"Për të burgosurit ka shpresë, për të vdekurit jo" – vajza e Xhemail Mustafës, në 26-vjetorin e vrasjes së babait

Aktuale

"Për të burgosurit ka shpresë, për të vdekurit jo" – vajza e Xhemail Mustafës, në 26-vjetorin e vrasjes së babait

Nga: Bota sot Më: 23 nëntor 2026 Në ora: 19:11
Xhemail Mustafa

Beriane Mustafa, gazetare dhe e bija e gazetarit e veprimtarit Xhemail Mustafa, ka kujtuar sot babanë e saj në 26-vjetorin e vrasjes. Në një postim në Facebook, ajo e krahason fatin e të burgosurve me atë të të vrarëve.

"Për të burgosurit ekziston gjithmonë shpresa se një ditë do të hapen dyert e qelisë dhe do ta prekin sërish lirinë. Por për të vdekurit nuk ka më kthim, nuk ka më përqafim, nuk ka më një ditë të nesërme...", ka shkruar ajo.

Postimi vjen dy muaj pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.

"26 vjet pa ty, babë. 26 vjet pritje, dhimbje dhe një drejtësi që nuk erdhi kurrë. Koha kalon, por plagët nuk mbyllen. Mungesa jote nuk zbehet, ndërsa pyetjet për vrasjen tënde vazhdojnë të mbeten pa përgjigje", shkruan Beriane Mustafa.

"Mund të të kenë marrë jetën, por nuk mund ta vrasin të vërtetën, kujtimin dhe trashëgiminë tënde. Liria e ka emrin tënd, Xheme! E drejtësia për ty mbetet borxhi ynë i pashlyer", përfundon ajo.

Xhemail Mustafa u vra më 23 nëntor 2000 në Prishtinë. Dy persona e qëlluan me armë zjarri në hyrje të banesës së tij. Ai ishte 47 vjeç. Kjo ishte vrasja e tretë e këtij lloji brenda dy muajve dhe e tronditi skenën politike të pasluftës.

Mustafa lindi më 23 gusht 1953 në Glamnik të Podujevës. Fillimisht ishte zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa nga viti 1997 ishte këshilltar për informim i presidentit Ibrahim Rugova. Ai ishte njëkohësisht kolumnist i gazetës "Bota Sot".

Edhe pas 26 vjetësh, askush nuk është dënuar për vrasjen e tij. Xhemail Mustafa mban titullin "Hero i Kosovës", ndërsa një shkollë fillore në Prishtinë, pranë vendit ku u vra, mban emrin e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat