“Nëntori i Dytë” si i ri, 60 mijë euro restaurimi - Bota Sot
“Nëntori i Dytë” si i ri, 60 mijë euro restaurimi

Kultura

“Nëntori i Dytë” si i ri, 60 mijë euro restaurimi

Më: 5 nëntor 2012 Në ora: 22:59

Filmi-simbol i pavarësisë hapi edicionin e 13-të.
Shfaqja e tij do shërbejë për të siguruar fonde për filma më të dëmtuar si “Ballë për Ballë”
Ngjyra të gjalla, pastërti që të lejon të dallosh edhe të kuqtë e faqeve dhe motivet e qilimave, por mbi të gjitha e kuqja e flamurit është flakë. Filmi me regji të Viktor Gjikës rishfaqet 30 vjet pas krijimit të tij, si të ishte i ri. Falë një projekti restaurimi, i cili synon shpëtimin e trashëgimisë së Arkivit të Filmit Shqiptar, ky film ishte i pari që përfitoi. Nuk ishte e rastësishme përzgjedhja e këtij filmi. Filmi simbol i pavarësisë e meritonte këtë nder në këtë 100-vjetor. Pasi iu nënshtrua një procesi restaurimi dhe subtitrimi në gjuhën angleze, filmi “Nëntori i dytë” mbërriti në Tiranë për të hapur edicionin e 13-të të Festivalit të Filmit në Tiranë. Dje, në një konferencë shtypi, ku ishte e pranishme drejtoresha e AQSHF-së, Elvira Diamanti dhe udhëheqësja e projektit, specialistja Regina Longo, u tha se restaurimi i këtij filmi ka kushtuar rreth 60 mijë euro. Për drejtoreshën Diamanti, ky është një moment shumë i rëndësishëm për filmin shqiptar. Restaurimin e këtij filmi, në ditëlindjen e Pavarësisë shqiptare, ajo e quajti një ogur të mirë. Pas pak do të shohim edhe filmin “Skënderbeu” dhe duket se erë e mbarë po fryn për pasurinë tonë kinematografike.
Pjesa teknike
Kur filmi u shfaq në ekranin e madh të Kinema Millenium, spektatorët mbetën të impresionuar nga cilësia që kishte fituar figura e zëri, si të ishte realizuar sot, me teknikat më moderne. Por edhe këtu ka një kleçkë. “Qëllimi ynë përfundimtar është të ruajmë filmin ‘Nëntori i Dytë’ në versionin e tij origjinal, në 35 mm. Ajo që ju patë në natën e hapjes së festivalit ishte një restaurim në format dixhital, kjo ishte faza e parë dhe mënyra më e mirë për të arritur restaurimin për festivalin. Ne filluam në gusht, ku Arkivi dërgoi në Coloralb në Washington Dc të gjithë elementët e filmit që do t’i nënshtroheshin restaurimit, me gjithë kushtet e dërgimit, sepse pakoja peshonte rreth 45 kilogramë dhe kushtuan rreth 1 mijë dollarë”. Siç thotë specialistja Longo, elementet kryesore ishin origjinali negativ i filmit, fonogramet (zëri) dhe pozitivi. “Para se të fillonte procesi i transferimit të filmit, filmi iu nënshtrua një pastrimi të detajuar, rregullimi të çdo kuadri që mund të kishte problem dhe pastaj u bë transferimi në dixhital. “Nëntori i Dytë” kishte disa probleme teknike dhe degradime të materialit filmik, por jo në nivelin e disa filmave të tjerë që ndodhen në Arkivin e Filmit si “Ballë për Ballë”, “Liri a vdekje”, “Vajza me kordele të kuqe”, “Në shtëpinë tonë” etj. Problemi kryesor i “Nëntorit të Dytë” qëndronte të ngjyrat që ishin të zbehta dhe regjistrimi origjinal i zërit që kishte disa probleme dhe puna kryesore u fokusua te ngjyrat dhe pastrimi i zërit”, shpjegon ajo.
Projekti
“Para tre muajsh, kur e nisëm këtë projekt, menduam se ç’duhet të bënim që të rrisnim ndërgjegjësimin te publiku për kushtet e Arkivit të Filmit dhe ruajtjen e tyre. Në fund të shtatorit, ne ngritëm një faqe interneti për projektin dhe pas pak do të jetë e azhurnuar edhe në shqip dhe kështu do të kemi më shumë mundësi që të kemi edhe vëmendjen e shqiptarëve që jetojnë anembanë botës. Duke qenë se Arkivi i Filmit e ka buxhetin shumë të ulët për të përballuar iniciativa të tilla, shpresojmë shumë që të kemi vëmendjen e duhur për të mbledhur fonde ndërkombëtare. Deri tani kemi marrë përgjigje pozitive nga organizata ndërkombëtare, të cilat do të na ndihmojnë për të shpërndarë fondet. Deri tani kemi bërë disa aktivitete dhe në mars të vitit 2013 kemi menduar të organizojmë tri aktivitete të ndryshme në tri qytete të mëdha të Shteteve të Bashkuara”, tregon Regina Longo. Do të jetë Eriona Vyshka, specialistja e Arkivit që do të përfaqësojë Arkivin në konferencën e arkivave të filmit në Siatëll në Amerikë, ku do të jetë rasti që të flitet për filmin “Nëntori i Dytë”. Kjo është hera e parë që AQSHF merr pjesë në një eveniment kaq të rëndësishëm në qarqet e veta profesionale. Sipas Longos, çdo ngjarje në fushën e filmit në SHBA do të shfrytëzohet për të thithur fonde për këtë projekt. Filmi “Nëntori i Dytë” do të përdoret si një shembull për të thithur fonde për restaurimin e të tjerë filmave edhe më problematikë se ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test