​Përmbyllet projekti për pronësinë intelektuale

Kosova

​Përmbyllet projekti për pronësinë intelektuale

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 18:53
Foto ilustrim

Pas tri vjet e gjysmë është përmbyllur projekti rreth dy milionësh “Mbështetja e BE-së për sistemet e të drejtës së pronësisë intelektuale në Kosovë”.

Qëllimi i këtij projekti ka qenë fuqizimi i kapaciteteve ligjore, administrative dhe strukturore të institucioneve të Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për zhvillimin dhe zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale. Në ceremoninë përmbyllëse të këtij projekti u tha se të drejtat pronësore intelektuale janë të drejta të rëndësishme dhe se në kuadër të saj janë hartuar pesë ligje.

Projekti gjatë zbatimit ka qenë aktiv në rritjen e vetëdijes së publikut për rëndësinë e pronësisë intelektuale.

Pasditen e së mërkurës janë shfaqur edhe video-animacione, të cilat janë krijuar për të përshkruar përfitimet që sjellin të drejtat e pronësisë intelektuale. Por, po ashtu edhe për mbrojtjen që gëzojnë krijuesit dhe përfitimet e përgjithshme për ekonominë dhe shoqërinë.

Zëvendësshefi i seksionit të bashkëpunimit, Alessandro Bianciard ka thënë se të drejtat pronësore intelektuale janë të drejta të rëndësishme për Bashkimin Evropian.

Bianciard: Të drejtat pronësore intelektuale janë të drejta të rëndësishme

"Të drejtat pronësore intelektuale janë të drejta të rëndësishme në dhe për Bashkimin Evropian, vlerësohen si çdo e drejtë tjetër për qytetarët e BE-së dhe jam i lumtur që po e kalojmë rëndësinë e tyre edhe këtu në Kosovë bashkë me ju. Ajo që dua të them kur them me vlerë është edhe vlerë ekonomike dhe ku industria kontribuon pothuajse në çdo qelizë të ekonomisë duke shpërblyer punën krijuese dhe zgjidhjet që e bëjnë jetën tonë më të mirë. Sa i përket vlerave ekonomike të industrisë të së drejtës së autorit në Kosovë, një studim i realizuar nga ky projekt zbuloi se ai pati kontribut në ekonomi ishte 5.2% e punësimit, 2.9% e vlerës së shtuar bruto, 8.4% e eksportit dhe 6% e importit në vend në vitin 2019. Në kontekstin rajonal, punësimi në industrinë e së drejtës së autorit në Kosovë ishte pra më i lartë se në shumë vende të rajonit”, ka thënë ai.

Zëvendësministri për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Mentor Arifaj theksoi se ky projekt ka filluar në qershor të vitit 2019 dhe ka vlerën prej 1.9 milionë euro.

Arifaj: Në kuadër të projektit janë hartuar pesë ligje

"Gjatë kësaj periudhe të implementimit, jemi ballafaquar me pandeminë por janë arritur rezultate të dallueshme dhe të respektueshme dhe atë në disa komponentë. Në komponentin ligjor, në ngritjen e kapaciteteve administrative, si dhe në ngritjen e ndërgjegjësimit të publikut për rëndësinë e pronës intelektuale. Në aspektin e infrastrukturës ligjore, Agjencia për Pronësi Industriale së bashku me ekspertët e angazhuar në kuadër të projektit ka arritur që të hartojë pesë ligje, të cilat ligje vitin e kaluar janë miratuar nga Parlamenti i Kosovës. Ndër to është Ligji për Patenta, Ligji për Topografitë e Gjysmëpërçuesve, për Dizajnin Industrial, për Mbrojtjen e Sekreteve Tregtare dhe Ligji për Markat Tregtare”, ka thënë ai.

Përfaqësuesja e Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të drejtat e përafërta, Zjarrta Osmani tha se bashkëpunimi është bërë me një qëllim të vetëm për mbrojtjen e krijimtarisë intelektuale.

Osmani: Bashkëpunimi jonë pati një qëllim të vetëm: mbrojtjen e krijimtarisë intelektuale

"Bashkëpunimi jonë pati një qëllim të vetëm: mbrojtjen e krijimtarisë intelektuale në Kosovë. Duke qenë se Ministria e Kulturës është përgjegjëse për hartimin e legjislacionit në fushën e të drejtës së autorit dhe në krijimin e politikave për mbrojtjen e këtyre të drejtave, ne në vazhdimësi kemi pasur fatin që të jemi të përcjellë me bashkëpunime dhe përkrahje të projekteve të ndryshme të Bashkimit Evropian... Ligji për të Drejtat e Autorit është drejt finalizimit dhe në kohën e fundit për pranimin e komenteve. Por, bashkëpunimit tonë natyrisht që për krijimin e sistemit të pronësisë intelektuale në Kosovë, nuk mjafton vetëm një legjislacion i mirë, janë edhe disa komponentë të tjera”, ka theksuar ajo.

Kontrabanda me mallrat e falsifikuara është me interes për Doganën e Kosovës, tha drejtori i këtij institucioni, Agron Llugaliu. Sipas tij, kontrabanda me këto mallra lëndon interesin e qytetarëve.

Llugaliu: Gjatë këtij viti kemi arritur vlerën 8.4 milionë në fushën e konfiskimit të mallrave të falsifikuara

"Gjatë këtij viti kemi pasur një rezultat dukshëm më të lartë se sa vitin e kaluar, e shumë më të lartë se sa vitet paraprake në fushën e konfiskimit të mallrave të falsifikuara. Përderisa vitin e kaluar kemi pasur 5.2 milionë vjedhje të mallrave të konfiskuara, sivjet deri në këtë muaj ka arritur vlerën 8.4 milionë. E ne presim që deri në fund të vitit të dyfishohet. Është shumë e rëndësishme që të gjitha institucionet, Policia, Inspektorati të kenë qasje të njëtrajtshme të këtij fenomeni”, ka vijuar Llugaliu.

Dogana e Kosovës ka qenë institucion përfitues dhe partner në zbatimin e këtij projekti.

Projekti “Mbështetje për sistemin e të drejtave të pronësisë intelektuale në Kosovë është zbatuar nga një konsorcium i organizatave të drejtuar nga organizata belge - IBF international consulting, në partneritet me partnerin nga Greqia: EPLO – European Public Law Organisation.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat