Këto janë veçoritë e liderit të mirë në kohë krize

Life style

Këto janë veçoritë e liderit të mirë në kohë krize

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 07:18
Ilustrim

Pandemia e Covid19 ka sjellë në vëmendje dhe në rol kryesor liderët e format e ndryshme të lidershipit, qoftë në biznes, në vijën e parë të ‘luftës’ në spitale, apo në instancat shtetërore.

Është një kohë pasigurie, çorientimi, ku njerëzit ndjejnë se po u humb kontrolli dhe janë të ngarkuar emocionalisht. Kjo situatë ka frikësuar punonjësit e çdo industrie dhe ka kërkuar ndërhyrjen e menaxherëve e administratorëve, pra ndërhyrjen e një lideri.

Si fillim lideri duhet të kuptojë që kjo nuk është një situatë e zakonshme, por është një krizë. Një lider i mirë nuk e nënvlerëson riskun dhe impaktin që do të ketë kriza tek stafi i tij. Vetëm pas këtij ndërgjegjësimi, mund të fillojë plani i veprimit. Fatkeqësisht krizë do të thotë përballje me sfida të reja dhe të panjohura që e vështirësojnë marrjen e vendimeve. Nga lideri kërkohet edhe improvizim në krijimin e planeve të reja emergjente, kompani që nuk kishin menduar se një ditë do u duhej të punonin nga shtëpia, po detyrohen sot ta aplikojnë këtë politikë. Përdor fjalën ‘improvizim’ duke nënkuptuar që nuk mund të ketë plane të mirëmenduara hap pas hapi kohë më parë sepse kriza ndryshon ditë pas dite, orë pas ore dhe kërkohet reagim i menjëhershëm. Në fakt nga lideri duhet të kërkojmë sjellje pozitive, empati, ndjekjen e zhvillimeve të reja, dhe mbi të gjitha vizion.

Që një lider të jete efektiv në menaxhimin e krizës, është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim të ngushtë me ekipin e vet. Një lider i mirë organizon skuadrën që t’i bëjë ballë krizës, i bën ata të besojnë që lidershipi do t’u sigurojë atyre stabilitet. Gjatë funksionimit normal, kompanitë mund të veprojnë në bazë të: urdhër-zbatimit, kurse gjatë një krize kjo mënyrë nuk është efikase për shkak të pasigurisë së lartë.

Një lider i mirë mobilizon ekipin dhe vendos prioritetet dhe ushqen bashkëpunimin mes individëve.

Një lider i mirë pasqyron qetësi dhe ka aftësinë të mendojë qartësisht për mënyrën se si do të lindrojë varkën në kohë krize.

Një lider i mirë pasqyron optimizëm dhe besim që do të dilet nga kriza dhe se do të gjendet një mënyrë zgjidhjeje.

Një lider i mirë nuk pret të ndërmarrë hapa kur të ketë në tavolinë të gjitha faktet mbi krizën, por duke pasur parasysh variablat e panjohura e ‘suprizat’ që mund të shfaqen në të ardhmen, merr vendime të menduara që nuk bazohen në intuitë të verbër.

Një nga veçoritë më të rëndësishme që i duhet një lideri të mirë, është shfaqja e empatisë. Në një krizë të rëndë të përmasave të mëdha njerëzit fokusohen në mbijetesë dhe në plotësimin e nevojave bazë. Në mendjet e tyre enden pyetje si: “A do të sëmurem unë? Po familja ime? Çfarë do të ndodhë?”

Pikërisht në kohë të tilla lideri është edhe më i nevojshëm. Liderët duhet të ndjekin me vëmendje sesi ekipi po u reagon dhe çfarë mund të bëjë ai për t’u lehtësuar situatën atyre.

Së fundi, nuk duhet harruar që lideri duhet të kujdeset edhe për mirëqënien e vet sepse lodhja, stresi dhe paqartësia e situatës mund të shkaktojë lodhje e pamundësi për të funksionuar si duhet e si pasojë marrje vendimesh të gabuara.

Lidershipi gjatë një trazire është tepër i rëndësishëm si në kontrollimin e situatës, ashtu dhe parandalimin e daljes nga kontrolli. Sa më të përgatitur të jenë liderët, menaxherët, administratorët aq më lehtë do kalojë kriza.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat