“Opozita e çoi Kosovën në zgjedhje të reja”, Dosti “zbulon” kush do të vendosë rezultatin e 7 qershorit

Intervistë

“Opozita e çoi Kosovën në zgjedhje të reja”, Dosti “zbulon” kush do të vendosë rezultatin e 7 qershorit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 6 qershor 2026 Në ora: 08:01
Fotoilustrim

Zhvillimet e fundit politike në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme, roli i diasporës, dialogu me Serbinë dhe raportet mes Kosovës e Shqipërisë vazhdojnë të mbeten tema që ngjallin debat të gjerë në opinionin publik shqiptar.

Në një intervistë për “Bota sot”, publicisti dhe analisti Adriatik Riza Dosti ka folur për arsyet që, sipas tij, e kanë çuar Kosovën sërish në zgjedhje, ndikimin që pritet të ketë diaspora në rezultatin zgjedhor, si dhe sfidat që mund ta presin vendin pas procesit elektoral.

Ai ka shprehur qëndrimet e tij edhe për dialogun Kosovë-Serbi, nevojën për ndryshime kushtetuese, raportet ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, si dhe zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. 

Sipas Dostit, prioritet i politikës shqiptare në të dy anët e kufirit duhet të jetë forcimi i bashkëpunimit kombëtar, zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e interesave të shqiptarëve.

Intervista e plotë:

Bota sot: Kosova e mbylli vitin 2025 me zgjedhje dhe po mban zgjedhje sërish në vitin 2026. Si i vlerësoni zhvillimet që çuan deri te kjo situatë dhe kush mban përgjegjësinë kryesore që qytetarët po i drejtohen përsëri kutive të votimit?

Adriatik Riza Dosti: Përgjegjësia pse Kosova po rimbanë zgjedhje të reja në gjykimin tim bie mbi opozitën kosovare dhe pa pjekurinë e saj politike. Fajësoj veçmas sabotimin sistematik që ajo i ka bërë qeverisë së vendit e kryeministrit Kurti, por edhe parlamentit e drejtësisë aty. PDK, LDK, AAK... Abdixhiku, Hamza, Ramushi, Limaj e këto dy muajt e fundit edhe Vjosa Osmani janë përgjegjësitë kryesorë për këtë lloj situate në dëm të Kosovës e popullit të saj.

Image
Adriatik Riza Dosti

Bota sot: Sa mund të ndikojë diaspora në rezultatin e zgjedhjeve dhe a po e trajtojnë partitë mërgatën si partner afatgjatë apo vetëm si elektorat që aktivizohet në kohë zgjedhjesh?

Adriatik Riza Dosti: Diaspora është pjesë vitale, por edhe shumë delikate e çdo lloj qeverie, ndaj duhet trajtuar me shumë kujdes dhe me shumë dinjitet. Në zgjedhje, vota e saj ka një peshë që nuk mund ta injorosh, veçanërisht duke e sharë dhe ofenduar, siç kanë bërë disa prej politikanëve injorantë atje, apo edhe disa pseudoanalistë që paratë ia duan diasporës, por votën nuk ia pranojnë.

Qartësisht, besoj se edhe këtë radhë diaspora do të votojë për LVV-në dhe Kurtin, pasi mendoj se aty e gjen më mirë përfaqësimin e saj në atdheun e vet.

Bota sot: A ekziston rreziku që Kosova të hyjë në një tjetër krizë institucionale pas zgjedhjeve dhe cili do të ishte çelësi për krijimin e një qeverie stabile dhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm?

Adriatik Riza Dosti: Kosova lipset ta rregullojë dhe ta riparojë urgjentisht Kushtetutën e saj kontraverse, të hartuar vite më parë nën ndikimin e detyruar të ndërkombëtarëve dhe në kushte krejt ndryshe nga ato të sotëm, për të shmangur çdo lloj krize tjetër pasuese institucionale, çka do të kishte pasoja të rënda në të gjitha aspektet për vendin.

Jam për atë që Presidenti të zgjidhet nga populli, përmes formës së një referendumi popullor.

Bota sot: Ndërkombëtarët po kërkojnë vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Çfarë prisni nga qeveria e ardhshme në raport me dialogun dhe procesin e normalizimit?

Adriatik Riza Dosti: Nuk ka asnjë lloj përparimi në dialogun me Serbinë, edhe pse ndërkombëtarët insistojnë për të. Pa njohjen e plotë dhe pa kushte të Kosovës nga Serbia, nuk mund të ketë progres të vërtetë.

Vetëm një Kosovë e ulur në tavolinë si e barabartë me Serbinë dhe vetëm drejtësia, e jo njëanshmëria nga ndërkombëtarët, mund ta çojnë përpara dialogun në fjalë.

Insistoj se pranimi sa më i shpejtë i Kosovës në OKB dhe në NATO është zgjidhja e duhur dhe e plotë e problemit.

 Bota sot: Te ndalemi pak ne raportet Kosove- Shqipëri, kohëve të fundit nuk ka takime të përbashkëta qeveritare, ndërsa kryeministri Kurti ditë më parë deklaroi se me Ramën kanë raporte të mira, por nuk pajtohen për të gjitha çështjet, sidomos për qëndrimin ndaj Beogradit zyrtar. Si i shihni ju këto raporte dhe afërsinë e Ramës me presidentin serb, Aleksandër Vuciq?

Adriatik Riza Dosti: Raportet mes Atdheut mëmë dhe Kosovës, veçanërisht pas ardhjes në pushtet të Ramës dhe bandës së tij kriminale e antishqiptare, fatkeqësisht nuk kanë qenë kurrë të mira dhe ashtu siç duhet të jenë. Kjo, kryesisht për faj të politikës së Tiranës, e cila më shumë ka qenë pro dhe pranë Beogradit sesa Prishtinës. Më shumë ka përkrahur Vuçiqin sesa Kurtin.

Mjafton plani djallëzor i Open Ballkanit, që dëmtonte më së shumti dhe drejtpërdrejt Kosovën dhe popullin e saj, dhe nuk ka nevojë për koment. Për të mos iu hyrë pastaj historive të poshtra e prapa shpine për ndarjen e territoreve të Kosovës, ku Edi Rama, Hashim Thaçi, Aleksandar Vuçiq, Emmanuel Macron, Richard Grenell dhe Baton Haxhiu me shokë janë aktorë famëkeq të dorës së parë.

Bota sot: Shqipëria po përballet me protesta. Si e interpretoni këtë pakënaqësi qytetare dhe çfarë mesazhi po i dërgohet qeverisë? 

Adriatik Riza Dosti: Protestat e tanishme në Shqipëri duhen parë dhe analizuar me shumë kujdes. Duhet bërë dallimi mes pakënaqësisë dhe revoltës popullore për shumë arsye, kryesisht për shkak të keqqeverisjes së Ramës dhe partisë së tij, dhe përfitimeve e interesave që ka spektri politik atje në këtë rast.

Me protestën dhe protestuesit, politika shqiptare e Tiranës po luan shumë pisët. Shqiptarët e gënjyer, të vjedhur dhe të mashtruar për vite me radhë nuk po kërkojnë ndalimin, refuzimin apo pengimin e investimeve të huaja në vendin e tyre, të çfarëdo lloji qofshin ato, por po kërkojnë mbrojtjen e interesave dhe të pasurive të tyre kombëtare.

Po kërkojnë transparencë dhe drejtësi, dinjitet dhe bërjen publike të gjithçkaje që lidhet me vendin dhe me popullin e tyre.

Bota sot: Çfarë prisni nga klasa politike shqiptare në të dy shtetet gjatë viteve të ardhshme dhe cilat mendoni se duhet të jenë prioritetet kryesore?

Adriatik Riza Dosti: Pres përparim të sinqertë dypalësh. Pres, pse jo, edhe investime dypalëshe në të mirë të të njëjtit komb e të të njëjtit popull. Pres, pse jo, edhe bashkimin kombëtar, por logjik, gradual dhe të pranueshëm, e jo të ngutur e të nxitur prej dikujt, thjesht të motivuar politikisht apo edhe patriotikisht.

Pres që, veçmas, Shqipëria t’i plotësojë me korrektësi dhe përgjegjësi të lartë shtetërore detyrimet e saj kushtetuese ndaj Kosovës.

Pres çdo të mirë në interes dhe në favor të çështjes sonë kombëtare, si dhe mirëqenie, stabilitet politik dhe begati për qytetarët e të njëjtit komb e të të njëjtit popull.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat