Albana Bytyçi: Zgjedhjet e 7 qershorit në klimë të polarizuar, qytetarët kërkojnë ndryshim

Intervistë

Albana Bytyçi: Zgjedhjet e 7 qershorit në klimë të polarizuar, qytetarët kërkojnë ndryshim

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 3 maj 2026 Në ora: 08:05
Albana Bytyçi

Në një intervistë për “Bota sot”, ka folur ish-deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi.

Ajo ka folur mbi zgjedhjet që do të mbahen më 7 qershor, duke thënë se ato po zhvillohen në një kontekst të polarizimit të thellë politik dhe sfidave të vazhdueshme në vend.

E pyetur pse nuk u zgjodh presidenti, ajo tha se, mungesa e konsensusit për presidentin është rezultat i mungesës së besimit mes partive dhe kalkulimeve politike afatshkurtra.

Derisa, për Ardian Gjinin, kandidat për kryeministër nga AAK, ajo thotë se kandidatura e tij është një profil i dëshmuar në qeverisje lokale dhe pritet të rrisë besimin e votuesve.

Sa i përket, koalicioneve, Bytyçi thotë se janë të hapur për koalicione pas zgjedhjeve vetëm me parti që kanë bazë programore dhe garantojnë stabilitet.

Intervsita e plotë:

“Bota sot”: Si e vlerësoni klimën politike para zgjedhjeve të 7 qershorit?

Albana Bytyçi: Klima politike është e tensionuar, por edhe shumë dinamike. Këto zgjedhje po zhvillohen në një kontekst të polarizimit të thellë politik dhe sfidave të vazhdueshme në vend, çka i jep atyre një peshë më të madhe sesa zakonisht. Qytetarët janë më të vetëdijshëm dhe kërkojnë stabilitet, siguri dhe zhvillim ekonomik konkret që me këtë qeveri të VV nuk ju është ofruar madje kanë shkuar deri në mashtrim të besimit qytetar.

“Bota sot”: Z. Ardian Gjini është konfirmuar si kandidat për kryeministër nga radhët e AAK-së. Çka prisni nga zgjedhjet?

Albana Bytyçi: Kandidatura e Ardian Gjinit përfaqëson një profil të provuar në qeverisje dhe menaxhim lokal. Presim që kjo të reflektohet në rritje të besimit te votuesit. Këto zgjedhje janë një test për rikthimin e një qasjeje më pragmatike në qeverisje, me fokus në rezultate konkrete dhe jo vetëm në retorikë politike.

“Bota sot”: A prisni ndryshime të mëdha në përbërjen e Kuvendit

Albana Bytyçi: Po, pritet një rikonfigurim i balancave politike. Ka një lodhje të elektoratit nga status quo-ja aktuale, dhe kjo zakonisht reflektohet në rritjen e partive që ofrojnë alternativa më të qarta dhe më të besueshme për qeverisje siç është AAK-ja.

“Bota sot”: Pse nuk u arrit marrëveshje për presidentin dhe a mund të përsëritet situata?

Albana Bytyçi: Mungesa e konsensusit për presidentin është rezultat i mungesës së besimit mes partive dhe kalkulimeve politike afatshkurtra. Nëse nuk ndryshon kultura e dialogut politik, ekziston rreziku real që situata të përsëritet, duke krijuar sërish bllokada institucionale.

“Bota sot”: A është partia juaj e hapur për koalicione pas zgjedhjeve?

Albana Bytyçi: Po, jemi të hapur për koalicione që kanë bazë programore dhe që garantojnë stabilitet institucional. Bashkëpunimi duhet të ndërtohet mbi prioritete të përbashkëta, si zhvillimi ekonomik, integrimi euroatlantik dhe forcimi i rendit dhe ligjit.

“Bota sot”: A ka “vija të kuqe” për bashkëpunim?

Albana Bytyçi: Po, ekzistojnë parime të qarta. Nuk mund të ketë bashkëpunim me subjekte që cenojnë interesat shtetërore, dëmtojnë partneritetet strategjike apo krijojnë paqëndrueshmëri të brendshme. Çdo koalicion duhet të jetë në funksion të stabilitetit dhe interesit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat