Në një intervistë për “Bota sot”, për sigurinë në Kosov, ka folur ish-hetuesi, Agim Rexhepi.
Ai thotë se siguria në veri të Kosovës është stabile, por që rreziku ekziston atje.
Rexhepi deklaron se diplomacia e Kosovës në vitet e fundit ka marrë një ritëm të ri dhe një peshë më të madhe në arenën ndërkombëtare.
Sipaj tij, me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, vendi ka rikthyer zërin e vet në tryezat ku marrën formë vendimet më të rëndësishme.
Kurse, sa i përket zgjedhjeve lokale dhe punës në terren, Rexhepi thotë se në terren ndihet një frymë ndryshimi për Mitrovicën.
Ai shton, se Peci ka gjasat reale për të fituar në Mitrovicë.
Derisa, për vizitat e liderëve të Kosovës në SHBA, ai i ka parë shumë të rëndësishme duke shtuar se edhe mesazhi është i qartë: “Kosova po konsolidohet si një shtet demokratik, stabil dhe i besueshëm për aleatët e saj”.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë në Kosovë, dhe veçanërisht në veri?
Agim Rexhepi: Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile falë angazhimit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe vendosmërisë së qeverisë Kurti për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Në veri situata shpesh sfidohet nga strukturat ilegale të Serbisë, por për herë të parë pas shumë vitesh, këto struktura janë goditur seriozisht dhe nuk kanë më hapësirë të lirë veprimi.
“Bota sot”: Sa e rrezikshme është situata për qytetarët e zonave të prekura nga kërcënimet serbe?
Agim Rexhepi: Rreziku ekziston, por shteti i Kosovës ka treguar se nuk lë asnjë qytetar në mëshirë të askujt. Policia, Forca e Sigurisë dhe institucionet qëndrojnë në shërbim të qytetarëve. Sot, qytetarët ndihen më të sigurt sepse qeveria Kurti nuk bën pazare me krimin dhe as me bandat e lidhura me Beogradin.
“Bota sot”: Si e shihni rolin e diplomacisë dhe mekanizmave ndërkombëtarë në uljen e tensioneve me Serbinë?
Agim Rexhepi: Diplomacia e Kosovës është forcuar jashtëzakonisht në këto vite. Me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, Kosova ka rikthyer zërin e vet në arenën ndërkombëtare. Mekanizmat ndërkombëtarë janë të rëndësishëm, por vendosmëria e institucioneve tona është çelësi. Pa një Kosovë të fortë brenda, nuk mund të kemi respekt të jashtëm.
“Bota sot”: Ju jeni kandidat për asamble në Mitrovicë. Si po ecën fushata dhe si e vlerësoni gjendjen në terren
Agim Rexhepi: Fushata po ecën shumë mirë, sepse qytetarët e Mitrovicës po shohin përkushtimin e qeverisë Kurti dhe ekipit tonë. Në terren ndihet një frymë ndryshimi, një besim se Mitrovica më në fund do të ketë qeverisje transparente, zhvillim ekonomik dhe investime në infrastrukturë e mirëqenie.
“Bota sot”: Cilat janë gjasat që Faton Peci të fitojë Mitrovicën, sipas jush?
Agim Rexhepi: Jam i bindur që Faton Peci ka gjasa reale dhe të mëdha për të fituar. Ai është një kandidat i pastër, i vendosur dhe me përvojë të jashtëzakonshme në qeverisje. Mitrovica ka nevojë për një njeri të tillë, dhe qytetarët e kanë kuptuar këtë, ai e ka dëshmuar veten si Ministër tash Mitrovica ka fatin te ket një kryetar te tillë
“Bota sot”: Si i keni parë vizitat dhe takimet e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti në SHBA? Sa janë të rëndësishme dhe çfarë mesazhi përçojnë?
Agim Rexhepi: Vizitat kanë qenë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Ato tregojnë që Kosova nuk është më një vend i anashkaluar, por një partner i respektuar. Mesazhi është i qartë: Kosova po konsolidohet si një shtet demokratik, stabil dhe i besueshëm për aleatët e saj.
“Bota sot”: Kanë kaluar dy vjet nga sulmi në Banjskë. Si e vlerësoni atë ngjarje dhe çfarë mësimesh duhet të nxjerrë Kosova për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen?
Agim Rexhepi: Sulmi në Banjskë ishte dëshmi e qartë e agresionit të Serbisë ndaj Kosovës. Por ishte edhe dëshmi e forcës sonë – policia e Kosovës tregoi profesionalizëm dhe mbrojti territorin e vendit. Mësimi është i qartë: vetëm duke qenë të bashkuar dhe të vendosur, do të ndalim çdo përpjekje të Serbisë për destabilizim.
“Bota sot”: Kandidati për kryetar të Zubin Potokut, Peroviq, dyshohet se ka qenë pjesë e grupit terrorist të Millan Radojçiqit. Si duhet të veprojnë institucionet e Kosovës në këtë rast?
Agim Rexhepi: Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me zero tolerancë. Nuk mund të lejohet që persona me të kaluar kriminale e terroriste të marrin pjesë në jetën politike. Demokracia dhe terrorizmi nuk shkojnë bashkë. Ky është një test për Serbinë, por mbi të gjitha për vetë qytetarët serbë të Kosovës që duan jetë normale dhe jo udhëheqës të lidhur me krimin.