3 këshilla si të largoni ndrojtjen

Life style

3 këshilla si të largoni ndrojtjen

Më: 19 janar 2022 Në ora: 17:02
Ilustrim

“Të qenit në mes të të tjerëve gjithnjë më ka krijuar ankth, qysh kur isha në shkollë. Dhe ende tani kur duhet të punoj në ekip me kolegët kam probleme ankthi. Nga kjo sjellje shpesh keqkuptohem dhe kolegët mendojnë se jam arrogant”. Histori e zakonshme droje. Studimet thonë se 50% e popullsisë vuan nga kjo: ndihemi të ekspozuar ndaj gjykimit të të tjerëve, provojmë siklete të mëdha e ndonjëherë edhe vuajmë. Por nga lind kjo vështirësi delikate? Mund të jetë e favorizuar qysh nga fëmijëria, pasojë e një sjelljeje kritike e prindërve. Në çdo rast droja është një lloj ashpërsie ndaj vetes, bindja e të mos qenit në lartësinë e duhur. Jeta e njeriut të ndrojtur është e kushtëzuar nga frikërat e tij…

Përqendroni vëmendjen te vetja

Në këto raste ndihmojnë shumë teknikat e frymëmarrjes dhe ushtrimet e relaksimit muskular. Kështu, do të arrini një nivel të mirë të përqendrimit dhe qetësisë.

Sepse është e rëndësishme të përqendroni vëmendjen mbi atë që jeni duke bërë.

“Nëse objektivi nuk është vetja, por përkundrazi përpiqeni të bëni përshtypje të mirë tek të tjerët, çdo incident mund të ushqejë frikëra të mëtejshme, duke kompromentuar rezultatin. Një njeri i ndrojtur shkatërrohet nga ankthi i të qenit i miratuar. Për shembull, një dëgjues të përgjumur, gabimisht e interpreton si provë të paaftësisë së tij për të ngjallur interes me ato që thotë. Një potere të dy të rinjve në fund të sallës e bën të mendojë se është objekt kritike negative për një frazë që mund të ketë thënë. Në një situatë të tillë i ndrojturi nuk ia del ta kthejë një gabim në instrument përfitimi dhe përsosjeje, por i forcon frikërat e tij".

Lejojani vetes gabimet

Kush vuan nga droja nuk është i sigurt që rezultati i veprimeve të tij do të jetë i përsosur. Edhe mund të mos jetë, ama kërkimi i përsosmërisë mund të jetë një handikap. “Jam i terrorizuar se mos bëj figurë të keqe në provime”, thotë Agimi 22 vjeçar. Ai prej dy vitesh është regjistruar në fakultetin e drejtësisë, dhe pikërisht prej terrorit të brendshëm, frikës për të folur përballë mësueses dhe idesë se mos gabon në përgjigje, ende nuk ka hyrë në asnjë provim. Ka shumë njerëz që ankohen se nuk kanë guximin të përballen me të tjerët, por në realitet kjo është një formë e narcizizmit. Zgjidhja në këtë rast është pranimi i mundësisë për të gabuar dhe pranuar gabimet. Por, si? “Përpiquni të mos i merrni gjërat tepër seriozisht, të zhvilloni një formë të autoironisë…”, thonë psikologët.

Imagjinoni skenarë të ndryshëm

“Nëse më pëlqen një djalë nuk arrij as ta shoh në sy. Nëse afrohet, skuqem. Në festa rri gjithnjë në një cep, pa pasur kurajë t’u afrohem të tjerëve”. E pse duhet të përfytyrojmë se bashkëbisedimi me dikë duhet të jetë me rezultat negativ? Mendoni skenarë të ndryshëm. Mund të jetë i këndshëm bashkëbisedimi. Përfytyroni, sikur do të ndodhë pikërisht më e mira.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat