Për nder të 28 Nëntorit, ditës së Pavarësisë, Bota sot ka zhvilluar një intervistë me Akademikun Frashër Demaj, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe një prej studiuesve më autoritativë të historiografisë shqiptare.
Në këtë intervistë, Akademik Demaj rikthehet te rrënjët e lirisë shqiptare, duke theksuar se “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është ngjarja më e rëndësishme në gjithë historinë e popullit shqiptar dhe rëndësia e saj nuk zbehet asnjëherë”. Ai ndalet në rolin e pazëvendësueshëm të Kosovës dhe viseve të tjera në proceset politike, kulturore dhe kryengritëse që çuan drejt aktit historik të Vlorës, duke kujtuar se kontributi i tyre “zë vend të rëndësishëm në studimet bashkëkohore dhe në memorien tonë kolektive”.
Akademiku ndriçon gjithashtu simbolikën e fuqishme të 28 Nëntorit si datë që tejkalon kufij dhe sisteme politike, duke e parë atë si një urë brezash që lidh Pavarësinë e vitit 1912 me sakrificën e UÇK-së, daljen e saj publike më 1997, dhe ditëlindjen e heroit Adem Jashari. Ai vëren se shqiptarët sot kanë më shumë nevojë për përmbajtje sesa simbolikë, duke theksuar rëndësinë e integrimit kulturor, arsimor dhe institucional midis trojeve shqiptare.
Hap pas hapi, intervista trajton sfidat e ruajtjes së një narrative të përbashkët historike në shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës, rolin e figurave themeluese si Ismail Qemali dhe Isa Boletini, si dhe mesazhin që duhet t’u përcillet brezave të rinj për ta kuptuar 28 Nëntorin si një përvojë identitare dhe një udhërrëfyes kombëtar.
Intervista e plotë:
“Bota sot”: Z. Demaj, pak ditë na ndajnë nga 28 Nëntori, kjo datë shumë e rëndësishme për popullin shqiptar. Si e lexoni sot rëndësinë e kësaj date — a mbetet ajo një moment vendimtar apo përbën një simbol që ka ndryshuar funksion me kohën?
Frashër Demaj: Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është ngjarja më e rëndësishme në gjithë historinë e popullit shqiptar. Rëndësia e kësaj dite nuk zbehet asnjëherë dhe për asnjë arsye. Me 28 Nëntor 1912 në Kuvendin e Vlorës, përfaqësuesit e vilajeteve të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës ishin të vendosur për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë me shtrirje territoriale në të gjitha vilajetet. Pra, çdo opsion për besnikëri ndaj Qeverisë së Stambollit dhe Autonomia e Shqipërisë nën sovranitetin e Sulltanit si fazë kalimtare drejt pavarësisë së plotë ishin të tejkaluara. Elita intelektuale shqiptare, paria dhe tribunët popullor kishin vendosur që përfundimisht ta ndanin fatin e shqiptarëve nga ai i Perandorisë Osmane duke shpallur shtetin kombëtar. Në Kuvend munguan disa personalitete të shquara nga Kosova meqë nuk arriten me kohë për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike dhe depertimit të forcave aleate në Kosovë dhe vise tjera shqiptare.
Shpallja e Pavarësisë ishte moment vendimtar që vulosi të ardhmen e popullit shqiptar, një popull që po vuante nga okupimi dhe që me shfaqjen e pretendimeve të fqinjëve të tyre i kanosej rreziku i zhbërjes totale.
“Bota sot”: Rruga drejt Pavarësisë ishte një projekt gjithëkombëtar, theksojmë këtu edhe kontributin e shquar edhe nga figurat e Kosovës. Sa i pranishëm është ky kontribut në kujtesën tonë kolektive dhe në tekstet zyrtare të historisë?
Frashër Demaj: Ngjizja e idesë për shtet kombëtar zën fill që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kur elita shqiptare e pakët në numër, e ndikuar nga idetë iluministe evropiane ishte e bindur që ishte shumë e rëndësishme për shqiptarët që të ndiqej modeli i krijimit të shteteve kombëtare në Evropën Perëndimore. Shqiptarët në kohën e Lidhjes (1878-1881) e ideuan shtetin autonom. Autonomia si opsion politik u zgjodh për dy arsye themelore: e para nepër fazën e autonomisë kishin kaluar edhe shtetet e tjera ballkanike si Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria që kishte hyrë në këtë fazë dhe arsyeja e dytë ishte pafuqia ushtarake për të mbrojtur territoret shqiptare që synonte ti pushtonte Greqia, Mali i Zi dhe Serbia.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë si akt politik ka një parahistori të zhvillimeve politike, arsimore, kulturore dhe kryengritëse të shqiptarëve kundër Portës së Lartë. Si ngjarje të rëndësishme që i kanë parapri Kuvendit të Vlorës janë: Kongresi i Manastirit me 1908, në të cilin u mor vendim për alfabetin; Kongresi i Elbasanit (1909) i cili rezultoi me themelimin e Shkollës Normale; Kryengritja e Kosovës së vitit 1910; Kryengritja e Malësisë së Mbishkodres e vitit 1911 dhe Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912 e cila përfshiu shumicën e krahnave shqiptare. Përcaktimi i devotshëm patriotik i personaliteteve të shquara si: Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Eqrem bej Vlora, Mit’hat Frasheri, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi, Dedë Gjon Luli, Nikollë Kaçorri, Mehmet Derralla, Elez Isufi, Feim Zavalani, Sali Butka, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka dhe shumë figura tjera ishte vendimtar për fatin e Shqipërisë së lirë e të pavarur. Pra, shumë intelektual e atdhetarë kosovarë dhanë kontribute të veçanta si në luftën kryengritëse, mbrojtjen e territoreve etnike, në diplomaci dhe në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Madje garda e parë e shtetit shqiptarë janë ushtarët besnik të Isa Boletinit të cilët u vunë në sherbim të Qeverisë së Përkohshme të drejtuar nga Ismail Qemal Vlora.
Përfundimisht duhet konstatuar se themeltar dhe kontributor të shtetit shqiptar janë të gjitha krahinat nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim. Meritat nuk vihen në peshore por kontributi i Kosovës në Shpalljen e Pavarësisë dhe në fazën e parë të shtetndertimit të Shqipërisë është i pazëvëndësueshëm dhe zë vend të rëndësishëm në studimet bashkohore, monografi të veçanta, tekste universitare dhe shkollore të nivelit të messëm dhe fillor.
“Bota sot”: Në prag të 28 Nëntorit flitet shpesh për “bashkim shpirtëror” të shqiptarëve. A është ky bashkim kryesisht simbolik, apo ka prodhuar edhe ndryshime konkrete në marrëdhëniet politike, kulturore dhe sociale midis shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe trevat e tjera?
Frashër Demaj: 28 Nëntori i vitit 1912 është festë kombëtare e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre dhe jo vetëm. Festen e ndjejnë dhe e perjetojnë edhe emigracioni dhe diaspora shqiptare gjithandej nepër botë. Populli shqiptar sot më shumë ka nevojë për përmbajtje se sa për simbolikë. Shqiptarët duhet të integrohen në mes tyre sepse ndarja për gati një shekull sigurisht se ka lënë gjurmë ndër breza. Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut (sipas mundësive) duhet të punojnë shumë për harmonizimin e legjislacionit, komunikimin e përhershëm politik, arsimor, shkencor, kulturor, ekonomik dhe në fusha tjera që do të ndikonte racionalisht në perspektiven e shteteve dhe popullit shqiptar.
“Bota sot”: Shqiptarët në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës kanë kaluar përvoja të ndryshme historike nën shtete të ndryshme. Nga këndvështrimi historik, si ka arritur të ruhet dhe transmetohet identiteti kombëtar në këto kushte të shpërndara?
Frashër Demaj: Që nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të shtetit kombëtar janë përballur me dhunën dhe represionin e pushtuesve. Shqiptarët e Kosovës dhe viseve tjera kanë vuajtur fillimisht nga pushtimi serb dhe më vonë nga hegjemonia serbe dhe jugosllave në Mbretërinë SKS, kurse pas Luftës së Dytë Botërore në ish federaten Jugosllave. Edhe shqiptarët e krahinës së Çamërisë i janë nënshtruar dhunës, represionit, asimilimit dhe dëbimit nga shtepitë dhe pronat e tyre nga ana e politikës së organizuar shtetërore nacionalshoveniste greke.
Ndikimin me të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe ruajtjen nga asimilimi në krahinat e pushtuara e ka pasur, emancipimi, shkollimi, gjuha, kultura dhe tradita kombëtare. Identiteti kombëtar pavarësisht disa tendencave të shfaqura nga individë dhe qarqe jomiqësore me shqiptarët vazhdon të ruhet edhe sot në krahinat autoktone shqiptare. Vlerat e përbashkëta kombëtare, shqiptarët duhet ti ruajnë dhe kultivojnë pavarësisht shtetit dhe vendeve ku jetojnë sepse gjatë gjithë historisë identiteti i parë dhe më i rënësishmi ishte identiteti etnik e kombëtar i shqiptarëve.
“Bota sot”: Disa historianë thonë se 28 Nëntori bashkon shqiptarët pavarësisht kufijve. A është kjo frymë po aq e gjallë sot — dhe çfarë sfidash e kërcënojnë këtë ndjenjë unifikuese?
Frashër Demaj: Festat e përbashkëta gjithmonë i bashkojnë shqiptarët pavarësisht vendeve ku jetojnë. 28 Nëntori është festë mbarëkombëtare e cila nuk pyet për kufijë e barriera sepse eshtë ndjesi dhe emocion i veçantë që nuk sfidohet nga asnjë faktor kërcënues politik ose i ndonjë natyre tjetër.
“Bota sot”: Ka debate për mënyrën si mësohet historia në shkolla në Shqipëri dhe në Kosovë. A rrezikojmë që gjeneratat e ardhshme të zhvillojnë dy narrativa të ndryshme për të njëjtat ngjarje, dhe çfarë peshë ka ende baza historike e përbashkët në ruajtjen e një memorie kombëtare të sinkronizuar?
Frashër Demaj: Mësimi i historisë dhe i shkencave tjera që hyjnë në kuadër të Albanologjisë janë shumë të rëndësishme dhe kualifikohen në kuadrin e shkencave kombëtare. Prandaj janë shumë të rëndësishme për brezat. Mësimi i historisë nepër shkolla në Shqipëri dhe Kosovë është i bazuar në kurrikula dhe dokumente tjera të miratuara nga ministritë përkatëse. Bazuar në kurrikula është e ndarë përafërsisht edhe përqindja e historisë së përgjithshme dhe asaj nacionale e shtetërore. Unë nuk shoh asnjë rrezik që për një ngjarje nga historia kombëtare të ketë dy narrativa të ndryshme të cilat eventualisht mund të cënojnë të verteten historike. Kurse aspektet metodiko-didaktike mund të jenë të ndryshme por që nuk paraqesin asnjë problem sidomos kur janë të mbeshtetura me metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
“Bota sot”: Figurat themeluese si Ismail Qemali dhe Isa Boletini përmenden shpesh bashkë, por jo gjithmonë në të njëjtin kontekst. Si duhet t’i prezantojmë këto figura në mësimdhënie dhe në memorialistikë që të ruhet një narrativë gjithëkombëtare dhe e balancuar?
Frashër Demaj: Natyrisht personalitetet e rëndësishme kombëtare si Ismail Qemali dhe Isa Boletini i kanë të përbashkëtat dhe dallimet sa i takon kontributeve kombëtare. E përbashkëta midis tyre qëndron në themelet e patriotizmit, luftës për liri dhe shtet kombëtar, kurse dallimet janë të theksuar nga natyra e angazhimit të tyre. Ismail Qemali ishte politikan, deputet, diplomat me autoritet jo vetëm nder shqiptarë, por atë e njihte dhe e konsideronte edhe diplomacia ndërkombëtare sidomos ajo austro-hungareze, britanike dhe italiane që kishin interesat e tyre në rajon dhe drejtpërdrejtë në gjeografinë shqiptare. Ndërsa Isa Boletini shquhej për nga autoriteti i tij në popull sidomos në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës. Ai bënte pjesë në parinë e vendit dhe ishte tribun popullor me autoritet i cili me ndikimin e tij ishte në gjendje që të ngrehte në këmbë nahije të tëra që ti bashkoheshin në luftën kryengritëse dhe mbrojtëse. Ismail Qemali dhe Isa Boletini kanë funksionuar si një binom patriotik me vlera të veçanta kombëtare. Madje vet Ismaili, në pamundësi ta merrte Hasan Prishtinën, e mori në Londër Isen, jo pse ky i fundit shquhej për diplomaci por për të faktuar që aty ishte edhe Vilajeti i Kosovës përmes përfaqësuesit të vet që ishte Isa Boletini.
“Bota sot”: 28 Nëntori përkon edhe me ditëlindjen e heroit Adem Jasharit. Si e vlerësoni këtë përkim simbolik — a e forcon ai lidhjen mes historisë së Pavarësisë dhe luftës çlirimtare në Kosovë?
Frashër Demaj: Ditëlindja e heroit Adem Jashari me 28 nëntor është rastësi që ka një simbolikë shumë të rëndësishme për kujtesën tonë historike. Luftërat e shqiptarëve për liri e bashkim kombëtar gjithmonë e kanë gjetur pikëtakimin motivues te ngjarjet e rëndësishme kombëtare si shteti i Skenderbeut, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Shpallja e Pavarësisë etj. Prandaj edhe brezi i Adem Jasharit dhe Ushtria Clirimtare e Kosovës janë motivuar nga ngjarjet simbol të historisë sonë kombëtare. Pra nëntori është muaji i festave tona kombëtare që ndërlidhet me epokën e Gjergj Kastriotit, Pavarësinë e Shqipërisë, daljen publike të UÇK-së dhe ditëlindjen e heroit Adem Jashari.
“Bota sot”: Dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor 1997 konsiderohet një kthesë historike për shqiptarët e Kosovës. Në këndvështrimin tuaj, çfarë përfaqësonte ajo dalje për identitetin politik dhe për vetëdijen kombëtare të shqiptarëve në atë kohë?
Frashër Demaj: Dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 Nëntor 1997 ishte një moment shprese për shqiptarët e Kosovës të cilët po kalonin ditët më të vështira përballë dhunës dhe represionit të organizuar shtetëror serb që po përpiqej ta zhbënte një popull të terë. Dalja publike e UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci, në një tubim masiv ndikoi edhe në masivizimin e kësaj ushtrie e cila mori përsipër një ndërmarrje jashtëzakonisht të vështirë por të domosdoshme. Kjo dalje krijoi bindjen te qeveria serbe por edhe te faktori politik ndërkombëtar që shqiptarët pavarësisht se ishin përcaktuar për realizimin e lirisë dhe pavarësisë së tyre përmes politikës paqësore, janë të gatshëm brenda mundësive të tyre të luftojnë për mbrojtjen e familjeve, popullit të Kosovës dhe dinjitetit kombëtar e qytetar. Dalja publike e UCK-së, nxiti diplomacinë ndërkombëtare të ndermerrte hapa konkret në drejtim të ndermjetsimit të paqes sepse dalja e situatës jashtë kontrollit kërcënonte me luftë me përmasa ballkanike.
“Bota sot”: Për brezin e ri, çfarë mesazhi konkret do t’u jepnit për kuptimin e vërtetë të 28 Nëntorit — si ditë historike dhe si mjet për ndërtimin e identitetit kombëtar përgjatë trevave? Çfarë instrumentesh (arsim, media, kultura) duhet të përdoren për ta bërë këtë mesazh relevant sot?
Frashër Demaj: Brezi i ri duhet ta kuptojë që dy janë ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar që dhanë rezultat. E para 28 Nëntori i vitit 1912, kur u shpall dhe pastaj u njoh shteti shqiptar dhe e dyta 17 shkurti i vitit 2008 kur u shpall në Kuvend Pavarësia e Kosovës dhe të nesermen filloi njohja ndërkombëtare që shënoi realizimin e synimit të brezave, pavarësisht se deri në vitet e 90-ta shqiptarët e Kosovës kanë bërë përpjekje dhe luftë për liri e bashkim kombëtar.
Brezi i ri duhet ta kuptoj se për lirinë dhe shtetin e Kosovës janë skrifikuar shumë jetë njerëzish. Pavarësia e Kosovës nuk do të arrihej asnjëherë pa politiken paqësore, kombinimin e veprimeve politiko-diplomatike qe e sensibilizuan çështjen e Kosovës në diplomacinë ndërkombëtare dhe pikëtakohen në personalitetin e Ibrahim Rugovës dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që bashkohet në simboliken e sakrificës së madhe për liri që për emërues të përbashkët e ka Adem Jasharin.
Gjeneratat e reja duhet të ndjehen krenar për përkatësinë e tyre kombëtare, historinë, kulturen dhe traditen e popullit të tyre. Ata duhet ta duan Shqipërinë, Kosoven dhe trojet tjera shqiptare, të punojnë për ti përparuar shtetet dhe kombin tonë sepse ky eshte shekulli i qytetërimit që ju dha mundësi shqiptarëve që të rilindin politikisht dhe të bëjnë përpjekje për realizimin e interesave të tyre duke kultivuar paqen dhe duke integruar kombin në familjen e popujve të qytetëruar.