Kishe dëgjuar për “detoks dopamine”? Specialistët thonë se ky proces, në thelb, ka ndërprerjen e çdo tejkalimi të stimulimit të përditshëm, për t’u përqendruar në meditim apo në mënyra të tjera si të jesh i/e më e qetë.
Dopamina aktivizohet në zonat e trurit që të japin ndjesinë e kënaqësisë, shpërblimit dhe motivimit, duke pasur ndikim në memorie, humor, gjumë, përqendrim, lëvizje dhe të mësuarit të gjërave. Nëse bën detoks prej saj, mund të thyesh disa zakone jo të mira.
Nëse e vendos veten në një periudhë kohore kur nuk ke shumë stimulime, do bësh të mundur që të kesh një jetë më të balancuar dhe të përmbushur. Studiuesit thonë se kjo mënyrë ndihmon në ndërtimin e zakoneve të reja që i kushtohen vetes dhe jetës përtej punës, arritjeve profesionale, apo vëmendjes ndaj pajisjeve digjitale.
Ky proces sugjerohet për personat që punojnë më shumë sesa duhet dhe janë të varur nga pajisje teknologjike apo jeta e shpejtë.
Theksojmë se dopamina është gjithmonë në trurin tonë, pra nuk është se do zhduket, por ky detoks synon të të bëjë më të vëmendshëm/me ndaj zakoneve të tua dhe të ndihmon të ndërtosh raporte më të mira me veten.