Kelmendi flet për krizën politike, rolin e qeverisë dhe pritjet nga zgjedhjet e 7 qershorit

Intervistë

Kelmendi flet për krizën politike, rolin e qeverisë dhe pritjet nga zgjedhjet e 7 qershorit

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 18 maj 2026 Në ora: 14:35
Prof. Jeton Kelmendi PhD, Bota sot

Akademiku dhe kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Jeton Kelmendi, në një intervistë për “Bota sot” foli për zhvillimet e fundit politike në vend, si dhe zgjedhjet e 7 qershorit.

Fillimish, Kelmendi vlerësoi se vendi nuk kishte nevojë për zgjedhje të reja, por për stabilitet institucional dhe marrëveshje politike për të çuar përpara agjendën shtetërore.

Si kandidat i LDK-së, ai thotë se angazhimi i tij do të fokusohet në arsim, diplomaci kulturore dhe ndryshimin e gjuhës politike drejt një komunikimi më bashkëpunues e racional.

Në prag të zgjedhjeve, ai shpreh optimizëm se qytetarët do të zgjedhin stabilitetin politik dhe se LDK mund të sjellë një fazë të re të zhvillimit dhe funksionimit institucional në Kosovë.

Intervista e plotë

Bota sot: A ishte e domosdoshme të shkonte vendi në zgjedhje sërish?

Jeton Kelmendi: Jo, nuk mendoj se ishte e domosdoshme që vendi të shkonte sërish në zgjedhje. Në një kohë kur qytetarët përballen me sfida të shumta sociale dhe ekonomike, prioriteti kryesor duhej të ishte stabiliteti institucional dhe funksionimi i rregullt i shtetit. Vendi kishte nevojë që të zgjidhej çështja e presidentit përmes marrëveshes ndërpartiake dhe më pas të përqendrohej energjia në përmirësimin e jetës së qytetarëve në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe mirëqenie sociale. Mbi të gjitha ta përmirësonte imazhin në aspektin e jashtëm, për çka viteve të fundit Republika e Kosovës ka pasur një politikë të izolimit dhe regresit.

Zgjedhjet e shpeshta jo vetëm që krijojnë pasiguri politike, por edhe e largojnë vëmendjen nga problemet reale të njerëzve. Prandaj, më e arsyeshme do të kishte qenë që të gjendej një zgjidhje brenda institucioneve ekzistuese dhe të punohej me përgjegjësi për zhvillimin dhe stabilitetin e vendit. Sido qe të jetë pres që pas 7 qersorit vendi t’i zgjedh të gjitha institucionet dhe të punohet për vendin.

Bota sot: Kush është fajtori për këtë situatë?

Kelmendi: Në një situatë të tillë, përgjegjësia është para së gjithash politike dhe lidhet me mënyrën se si ushtrohet pushteti. Duke qenë se vendimmarrja kryesore buron nga qeveria dhe lidershipi i saj, përgjegjësia kryesore bie mbi kryeministrin Albin Kurti dhe subjektin që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje. Ky subjekt doli fitues me mbi 51 përqind dhe dështoj zgjedhja e kreut te shtetit. Pas datës 28 dhjetor, është vërejtur një paqartësi dhe mungesë transparence në paraqitjet publike të kësaj force politike, gjë që ka krijuar perceptimin se vendimmarrjet nuk janë komunikuar qartë dhe se ka pasur hezitim apo lëkundje në qëndrime. Kjo ka ndikuar në krijimin e një klime pasigurie politike dhe ka lënë hapësirë për dyshime tek qytetarët.

Megjithatë, në një sistem demokratik, përgjegjësia nuk është vetëm individuale, por edhe institucionale. Përveç qeverisë, edhe opozita dhe institucionet e tjera kanë rolin e tyre në krijimin e një situate më të qëndrueshme. Por pesha kryesore mbetet te ata që kanë pushtetin për të marrë vendime dhe për të garantuar transparencë dhe stabilitet. Kurti i ftoj liderët e LDK dhe PDK, por kjo ftesë ishte sa për ta gjetur një fajtor kujdestar. Ajo që duhet potencuar është fakti se në VV nuk e duronin më Vjosa Osmanin, sepse megjithë dobësitë në politikat e jashtme të qeverisë, ajo ishte e artikuluar dhe kishte një sharm në sytë e diplomacisë perëndimore. Thjeshtë zonja Osmani punoi mirë në këtë rol dhe nuk e duruan më, sidomos kur Kurti po dukej gjysmë i izoluar. Mendoj se kjo ishte një gabim, sepse Kurtin nuk e përmirëson largimi i Osmanit nga presidenca, por vetëm sa e magjinalizon edhe me shumë.

Bota sot: Ju jeni kandidat për deputet kësaj radhe, në cilën fushë do të jetë kontributi juaj?

Kelmendi: Siç dihet, unë vij nga bota akademike dhe pikërisht kjo do ta përcaktojë edhe kontributin tim në politikë. Së pari, besoj se është e domosdoshme të ndryshojmë qasjen në komunikim publik: nga një gjuhë përçarëse dhe konfliktuale, drejt një komunikimi normal, racional dhe bashkëpunues, që i shërben interesit të përgjithshëm. Në planin konkret, angazhimi im do të përqendrohet në disa fusha kyçe. Njëra prej tyre është arsimi, ku mendoj se duhet reforma të thella që e lidhin dijen me zhvillimin real të vendit. Po ashtu, do të jap kontribut në politikën e jashtme dhe në diplomacinë kulturore, duke promovuar vlerat tona dhe duke forcuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare përmes dialogut dhe kulturës

Në një kohë jo të lehtë për vendin, unë vendosa të hyj në politikë mbi bazën e një besimi. Zgjodha Lidhja Demokratike e Kosovës sepse ajo është një parti me rrënjë intelektuale, e krijuar nga shkrimtarë dhe akademikë, dhe e udhëhequr nga një mendimtar si Ibrahim Rugova. Kjo traditë më jep besim se politika mund të bëhet me kulturë, dije dhe përgjegjësi. Sot, Republika e Kosovës përballet me një situatë sfiduese: ndarje të thella shoqërore dhe politike, si dhe vështirësi ekonomike. Prandaj, besoj se vetëm me punë të përkushtuar dhe me një qasje bashkëpunuese, larg përçarjeve, mund të ecim përpara dhe t’i japim vendit stabilitet dhe zhvillim.

Bota sot: Me rikthimin e Vjosë Osmanit në LDK, ҫfarë prisni nga zgjedhjet e 7 qershorit?

Kelmendi: Me rikthimin e Vjosa Osmani në Lidhja Demokratike e Kosovës, presim një mobilizim më të madh të elektoratit të djathtë dhe rikthimin e besimit tek votuesit që tradicionalisht kanë qenë pjesë e kësaj fryme politike. Kjo lëvizje mund të shërbejë si faktor bashkues dhe të sjellë një energji të re në skenën politike.

Ne besojmë se një e djathtë e bashkuar ka potencialin të marrë rol udhëheqës në politikën kosovare, sepse ofron një alternativë më të qëndrueshme, institucionale dhe të orientuar drejt zhvillimit. Në këtë drejtim, e shohim si një mundësi reale që kjo frymë të rikthehet si shpresa kryesore për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit. Deputetet janë te zgjedhurit e popullit, prandaj qytetarët është mirë të orientohen drejt zgjdhjes së atyre që kanë përvoja, dije dhe dinjitet. LDK -ja i ka të gjitha këto.

Bota sot: Cilat janë gjasat që këto zgjedhje të mos zgjidhin ngërҫin politik?

Kelmendi: Besoj se gjasat që këto zgjedhje të mos e zgjidhin ngërçin politik ekzistojnë, por unë mbetem optimist se qytetarët do të flasin me zërin e arsyes dhe do ta zhbllokojnë vendin nga krizat e vazhdueshme. Në thelb, përballë kemi dy alternativa të qarta: ose të vazhdojmë me bllokadën dhe regresin që, sipas bindjes sonë, ka karakterizuar qeverisjen e Lëvizjës Vetëvendosje, ose ta mbyllim këtë kapitull dhe të hapim një fazë të re zhvillimi, stabiliteti dhe bashkëpunimi institucional me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Unë besoj se qytetarët do ta zgjedhin opsionin që i shërben më shumë të ardhmes së vendit, një qasje që sjell stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të jetës së përditshme. LDK ka profesionist dhe ekipe që dinë, mundin dhe e bëjnë ndryshimin në Kosovë

Bota sot: A është diskutuar brenda LDK-së për koalicione paszgjedhore me partitë tjera?

Kelmendi: Aktualisht, Lidhja Demokratike e Kosovës është e fokusuar në fitoren e zgjedhjeve dhe në marrjen e besimit të qytetarëve. Çështja e koalicioneve paszgjedhore është një temë që diskutohet vetëm pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe në bazë të rezultatit që del nga vullneti i qytetarëve. Siç dihet, LDK-ja asnjëherë nuk ka qenë parti jobashkëpunuese; përkundrazi, ka dëshmuar vazhdimisht gatishmëri për bashkëpunim institucional. Megjithatë, në disa raste kjo qasje korrekte është keqpërdorur nga të tjerët.

Në çdo rast, prioriteti ynë mbetet interesi i qytetarëve. Çdo vendim për bashkëpunim do të merret mbi bazën e vullnetit të popullit, duke synuar stabilitet politik, funksionim të institucioneve dhe zhvillim të vendit. Ajo që mund tu siguroj është se LDK do ketë profesionist në udhëheqjen e secilit digaster, dhe assesi persona me probleme me ligjin siç kanë disa të tjerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat