Miratohet lista zyrtare, qytetarët do t’i blejnë barnat me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën

Kosova

Miratohet lista zyrtare, qytetarët do t’i blejnë barnat me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën

Më: 17 maj 2024 Në ora: 17:19
Foto ilustrim

I miratuar para rreth një viti, më 13.07.2023, në Kuvendin e Kosovës, Ligji për çmimin e produkteve medicinale ka hyrë në fuqi sot më 15.5.2024 ku edhe është publikuar çmimorja e barnave.

I njohur ndryshe si Ligji për çmimin e barnave, ky akt normativ ka për qëllim kursimin e xhepit të qytetarëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimet me çmimet e larta për barna.

Në mungesë të zbatimit të Ligjit, barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atë ditë pati thënë se barnat duhet të jenë edhe të disponueshme, edhe të përballueshme e se ky Projektligj mundëson vendosjen e çmimeve tavan dhe të unifikuara për ilaçet.

“Nuk mjafton që ato të jenë në raftet e barnatoreve, nëse nuk janë në sirtarët e shtëpive tona. Nuk mjafton që t’i ketë farmacisti, nëse nuk i ka pacienti. Na duhen të dyja, pa kursyer shëndetin dhe duke kursyer xhepin” – kishte thënë i pari i ekzekutivit më parë.

Ligji parasheh 4 lloje të çmimeve: çmimi me shumicë, çmimi me shumicë për produkte gjenerike, çmimi me pakicë dhe çmimi me pakicë për produkte gjenerike.

Produktet gjenerike janë produkte të zhvilluara që të jenë të njëjta sikurse produkti medicinal paraprakisht i autorizuar. Ato përmbajnë të njëjtën substancë si produkti origjinator dhe përdoren në të njëjtën dozë për të trajtuar sëmundjen e njëjtë. Gjenerikët prodhohen pas skadimit të patentës për ilaçin origjinal apo të drejtave të tjera ekskluzive dhe pa licencë nga ana e kompanisë inovatore, duke ofruar një alternativë më të përballueshme.

Ky akt normativ rregullon edhe lartësinë e marzhës, publikimin zyrtar të çmimeve, mbikëqyrjen, të drejtën e ankesës dhe sanksionet kundërvajtëse.

Organi epror që shqyrton ankesat ndaj listës zyrtare të çmimeve është Komisioni i Ankesave, i emëruar po ashtu nga ministri, i përbërë nga 5 anëtarë, me mandat 3-vjeçar.
Sanksionet kundërvajtëse ndaj atyre që shkelin këtë Ligj janë gjoba nga 1 mijë deri në 10 mijë euro dhe inicimi i procedurës për revokimin e licencës së farmacistit dhe/apo licencës së farmacisë.

Mbikëqyrja e zbatimit të këtij Ligji bëhet nga Inspektorati Farmaceutik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat