniet me Serbinë!? 

“Bota sot”: Si e shihni pozicionin e Kosovës në raport me zhvillimet gjeopolitike në Ballkan, veçanërisht pas tensioneve në veri dhe qëndrimit të Serbisë karshi Rusisë?

Driton Tali: Rusia shihet se e ka humbur fuqinë militare. U pa me Sirinë, se si e braktisi, por edhe tashti po shihet me sjelljen ndaj Iranit. Megjithatë ende është e fuqishme sa për të na shkaktuar kokëçarje sidomos neve ballkanasve properëndimor, u mor vesh duke e përdorë Serbinë si mashë.

Duhet cekur se raporti ynë me Rusinë është "efekt anësor" për faktin se ne jemi përcaktuar fuqishëm për aleancën Euro-Atlantike dhe Serbia, ngase është sllave dhe ortodokse, është përcaktuar intimisht kah Rusia.

Megjithëse, sllave dhe ortodokse është edhe Bullgaria, bile edhe me qasje në det dhe anëtare e UE-së, pastaj Rumania, ndonëse jo sllave, por ortodokse dhe me lidhje goxha intime për faktin se Rusia ja "dhuroi" Pavarësinë me 1877 (1878) nga Perandoria Osmane etj.

Andaj Putini e përdor Serbinë si "piun shahu" .

Me fjalë tjera për Putinin, Serbia është piun shahu të cilën nuk priton ta sakrifikojë për qëllimet e tij. Dhe këtu qëndron rreziku kryesor.

“Bota sot”: A ekziston rreziku që situata e sigurisë në rajon të përkeqësohet dhe si duhet të përgatitet Kosova për skenarë të tillë?

Driton Tali: Derisa të ekzistojë "kjo Rusi e Putinit" dhe "kjo Serbi e Vuqiçit" rreziku është permanent. Është si bombë e kurdisur e cila mund të shpërthej në çdo moment.

Prandaj, unë e përsërisë pandërprerë se urgjentisht duhet FSK të armatoset mjaftueshëm sa për t'ia bërë të qartë "kësaj Serbie" se lufta e radhës, nëse ajo e fillon përsëri, nuk do të bëhet vetëm se në territorin tonë, sikur që u bë në të kaluarën, por edhe në territorin e Serbisë.

Kjo është e vetmja gjuhë që e kupton "kjo Serbi".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat