Kënaqësia dhe e vërteta, femërorja si thelb i psikës

Life style

Kënaqësia dhe e vërteta, femërorja si thelb i psikës

Më: 14 janar 2021 Në ora: 10:41
Ilustrim

“Kam shumë ankth… dhe ndonjëherë bëhet i padurueshëm! Fle shumë pak; kam mendime të këqija në kokë… Në fakt kam gjithë jetën me ankth, por tani është bërë i padurueshëm! Jam vizituar disa herë, kam pasur disa kriza, të cilat janë qetësuar nga ilaçet, por nuk janë zgjidhur përfundimisht, prandaj përsëriten. Në fakt unë e di nga më vjen ky ankth. Për këtë kam ardhur më shumë: nuk krijoj dot marrëdhënie të qëndrueshme me femrat. U bënë dy vite që kam vetëm one night stand. Ndihem shumë i vetmuar. Dua të krijoj familjen time. Nuk kam pasur asnjëherë një familje. Dhe ndonjëherë, kur shkoj te njerëzit e mi, te vëllezërit nga babai apo kushërinjtë, gratë e tyre më ngacmojnë dhe më duket si kur unë bëhem shkak i konflikteve dhe shkatërrimit të familjeve. Pastaj futem në mendime po si kur të më tradhtojë gruaja që do kem në të ardhmen? Bëhem keq! Ankthi rritet më shumë. Nuk di çfarë të bëj! Nuk mundem më kështu!”

Dr. Alma Hasalami -PSIKIATRE ( fëmijë dhe adult)

Kjo analizë e këtij 27-vjeçari, e thënë me një zë të furishëm dhe kërkues brenda pak minutave, ishte preludi i një nga rasteve më sfidues dhe më pasurues në njohjen time mbi psikën. Djali është shqiptar, por jeton në një metropol të perëndimit që pas vdekjes së mamasë, kur ishte 19 vjeç. Atje jetonte krejt vetëm, me bashkëjetues të rastit, thjesht për të ndarë apartamentin.

Ndonjëherë ndihmonte vëllanë nga babai në biznesin e tij, por shumicën e rasteve bënte punë të rëndomta. Që te seanca parë bie në sy për elokuencën dhe fjalorin me pasur në të shprehur, inteligjencën në arsyetim dhe në analizën e vetes, dhe habitet shumë kur unë ia vë në dukje këtë. Ai ka mbaruar vetëm 8-vjeçaren, pasi 15 vjeç ka emigruar me të ëmën nga Shqipëria në Greqi. Atje filloi punën në ndërtim, për të cilën më vonë filluan ta quanin dembel pasi nuk e përballonte dot. Më shprehet se asnjëherë nuk e kishin trajtuar si inteligjent dhe gjithmonë kishte marrë rolin e “atij që s’merr vesh”, por që bën humor dhe është simpatik me femrat.

Më thotë se i pëlqente të shkruante poezi erotike. Kishte frikë dhe hezitim për të mbyllur sytë, për t’u përballur me të vërtetën. Hipnoza i dukej e pamundur. I thashë që, shërimi vjen vetëm kur përballemi me realitetin. Në këtë moment mendova se s’do vinte më, por e dija që s’kishte rrugë tjetër. Megjithatë u ngroh shumë kur i thashë se dëshira për dashuri është dëshira më e lashtë që kemi, dhe se dashuria është kënaqësia më e madhe në jetë, prandaj të mos ndihej fajtor nga ngacmimet e femrave të fisit dhe one night stand-et.

U deshën disa takime e biseda në telefon për ta bindur të mbyllë sytë. Vështirësia për të mbyllur sytë ishte vështirësia e tij për t’u përballur me nënvetëdijen, me mendimet dhe imazhet që lulëzojnë në errësirën dhe heshtjen e natës. Ai thoshte se kështu humbiste kontrollin mbi realitetin. Unë i thoja: “Përpiqu ta ndjesh realitetin!”. “Dua të shërohem! Dua t ’i shkoj deri në fund!”- dhe në fakt udhëtimi i tij psikik filloi me kujtimet që kishte nga femrat e jetës së tij: rruga kur shkonte për te spitali ku ishte shtruar mamaja para se të vdiste; një tjetër rrugë që i kujtonte një ish të dashur, e cila e provokonte dhe nuk i jepte siguri në dashurinë e saj; një ari brenda një kafazi në majë të një kodre, i cili gjuante me gur në drejtim të tij; takimi me dy gjyshet, të cilat urrenin njëra-tjetrën; konflikte e dhunë në familje; divorci dhe vendosja e kufijve në shtëpi mes mamasë dhe gjyshes; nxjerrja nga shtëpia me dhunë e mamasë dhe e atij; pickimet në trup që ia bënte daja kot për qejf apo pickimet që merrte nga të rriturit si ndëshkim sa herë që mbronte mamanë; shkolla tetëvjeçare në të cilën ndihej mirë pasi vlerësohej për inteligjencën që kishte, por ndihej në turp për shkak se shumë i njihnin historinë familjare; babai i ftohtë, analitik deri në paranojë, i kërkonte dhe këtij, që në moshë të vogël, të ishte vigjilent deri te detajet më të parëndësishme në mjedisin përreth dhe e ofendonte kur ky nuk i vinte re; mamaja e përshkruar fillimisht si viktimë e babait dhe e gjyshes, më pas si heroinë e cila, edhe pse e varfër dhe me epilepsi, nuk e braktisi asnjëherë djalin e saj; braktisja e shkollës dhe fillimi i punës së rëndë që 15 vjeç; lehtësimi dhe çlirimi nga vdekja e mamasë edhe pse ishte 19 vjeç dhe pa asgjë, shoqëruar nga habia dhe faji se si mund të kishte ndjesi të tilla ndaj saj.

Dhe ky ishte vetëm fillimi: gjithçka që dinte nga vetja, por e koklavitur lëmsh, me siguri për të fshehur diçka më të madhe. Udhëtimi i tij psikik vijoi përsëri me rrugë. Këtë herë majtas rrugës kishte bordello, ndërsa djathtas agjenci funerali. U trondit kur kuptoi sa reale ishte dëshira e tij për të vdekur dhe akoma më shumë kur gjeti brenda bordellos mamanë dhe gjithë femrat e jetës së tij. Ai e dinte që jeta e tij seksuale ishte si bordello: seks i rastësishëm dhe pornografi. Por nuk kuptonte pse aty, në psikën e tij gjendej mamaja dhe të gjitha femrat e fisit, deri te mbesa më e vogël që e donte aq shumë.

Në këtë pikë ishte i detyruar të nxirrte ngacmimet seksuale që i kish bërë mamaja e tij, në moshën 4 dhe 15 vjeç. Pastaj ngacmimet seksuale nga kushërirat e tij më të mëdha, ku njëra prej tyre kishte tentuar ta mbytë me duar në fyt kur ky ishte më i vogël se një vjeç. Problemet ishin të shumta dhe ndërhyrjet që bënim ishin të shumta. Ai po ndjente një çlirim të përkohshëm, por të paqëndrueshëm. Arriti të shkëputet nga identifikimi me dëshirat e kushërirave, por jo nga ato të mamasë. Mesa duket kishte diçka akoma më thellë…

Historia vijon në numrin e ardhshëm…

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat