​Gratë informohen për ruajtjen dhe rritjen e biznesit

Kosova

​Gratë informohen për ruajtjen dhe rritjen e biznesit

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 14:43
Foto ilustrim

Gratë luajnë një rol kyç në bujqësi dhe janë shtylla kurrizore e komuniteteve rurale. Kështu u tha në sesionin e dytë të trajnimit të mbajtur sot (e shtunë), në kuadër të projektit “Mbështetja për gratë në zhvillimin e bizneseve të tyre”. Ndërkaq, diskutimi kryesor u zhvillua rreth asaj se si të krijohet, ruhet dhe rritet një rrjet i fortë me furnizues të besuar.

Rreth 20 gra nga fusha e biznesit patën mundësinë të ndanin eksperiencat dhe përvojat e tyre në këtë trajnim, në të cilën morën informacione dhe këshilla se si të rrisin impaktin e prodhimit të ushqimeve organike që ato i prodhojnë.

Në kuadër të këtij projekti, i cili zbatohet nga organizata joqeveritare Qendra për Inovacione dhe Zhvillim dhe financohet nga Agjencia Sllovake për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar “SlovakAid”, u diskutua për burime të qëndrueshme në prodhimin e ushqimit organik. Aty u tha se qëndrueshmëria, në kontekstin e bujqësisë, nënkupton balancimin e nevojave që kemi sot dhe ruajtjes së burimeve për brezat e ardhshëm, burime si dheu i ushqyeshëm, uji, e të tjera.

Ndër të tjera, gratë u informuan se ndërtimi i lidhjeve dhe rrjetëzimi, është me rëndësi shumë të madhe për çdo zinxhir furnizimi, sidomos për gratë që janë në zona më të më të izoluara, e kanë më të vështirë për të krijuar rrjetet e tyre. Prandaj u theksua se është e domosdoshme që të shfrytëzohet për të krijuar lidhje biznesi dhe qasje në tregje të reja.

Theks të veçantë në këtë trajnim pati diskutim lidhur me sistemin e sigurisë të cilësisë të orientuar drejt ushqimit në pikat e kontrollit të analizës së rrezikut (HACCP).

Gratë ndërmarrëse mësuan se zbatimi i HACCP-së, është i domosdoshëm, sepse shmang të gjitha rreziqet për shëndetin e konsumatorit. Tutje, u potencua se me implementimin e këtij sistemi, përfiton edhe vet biznesi nga që tregon përkushtim dhe përgjegjësi ndaj sigurisë ushqimore, krijon kulturë të sigurisë ushqimore dhe zvogëlon pasojat ekonomike.

Në kuadër të trajnimit, u theksua se sistemi HACCP, i ka shtatë parime, ndër to analizën e rreziqeve që përfshirë identifikimin e rreziqeve ushqimore, më pas përcaktimin e pikave të kontrollit, vendosjën e kufijve kritikë në pikat e kontrollit, vendosjën e sistemit monitorues për kontrollin e pikave kritike dhe të tjera.

Gratë e pranishme në këtë trajnim, përveç që mësuan për rëndësinë me pajisen e certifikatës HACCP për produktet e tyre, u informuan se edhe zbatimi i certifikatës Global Gap është i domosdoshëm për të pasur suksese të vazhdueshme në të bërit biznes.

Aty u potencua se përparësitë e certifikimit me Global Gap, janë rritja e vlerës së produkteve, pasi u jep qasje me klientë të rinj në tregje të reja, zvogëlon mundësinë që humbet reputacioni i biznesit dhe përmirëson efikasiteti i proceseve të biznesit e të tjera.

Lidhur me këto çështje, disa nga gratë e pranishme në trajnim ndanë informacione se e kanë tokën e certifikuar, në të cilën bënë kultivimin e bimëve mjekësore, perimeve e produkteve të tjera.

Ndërkaq, disa të tjera thanë se kanë filluar me implementimin e sistemit HACCP, por që shtuan se pasi kuptuan rëndësinë e certifikimit edhe me Global Gap, do të angazhohen në këtë drejtim.

Cikli i trajnimeve do të vazhdojë edhe tutje me gratë në fushën e biznesit nga e gjithë Kosova, ku do të ketë informacione dhe këshilla edhe më të detajuara sa i përket bërjes sa më të mirë të biznesit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat