Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arbër Ismajli ka shpalosur vizionin e tij për qeverisjen e ardhshme të Gjilanit, duke theksuar se qytetarët do të jenë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe se prioritet do të jenë rikthimi i investimeve, zhvillimi ekonomik, si dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve bazike.
Ai kritikon ashpër pushtetin aktual, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe keqmenaxhim, ndërsa premton një qeverisje moderne, të hapur dhe të bazuar në meritokraci.
“Jam i bindur që qytetarët janë të zhgënjyer nga qeverisja aktuale dhe të gatshëm për ndryshim. Qytetarët tanë janë të etur për ndryshim dhe rikthim të qeverisjes së përgjegjshme. Unë ndiej një mbështetje të madhe në terren, sepse njerëzit e dinë se LDK ka qenë dhe mbetet garancia më e madhe e zhvillimit dhe stabilitetit në Gjilan. Jam i bindur se me punë dhe vizion, do ta fitojmë bashkë me qytetarët këtë garë”, ka thënë mes tjerash Ismajli për “Bota sot”.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Z. Ismajli, ju tashmë jeni bartës i listës së LDK-së dhe kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit, a mund të na thoni se si po shkojnë përgatitjet për fushatën zgjedhore?
Arbër Ismajli: Përgatitjet po zhvillohen me intensitet dhe energji të lartë. Ne kemi një ekip të përkushtuar profesionistësh e aktivistësh, të cilët po punojnë çdo ditë për të komunikuar vizionin tonë tek qytetarët. Ne fushatën po e shohim si një mundësi për të dëgjuar njerëzit dhe për t’u ofruar zgjidhje konkrete. LDK-ja në Gjilan ka një traditë të fuqishme dhe një lidhje të ngushtë me qytetarët, prandaj edhe përgatitjet tona janë të bazuara në besimin e ndërsjellë. Për çdo ditë kemi takime me qytetarë dhe grupe të interesit nëpër çdo kënd të Komunës së Gjilanit sepse jemi të interesuar që bashkë me qytetarë ta hartojmë edhe planin qeverisës për katër vitet e ardhshme sepse mendojmë që vetëm qytetarët në ato pjesë ku jetojnë i dinë më së miri problemet dhe hallet e tyre, dhe natyrisht, ne jemi ata të cilët po i hartojmë dhe gjenerojmë këto kërkesa.
Gazeta “Bota sot”: Çka i ofron kësaj radhe LDK-ja qytetarëve të Gjilanit?
Arbër Ismajli: Ne si LDK do të ofrojmë një qeverisje moderne, transparente dhe të bazuar në rezultate konkrete dhe meritokraci. Jemi zotuar që do të ofrojmë plane të matshme në ekonomi, infrastrukturë, arsim, bujqësi, shëndetësi dhe teknologji, duke e vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimi. Kemi prioritet rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet komunale dhe krijimin e një administrate që punon për të gjithë, jo vetëm për një rreth të ngushtë, sepse, përgjatë këtij mandati nuk kemi parë asnjë transparencë nga pushteti aktual, por, vetëm nepotizëm në punësime, nepotizëm në grande, e keqpërdorime të jashtëzakonshme në avancimin e projekteve kapitale të cilat ua kemi lënë në tavolinë.
Gazeta “Bota sot”: Cilat janë tri prioritetet tuaja të para nëse zgjidheni kryetar?
Arbër Ismajli: Ka shumë punë që po na presin dhe më besoni që ka shumë prioritete me të cilat duhet fillojmë menjëherë, por, tri nga këto do të jenë:
Rikthimi i investimeve publike dhe përfundimi i projekteve të ngecura që kanë bllokuar zhvillimin e qytetit dhe fshatrave. Nxitja e ekonomisë lokale përmes mbështetjes së bizneseve, bujqësisë dhe krijimit të kushteve për investitorët e huaj dhe vendorë dhe përmirësimi i infrastrukturës bazë si ujësjellësi, rrugët e shkatërruara dhe ndriçimi publik në çdo lagje e fshat.
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni qeverisjen e deritashme të komunës së Gjilanit?
Arbër Ismajli: Fatkeqësisht, qeverisja aktuale ka qenë shumë e dobët, e ngadalshme dhe e fokusuar më shumë në marketing politik sesa në rezultate konkrete. Projekte të premtuara nuk janë realizuar, shërbimet publike janë dobësuar dukshëm dhe qytetarët ndihen të zhgënjyer. Gjilani ka humbur kohë të çmuar.
Gazeta “Bota sot”: Cilat mendoni janë gabimet e udhëheqjes aktuale që ju do t’i korrigjonit menjëherë pas marrjes së detyrës?
Arbër Ismajli: Mungesa e planifikimit strategjik, keqmenaxhimi i buxhetit dhe vonesat e pajustifikuara në realizimin e projekteve. Unë, bashkë me ekipin time profesionale do të krijoj një plan afatshkurtër veprimi për 100 ditët e para të mandatit, për të nisur menjëherë zgjidhjen e çështjeve më urgjente.
Gazeta “Bota sot”: Si planifikoni të tërhiqni investitorë në Gjilan?
Arbër Ismajli: Duke ofruar lehtësime administrative, zonë të veçantë industriale me infrastrukturë të gatshme, partneritete publiko-private dhe një proces transparent të dhënies së lejeve. Për investitorin, siguria ligjore dhe shpejtësia e procedurave janë vendimtare.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë masash konkrete do të merrni për të ulur papunësinë, sidomos tek të rinjtë?
Arbër Ismajli: Krijimi i një programi të posaçëm për punësimin e të rinjve përmes bashkëpunimit me sektorin privat, funksionalizimin e Zonës Ekonomike, subvencionimin e bizneseve që punësojnë të rinj dhe hapjen e qendrave të trajnimit profesional që përgatisin fuqinë punëtore sipas kërkesave të tregut.
Gazeta “Bota sot”: A do të ketë lehtësime tatimore për bizneset vendore dhe si do të menaxhohet kjo?
Arbër Ismajli: Po, do të aplikojmë lehtësime tatimore për bizneset e reja dhe ato që zgjerohen, me kusht që të rrisin numrin e punëtorëve. Këto lehtësime do të jenë të matshme dhe të kontrolluara, në mënyrë që të mos dëmtohet buxheti i komunës, por në tjetrën anë, të nxitet zhvillimi ekonomik.
Gazeta “Bota sot”: Shumë lagje të Gjilanit ballafaqohen me mungesë të ujit, a keni paraparë ndonjë zgjidhje?
Arbër Ismajli: Po, prioriteti dhe premtimi im kryesor do të jetë investimi në zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të ujësjellësit, duke bashkëpunuar me kompaninë rajonale dhe qeverinë qendrore dhe për këtë do t’i garantojë bashkëqytetarët e mi që në asnjë pjesë të territorit të Komunës së Gjilanit nuk do të mbesin më pa ujë të pijshëm. Gjilani nuk mund të ecë përpara pa zgjidhur këtë çështje elementare dhe jetike.
Gazeta “Bota sot”: Po për infrastrukturën rrugore? -
Arbër Ismajli: Shumë rrugë në qytet, janë në gjendje të mjerueshme. Hyrje- daljet e Gjilanit të cilat kanë filluar në kohën tonë e të cilat janë bllokuar në mandatin e kësaj qeverisje, do të jenë prioritet i ynë dhe do t’i trajtojmë e t’i mbyllim si projekte jetike për bashkëqytetarët. Ne kemi një plan për riparimin dhe asfaltimin e të gjitha rrugëve, si dhe për ndërtimin e trotuareve dhe korsive të biçikletave në qytet. Çdo projekt do të ketë afate të qarta dhe mbikëqyrje të rreptë.
Gazeta “Bota sot”: Si do të siguroheni që projektet të mos mbesin vetëm në letër?
Arbër Ismajli: Çdo projekt do të ketë buxhet të siguruar përpara fillimit, afate të detyrueshme dhe raportim publik mbi ecurinë. Do të krijojmë një platformë online ku qytetarët mund të shohin statusin e çdo projekti në kohë reale, projektin si do të zhvillohet, koston e tij e gjithçka tjetër. Operatorët Ekonomik do t’i kontraktojmë që përveç ditës, të punojnë edhe përgjatë natës në mënyrë që punët e nisura të finalizohen në mënyrë rekorde, e në ato pjesë ku trafiku është i dendur, do të punojmë vetëm natën në mënyrë që mos ta shtojmë kaosin e trafikut edhe më shumë.
Gazeta “Bota sot”: Çfarë do të bëni ndryshe nga paraardhësit tuaj për të parandaluar keqpërdorimet?
Arbër Ismajli: Do të krijoj një sistem të hapur dhe transparent të prokurimit publik, me publikim të plotë të të gjitha kontratave dhe vlerësimeve. Përzgjedhja e kompanive do të bazohet vetëm në kriteret ligjore dhe profesionale, dhe jo në lidhjet politike. Qytetarët do t’i informojmë në detaje për çdo projekt, për mënyrën e përzgjedhjes, për koston, për natyrën e punës, afatet ligjore e gjithçka tjetër.
Gazeta “Bota sot”: Si do të investoni në shkollat e Gjilanit?
Arbër Ismajli: A e dini ju që sot kemi ardhë në gjendje ku shkollat e Gjilanit nuk kanë kontratë për renovime, nuk kanë kontrata për ngjyra të fotokopjeve, nuk kanë kontrata për furnizim për mjete bazike elementare të funksionimit të mësimdhënies siç janë furnizimi për paisje sportive, furnizim për zyre siç janë librat amë, shkumësa shkollorë, shpuza për tabelë e shumë gjëra bazike për të cilat asnjëherë në historinë e pasluftës nuk ka ndodhë. Kjo është e tmerrshme. Duhet njëherë e përgjithmonë të ndrrohet ky mentalitet qeverisës. Nuk guxojmë shkollat publike t’i sjellim në këtë gjendje. Ne do të përkujdesemi fuqishëm ta ngrisim imazhin dhe kulturën e qeverisjes për shkollat tona, sepse, mësimdhënia cilësore bazohet në krijimin e kushteve për mësimnxënie, e jo ta sjellim vetën në këtë gjendje. Gjithashtu, do të fokusohemi të bëjmë modernizimin e infrastrukturës shkollore, pajisjen me teknologji bashkëkohore dhe trajnimin e mësimdhënësve. Shkolla do të bëhet vend i sigurt, i pastër dhe i motivueshëm dhe me të gjitha kushtet e nevojshme për nxënësit dhe mësuesit tanë.
Gazeta “Bota sot”: Gjilani deri në balotazhin e vitit 2021 ishte bastion i LDK-së. Si është disponimi aktual i qytetarëve?
Arbër Ismajli: Jam i bindur që qytetarët janë të zhgënjyer nga qeverisja aktuale dhe të gatshëm për ndryshim. Qytetarët tanë janë të etur për ndryshim dhe rikthim të qeverisjes së përgjegjshme. Unë ndiej një mbështetje të madhe në terren, sepse njerëzit e dinë se LDK ka qenë dhe mbetet garancia më e madhe e zhvillimit dhe stabilitetit në Gjilan. Jam i bindur se me punë dhe vizion, do ta fitojmë bashkë me qytetarët këtë garë.