Lëvizja e përditshme që zgjat jetën, është më e thjeshtë se sa mendoni

Këshilla mjekësore

Lëvizja e përditshme që zgjat jetën, është më e thjeshtë se sa mendoni

Më: 9 janar 2023 Në ora: 23:32
Foto ilustrim

A mundet një lëvizje e thjeshtë, e lehtë, e shpejtë, e bërë pothuajse kudo, të sigurojë shëndet më të mirë dhe jetë më të gjatë? Po, thonë ekspertët, të cilët po e kthejnë sërish vëmendjen te një tregues i vjetër i njohur i shëndetit të mirë: Hidratimi.

Sipas gjetjeve të një studimi të ri nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i SHBA, të rriturit që e mbajnë veten të hidratuar duket se janë më të shëndetshëm, zhvillojnë më pak kushte kronike si sëmundjet e zemrës ose sëmundjet e mushkërive dhe jetojnë mesatarisht më gjatë se ata që nuk konsumojnë sasi të mjaftueshme të lëngjeve.

Studiuesit mblodhën të dhëna shëndetësore nga 11,255 të rritur gjatë më shumë se 30 viteve për të analizuar lidhjen e mundshme midis niveleve të natriumit – të cilat rriten kur marrja e lëngjeve është e pamjaftueshme – dhe treguesve të ndryshëm shëndetësorë. Të dhënat e ekzaminuara ishin ato që vetë pjesëmarrësit ndanë gjatë pesë vizitave mjekësore.

Dy vizitat e para u kryen kur pjesëmarrësit ishin rreth 50 vjeç, dhe dy të fundit kur ishin 70 – 90 vjeç. Ekipi i studimit donte të përcaktonte nëse nivelet e natriumit ndikonin në moshën biologjike, i cili u përcaktua përmes 15 treguesve shëndetësorë, duke përfshirë presionin sistolik të gjakut, kolesterolin dhe nivelin e sheqerit në gjak.

Këto të dhëna ofrojnë një pamje të plotë të funksionit kardiovaskular, respirator, metabolik, renal dhe imunitar të një organizmi. Studiuesit zbuluan se të rriturit me nivelet më të larta të natriumit kishin më shumë gjasa të përjetonin simptoma të plakjes së parakohshme biologjike, të zhvillonin sëmundje të ndryshme kronike dhe të përballeshin me një rrezik në rritje të vdekjes së hershme në krahasim me ata nivelet e natriumit të të cilëve ishin më të ulëta.

Studiuesit theksojnë se gjetjet nuk janë në gjendje të shpjegojnë pse ndodh kështu, duke shtuar se nevojiten prova klinike të kontrolluara për të konfirmuar nëse hidratimi adekuat mund të nxisë plakjen e shëndetshme dhe të parandalojë sëmundjet, duke siguruar në fund jetëgjatësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat