Nëse Serbia sulmon, Kosova do jetë vetëm – pa doktrinë ushtarake të përbashkët me Shqipërinë

Intervistë

Nëse Serbia sulmon, Kosova do jetë vetëm – pa doktrinë ushtarake të përbashkët me Shqipërinë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 qershor 2025 Në ora: 14:12
Dritan Goxhaj

“Institucionet në fushën e sigurisë nuk ndikohen shumë nga ky mos funksionalitet politik në Prishtinë. Pasi ato janë krijuar nga institucionet e sigurisë ndërkombëtare dhe të gjithë angazhimin e tyre institucional e kanë në kuadër të këtij angazhimi ndërkombëtar në Kosovë. Pra sado që të ketë krizë politike në Kosovë, kjo krizë nuk prek funksionimin e këtyre institucioneve në nevojë të çështjes së sigurisë së Kosovës. Ndërsa grupi i dytë i institucioneve , ai politiko – ekonomik ndikon në pozitën e Kosovës pasi mos funksionimi i tyre në kuadër të përcaktuar ligjor sjell pengesa të mëdha në investime ekonomike dhe ndihma ekonomike të nevojshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare.  Ndërsa në raport me Serbinë, grupi i parë i institucioneve, ai i sigurisë nuk kanë cenim. Po të kujtoni rastin e Banjskës, këto institucione u koordinuan me KFOR-in që në fillim e nuk patën nevojë për vendime politike për të kryer veprimtarinë dhe detyrën e tyre”, kështu thotë eksperti i sigurisë, Dritan Goxhaj.

Goxhaj në një intervistë ekskluzive për gazetën ““Bota sot””, thotë se bashkëpunimi Kosovë- Shqipëri është thjesht në nivel reklamimi, por jo bashkëpunimi kombëtar dhe në këtë mënyrë nuk mund t’ju bëhet ballë sfidave të sigurisë në Ballkan.

 “Duhet organizim  dhe bashkëpunim në çdo nivel të zinxhirit komandues, që nga niveli skuadrës e deri të niveli  shtabit të Përgjithshëm. E përsëris duhen njësi të përbashkëta operacionale në nivel taktik dhe operacional. Pa këto nuk do të mund t’i bëjmë ballë nesër të vetëm një rreziku ekzistencial nga fqinjët dashakeq”, deklaron Goxhaj.

Sipas tij, situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qëndrueshme dhe çdo lloj akti që mund të ndodhi ai mund të jetë vetëm i izoluar.

“Por them e qëndrueshme pasi çfarëdo akti terrorist dhe çfarëdo lloj proteste të organizohet atje, tashmë nuk ekzistojnë kushtet për një destabilizim as të veriut, e as të Kosovës. Çdo lloj akti që mund të ndodhi ai mund të jetë vetëm i izoluar, pa mundësi për tu hapur dhe për të krijuar një situatë të ngjashme si në Banjskë. Kjo pasi shumica e atyre që do të mund të krijonin këtë situatë janë larguar nga Kosova dhe hyrja e tyre sërish në këtë territor nuk është diçka që mbetet pa u marrë vesh nga organet e sigurisë së Kosovës, në veçanti policia e  saj”, shton eksperti.

Goxhaj në intervistë flet edhe rreth stërvitjes  “Defender 2025”, luftës në Ukrainë ndikimit të saj në sigurinë e Ballkanit dhe veçanërisht në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, si dhe Rusisë dhe “humbjes” së saj të mundshme

Intervista e plotë:

 “Bota sot”:  Z.Goxhaj, si e shihni arrestimin e pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb BIA? A mendoni se kjo është vetëm maja e ajsbergut?

Dritan Goxhaj: Arrestimin e këtyre pesë personave në rast se e shohim vetëm në anën sipërfaqësore të një veprimi të tillë të mbështjellë me euforinë e veprimit, do thosha që nuk është ndonjë rezultat. Ka tashmë 26 vjet që Kosova është çliruar nga pushtimi serb, një pushtim që ka zgjatur një shekull, dhe pas 26 vitesh çlirim arrihet të kapen vetëm nja 5 persona. Dhe kur sheh që këta persona nuk është se kanë ndonjë nivel në burokracinë shtetërore të Kosovës, dhe disa prej tyre nuk kanë as ndonjë nivel intelekti të veçantë, atëherë kjo më shumë duket si një kurth i po këtyre shërbimeve sekrete Serbe, të cilat për

100 vjet ishin aktive në Kosovën e pushtuar prej tyre, dhe tashti i ofrojnë shërbimeve të inteligjencës së Kosovës së re një grusht njerëzish që nuk kanë asnjë vlerë në nivel inteligjence.

Sepse kur flasim për shërbime sekrete bëhet fjalë për shërbime inteligjence- d.m.th inteligjencë. Dhe shihni nivelin e këtyre njerëzve të arrestuar dhe e kuptoni që nuk kanë të bëjnë as me inteligjencën e as me shërbimet, por thjesht janë një grusht injorantësh të cilët janë shfrytëzuar nga shërbimet sekrete Serbe pikërisht për të krijuar idenë e gabuar se shërbimet serbe nuk mund të depërtojnë, ose nuk kanë depërtuar dot në nivelet e larta të institucioneve shtetërore në Kosovë, por vetëm në këtë nivel. Dhe pastaj në fund për ti lëshuar dhe krijuar idenë se ne kemi arritur sukses të madh dhe në euforinë e këtij veprimi të mos merremi fare me nivelet e larta.

Sot gjithë ajo çfarë shërbimet inteligjente të vendeve jo miqësore me ne, nuk është se kanë rekrutuar njerëz për të marrë informacione pasi nuk është se ka mbetur ndonjë gjë sekret I madh tashmë në Kosovë, por ajo çfarë ata bëjnë është të krijojnë opinione dhe të ndërhyjnë në çështje ekonomike, të cilat më pas ndikojnë në vendimmarrjen politike.

Mjafton të shohësh rastin e fundit kur për çështje të një tenderi të energjisë rezultoi se edhe një kompani serbe ishte e përfshirë në këtë kontratë.

A keni dëgjuar ju gjë që shërbimet inteligjente të Kosovës të kenë hapur ndonjë çështje për këtë rast se si përfundoi kjo kompani në këtë tender?! Jo aspak pasi ajo thjesht u be informacion publik dhe aty u kthye në një subjekt i përplasjes politike në vend dhe askush nuk u interesua më  pas se si erdhi kjo kompani deri këtu!

Ky mendoj unë është niveli i inteligjencës në të cilin duhet të punojnë Kosova dhe Shqipëria më shumë. Sepse nëpërmjet shërbimeve sekrete arrihet të ndërhyhet në ndikimin ekonomik.

Mjafton të shihni rastin e Shqipërisë në vitin 2015 kur erdhi në pushtet Rama. Deri në atë kohë në Shqipëri nuk hynte miell i prodhuar në Serbi, pasi Shqipëria kishte vendosur në doganë kritere të njëjta me BE, por në 2015 ministria e bujqësisë në Shqipëri mori vendim të uli këto kritere në nivelin e kategorisë së miellit serb, i cili nuk hynte e nuk hyn në BE se nuk plotëson kriteret ushqimore.

Dhe e gjitha kjo është punë e shërbimeve sekrete që arrijnë të ndikojnë tek ata që kanë fuqinë e marrjes së vendimeve në qeveritë tona.

Ky është niveli që duhet mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm sepse në    këtë nivel preken interesat shtetërore direkt për gjithë popullsinë tonë.

Bazuar mbi këtë nuk mendoj se kjo është majë ajsbergu.

“Bota sot”: A mund të jetë ky një sinjal alarmi për institucionet e sigurisë në Shqipëri dhe Kosovë për praninë dhe ndikimin e shërbimeve të huaja në rajon?

Dritan Goxhaj: Unë do e konsideroja si një nga sinjalet e shumta dhe jo shumë i rëndësishëm.

Ka pasur në të kaluarën sinjale edhe më të fuqishme se kjo. Po ju kujtoj vetëm dy prej tyre.

Në vitin 2000 kur mbaroi lufta në Kosovë, në parlamentin e Serbisë një grup deputetësh u ngritën dhe i kërkonin llogari qeverisë serbe të asaj kohe “ Se ku vajtën 900 milion dollarë që paguam për shkatërrimin e Shqipërisë dhe si u harxhuan?” 

Dhe askush nuk është shqetësuar për këtë deklaratë që tregon qartë se një pjesë e mirë të këtyre parave janë dhënë në Shqipëri nëpër njerëz që kanë punuar për interesa të Serbisë. Disa me mbledhje informacione e disa të tjerë duke hapur biznese të ndryshme. Sot e kësaj dite në Shqipëri nuk kemi asnjë hetim konkret në këtë drejtim dhe as edhe një akuzë për ndonjë bashkëpunim me shërbimet serbe, thuajse ato nuk ekzistojnë fare këtu.

Ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me publikimin nga ana e një gazete greke para disa viteve të një liste të gjatë  me iniciale të shtetasve nga Shqipëria që kishin marrë para dhe paguheshin nga shërbimet greke, ca si gazetarë e ca si biznesmenë. Dhe asnjë hetim e asnjë veprim në këtë drejtim nga Shqipëria.

Por kur këto dy vende dashakeqëse ndaj nesh e kanë bërë këtë në Shqipëri, ju siguroj që e kanë bërë edhe në Kosovë të njëjtën gjë.

Pra sinjalet kanë ekzistuar edhe më parë dhe do vazhdojnë të ekzistojnë, por organet tona nuk veprojnë. Dhe kjo është shqetësuese.

 "Bota sot”: Çfarë rreziku përbëjnë këto veprime për sigurinë kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë?

Dritan Goxhaj: Dua të sqaroj diçka këtu. Unë mendoj se  në raport me Kosovën kemi të bëjmë vetëm me sigurinë shtetërore, e jo siguri kombëtare. Pasi Kosova nuk është komb më vete, nuk ekziston kombi kosovar. Edhe Kosova është 92% shqiptarë. Por kjo nuk e ul rrezikun që veprime të tilla individuale dhe në grup, të çdo kujt që i shërben vendeve jo dashamire të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe vendeve dashamire tona po dijeni të shërbime respektive në vendet tona, përbën rrezik për mbarëvajtjen e sigurisë shtetërore në Kosovë dhe atë shtetërore e kombëtare në Shqipëri.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për nivelin aktual të bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës dhe  Shqipërisë? A është ky bashkëpunim i mjaftueshëm përballë sfidave të sigurisë në Ballkan?

Dritan Goxhaj: Niveli aktual i bashkëpunimit për mendimin tim nuk është në nivel të pëlqyeshëm e as të konsiderueshëm, përveç se në çështje arsimore ku një numër jo shumë i madh studentësh të Kosovës gjenden në akademitë ushtarake të Shqipërisë, pjesa tjetër e ushtrisë nuk duket që ka ndonjë bashkëpunim të madh, përveç rasteve të stërvitjeve që organizohen nga të dy vendet respektive, dhe në ato që marrim pjesë në kuadër të NATO-s  dhe vendeve të tjera në rajon. Mendoj se duhej një bashkëpunim më i plotë, duke nisur që nga një doktrinë e përbashkët ushtarake, dhe në krijimin e njësive të përbashkëta në disa armë dhe shërbime të cilat të kenë të njëjtën modus operandi dhe të njëtën taktikë dhe të njohin gjeografinë tonë në rajonet ku mendohet se mund të përdoren në rast të një rreziku. Për sa kohë kjo nuk ndodh, atëherë ky bashkëpunim do mbetet thjesht në nivel reklamimi por jo bashkëpunimi kombëtar. Dhe në këtë mënyrë nuk besoj se mund t’ju bëjmë ballë sfidave të sigurisë në Ballkan. Duhet organizim  dhe bashkëpunim në çdo nivel të zinxhirit komandues, që nga niveli skuadrës e deri të niveli  shtabit të Përgjithshëm. E përsëris duhen njësi të përbashkëta operacionale në nivel taktik dhe operacional. Pa këto nuk do të mund t’i bëjmë ballë nesër të vetëm një rreziku ekzistencial nga fqinjët dashakeq.

 “Bota sot”: A mendoni se duhet të ketë një qasje më të përbashkët strategjike mes dy ushtrive në kushte kur Serbia ka një prani të shtuar ushtarake në veri të Kosovës dhe bashkëpunim të ngushtë me Rusinë?

Dritan Goxhaj: Pjesërisht i jam përgjigjur kësaj pyetje në përgjigjen e mësipërme. Por mendoj se do të ishte e nevojshme një marrëveshje e përbashkët e mbrojtjes së ndërsjelltë. Kjo e sjell bashkëpunimin në të gjitha nivelet, dhe edhe në nivelin strategjik dhe do të frenonte çdo lloj tentative ose ideje të Serbisë për veriun e Kosovës, pasi kjo do nënkuptonte që do ishte në luftë edhe me Shqipërinë.

 “Bota sot”: A mendoni se Shqipëria po bën aq sa duhet për të ndihmuar në  fuqizimin e FSK-së?

Dritan Goxhaj: Kjo është një pyetje që çfarëdo përgjigje që të japësh asnjëherë nuk mund të jetë e plotë. Pasi më parë duhet parë a është dhe sa është e interesuar FSK që të marri ndihmë. Në çfarë niveli e çfarë sasie ajo është e gatshme të kërkoi ndihmë, dhe a ka kërkuar dhe a pranon ndihmë nga Shqipëria?  Prandaj them që kjo përcakton edhe të gjithë bashkëpunimin ushtarak të Shqipërisë dhe Kosovës. Sa janë të gatshme dhe të interesuara të dyja palët të ndihmojnë njëra tjetrën. Ndërkohë që e kemi parë që gjithçka varet nga bashkëpunimi ndërqeveritar i cili është i varur nga humori dhe disponimi i kryeministrave, të cilët kanë treguar se kanë vënë inatet personale para interesit kombëtar e shtetëror.

 “Bota sot”: Si e vlerësoni situatën në veri të Kosovës në këtë moment? A jemi përballë një konflikti të ngrirë që rrezikon të shpërthejë herë pas here?

Dritan Goxhaj: Situata e sigurisë në veri të Kosovës duket  qëndrueshme. Nuk them e qetë se qetësia është diçka relative që mund të quhet e prishur edhe për një protestë të vogël. Por them e qëndrueshme pasi çfarëdo akti terrorist dhe çfarëdo lloj proteste të organizohet atje, tashmë nuk ekzistojnë kushtet për një destabilizim as të veriut, e as të Kosovës. Çdo lloj akti që mund të ndodhi ai mund të jetë vetëm i izoluar, pa mundësi për tu hapur dhe për të krijuar një situatë të ngjashme si në Banjskë. Kjo pasi shumica e atyre që do të mund të krijonin këtë situatë janë larguar nga Kosova dhe hyrja e tyre sërish në këtë territor nuk është diçka që mbetet pa u marrë vesh nga organet e sigurisë së Kosovës, në veçanti policia e  saj.

Nuk mendoj se jemi përballë një konflikti të ngrirë, pasi mundësitë për shpërthim ekzistojnë kur ka elementë. Për sa kohë mungojnë elementët që përmendëm më lart, atëherë nuk ekziston as mundësia për shpërthim konflikti.

Por nuk e përjashtoj asnjëherë raste të izoluara individuale por edhe në    grup jo më të madh se 3-5 vetë.  Por kjo sërish mbetet e izoluar dhe pa problem për forcat e sigurisë së Kosovës.

“Bota sot”: Sa ndikon mungesa e institucioneve funksionale dhe kriza politike në Prishtinë në dobësimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe përballë Serbisë?

Dritan Goxhaj:  Duhet të ndajmë institucionet në dy grupe. Institucione në fushën e sigurisë, dhe ato në fushën politiko-ekonomike.  Institucionet në fushën e sigurisë nuk ndikohen shumë nga ky mos funksionalitet politik në Prishtinë. Pasi ato janë krijuar nga institucionet e sigurisë ndërkombëtare dhe të gjithë angazhimin e tyre institucional e kanë në kuadër të këtij angazhimi ndërkombëtar në Kosovë. Pra sado që të ketë krizë politike në Kosovë, kjo krizë nuk prek funksionimin e këtyre institucioneve në nevojë të çështjes së sigurisë së Kosovës. Ndërsa grupi i dytë i institucioneve , ai politiko – ekonomik ndikon në pozitën e Kosovës pasi mos funksionimi i tyre në kuadër të përcaktuar ligjor sjell pengesa të mëdha në investime ekonomike dhe ndihma ekonomike të nevojshme për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa në raport me Serbinë, grupi i parë i institucioneve, ai i sigurisë nuk kanë cenim. Po të kujtoni rastin e Banjskës, këto institucione u koordinuan me KFOR-in që në fillim e nuk patën nevojë për vendime politike për të kryer veprimtarinë dhe detyrën e tyre.

Ndërsa në rastin e institucioneve politiko-ekonomike mund të them se do të përdoret nga Serbia në arenën ndërkombëtare për t’i mëshuar asaj që gjithnjë kanë artikuluar “ se ne shqiptarët nuk jemi në gjendje të bëjmë shtet”, pasi i vëmë interesat personale mbi ato shtetërore.

 “Bota sot”: Si e shihni pjesëmarrjen e ushtrisë së Shqipërisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në stërvitjen ushtarake “ Defender Europë 2025” të organizuar nga SHBA? Çfarë vlere reale ka kjo për kapacitetet tona ushtarake?

Dritan Goxhaj:  Duke qenë se është një stërvitje e përvitshme pjesëmarrja në      të është në radhë të parë me efekt politik, dhe pastaj ka edhe disa efekte ushtarake. Efektet ushtarake dhe vlera e tyre qëndron vetëm në nivelin e ndërveprimit operacional në disa nivele të zinxhirit komandues, ndërsa pjesa tjetër mbetet thjesht angazhim burokratik i detyrueshëm, për sa kohë stërvitja nuk sjell risi në përdorimin e kapaciteteve të tua dhe në përgatitje për luftërat e ardhshme të gjeneratës së re.

“Bota sot”: A janë këto stërvitje sinjal për një strategji më të fortë të NATO-s në Ballkan, apo janë thjeshtë simbolike për të ruajtur moralin dhe perceptimin e bashkëpunimit?

Dritan Goxhaj: Ato stërvitje që nuk integrojnë në repertorin e tyre ndryshimet që kanë ndodhur dhe ndodhin në terrenet e ndryshme të luftërave të sotme, mbeten thjesht ekzekutime burokratike, pasi kështu është vendosur të mbahet një stërvitje e përvitshme për të treguar unitet dhe angazhim politik të SHBA për Evropën dhe Ballkanin, d.m.th thjesht mbeten stërvitje në formë simbolike ashtu si e thoni ju në pyetjen tuaj, për të ruajtur më shumë moralin dhe krijuar idenë e bashkëpunimit dhe idenë e prezencës.  D.m.th stërvitje sasiore por jo cilësore.

 “Bota sot”: A po ndihmon realisht NATO në përgatitjen e vendeve si Shqipëria dhe Kosova për sfida të mundshme në një mjedis gjithnjë e më të tensionuar?

Dritan Goxhaj: Jo. NATO nuk po ndihmon aspak në këtë. Kjo për faktin se NATO vetë akoma duket që nuk e ka kuptuar që kemi hyrë në luftën e një gjenerate të re dhe duhet jo vetëm ndryshim strukturor por edhe prioritete të tjera. Gjëra këto që vetë NATO nuk ka nisur aspak që ti bëjë as për vete. Por NATO reflekton te ne atë çka është, që ka mbetur akoma te anakronizmi i vjetër i bërjes së luftës, ndërkohë që lufta sot në Ukrainë që tre vjet dhe ajo në Izrael Gaza që dy vjet dhe ajo midis Pakistanit dhe Indisë treguan mënyrën e luftës moderne për të cilën ne dhe NATO as që kemi hyrë ta trajtojmë si koncept teorik.

Këtë e tregoi edhe stërvitja e fundit që ju përmendni pak më lart “Defender 2025”.

Kjo stërvitje u krye sipas praktikave ushtarake të modeleve të luftarave të mëparshme ku forcat mund të afroheshin, e transportoheshin nëpërmjet transportuesve të blinduar dhe helikopterëve deri në vijën e parë të frontit. Por sot kjo gjë është e pamundur.

Sot me zhvillimin e teknologjisë së dronëve gjithë terreni në vijën e parë të frontit, një territor prej 30 deri 40 km gjatësi nga përballë vijave të para të frontit është e gjitha nën kontrollin e dronëve të cilët e bëjnë të pamundur lëvizjen e forcave në grupe të mëdha. Kjo pasi sapo droni e dedetkon personelin ushtarak atëherë ai, ose sulmohet me drone kamikaze ose me artileri të drejtuar nga dronet për të arritur efikasitet dhe precizion. Ndaj sot po të shohësh në luftën në Ukrainë, forcat në vijën e parë ecin në grupe nga 3 max 5 veta dhe ecin me pajime dhe furnizime ne kurriz për një distancë midis 8 deri në 10 km që të afrohen në pozicionet e para. Pra stërvitja e fundit dhe ato para kësaj nuk e kanë implementuar aspak këtë lloj teknike lufte.

Në këto luftëra kemi parë se dronët dhe artileria dhe kundërajrori kanë qenë baza e këtyre luftërave moderne. Ndërkohë te ne, si në Kosovë edhe në Shqipëri nuk kemi aspak avancim në këto drejtime. As krijime të njësive të veçanta të dronëve dhe të operimit të tyre, e as shtime të artilerisë dhe kundërajrorit.

Sot edhe te ju edhe te ne mburren me nja 3 a 4 dronë të mëdhenj të blerë në Turqi, që realisht nuk vlejnë asgjë për një luftë të ardhshme. Ndërsa në Ukrainë po bën nami droni i vogël që njëherë si FPV. Serbia p.sh ka krijuar njësi të veçanta për përdorimin e tyre pothuajse në të gjitha njësitë e saj bazë në nivel batalioni dhe brigade, si dhe jo vetëm që ka blerë nja 20 mijë drone kamikaz, por tashmë ka disa vite që edhe ka filluar i prodhon vetë të disa madhësive deri në 4/5 kg.

Ne as që kemi njësi të tilla, dhe as që kemi diskutuar teorikisht që të fusim në doktrinat tona mbrojtjen dhe sistemin e mënyrën e mbrojtjes së objekteve ushtarake dhe atyre të rëndësisë së veçantë nga ky lloj rreziku.

Prandaj mendoj se NATO duhet të fillojë të mendojë dhe të përgatitjet për këtë realitet të ri luftarak. Dhe normal që po e bëri për vete në atë moment e ka bërë edhe për ne, pasi ne nuk jemi jashtë doktrinës së NATO-s.

 “Bota sot”: Lufta në Ukrainë është futur në vitin e tretë dhe ende nuk ka një zgjidhje në horizont. Si mendoni se kjo luftë po ndikon në sigurinë e Ballkanit, veçanërisht në marrëdhëniet Kosovë-Serbi?

Dritan Goxhaj: Siç e thashë edhe më lartë lufta po ndikon te ne në mënyrën se si vendet e shohin përplasjet e ardhshme dhe përgatitjen e tyre për luftërat e reja moderne të gjeneratës së re. Serbia e ka kapur këtë trend dhe po përgatite për të, ndërsa neve akoma jo. Kjo në një konflikt të ardhshëm ndikon shumë në çështje të sigurisë.  Ndërsa në veçanti në marrëdhëniet politike Serbi –Kosovë nuk ka ndonjë ndikim pasi të dyja palët kanë ndihmuar Ukrainën sipas mundësive të tyre. Edhe Kosova ka dhënë mjete e municione luftarake për Ukrainë, por edhe Serbia ka dhënë e vazhdon të japë. Në këtë këndvështrim, të dyja, pavarësisht qëndrimeve politike kanë lozur brenda sferës së NATO-s edhe pse Serbia nuk është pjesë e saj as de fakto e as de jure.

 “Bota sot”: A ka gjasa që një Rusi e dobësuar nga lufta të kërkojë më shumë ndikim në Ballkan, si një  “kompensim gjeostrategjik”?

Dritan Goxhaj: Nuk mendoj se një Rusi humbëse do ketë mundësi të kërkojë ndikim pasi nuk ka si ta bëjë atë po qe se ajo dobësohet. Mendoj se vetëm fitorja të jep mundësi të kërkosh më shumë nëpërmjet presionit që krijon fitorja. Por besoj se edhe po të fitojë e të forcohet ashtu si po ndodh, nuk do kemi ndonjë kërkesë kompensimi gjeostrategjik nga Rusia e cila do prekte Ballkanin e veçanërisht neve. Sepse kur themi kompensim pra do na lëshojë diçka që duam, e do i lëshojmë diçka që do. Realiteti është që Rusia po kërkon njohjen e territoreve të aneksuara, pra në këtë aspekt kompensimi strategjik që mund të vijë nga realizimi i kësaj kërkese na favorizon, sepse nëse SHBA i njohin territoret, atëherë edhe ne si kompensim duhet të kërkojmë njohje të Kosovës. Pra çfarëdo lloj kompensimi strategjik që të ndodhë në çfarëdo lloj kohe nuk janë më kushtet që të dëmtojë Kosovën, por vetëm të sjelli përfitim për ne.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat