Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, për situatën e krijuar në vend për moskonstituim të Kuvendit si dhe situatën në shëndetësi, ka folur Shemsedin Dreshaj nga AAK.
Dreshaj ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të fundit, duke e cilësuar këtë situatë si të papërgjegjshme dhe me pasoja të rënda për vendin.
Ai ka theksuar se përgjegjësia për zhbllokimin bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, dhe ka paralajmëruar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja më 12 tetor, të cilat sipas tij, nuk do të sjellin ndryshim të madh në përfaqësim.
Dreshaj ka nënvizuar se AAK, si një nga partitë shtetformuese, ka treguar përgjegjësi më shumë se përfaqësimi që ka në Kuvend, ndërsa ka hedhur poshtë zërat për ndonjë afrim të saj me VV-në, duke i cilësuar deklarimet e fundit si shprehje shqetësimi për gjendjen e rëndë politike.
Një vëmendje të veçantë Dreshaj i ka kushtuar sektorit të shëndetësisë, të cilin e ka përshkruar si në kaos total – me mungesë kushtesh bazike, mungesë sigurimesh shëndetësore dhe ndikim politik që sipas tij, po e pengon zhvillimin e sistemit.
Ai ka bërë thirrje për depolitizimin e plotë të këtij sektori dhe për kthimin e tij në duart e profesionistëve, duke e cilësuar investimin në shëndetësi si domosdoshmëri urgjente për të ardhmen e vendit.
Intervista e plotë:
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit nga deputetët? A mendoni se është momenti të tejkalohen interesat partiake dhe të ecet përpara në funksionalizimin e institucioneve?
Shemsedin Dreshaj: Bllokimi i konstituimit të strukturave të Kuvendit është i papranueshëm, një papërgjegjësi e të përzgjedhurve të popullit. Nga kjo përgjegjësi nuk përjashtohet askush, e në veçanti partia fituese e zgjedhjeve të fundit, VV. Zgjedhja është në duart e partisë shumicë; VV duhet të bëjë hapin e parë drejt zhbllokimit të vendit. Kjo është përgjegjësi para popullit dhe elektoratit.
Gazeta “Bota sot”: AAK është shprehur e gatshme për kompromise në funksion të interesit shtetëror. Së fundmi, deputeti Berisha ka deklaruar se do të mbështesë kandidaturën e znj. Haxhiu për kryetare të Kuvendit. A nënkupton kjo një afrim të AAK-së me Lëvizjen Vetëvendosje në këtë fazë?
Shemsedin Dreshaj: AAK është njëra nga tri partitë shtetformuese, bashkë me LDK-në dhe PDK-në. Në momente kyçe për vendin, AAK e ka dëshmuar veten në këtë drejtim. Madje, shpesh ka marrë shumë më tepër përgjegjësi sesa vota që ka marrë dhe përfaqësimi i saj në Kuvend. Prononcimet e fundit të përfaqësuesve të AAK-së nuk duhet parë si përafrim me VV-në, por si shprehje brenge për situatën në të cilën ka rrëshqitur vendi, për shkak të kësaj fryme ofenduese nga partia shumicë, VV.
Gazeta “Bota sot”: Në rrethanat aktuale politike, po përmendet gjithnjë e më shumë mundësia e zgjedhjeve të parakohshme. Si e shihni një zhvillim të tillë dhe a është, sipas jush, vendi i përgatitur për t’u përballur me zgjedhje të reja?
Shemsedin Dreshaj: Lidhur me zgjedhjet e reja, unë jam prononcuar edhe më parë. Përsëris se Albin Kurti synon të udhëheqë fushatën zgjedhore si Kryeministër në detyrë. Prandaj, pres që më 12 tetor të kemi zgjedhje të përbashkëta – lokale dhe qendrore. Rezultati final nuk do të ndryshojë shumë nga përfaqësimi aktual i partive në Kuvend.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë, sipas jush, skenarët më të mundshëm për vendin nëse nuk arrihet konstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese?
Shemsedin Dreshaj: Presidentja duhet të jetë më aktive dhe vendimmarrëse, e jo si deri tani. E njëjta gjë vlen edhe për Gjykatën Kushtetuese. Vendi duhet të jetë prioritet, para interesave individuale. Mendoj që veprimet dhe vendimet e këtyre dy institucioneve vendimmarrëse duhet të jenë të qarta, të prerë dhe detyruese – jo ajo që po ndodh aktualisht.
Gazeta “Bota sot”: Duke kaluar tek fusha e shëndetësisë, si e vlerësoni gjendjen aktuale të sistemit shëndetësor në Kosovë? Cilat do t’i konsideronit ndërhyrjet më urgjente që kërkojnë zgjidhje institucionale?
Shemsedin Dreshaj: Shëndetësia është në kaos organizativ. Shërbimet shëndetësore janë të pjesshme dhe të pamjaftueshme. Që të kemi shëndetësi si duhet, të emëruarit në poste udhëheqëse duhet të kenë përgjegjësi menaxheriale. Pa sigurime shëndetësore nuk ka shëndetësi cilësore. Kosova nuk ka as sot një sistem të mirëfilltë sigurimesh shëndetësore. Sigurimet janë parakusht për një shëndetësi të mirëfilltë – e deri sot as kushtet bazë për këtë nuk janë përmbushur. Politika jashtë shëndetësisë dhe arsimit! Këto fusha duhet të udhëhiqen nga ekspertë, jo nga militantë partiakë.
Gazeta “Bota sot”: Si qëndron kapaciteti i Klinikës Infektive për të përballuar krizat e shëndetit publik, si pandemia COVID-19? Cilat janë boshllëqet kryesore në infrastrukturë dhe personel që duhet adresuar?
Shemsedin Dreshaj: Klinika infektive posedon kapacitete humane dhe hapësinore për t’u përballur me çdo sfidë. Ky staf duhet të mbështetet materialisht, moralisht dhe me fuqi punëtore të trajnuar profesionalisht – jo me individë të patrajnuar. Institucionet shëndetësore duhet të menaxhohen nga profesionistë, dhe kërkesat e rekomandimet e tyre nga politika duhet të merren me seriozitet. Nga kjo situatë mund të dalim vetëm duke ia lënë shëndetësinë në duar të ekspertëve dhe duke i mbështetur politikisht.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballen mjekët dhe infermierët në sistemin publik shëndetësor? Dhe a mendoni se ka mbështetje të mjaftueshme politike dhe institucionale për këtë kategori profesionistësh?
Shemsedin Dreshaj: Deri më sot, shëndetësia asnjëherë nuk ka qenë prioritet qeverisës. Sot, sektori shëndetësor dhe personeli përballen me mungesa të shumta: paga të ulëta, mungesë të ujit të ngrohtë, higjienë personale jo të përshtatshme, dhe mungesa të shumta nga lista esenciale e barnave. Politika duhet të investojë sot, që nesër të kemi një shëndetësi cilësore. Hapi i parë dhe më i rëndësishëm për një sistem shëndetësor cilësor janë sigurimet shëndetësore. Këtë mund ta bëjë vetëm një politikë afatgjate e udhëhequr nga ekspertë të fushës – ku shëndetësia është prioritet dhe jo pamflet politik.