Të pathënat e Dashnim Hebibit nga koha kur ishte redaktor i gazetës “Bota Sot”: Kombëtarja ishte ambasadë e fjalës së lirë

Intervistë

Të pathënat e Dashnim Hebibit nga koha kur ishte redaktor i gazetës “Bota Sot”: Kombëtarja ishte ambasadë e fjalës së lirë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 26 qershor 2025 Në ora: 11:44
PhD. Dashnim Hebibi

“Gazetaria ka ndryshuar shumë. Sot jemi në epokën e rrjeteve sociale, lajmeve të shpejta, shpesh të pakonfirmuara. Në kohën tonë, çdo fjalë kontrollohej, çdo fjali redaktohej me kujdes. Kishim përgjegjësi. Nuk shkruanim për klikime, por për të formuar opinion dhe për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë.

Sot ka më shumë mjete, por ndonjëherë mungon thellësia. “Bota Sot” ishte një shkollë për gazetarët – shumë prej tyre sot janë ministra, ambasadorë, figura të rëndësishme publike.

“Bota Sot” do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Ka qenë dhe do të mbetet një monument i gazetarisë shqiptare në diasporë. Uroj nga zemra që të vazhdojë rrugën e saj me dinjitet dhe profesionalizëm. Ka një histori të madhe, një trashëgimi të fuqishme dhe një besim të madh të lexuesve. 

Gazeta kishte një qëndrim të qartë: gjithmonë në mbrojtje të interesave kombëtare. Nuk u bë vegël e askujt. Respektonim institucionet e Kosovës, sidomos në kohën kur përfaqësoheshim nga figura të mëdha si Presidenti Ibrahim Rugova. Kam pasur nderin ta takoj disa herë, madje kam zhvilluar intervista me të.

E mbështesnim çdo përpjekje për pavarësi dhe për ndërtimin e shtetit. Në redaksi ishte busti i Skënderbeut, pikturat e mëdha të Ibrahimit Kodrës – frymëzim i përditshëm për ne. Ishim të vetëdijshëm që fjala jonë kishte peshë politike dhe morale.

Lexuesit na telefononin për çdo gjë – për të na falënderuar, për të kërkuar që të shkruanim për djemtë e tyre, për të na propozuar emra për fëmijët e sapolindur, për të përkujtuar më të dashurit e ndjerë. Gazeta ishte bërë pjesë e jetës së tyre“, na tha ndër të tjera z.Hebibi. Në 28-vjetorin e gazetës “Bota Sot”, biseduam me Dashnim Hebibin, një nga gazetarët, redaktorët dhe aktivistët më të njohur të diasporës shqiptare. I angazhuar për shumë vite si, gazetar e redaktor te kombëtarja “Bota sot”, autor i shumë librave, ambasador i paqes, njohës i mirë i mërgatës, kryetar i Shoqatës “Lugina e Preshevës”, president i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Cyrih dhe veprimtar i jashtëzakonshëm në Zvicër, z. Hebibi na rrëfen përjetimet, sakrificat dhe kujtimet e tij në një prej periudhave më të rëndësishme për kombin shqiptar – kohën kur fjala e lirë ishte mjet lufte, dhe gazetaria ishte një mision kombëtar.

"Bota sot": Z. Hebibi, si nisi rrugëtimi juaj me gazetën “Bota Sot”?

Dashnim Hebibi: Fillimisht ju uroj datëlindjen e kombëtares “Bota Sot” e sukseset kurrë mos ju mungofshin. Rrugëtimi im me gazetën “Bota Sot” nisi në vitin 2000 në një kohë kur fjala kishte vlerë sa jeta. Nuk ishte thjesht një vend pune, por një angazhim i përditshëm shpirtëror. Në redaksi, sidomos në Cyrih të Zvicrës, puna ishte e ngjeshur – redaktim, raportim, mbledhje informacionesh, intervista. Kam shkruar qindra artikuj, intervista, portrete dhe reportazhe. Kam dhënë gjithçka nga vetja. Edhe kur ishim të lodhur, nuk na u ndal pena. Fjala jonë kishte adresë, drejtim dhe synim.

"Bota sot": Si ishte puna në redaksinë e Zvicrës?

Dashnim Hebibi: Ishte si një kështjellë që nuk flinte. Redaksia ishte në Cyrih, me njerëz të përkushtuar me editor Xhevdet Mazreku – i cili ishte koka dhe shpirti i redaksisë, korrekt, shumë i kujdesshëm në çdo detaj. Ishin vëllezërit e tij, Xhaviti dhe Xhevati, Xhaviti merrej me marketing e Xhevati bënte një pjesë të faqosjes. Shumë të sjellshëm, shumë të mirë. Moti si kam takuar. Editori e njihte çdo presje, çdo titull, sepse ishte shumë i përkushtuar. E kujtoj me shumë respekt. Bashkë me z.Skender Buçpapaj, znj.Elida Buçpapaj, PhD.Llukman Halili, Avdyl Gërvalla, Astrit Mazrekun, Xhevat Lajqin e shumë të tjerë, punonim si një trup i vetëm. Kujtoj edhe z.Brahim, babain e editorit që shpesh vinte në redaksi dhe thonte, shtypni më shumë gazeta, sepse nuk ka askund, edhe pse tirazhi vetëm në Zvicër ishte mbi 100.000. Gazeta përgatitej shpesh here deri në orët e vona të natës, kur të gjithë flinin – dhe nesër në mëngjes deri në orën 11:00 shitej e gjitha. Ishte një kohë e jashtëzakonshme. Unë e quaj “epokë e luftës me fjalë”. Gazeta ishte si një ambasadë e fjalës së lirë në diasporë. Puna në redaksinë e Zvicrës ishte intensive – nga mëngjesi deri vonë.

"Bota sot": Keni përmendur se lexuesit në diasporë e kishin gazetën si identitet. Pse ndodhte kjo?

Dashnim Hebibi: Po, gazetën “Bota Sot” e njihnin nga larg ishte e veçant në llogo kryeheroin tonë, Skënderbeu. E mbanin gazetën mërgimtarët në dorë në stacionin e trenit, në dyqan, në rrugë, kudo që ishin. Ishte më shumë se informim – ishte lidhje me atdheun. Në diasporë, kur ta shihje dikë me gazetën, e dalloje menjëherë: shqiptar, me mendje kombëtare, me shpirt të lirë.

"Bota sot": A ishit ndonjëherë në rrezik për shkak të punës suaj?

Dashnim Hebibi: Po, tash po e di, se atëherë isha i ri. Ne kishim qenë në rrezik, sepse fjala e lirë nuk i pëlqente kujtdo. Para disa viteve në redaksinë tonë në Zvicër, kishte ardhur një paketë-bombë. (E patëm kuptuar pas disa ditëve). Për ate rast është i njohur i gjithë opinioni. Ishte një moment tronditës. E shpëtuam jetën vetëm falë fatit dhe Zotit. Ajo ndodhi nuk më largohet nga kujtesa edhe sot e trembem nga ajo kohë kur pata kuptuar. Nuk dua të ndalem në ate kohë, sepse më dridhej trupi. Kishim edhe sharje nga anonimë përmes telefonit por kurrë nuk u tërhoqëm. Ne ishim për të vërtetën – nuk shiteshim, nuk përuleshim.

Ne e trajtonim çdo numër të gazetës si një betejë të re. Ishim me një ideal të pastër: Për kombin, për lirinë dhe për drejtësinë.

“Bota Sot” ishte gazeta që u përball me gjithçka – edhe me vrasjet. U vranë Bardhyl Ajeti e Bekim Kastrati... Ata janë dëshmorë të fjalës.

"Bota sot": Përveç gazetës, keni qenë aktiv edhe organizime kulturore, sportive dhe veprimtari kombëtare. Na tregoni më shumë.

Dashnim Hebibi: Kam marrë pjesë në shumë ngjarje të mëdha si përfaqësues i gazetës. Po në emër të Botës Sot organizonim edhe zgjedhjen e sportistit të vitit në diasporë e të ndihmuar nga miqë, si PhD.Llukman Halili etj, e takime të tjera të rëndësishme kombëtare. Kam qenë në Eurovizionin e parë të Shqipërisë në Stamboll, me Anjeza Shahinin dhe stafin e saj. Kam qenë në Vatikan për lumturimin dhe më pas shenjtërimin e Nënë Terezës, bashkë me delegacionin zyrtar nga Kosova, ku ishte edhe Presidenti historikë i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Nga atje shkruaja reportazhe e intervista, sepse ishte ngjarje e madhe. Presidenti Rugova i dhuroi Papa Gjon Palit II një skulpturë me Nënën Terezë, dhe ishte nder për mua që ta mbaja atë dhuratë në duar.Mundem të them se ishte elita e kombit në Vatikan dhe sheshi Shën Pjetri kurrë nuk ka qenë më kuq e zi se në lumturimin e Nënë Terezës.

"Bota sot": Kujtoni ndonjë moment emocionues me figurat kombëtare që i keni takuar personalisht?

Dashnim Hebibi: Kam intervistuar Presidentin Rugova dhe e kam takuar disa herë. Takimi me të ishte gjithmonë një ngjarje në vete. Kam takuar edhe Dr. Bajram Rexhepin – Kryeministri i parë i Kosovës. Një herë në Cyrih, nuk më lejuan të hyj në sallën ku ai do të mbante fjalim, por një këshilltar i tij më ndihmoi. Arrita ta intervistoj. Të nesërmen, intervista ime ishte në faqen e parë të gazetës. Atë ditë e mbaj mend me krenari. Pastaj me rektorin e parë të Universitetit të Tetovës, Prof.dr.Fadil Selmani e shumë e shumë intervista të rëndësishme të kohës.

Cilët personalitete i kujtoni me respekt nga ajo kohë?

Dashnim Hebibi: Janë shumë. Me cilin kemi dashur ta kemi në intervistë e kemi realizuar, sepse kishte emër të madh gazeta, sepse shkruanin personalitete. Personalitete të kohës, ajkën e intelektualëve e shumë politikanë, por kujtoj me respekt edhe sportista si Enver Idrizin, Luan Krasniqin, Milaim Ramën, Fadil Vokrrin, Aziz Salihun, që i kemi përmendur e promovuar shpesh. Ishin figura që frymëzonin shqiptarët. Po ashtu, kujtoj me dhimbje Bardhyl Ajetin dhe Bekim Kastratin, që humbën jetën për fjalën e lirë. Ata nuk janë thjesht viktima – janë dëshmorë të gazetarisë. Me një fjalë, të gjithë politikanët të kohës i kemi pasur intervista.

Kam pasur fatin të takoj figura që sot janë histori. Presidentin Ibrahim Rugova, të cilin e pata intervistuar, një njeri i urtë, i qetë dhe vizionar. Kam takuar Prof. Dr. Mark Krasniqin, një dijetar i madh dhe patriot i devotshëm. Po ashtu, pata nderin të takohem me Pjetër Arbnorin, i njohur si “Mandela i Ballkanit”, i cili edhe pas burgjeve të rënda nuk e humbi kurrë besimin tek fjala e lirë, Akadmeik Nexhat Dacin, Ali Ahmetin, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Agim Çeku, Albin Kurti, Adem Demaçi, Hydajet Hyseni, Lutfi Haziri, zekeria Cana, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga e shumë e shumë të tjerë por edhe ndërkombëtar e deri në kogresmen amerikan dhe presidentë shtetesh.

E kujtoj me nder edhe Tahir Zemën, një figurë fisnike e përkushtuar për çështjen shqiptare, veçanërisht për lirinë e Kosovës. Takimet me këta njerëz nuk ishin thjesht profesionale – ishin shkollë jete dhe frymëzim.

"Bota sot": Pse thoni që “Bota Sot” nuk ishte vetëm gazetë, por edhe një shkollë kombëtare?

Dashnim Hebibi: Sepse aty nuk mësonim vetëm gazetari. Aty mësoje se si të mbroje të drejtën, si të thuash të vërtetën edhe kur ajo dhemb. Aty nuk kishte vend për frikë. “Bota Sot” ishte për Kombin, Zotin dhe Amerikën – ky ishte qëndrimi ynë. Nuk ishim as neutrale, as të nënshtruar. Ishim me drejtësinë dhe me popullin.

"Bota sot": Kujtoni ndonjë bashkëpunëtor që la gjurmë në punën tuaj?

Dashnim Hebibi: Po, shumë. Veçanërisht PhD Llukman Halili, një mik dhe koleg i shtrenjtë. Pastaj, Teki Dervishin e shumë të tjerë.  PhD. Llukman Halili ishte një model në gazetari dhe një fjalë që nuk thyhej. Ka dhënë shumë për të vërtetën. Kam punuar me të për shumë vite, dhe e ndiej mungesën e tij.

"Bota sot": A e shihni veten sot ende si pjesë të “Bota Sot”?

Dashnim Hebibi: Po. Edhe pse sot nuk jam më në redaksi fizikisht, “Bota Sot” do të mbetet gjithmonë pjesë e imja. Ishte një shkollë e shpirtit, një etapë e jetës sime që nuk harrohet. Kam dhënë gjithçka, pa kërkuar asgjë më shumë përveç së drejtës për të thënë të vërtetën. Jam edhe sot e kësaj dite me shkrime dhe me shpirt.

Çfarë mesazhi keni për të rinjtë shqiptarë që ndoshta nuk e kanë njohur atë kohë?

Dashnim Hebibi: Të mos harrojnë sakrificat që janë bërë për fjalën e lirë. Të kujtojnë se “Bota Sot” nuk u përkul as para atentateve, as para shpifjeve. U qëndroi gjithmonë besnike interesave kombëtare. Brezat e rinj duhet të kuptojnë se fjala është armë e madhe – por duhet përdorur me nder, drejt dhe me shpirt të pastër. Fjala është më e fortë se arma – kur buron nga e vërteta dhe ndërgjegjja.

Faleminderit për këtë këtë intervistë.

Dashnim Hebibi: Faleminderit edhe juve. Le ta ruajmë këtë histori. Sepse ajo është histori e gjakut, e fjalës, dhe e shpresës. Faleminderit për mundësinë që t’i rikthehemi kujtimeve që nuk vdesin. Sepse ato janë histori e një gjenerate që nuk pranoi të heshtë. Urime e po ju përshëndes me përshëndetjen e madhe që e përdorke edhe presidenti historik i Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova: “Zoti ju bekoftë. Zoti e bekoftë kombin tonë, miqtë tanë ndërkombëtarë me në krye SHBA”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat