Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, foli mbi realitetin politik dhe shoqëror të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ai ngre shqetësime serioze për diskriminimin sistematik, fragmentimin e spektrit politik shqiptar dhe pasojat e rënda të papunësisë, veçanërisht tek të rinjtë.
Mustafi flet hapur edhe për mungesën e zbatimit të të drejtave gjuhësore dhe përfaqësimit institucional, si dhe për glorifikimin e figurave kriminale, që sipas tij janë provokime të qëllimshme ndaj komunitetit shqiptar. Në këtë klimë, ai thekson se “sa herë Serbia kalon krizë politike, komunitetet shqiptare e ndjejnë të parët peshën e tensionit”, duke nënvizuar pasiguritë e vazhdueshme që e rëndojnë jetën e përditshme në Luginë.
Në këtë intervistë, Mustafi bën thirrje për një angazhim më të vendosur të bashkësisë ndërkombëtare dhe kërkon nga Bashkimi Evropian që t’i kushtëzojë më fuqishëm proceset integruese të Serbisë me respektimin real të të drejtave të pakicave. Sipas tij, vetëm përmes presionit ndërkombëtar dhe vullnetit politik mund të ndryshohet rrënjësisht situata në këtë rajon të lënë prej kohësh në margjinë.
Intervista e plotë:
Gazeta “Bota sot”: Si e vlerësoni aktualisht situatën politike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë? A ka stabilitet apo ndarje të thella mes spektrit politik shqiptar?
Ragmi Mustafi: Situata politike në Luginë është e karakterizuar nga një stabilitet i brishtë dhe një fragmentim i thellë i spektrit politik shqiptar. Fatkeqësisht, rivalitetet mes partive tona shpesh nuk kanë të bëjnë me programe e ide, por me interesa të ngushta elektorale dhe pozita afatshkurtra. Kjo gjendje ua lehtëson institucionit qendror në Beograd që të menaxhojë Luginën sipas logjikës së kontrollit, jo të zhvillimit. Në vend të një agjende të përbashkët për të drejtat e shqiptarëve, shpesh shohim pazare politike që e lënë komunitetin tonë peng të interesave ditore e madje të "qytetarëve lojal" siç kërkonin.
Gazeta “Bota sot”: A ka përparime konkrete në drejtim të decentralizimit, përdorimit të gjuhës shqipe, apo përfaqësimit institucional të shqiptarëve në administratën publike?
Ragmi Mustafi: Jo në fakt ka centralizim e madje përmes centralizimit e ka rritur shtypjen e diskriminimin ndaj Luginës. Madje edhe atje ku janë ligjet pozitive janë kryesisht në letër. Shembull Ligji njeh shqipen si gjuhë zyrtare dhe garanton përfaqësim, por realiteti është ndryshe. Edhe sot, procedurat gjyqësore dhe administrative zhvillohen vetëm në serbisht. Ka një hendek të madh mes asaj që thotë ligji dhe asaj që ndodh në praktikë. Pa presion dhe mbikëqyrje nga partnerët ndërkombëtarë, kjo gjendje nuk do të ndryshojë. Ne nuk kemi nevojë për ligje të reja, por për zbatim rigoroz të atyre marrëveshjeve mes përfaqësuesve politikë e institucional të shqiptarëve dhe Beogradit zyrtar.
Gazeta “Bota sot”: Sa shqetësuese është për ju numri i lartë i papunësisë mes shqiptarëve në Luginë? Çfarë masash kërkoni që të ndërmerren nga institucionet lokale, ato serbe dhe nga bashkësia ndërkombëtare për të përmirësuar gjendjen ekonomike?
Ragmi Mustafi: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja mbeten ndër komunat me papunësinë, stagnimin dhe varfërinë më të madhe në Serbi. Papunësia është plagë kronike për shqiptarët e Luginës që arrin deri në 70% tek të rinjtë. Nuk është thjesht problem ekonomik, por social dhe politik, sepse e dëmton të ardhmen e rinisë dhe e shtyn migrimin. Masat duhet të jenë të koordinuara: komunat të investojnë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; Beogradi të garantojë kuota të punësimit proporcional në sektorin publik dhe zbatimin e Planit Aksional për Integrimin e Shqiptarëve në Institucionet Publike 2023-2026, ndërsa bashkësia ndërkombëtare të kushtëzojë ndihmën dhe investimet me punësim të matshëm të shqiptarëve dhe me zhvillim real në rajon. Pa një qasje të tillë, çdo premtim do të mbetet bosh.
Gazeta “Bota sot”: Një grafit me emrin “Ratko Mladić” së bashku me simbole nacionaliste u shfaq në qendër të Bujanocit. Sipas jush, cili është qëllimi pas këtyre shfaqjeve? A mendoni se bëhet fjalë për provokim të qëllimshëm apo manipulim politik?
Ragmi Mustafi: Nuk kemi të bëjmë me art urban, por me një mesazh të qëllimshëm politik. Grafitet e tilla janë provokime të menduara mirë për të normalizuar glorifikimin e krimeve dhe për të testuar sa të ndjeshëm jemi ne dhe sa të përgjegjshme janë institucionet. Kjo është strategji presioni, jo akt spontan.
Gazeta “Bota sot”: Si ndikojnë këto grafite tek komuniteti shqiptar — në aspektin psikologjik, në ndjenjën e sigurisë dhe në marrëdhëniet ndëretnike?
Mustafi: Këto shfaqje e rikthejnë traumën kolektive të shqiptarëve. Tek njerëzit krijojnë ankth, pasiguri dhe një ndjesi të fortë se ligji nuk vlen njësoj për të gjithë. Përveç kësaj, i dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike, sepse ushqejnë mosbesimin dhe polarizimin. Reagimi duhet të jetë i menjëhershëm dhe institucional: grafitet të hiqen, autorët të gjykohen dhe udhëheqësit lokalë, shqiptarë e serbë, të dalin me mesazhe të përbashkëta kundër glorifikimit të krimit. Por kjo është tashmë e pamundshme deri sa SNS-i i Vuçiqit është në pushtet në komunën e Bujanocit.
Gazeta “Bota sot”: Si e komentoni paralajmërimin për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi? Si pritet kjo nga shqiptarët e Luginës së Preshevës?
Ragmi Mustafi:Çdo diskutim për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak e ringjall frikën e viteve ’90, kur shqiptarët përjetuan diskriminim dhe humbje tragjike në radhët e APJ-së. Shqiptarët e Luginës e shohin me shqetësim të madh këtë ide. Është pa pranueshme, pavarësisht, kjo do të perceptohet si një mekanizëm i ri presioni ndaj shqiptarëve.
Gazeta “Bota sot”: Sa të sigurta ndihen komunat shqiptare në Luginë gjatë periudhave të trazirave politike në Serbi? A ka shqetësime për destabilizim ose tensione ndëretnike?
Ragmi Mustafi: Sa herë Serbia kalon krizë politike, komunitetet shqiptare e ndjejnë të parët peshën e tensionit. Ka pasiguri të shtuar, ka rritje të provokimeve dhe një lloj paralize institucionale. Për këtë arsye, siguria jonë duhet të mbështetet në tri shtylla: polici që vepron preventivisht dhe jo provokueshëm e cila per ditë e më shumë serbizohet; komunikim i përditshëm mes komunave dhe institucioneve përkatëse; dhe një prani aktive e OSBE-së e faktorit ndërkombëtar për menaxhimin e rrezikut. Pa këto mekanizma, frika e destabilizimit mbetet reale.
Gazeta “Bota sot”: A janë protestat në Serbi sinjal për Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare që vendi nuk ka përmbushje reale të standardeve demokratike? A duhet ta kushtëzojë më fuqishëm BE integrimin e Serbisë me përparim të vërtetë në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave?
Ragmi Mustafi: Protestat e fundit tregojnë qartë se Serbia nuk i ka përmbushur standardet demokratike. Kjo nuk është thjesht çështje e brendshme serbe, por edhe e BE-së, që shpesh e ka toleruar stabilitokracinë në emër të “stabilitetit rajonal”. Qëndrimi im është i qartë: BE duhet të vendosë kushte të forta dhe të matshme. Nuk mjaftojnë raportet dhe deklaratat – nevojiten tregues konkretë për sundimin e ligjit, lirinë e mediave, integritetin zgjedhor dhe të drejtat e pakicave. Vetëm kështu Serbia mund të ecë drejt Evropës si shtet i përgjegjshëm, jo thjesht si kandidat formal. Andaj Serbia noton mes Moskës dhe Brukselit e mes Uashingtonit dhe Pekingut. Sepse nuk ka pasur BE qëndrime e angazhim për ta bërë të qartë që Serbia nuk mundet të gjitha, por ose/ose.