Nga makina e shkrimit te ekskluzivet ndërkombëtare: Rrugëtimi i Kemajl Gocës në gazetarinë sportive

Intervistë

Nga makina e shkrimit te ekskluzivet ndërkombëtare: Rrugëtimi i Kemajl Gocës në gazetarinë sportive

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 qershor 2025 Në ora: 18:05
Foto ilustrim

Një gazetar i mirëfilltë duhet të ballafaqohet gjithmonë me të vërtetën, pavarësisht presioneve që vijnë nga personat brenda klubeve sportive, kështu thotë Kemajl Goca, gazetar i sportit në gazetën “Bota sot”.

Goca, me rastin e shënimit të 30 vjetorit të gazetës “Bota sot”, ka rrëfyer përvojën e tij si gazetar sportiv, duke treguar se gjatë punës si gazetar, ndonëse është ballafaquar me presione nga persona të ndryshëm, ka raportuar gjithmonë të vërtetën.

“Gjithmonë ta pasqyrosh ashtu siç e sheh ngjarjen, të trajtosh paanshëm e profesionalisht ndonëse mund të jesh cak i presioneve apo kërcënimeve nga ndonjë individ apo klub sportiv, federatë sportive ose institucione tjera sportive. Gazetaria e paanshme është vlerë e shtuar dhe që gjithmonë e ke edhe besueshmërinë e lexuesit. Ka pas shumë raste që e kam pas shokë apo shoqe të ngushtë, por rrethanat që kanë ndodhur në terren, pasqyrimi i të vërtetës, ka  raste që edhe kanë mbajtur inat me mua vetëm pse e kam plasuar të vërtetën. Kjo më bën krenar që nuk iu kam përulur askujt por kam shtjelluar temat ashtu siç ka qenë e vërteta. Ajo që më bën krenar kur shumë qytetarët me thonë: “E di që nuk e do klubin tonë por jeni shumë i drejtë”! Unë bëj gazetari e nuk anoj për asnjë klub, le të fitojë kush është më i miri pavarësisht i cili qytet apo fshat është. Këtë e kam të vërtetuar botërisht”, deklaron Goca.

Goca i takon periudhës kur lajmi është bërë me makinë të shkrimit dhe tashmë vazhdon në periudhën ku lajmet  bëhen me teknologji më të sofistikuar dhe sipas tij, sot është shumë më lehtë të bëhet gazetaria në krahasim me makinën e shkrimit në vitet e 90-ta.

“Ndryshimi është i madh! Një gjë është e qartë, pavarësisht se sot janë rrjetet sociale dhe teknologji e përsosur, gazetaria kërkon përkushtim, verifikim të çdo informacionit, pastaj për të plasuar para opinionit. Sigurisht se sot duhet shpejtësi padyshim edhe saktësi por edhe e ke brenda sekondave në portal për lexuesit. Presioni në gazetari është gjithmonë i pranishëm pavarësisht cilës periudhë i takon. Unë i takoj periudhës kur e kam bërë lajm me makinë të shkrimit e deri të kompjuteri më i sofistikuar në ditët e sotme që është. Sot është shumë lehtë të bësh gazetari në krahasim me makinën e shkrimit në vitet e 90-ta e pak edhe muaj edhe pas lufte”, shprehet gazetari Goca.

Image
Kemajl Goca

Goca si gazetar sporti ka marrë çmime të ndryshme, në intervistë ai flet rreth tyre si dhe rreth momenteve më të veçanta gjatë gjithë karrierës së tij raportimi sportive.

Ai falënderon gazetën “Bota sot” për mundësinë, gjersa jep edhe këshilla për të rinj që synojnë të jenë pjesë e gazetarisë sportive në Kosovë.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Goca jeni ndër gazetarët më të vjetër në gazetën “Bota sot”. Na tregoni pak për rrugëtimin tuaj në këtë gazetë dhe raportimet në fushën e sportit. Çfarë ju tërhoqi në këtë gazetë dhe drejt kësaj fushe të raportimit?

Kemajl Goca: Që nga 1 dhjetori i vitit 2000 jam pjesë e gazetës kombëtares “Bota sot”. Një rrugëtim me krenari për faktin se falë profesionit si gazetar dhe gazetës “Bota sot” kam mësuar shumë gjëra. Raportimet ka pas të shumta në degë të ndryshme sportive, duke nisur nga futbolli, basketboli, hendbolli, volejbolli, boksi etj. Ajo që më ka tërhequr tek gazeta “Bota sot”, qysh me hyrjen në Kosovë në verën e vitit 1999, ka qenë koncepti, guximi dhe profesionalizmi i saj.

“Bota sot”: Keni fituar disa çmime në kuadër të raportimit sportiv. Cila është pika më kulmore e karrierës tuaj?

Kemajl Goca: Kam marrë shumë çmime deri me tash. Dy çmime që do të veçoja janë: Çmimi “Ali Shala” për shkrimin më të mirë sportiv nga Shoqata e Gazetarëve Sportiv e Kosovës për vitin 2021, dhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut fitova Çmimi “Oskari i Artë Olimpik” që jepet nga kampioni olimpik Shaban Tërstena, legjenda e mundjes. Për të gjitha këto të arritura e suksese padyshim i jam mirënjohës e përjetësisht editorit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj.

Sepse falë gazetës kombëtare “Bota sot” dhe punës sime të pandalshme e profesionale, që 25 vite jam pjesë e pandashme e gazetës, sot jam ky që jam, i respektuar e i nderuar kudo nga komuniteti sportivë.

“Bota sot”: Gjatë 25 viteve, sporti në Kosovë ka kaluar përmes zhvillimeve të mëdha – nga pranimi në FIFA e UEFA, deri te paraqitjet në arenën ndërkombëtare. Si e keni përjetuar këtë në rolin e gazetarit?

Kemajl Goca: Padyshim ka qenë emocion. Data që do të mbetet gjithmonë në historinë e futbollit tonë, është 3 maj i vitit 2016 kur në Budapest FFK u pranua me të drejta të plota në UEFA, dhe në Mexico City në FIFA pikërisht me 13 maj të vitit 2016.

Pranim i FFK-së në UEFA e FIFA, ishte një kapitull i ri dhe një rrugëtim tjetër për gazetarinë sidomos edhe për mu sepse gjërat ndryshuan rrënjësisht pasi që dolëm nga lëkura e izolimit ndërkombëtar. Është ndryshe kur raporton për kombëtaren e Kosovës dhe për klubet sportive për sukseset e tyre në garat evropiane.

“Bota sot”: Si ka ndikuar teknologjia dhe rrjetet sociale në stilin dhe ritmin e raportimit sportiv? A ndihmon, apo shpesh krijon presione shtesë?

Kemajl Goca: Ndryshimi është i madh! Një gjë është e qartë, pavarësisht se sot janë rrjetet sociale dhe teknologji e përsosur, gazetaria kërkon përkushtim, verifikim të çdo informacionit, pastaj për të plasuar para opinionit. Sigurisht se sot duhet shpejtësi padyshim edhe saktësi por edhe e ke brenda sekondave në portal për lexuesit. Presioni në gazetari është gjithmonë i pranishëm pavarësisht cilës periudhë i takon. Unë i takoj periudhës kur e kam bërë lajm me makinë të shkrimit e deri të kompjuteri më i sofistikuar në ditët e sotme që është. Sot është shumë lehtë të bësh gazetari në krahasim me makinën e shkrimit në vitet e 90-ta e pak edhe muaj edhe pas lufte.  

“Bota sot”: Mediat janë në sfidë mos animi. Si e keni ruajtur profesionalizmin dhe balancën në raportime, apo në sport edhe mund të lejohet animi shkaku i simpatizimit të ndonjë klubi a reprezentacioni?

Kemajl Goca: Pyetje shumë me vend. Një gazetar i mirëfilltë duhet që të ballafaqohet gjithmonë me të vërtetën pavarësisht presioneve që vijnë nga personat brenda klubeve sportive. Gjithmonë ta pasqyrosh ashtu siç e sheh ngjarjen, të trajtosh paanshëm e profesionalisht ndonëse mund të jesh cak i presioneve apo kërcënimeve nga ndonjë individ apo klub sportiv, federatë sportive ose institucione tjera sportive. Gazetaria e paanshme është vlerë e shtuar dhe që gjithmonë e ke edhe besueshmërinë e lexuesit. Ka pas shumë raste që e kam pas shokë apo shoqe të ngushtë, por rrethanat që kanë ndodhur në terren, pasqyrimi i të vërtetës, ka  raste që edhe kanë mbajtur inat me mua vetëm pse e kam plasuar të vërtetën. Kjo më bën krenar që nuk iu kam përulur askujt por kam shtjelluar temat ashtu siç ka qenë e vërteta. Ajo që më bën krenarë kur shumë qytetarët me thojnë: E di që nuk e do klubin tonë por jeni shumë i drejtë! Unë bëj gazetari e nuk anoj për asnjë klub, le të fitojë kush është më i miri pavarësisht i cili qytet apo fshat është. Këtë e kam të vërtetuar botërisht. 

“Bota sot”: Çfarë sfidash ka gazetaria sportive në Kosovë sot, krahasuar me vitet e kaluara? A ka mbështetje të mjaftueshme për gazetarët sportivë?

Kemajl Goca: Gazetaria sportive është sfidë. Mbështetja është ndaj gazetarëve sportivë. Vetëm gazetarisë sportive i duhet të jenë më kërkues dhe më kritikë ndaj dukurive të këqija në çdo degë sportive. Të ketë guximin disa gazetarë sportivë e të shmangen nga animi por të plasojnë vetëm të vërtetën.

“Bota sot”: Keni raportuar nga shumë ngjarje sportive, lokale e ndërkombëtare. A ka ndonjë që do të mbetet gjatë në kujtesën tuaj?

Kemajl Goca: Pesë gjëra që nuk do t’i harrojë kurrë si gazetar sportiv.

E para, është 14 tetori i vitit 2014 kur kombëtarja e Shqipërisë me djem tanë, trima të mëdhenj e mbrojtën Flamurin e Shqipërisë Etnike në Beograd. Kapiteni Lorik Cana me shokë luftuan si heronj përballë bandave serbe me maska që u futën në fushë, ndeshje që ishte  ndërprërë në minutën e 41-të në duel me Serbinë.

E dyta, Majlinda Kelmendi doli kampione e Evropës në Kazan të Rusisë dhe aty ndodhi mrekullia tjetër. I pari e publikova lajmin që shumëkush nuk e besonte një gjë: Rusia nderon himnin dhe Flamurin e Kosovës. Kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, ma dërgoi videon e bukur, garda ruse duke nderuar dhe qëndruar gatitu para himnit dhe Flamurit të Kosovës.  Kjo video ishte eskluzive. Për shumëkënd e pabesueshme po, kjo video e mori dheun dhe u bë senzacion.

E treta, viti që nuk harrohet kurrë është viti 2016, xhudistja Majlinda Kelmendi u bë kampione olimpike. Medalja e parë e artë dhe e para në histori për shtetin më të ri në botë, Kosovën.

E katërta, më 22 qershor të vitit 2018, Zvicra e mposhti në Kaliningad me rezultat 2:1 Serbinë duke iu falënderuar golave të Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit. Jo vetëm që e mundi por edhe e eliminoi nga Kampionati Botëror. Këta djem festuan golat me shqiponjën dykrenare në fushë para Serbisë dhe në mes të Rusisë pra në Kalinigrad. 

“Bota sot”: Si është bashkëpunimi me sportistët dhe federatat? Ka ndonjë histori që mund të ndani me lexuesit tanë, e cila nuk është publikuar më parë?

Kemajl Goca: Bashkëpunimi me federata është korrekt por ka raste kur edhe kemi tensione e përplasje për shkak që disa prej tyre nuk durojnë të shkruhet e vërteta. Me sportistë si gjithmonë bashkëpunimi shembullorë. Do të veçoja një që nuk e kam publikuar kurrë, ka pas edhe të atillë që më kanë pyetur: “Pse po shkruan kundër Dragan Xhajiqit (ish futbollist serb)? Çfarë ke me të, ai është emër i madh! Ai është sportist, mos e përziejë sportin me politikë se të kushton në të ardhmen”! Me kalimin e kohës, të tillët që kishin nostalgji për të, fatmirësisht janë pak, e kuptuan se kush është fytyra e Xhajiqit sidomos kur ia dorëzoj fanellën me numër 1 kriminelit të luftës Kapetan Draganit në verën e vitit 2020.

“Bota sot”: Sa të rëndësishëm i shihni mediat sportive në edukimin e publikut dhe në rritjen e kulturës sportive në shoqëri?

Kemajl Goca: Janë shumë të rëndësishme. Shumë gazetarë të sportit me guximin dhe të vërtetën që paraqesin në sipërfaqe, luftojnë shumë dukuritë të këqija që janë në shoqërinë tonë sportive. Gazetaria sportive ka rol të madh në edukimin sportiv dhe po jep rezultate vit pas viti, duke kritikuar edhe gjëra të këqija që shfaqen në stadiume apo në palestra nga disa shikues. Paraqitja me video e foto, vit pas viti e ka minimizuar edhe dhunën në stadiume dhe palestra sportive fatkeqësisht kemi ende raste të dhunës dhe sjjelljeve të pahijshme në disa stadiume e palestra sportive.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për të ardhmen e gazetarisë sportive në Kosovë? A ka të rinj me potencial që po vijnë pas?

Kemajl Goca: Viteve të fundit nuk kemi shumë gazetarë të rinj potencialë por janë disa prej tyre që premtojnë shumë. Gazetarët e rinj sportivë, në radhët të parë, kur raportojnë të vërtetën të jenë të vendosur e të palëkundur pavëarësisht kërcënimeve apo presioneve që vijnë nga individët e klubet e caktuara sportive .

“Bota sot”:  Në fund, cili është mesazhi juaj për lexuesit e "Bota Sot", veçanërisht për ata që duan të ndjekin rrugën e gazetarisë sportive?

Kemajl Goca: Lexuesi është i shenjtë dhe njohësi më i mirë i çdo sfere. Ata që duan të ndjekin rrugën e gazetarisë sportive, duhet të jenë gjithmonë të paanshëm dhe profesional.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat